Batoni si khomeinist

I kam lexuar duke mbajtur frymën dy shkrimet e fundit te Baton Haxhiut (“Shamia” dhe “Tre momentet e Aides” tek Gazeta Tema) siç bëjë shpesh kur shkruhet për fenë apo për Islamin në atë hapësirë që ndanë me hapësirat tjera post-komuniste “panikun moral” sahere qe flitet per sferen publike dhe religjionin. Kështu bëj zakonisht kur lexoj nga deklaratat e Marine Le Pen-it, apo kur dikur lexoja ndonjë intervistë të Jörg Heider-it te Austrisë. Ka aq shumë piktakime ku diskursi i Batonit dhe disa opinionisteve e qytetarëve të tjerë puqet me diskursin e të djathtës ekstreme në Evropë dhe të paternalizmit selektiv të tyre. Por ka një dallim subtil këtu, ngase e djathta ekstreme diskursin e saj fashist e drejton ndaj “imigracionit” apo “te huajve”në përgjithësi, e ndaj imigracionit arabo-musliman në veçanti, ndërkaq diskursi i Batonit, i shprehur “si fabul” në muhabetin rreth “shamisë”, siç thotë ai, më ngjason më shumë me diskursin dhe pasqyrimin anti-semitik të nazizmit. Shamia e këtë diskurs, është “hunda e hebrenjve” në diskursin nazist racial, ku fshihej armiku i Gjermanisë së Hitlerit. Në portretin e hundës hebrejë ndërtohej narrativa naziste e rrezikut dhe gjindej elementi identifikues i konspiracionit e i komplotit i cili trasonte rrugën e shkatërrimit te Gjermanisë, mendonin nazistet. Tek hunda hebreje që merrte frymë në Evropë për 2 mijë vjet, papritmas do të zbulohej simboli i armikut të Gjermanisë, aty diku, në “gjeometrinë e hundës” fshihej armiku kombetar i arianeve. Nuk është ndryshe me shaminë, edhe pse kjo nuk ndanë komponentin racial që i vente shkencizmi racial i Hans Guntherit në Raihun e Tretë hundes së hebrejve, ajo megjithatë nëpër portale të ndryshme tashmë edhe është “racializuar” ngase perflitet se bartet nga “vajzat talebane” e nga “këto far arabet” , nga njerez nga “Tora Bora” që nuk e kanë kuptuar ende se, siç thotë Batoni, ne “jemi t ë bardhë”, pra jemi disi ariane. Pa harruar këtu të folurën prej burrave me kravata kroate që çohen kundër “veshjeve iraniane” (me ngjyra të  zeza e të mbylltë thoshte në dokumentin e tij drejtori i gjimnazit në Gjilan, nuk guxojnë të kthehen në shkollë vajzat, por vetem me ngjyra te kuqe e portokalli thoshte ai, pra me ngjyra “ariane” disi) duke i vënë kështu ketij racizmi pa race atë komponentin “patriotik” për ta shndërruar fashizmin në akt të mbrojtjes së kombit, e të kulturës primordiale shqiptare.

Fryma disi ndalet kur lexon Batonin e disa te tjerë tek thirrin në ngufatjen e çdo debati rreth fesë në hapësirën publike, duke u përmendur laicitetin ne formen e tij me fetishe si “ndarje e shtetit prej fesë” e duke i veshur atij të paqenën, për të legjitimuar absurdin e fashizmit që përmbajnë dy shkrimet e tij. I shprehur në Kushtetutën e Kosovës tek neni 8, laiciteti pasqyron rendin politik e institucional të Kosovës. Por krahas kesaj, Kushtetuta garanton edhe lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes. Në parim, laiciteti si nocion i regjimit politik ka pikërisht për qëllim të garantoj këto të dyja, që janë vet objektivi i këtij nocioni politik, që mund të përmbushet përmes dy nën-principeve të rëndësishme: neutralitetit të shtetit dhe ndarjes së institucionit fetar (e jo të individit fetar) nga institucioni politik. Laiciteti nuk është laicizimi i shoqërisë dhe individit, ai është thjeshtë një emër tjetër për rregullimin e pluralizmit në hapësirën publike e institucionale duke i maksimizuar të drejtat fondamentale të individëve, të cilat mund të kufizohen vetëm e vetëm për motive të ruajtjes së “rendit publik, sigurisë dhe shëndetit” siç përcakton e njëjta Kushtetutë e Kosovës tek neni 55. Ajo që Batoni shpreh kuturu, e bashkë me të edhe shumë të tjerë po aq të panjohur me nocionin, është forma e tij ideologjike, kallëpi pozitivist i Charles Renouvier-it apo sot i Henri Pena-Ruiz-it, që tek ne funksionon disi si “kalë Troje” për të shprehur ngërçin që Batonët kanë me një fe të caktuar në Kosovë. Funksioni ideologjik i laicitetit është përtej funksionit politik të tij, është në fakt antitezë e tij, prandaj edhe tek Pena-Ruiz sot apo Charles Renouvier dje,kjo forme e ideologjizuar e tij  funksionon, siç thote Henry Cox tek “The Secular City” , “si përpjekje hegjemonike nga larte-poshte për të zhveshur individin nga çdo referencë metafizike e orientuar atë nga empirikja, per ta çliruar ate nga transcedentalja per ta shendruar ne pozitivist”. Por Batoni nuk është tamam kështu, ngase Renouvier dhe Pena-Ruiz janë disi me inkluziv në ideologjinë e tyre anti-fetare, ata aty fusin çdo reference transcendentale e çdo fe : por Batonët janë më shumë sikur Le Pen dhe Jörg Heider që koncentronin ekskluzivisht fashizmin e tyre ndaj myslimanëve kur kërkonin që shamitë të ndalohen edhe në rrugët e Francës dhe Austrisë, gje qe mund te zë vend ne shkrimin e ardhshëm te Batonit. Këtu Batoni, kur kërkon që mos të ketë fare debat për shaminë, ai është po aq ekskluziv, ngase nuk e kanë penguar ndonjëherë muzika liturgjike në Filharmonine Publike të Kosovës ku unë kam kënaqësinë te dëgjoj Ave Maria-an, Agnus Dei-n apo Magnificat-in….apo nuk e kanë penguar ndonjëherë shamitë e motrave të nderit në spitalin e Gjakovës ku ato me shërbenin me profesionalizëm, e as që duket ta k enë penguar ndonjëherë (ajo qe mbase vërtetë do duhej) fletushkat evangjelike me sheqerka e me fletore qe u ndahen vazhdimisht fëmijëve të shkollave fillore nëpër Kosovë (apo forma e tyre e modifikuar, kur fëmijët në shkolla ftohen të marrin dhurata përtej oborrit të shkollës, ku përveç sheqerkave dhe ndonjë fletoreje, u jepen materiale proselituese) që sillen si “hedije” nga ndonjë shkollë private evangjelike diku në ndonjë fshat të humbur të Teksasit. Rrjedhimisht, Batonët që përdorin “laicitetin” si “kalë Troje” për të mashtruar popullin që nuk ka ende një libër mbi laicitetin në gjuhën shqipe, janë laiket me të përçudnuar, laikët me deficit, laikët antiteze e laicitetit pra. Batonët që përflasin “laicitetin” në formën e tij ideologjike vetëm për shamitë, disi në disa cepa bien në atë që filozofi frëng Edgar Morin quante “catho-laicité” , apo “kato-laicitet”. Në anën tjetër të taborit batonist është kategori a anti-laicitet, e cila ndanë me batonistët pikërisht injorancën ndaj nocionit. Në fakt të kuptuarit e laicitetit prej këtyre dy kategorive është krejt i njëjtë. Shumë nga myslimanët që hidhen kuturu me retorikë kundër “laicitetit” e gjejnë legjitimitetin e tyre pikërisht tek diskursi kategorisë absolutiste të batonistëve: ata janë kundër “laicitetit” ashtu siç shpërfaqet në këtë diskurs ideologjik të Batonit, ata janë kundër po ashtu sepse mbase diktaturat e lindjes ishin laike dhe se thirreshin batonisht në laicitet, janë kundër ngase në mendje ju vie Ataturku e jo Kanadaja, ngase në mendje u vie Le Pen, Vildeers,  Heider, Pim Fortyn e jo Charles Taylor, Jean Bauberot, Micheline Milot, Habermas etj. Loja e ndotur luhet mes ketyre dy kategorive ku njëra gjurmon material tek tjetra.

Ka diçka të çuditshme dhe të neveritshme në debatet publike në Kosovë. Natyrisht nëse pajtohemi se ka “debat”. Kjo hapësirë është e dominuar nga kategori absolutiste, që bëjnë ping-pong mes veti dhe që në fakt kanë një mardhënje ndër-ushqyese njëra me tjetrën, një mardhënje ndër-inspiruese. Kategoria absolutiste ku bënë pjesë Baton Haxhiu, bashkë me disa opinionistë të tjerë aty jashtë, ndanë një seri “pikash kontakti” me diskursin e disa të rinjve ultrakonservator myslimanë që krijojnë një kategori absolutiste në vete. Njëri nga segmentet e territorit të tyre i përbashkët është konspiracionizmi: ashtu siç mund të gjesh nëpër disa portale myslimanësh shkrime të përçudnuara ku çdo akt ligjor lokal i Amerikës, çdo vepër orinentalistẻsh apo çdo prononcim mbi të vërtetën e tyre nga njerëz që nuk i takojnë asaj, pasqyrohet disi si “luftë kundër Islamit” (mbase jo pse nuk ka një gjë të tillë, por se në atë  kallëp futen edhe kritikat legjitime e edhe prononcime thjeshtë “ndryshe” rreth Islamit) si njëfarë përpjekje për ta “shkatërruar Islamin”; njëlloj edhe diskursi i batonistëve ndërthur elementet konspiracioniste që sheh shaminë si hap drejt “luftës civile”, apo si veshje “me rrogë” (Flaka Surroi), apo si hap më kompleks te cilin në mënyrën më patetike e shprehte Teuta Sahatçiu në një debat televiziv (thuajse të kishte përkthyer fjalë për fjalë nga një interviste e Jörg Heiderit) ku deputetja thoshte se “këta (!?) njëherë kërkojnë ta fusin shaminë në shkolla, masanej ta fusin fenë në shkolla, masanej ta marrin parlamentin, masanej ta bojnë shtetin, e t’na kpusin durt e t’na vnojnë shamia grave, e t’na vrasin me gurë”….Disi mungon vetëm zbulimi i “Protokolleve të të Urtëve të shpellës Hira” apo “Protokollet e Urtakeve të Stambollit” për të kompletuar pikturën e ketij teatri absurd. Ka edhe shumëçka tjetër që mund të ndajnë këto dy diskurse (që janë vetëm dy nga kategoritë absolutiste e oqeanin e absolutizmave partiak e ideologjik të shoqërisë sonë), e kjo shfaqet kur për shembull disa myslimanë ndërtojnë “argumentin” e tyre në formën “vajzat me minifund po lejohen në shkollë e ato me shami nuk po lejohen” e kështu në mënyrë implicite disi thurin argument të ngjashëm me batonistët, por këtu duke shprehur ndaj minifundeve atë që batonistët shprehin ndaj shamisë. Territori i përbashkët i këtyre kategorive absolutiste përmban edhe elementë të  tjera që ska hapsire ketu për ti elaboruar, por ajo që është disi e qartë është se këto të dyja disi ushqejnë njera tjetrën dhe flasin me njëra tjetrën. Por flasin me njëra tjetrën disi nëpër agora jo të barabarta: përderisa batonistët bëjnë këtë nëpër gazeta ditore e programe televizive, të tjerët kanë facebook-un a ndonjë portal të çuditshëm. Përderisa batonistët shihen si “intelektualë” , të tjerët janë “taleban”. Por ajo që është edhe më skandaloze është se Shteti i cili me nenin e 8-të të Kushtetutës obligohet të jetë neutral në kritikën apo favorizim e këtyre kategorive absolute është “palë” , është kategori absolutiste në vete. Në fakt ajo që është me problematikja në këtë hapësirë diskursesh absolutistë është të jesh diku në mes, të kritikosh këtë lloj absolutizmi, ngase atëherë këto kategori e kanë disi problem të të pozicionojnë se më ke je me “ne” apo me “ata (jo çuditërisht shkrimet e Batonit literalisht e bëjnë ndarjen mes “neve” dhe “atyre”) , e kanë disi vështirë të të bien “n’fije”. Nga kjo vështërsi dhe ky siklet, kur një ateist, agnostik apo një qytetar i sekularizuar shkruan apo flet parimisht mbi të drejtën për të bartur shamitë apo për të drejten e besimtarëve dhe ateistëve qe të jetojnë lirshëm në paradigmat e tyre, ai apo ajo shndërrohet në dhunshem në “fundamentalist islamik” apo “kolaborator” nga kategoria batoniane, ai bëhet “ata”, ngjashë sikurse kur një mysliman i cili kritikon ndonjë irracionalitet të ndonjë hoxhe ai bëhet me “ata” bëhet disi “tradhetar”, sepse në mendësinë absolutiste operohet vetëm në terma kategorish e jo principesh, në terma ideologjik e jo parimor, me bajraqe e jo me drejtësi. Kësisoj Aida Derguti  bëhet “ata” e disi diku larg, sikur ne bilardo disi me “shpontë” edhe Alan Badiou e Bruno Latour shndërrohen idiotsisht në “fundamentalist islamik” , pra edhe në tradhtar të njëfarë  nacionalizmi të përçudnuar të Le Pen-it apo te Batonit/isteve. Aida e të tjerë bëhen komplice të “Endrrës Islamike” të Imer Mushkolajt e të “Luftës Civile” të Baton Haxhiut, ajo “tradhtarizohet me dhunë” në imagjinaren apokaliptike të së djathtës ekstreme shqiptare, sepse fundja si është e mundur që dikush tjetër përveç fanatikëve, radikalëve e fundamentalistëve (siç bëhen shpesh sallatë këto terma nëpër gazetat tona) të mbështes të drejtën e vajzave për të mbajtur shami në kokë !? Aida e të tjerë si Aida, disi fillojnë të përfytyrohen si “kripto-fanatik” apo “kripto-radikal islamik” në imagjinaren e kategorisë absolutiste batoniane. Çdo person i sekularizuar që merr guximin për të folur parimisht për çështjen e fesë në sferën publike, rrezikon të “islamizohet me dhunë” nga kjo kategori absolutiste ashtu si cdo musliman i cili ngreh ndonje debat të brenshem në komunitet rrezikon të trajtohet për “heretik” nga absolutiste të anës tjetër.

Ka diçka jashtëzakonisht khomeiniane në diskursin e Baton Haxhiut apo në konkludimet ideologjikisht anti-imigracion të Komisionit Stasi (emër që ironikisht nuk ngjallë kujtime të mira për Evropën) në Francë. Ajo që ndodhë në Francën e kompleksit kolonial e që bluhet në kokën e Baton Haxhiut ngjason shumë me modusin e khomeinizmit pas Revolucionit Iranian. Përderisa khomeinizmi ligjërisht obligoi femrat që të mbulohen në krejt sferën publike (apo ndryshe ndaloi femrat që të zbulojnë kokën) duke e homogjenizuar veshjen përmes normave hegjemonike, në shkollat e komisionit Stasi të Francës apo në bluarjet e Baton Haxhiut, modus operandi është identik, dhe vetëm përmbajtja ndryshon: khomeinizmi e saudizmi “neutralizon”shkollën duke ndaluar zbulimin e flokëve, khomeinistet tanë me të njëjtën skemë ndalojnë mbulimin e flokëve ne shkolla . Të dyja këto ndjekin të njëjtin model dhe puqen bashkë tek hegjemonia dhe koercioni nga lartë-poshtë.

Shamia si objekt e diskursit të së djathtës ekstreme shqiptare, në fakt është edhe “çështje burrash” për aq sa ajo është një mikrokozmos ku derdhet fashizmi e ksenofobia. Ajo është çështje qytetarësh, jo si shami, por si pikë debati ku shprehen qëndrime të përçudnuara rreth religjionit dhe sferës publike në përgjithësi. Shamia e sotme, është turbani e kippa e burrave nesër. E përderisa shamia është emri ku shpërthen karakteri ideologjik i retorikes mbi “laicitetin” , ajo mbetet njëra nga fushat ku shprehen fashizmit, për aq sa debati përcillet me absurditete si ato te Baton Haxhiut.

I tërë ky diskurs mbeshtetet ne kugeza letre, në thirrje të rrejshme, në fatamorgane. Ai mbështetet tek një Evropë e përfytyruar rrejshëm. Tek një Evropë fetish. Mbështetet aty pikërisht ngase vetëm në këtë retorikë disi mund të gjinden partizanë në hapësirën tonë ku semantika për Evropën është ajo që bllokon masat, e ku retorika për të e rreth saj është më shumë se obsesion. Evropa e fetishizuar per shqipëtarët, është opiumi i popullit. Aty ku ka diskurs të tillë në emër të Evropës, ku për të flitet shumë, mbase ka më se paku “Evropë”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme