Allahu është i paperceptueshëm, përse?

Hyrje

 

Përgjigjja në pyetjen përse Allahu është i padukshëm na çon drejt shkencës dhe jetës së përditshme dhe pyetjeve të zakonshme, nga kalamajtë e deri te të rriturit. Padukshmëria nuk është tipar vetëm i Krijuesit, sepse e dimë se shumë gjera, fenomene, dukuri, nuk janë të dukshme, përkundër faktit se ekzistojnë. Për shembull, fakti konkret me hekurin dhe magnetin flet mjaft. Nëse magneti vendoset përballë hekurit (metalit), do të shohim tërheqjen e hekurit nga magneti. Pra, e shohim magnetin dhe hekurin, por jo edhe forcën që vepron përkatësisht që i vë në veprim lëvizjet e caktuara. Ngjashëm është edhe me energjinë elektrike. Ajo nuk vërehet, nuk shijohet, nuk kapet, por i vërejmë efektet e saj në poçet elektrike etj. Të tilla janë rrezet ultravjollce, gravitacioni dhe dukuri të ngjashme. Prandaj, nuk duhet të habitemi përse Krijuesi është i padukshëm, i paperceptueshëm, i pakapshëm, kur edhe shumë dukuri botërore, të krijuara, nuk shihen, nuk shijohen, nuk kapen me gjymtyrët, shqisat apo ndjenjat tona ekzistenciale.

 

Çfarë forme ka Allahu?

 

Njeriu nuk e di formën e Allahut, as nuk ka kurrfarë imazhi lidhur me këtë. Forma apo dukja e Tij është jashtë mundësisë së perceptimit dhe imazhit intelektual e shqisor. Kjo bën që Ai në këtë botë nuk mund të shihet.[1] Një dijetar merr një shembull nga përditshmëria, duke thënë se ne besojmë që stilolapsi me të cilin shkruajmë është i dizajnuar nga dikush dhe e punuar nga makina e caktuar. Pra, ne e dimë se stilolapsi është punuar nga makina, pa e parë formën e makinës, kurse ky është thelbi i çështjes.

 

A kundërshtohet feja dhe shkenca?

 

Feja dhe shkenca në parim nuk kundërshtohen, madje shkenca në realitet çon drejt besimit. Shumë dijetarë me famë botërore theksojnë se feja dhe shkenca në parim pajtohen, por gjysmë feja dhe gjysmë shkenca mund të sjellin kokëçarje. “Prej kur ekziston religjioni”, thotë filozofi El-Menufi musliman, “detyra e shkencës origjinale kurrë nuk ka qenë të luftojë dhe merr qëndrim kundërshtues ndaj tij, ta mohojë apo të gjykojë për ekzistimin apo mosekzistimin e religjionit.” “Funksioni i shkencës është hulumtimi, studimi dhe vrojtimi i fenomeneve natyrore e jo mohimi apo pohimi i të vërtetave teologjike të cilat qëndrojnë jashtë fenomeneve dhe proceseve natyrore.”[2]

Albert MacCub Dinshtiz, profesor i biologjisë në Fakultetin Bailor dhe ish-dekani i Akademisë së Shkencave në Floridë thotë:

“Duke punuar në fushën e shkencës e kam ndihmuar besimin tim në Zotin në atë masë sa u bë më e fuqishme dhe më e thellë se më parë. Pa dyshim, shkenca e rrit pikëpamjen njerëzore ta njohë fuqinë e Allahut. Pyetjet e reja të cilat njeriu mund t’i zbulojë mund ta ndihmojnë besimin e tij në Zotin.”

Studimi statistikor i përgatitur nga shkencëtari gjerman Denirt, duke analizuar pikëpamjet e shkencëtarëve të njohur gjatë 400 viteve të fundit, konstaton që nga 290 të tillë 38 kanë qenë ateistë, 242 publikisht kanë pranuar fenë, 20 kanë qenë indiferentë ndaj fesë, që përkthyer në përqindje është se 92.5 % publikisht kanë pranuar fenë.[3] Kjo tregon se shumica dërrmuese e shkencëtarëve kulmorë nuk besojnë në kundërthëniet mes fesë dhe shkencës. Dhe mendojnë se feja dhe shkenca janë komplementarë dhe se njëra-tjetrën e plotësojnë. Edhe kur ndodhë që ndonjë teori kundërshtohet me ndonjë ajet kur’anor apo me ndonjë hadith të saktë, atëherë e kemi të qartë se teoria e caktuar edhe nuk është përfundimtare.

Një numër i konsiderueshëm i shkencëtarëve bashkëkohorë nga fusha e medicinës, astronomisë, biologjisë, gjeografisë dhe shkencave të tjera eksperimentale e kanë ndërprerë luftën kundër fesë dhe fetarësisë, madje ata janë vënë në shërbim të fesë duke konfirmuar pafuqinë e tyre për ta luftuar Zotin dhe çdo gjë lidhur me fenë.

 

Zoti i gjithëfuqishëm dhe njeriu i pafuqishëm

 

Disa intelektualë e pranojnë shkencën në vend të Zotit. Ata harrojnë se shkenca është prodhim njerëzor dhe pikarritja e saj është e kufizuar brenda njerëzores, në hapësirë dhe kohë. Për këtë arsye, nëpërmjet disa shembujve, do ta demonstrojmë pafuqinë e njeriut...

Shembulli i parë është uji, i cili përbëhet prej hidrogjenit dhe oksigjenit (H2O), e për të cilin Allahu i madhërishëm thotë:

“Më thoni ju Mua: Ujin të cilin po e pini, ju apo Ne nga qielli e zbresim?” (El-Vakia, 68-69).

Shtrohen disa pyetje bazore: kush e krijon ujin?, kush e zbret atë nga qielli në tokë? A mundet shkenca të prodhojë ujë, shi apo diç tjetër? Çdo tentim për të prodhuar shi në kohë thatësirash apo mungese uji, do të dështojë, përkundër miliona dollarësh të shpenzuar. Përse retë kalojnë mbi shkretëtirë dhe nuk japin shi, kurse mbi tokën e blertë japin shi me bollëk? Normalisht, shkenca është eksperimentale dhe vepron brenda një laboratori. Ajo nuk është e gjithëfuqishme por e kufizuar nga i Gjithëfuqishmi.

Shembulli i dytë është qumështi. Allahu i madhërishëm thotë:

“Ju keni shembull edhe te kafshët: “Ne bëjmë që nga barku i tyre të pini qumësht të pastër, që bëhet nga përtypja në stomak dhe na gjaku – të shijshëm për ata që e pinë.” (En-Nahl, 66).

Nëse do të sodisni do të shihni se qumështi është çudia vijuese e Allahut. Fjala vjen, lopa nuk ushqehet me ushqim të veçantë kafshësh për prodhimin e tij, por me ushqim të zakonshëm. Përkundër analizave të shumta, identifikimit të përbërësve të ndryshëm, njeriu nuk ka arritur ta prodhojë qumështin - ajo që më së shumti mundet njeriu është ta rritë, stimulojë prodhimin, apo ta konservojë qumështin natyror.[4]

Këta dhe shembuj të tjerë dëshmojnë se njeriu përkundër përparimit tekniko-teknologjik është i paktë kundrejt gjithëfuqisë së Krijuesit, i Cili do të mbetet i tillë deri në Ditën e Gjykimit. Kjo për arsye sepse njeriu nuk e prodhoi ligjin e gravitacionit, as fushën magnetike, as atmosferën. Nuk e prodhoi as elektricitetin, avullimin e ujit, nuk e nxori as vajin dhe derivatet e tij, nuk e krijoi oksigjenin në masën e duhur për të mbetur gjallë krijesat! Shkenca vetëm i identifikoi prodhimet dhe ligjet ekzistuese, ua dha emërtime për nevojat e saj, e të cilat Allahu i krijoi për të mirën e njeriut. Në këtë aspekt, njeriu edhe më tutje do të zbulojë gjësende e ligje të reja, ndërsa këto vetëm sa do ta forcojnë bindjen tonë se Allahu është krijues i paimagjinueshëm, i pashtershëm, i mahnitshëm. Ai thotë:

“Ne do t’ua shtrojmë ajetet (shenjat) tona në horizontet e kozmosit dhe në vetë ata, deri sa nuk iu bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë.” (Fussilet,  53).

 

Pesë gjerat e padukshme

 

Një ajet kur’anor përmend pesë fenomene, pesë çudi, të cilat janë unikale dhe të cilat janë

ekskluzivisht në dijen dhe madhështinë e Allahut. Në ajet thuhet:

“S’ka dyshim se vetëm Allahu e di kur do të ndodhë Fundi i Botës, Ai e di kur e lëshon shiun, Ai e di se ç’ka në mitra (të nënave), nuk e di kush pos Tij se ç’do të fitojë nesër, dhe askush nuk e di, pos Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. All-llahu është më i dijshmi, më i njohuri.” (Lukman, 34).

Edhe pse shkenca në llogaritë e saj do të bëjë hulumtime për fillimin e botës, ajo nuk do të arrijë llogari të saktë, e sidomos nuk do të dijë me saktësi fundin e saj. Dija për fundin e botës është në dijen absolute të Allahut dhe të askujt tjetër. Edhe shiu është një nga dukuritë që nuk kontrollohet nga shkenca. Lëvizja e reve është mbi dijen njerëzore, prandaj edhe kemi hapësira të mëdha gjeografike me thatësira tmerruese dhe hapësira të mëdha gjeografike që uji është me bollëk. Po të ishte në dorën (dijen) njerëzore, do të shmangej varfëria dhe do të shmangeshin  vdekjet e shumta gjatë çdo viti në Afrikë, Azi, Amerikë latine etj. Ngjashëm është edhe me mitrën e nënës. Përkundër zhvillimit të hovshëm të medicinës, ajo ende nuk di për vetë thelbin e mitrës, por për gjerat periferike. Fjala vjen, nëpër spitale të specializuara mund të mësohet për gjininë e embrionit pas formimit kur analizohet materia e mitrës së nënës, nëpërmjet teknologjisë së ultra-zërit. Por, shkenca nuk di për mitrën para dhe gjatë formimit të embrionit në mitër, sidomos nuk di për aspektin emocional dhe shpirtëror. As fitimi i së nesërmes nuk mund të planifikohet, përkundër mjeteve të avancuara teknologjike. Po ashtu, njeriu nuk di as kohën as vendin e vdekjes. Aparaturat e shumta ‘inteligjente’ nuk mund të parashikojnë afatin e jetës dhe vdekjes, as tek të pasurit as tek të varfrit, as në këtë vend as në atë vend, as në këtë moshë as në çfarëdo moshe tjetër.[5]

 

A ekziston rastësia?!

 

Intelektualë të caktuar fillimin e botës e perceptojnë si rastësi, duke mohuar rolin krijues të Zotit. Edhe pse rasti është i paqëndrueshëm edhe në filozofi edhe në biologji, ai megjithatë përdoret nga rryma të caktuara filozofike ateiste apo grupe të caktuara teologjike kristiane si mjet manipulues për masën.

Si reagim ndaj këtij perceptimi Kur’ani thotë:

“A mos vallë, ata janë krijuar pa Krijues, apo mos janë ata krijues të vetvetes?!” (Et-Tur, 35).

Ateistët besojnë se natyra e krijoi njeriun, duke ia dhënë edhe arsyen. Ky botëkuptim është qysh nga enciklopedistët francezë, për të kulmuar më vonë me Marksin, Engelsin, Leninin, dhe ateistët e tjerë në botë dhe te ne. Edhe në këto kohë kemi intelektualë të këtillë, që mohojnë Zotin dhe në vend të tij përmendin natyrën. Ata thonë se bota, ndërtesat dhe çdo gjë tjetër është krijuar rastësisht. Atë e krijoi nëna natyrë dhe ligjet e saj. Mirëpo, kjo ide e tyre është tejet absurde dhe i ngjan asaj përrallës kur një ditë ndodhi një termet. Nga një shtypshkronjë që ishte aty afër u shpërndanë shkronjat e shumta. Nga kjo rrëmujë e shkronjave, krejt rastësisht, u hartua një libër, me kuptim të caktuar, me kapituj, literaturë e pjesët e tjera të nevojshme për një libër. A mund të besohet një gjë e tillë!?, normalisht se jo. Kësisoj është edhe me krijimin e kozmosit apo  njeriut rastësisht. Do të ishte jonormale të besohet në këto rastësi.[6]

 

Prejardhja e njeriut?

 

Pyetja se kush është njeriu na çon në hulumtimin dhe studimin e prejardhjes së njeriut. Kemi disa mendime dominuese, varësisht nga këndvështrimi ideologjik.

Jobesimtarët kanë mendime të ndryshme për prejardhjen e njeriut. Disa mendojnë se njeriu ka prejardhje prej majmunit. Ata me këtë pohim tentonin ta mohojnë Allahun, duke u thirrur në teori si ajo evolucioniste e Ç. Darvinit, H. Spenserit, K. Marksit etj. Ata me bindjet e tyre e degraduan njeriun nga rrafshi human në atë animal, nga njeriu në shtazë.

Mirëpo, këtë teori e përgënjeshtruan fetarët. Ata mendojnë se njeriu është i krijuar nga Allahu:

            “I cili e ka bërë të mirë çdo gjë që ka krijuar dhe ka filluar krijimin e njeriut prej balte, (e) pastaj, ka bërë që pasardhësit e tij të krijohen prej një rrjedhje të dobët të ujit (spermës).“ (Es-Sexhde, 7-8).

Mbi të gjitha, Allahu e ngriti lart njeriun duke e bërë krijesën më dinjitoze:

“Ne, pa dyshim, i kemi dekoruar bijtë e Ademit: u kemi bërë të mundshme të udhëtojnë në tokë dhe në det, duke i furnizuar me gjella të shijshme, dhe u kemi dhënë përparësi të madhe ndaj shumicës nga ata që i kemi krijuar.“ (El-Isra’, 70);

Teorinë evolucioniste e refuzuan edhe vetë shkencëtarët. Kris Morison[7], në veprën e tij, duke diskutuar për këtë çështje, thotë: “Teoria e cila pohon se prejardhja e njeriut është nga majmuni është refuzuar nga shkenca moderne dhe hulumtimet antropologjike dhe arkeologjike në shekullin e hershëm të shtatëmbëdhjetë. Këto dy krijesa janë plotësisht të ndryshme. Njeriu ka disa funksione që nuk janë te majmuni. Për shembull, përsiatja dhe aftësia e komunikimit: jeta në fise dhe popuj dhe përkatësia shoqërive dhe religjioneve. Njeriu, gjithashtu, ka edhe shumë aftësi: biologjike, demografike, antropologjike, psikologjike, etnologjike dhe morfologjike!”

Shkencëtarët kanë gjetur mbetje dhe eshtra që u përkisnin fiseve dhe mbetje të shtazëve të tyre në ngrehinat nga guri, të hershme para një milionë vitesh, por nuk kanë gjetur zinxhirin aq të përfolur që do të sillte deri te majmuni, të cilin e përfaqësojnë dhe propagandojnë Ç. Darvini dhe shumë evolucionistë të tjerë dhe pa dyshim mas-mediumet izraelite.

Edhe Dr. Wallace mohon prejardhjen e njeriut nëpërmjet evolucionit, duke thënë: “Evolucioni është i pamundur. Njeriu është i krijuar në mënyrë të veçantë.”[8]

E ardhmja do të dëshmojë edhe më fuqishëm se evolucionizmi evro-perëndimor nuk ka bazë shkencore, as fetare, as kurrfarë tjetër. Ajo është një farsë, shpërthim revolte evropiane kundër kishës mesjetare kristiane, e cila deri atëherë mbante monopolin mbi të vërtetën, mbi jetën dhe vdekjen.

 



[1] Sami Xheko, Udhëzime praktike akaidore dhe fikhore, Shkup, 2012, fq. 13-106.

[2] Mahmud Ebul-Fajd El-Menufi, Filozofija islama, Sarajevë, 1983, fq. 69.

[5] Shih analizën e 250 ajeteve kur’anore: Mustafa Mlivo, Kur’an ispred nauke i civilizacije, Bugojno, 2001-1422.

[6] Nedim El-Xhisr, Kissat’ul-iman ose përkthimi boshnjak: Vjerovanje u Boga, Sarajevë, 1984, fq. 200-210; Maurice Bucaille, po aty, fq. 243-388.

[7] Kris Morison, Science Leads to Faith (Shkenca shpie deri te feja).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme