PROPOZIMI I PAKOS SË AHTISARIT

Për krahasim me fëmijët që gëzohen për pakon me dhurata, neve në vend të na gëzojë hapja e pakos së Ahtisarit, ajo na zhgënjeu pa masë. Pas leximit me kujdes dhe shqyrtimit analitik të propozimit të planit të Ahtisarit mund të konkludojmë se ajo bie ndesh me vullnetin e popullit shqiptar në Kosovë, pasi që e bën ndarjen apo pjesëtimin e sovranitetit në Kosovë në dysh, në atë serbe, së bashku me hapësirat të mbrojtura të kishave dhe manastireve dhe të komunave të reja etnikisht të pastra, afro 30% të territorit do të jetë në kontroll të serbëve të Kosovës dhe në mënyrë indirekte të Serbisë, dhe atë kosovare(shqiptare fare nuk figuron) në 70% që do të jetë nën kontroll direkt të EUMIK-ut dhe në mënyrë indirekte të kosovarëve. Presidenti Ahtisari, një diplomat me përvojë të gjatë në mënyrë diplomatike iu shmang nocionit pavarësi, duke premtuar se në propozimin përfundimtar të cilën do të dërgojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fund të marsit, do të keni të qartë propozimin lidhur me termin e përcaktimit të statusit të Kosovës. Pas kësaj presidenti Ahtisari do të hedhë”pataten e nxehtë” Këshillit të Sigurimit në të cilin pritet të zhvillohet një betejë e fuqishme të faktorëve vendimmarrës për dhe kundër pavarësisë së Kosovës. Rusia me diplomacinë e saj të vjetër trumbeton me të madhe se nuk do të pranojë kurrfarë marrëveshje e cila nuk e ka miratimin e Beogradit zyrtar. Nga kjo që u cek më lart që tani mund të paramendohet se çfarë marrëveshje përfundimtare do të arrihet në Këshillin e Sigurimit. Do të jetë kompromis i sigurtë i cili nuk do të korrespondojë me vullnetin e popullit shqiptar për vetëvendosje.

Pas shpalosje së planit të Ahtisarit, ekipi i Unitetit në mbrëmje para opinionit nëpërmes televizionit KTV shpalli se ky plan është plotësisht i pranuar dhe në frymën e dëshirës së popullit shqiptar për pavarësinë e Kosovës. Bile bile u tha që prej këtij momenti edhe de jure integriteti territorial i Serbisë sipas rezolutës 1244 të OKB-së pushon. Por pas analizës së bërë planit Ahtisari dolën në shesh shumë dispozita të cilën si të tillë e bëjnë të papranueshëm për popullin shqiptar të Kosovës. Ekipi i unitetit nëpërmes partive të tyre që i përfaqësojnë ia nisën kampanjës së tyre që nëpërmes aktivave, nëndegëve dhe degëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të vet të gjerë partiak, të spjegojnë se plani i Ahtisarit është ideal, duke anashkaluar plotësisht esencën e saj thelbësore.

Kjo ma përkujton vitin 1988, atëherë kur isha student, kur për ndryshimin e amendamenteve në Kushtetutën e Kosovës, për të mashtruar popullin, aparatqikët e atëhershëm shqiptar(ish komunistët) së bashku të përforcuar me shokët komunist serb të ardhur enkas nga Serbia nëpërmes aktivëve të vet komuniste nëpër komitetet komunale, u munduan të sqaronin dhe shpjegonin popullit se kinse me këto amendamente të aprovuara nuk do të ndryshojë gjë, por në fakt se vetëm e përforcojnë pozitën e vet kushtetuese të Kosovës, e që në esencë ishte suprimimi total i autonomisë së atëhershme të Kosovës sipas kushtetutës së vitit 1974.

Si sot më kujtohet një tubim i tillë i mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal të Prizrenit në dhjetor të vitit 1988, ku para masës së shumtë të grumbulluar aparatqikët tanë lokal shqiptar(nuk dua t’jua përmend emrat) së bashku të përforcuar me dy shokë komunist serb të ardhur enkas nga Beogradi, na sqaronin dhe na hidhnin neve hi në sy. Pas përfundimit të ekspozeut të tyre dola në foltore me material të përgatitur, ku pikë për pikë, nen për nen, i kumtova të gjitha amendamentet me të cilët suprimohet autonomia e Kosovës. Masa e tubuar me duartrokitje dhe ovacione në sallë dhe me një ngazëllim të paparë përshëndetën dhe aprovuan një kumtesë të tillë. Aparatqikët tanë shqiptar së bashku me dy shokë komunist serb të ardhur enkas nga Beogradi e lëshuan sallën me kryet teposhtë dhe të hidhëruar tejmasë, pasi ranë në ujë rrenat dhe mashtrimet e tyre.

Kumtesa ime demaskoi me fakte dhe argumente të vërteta ekspozetë e tyre gënjeshtare lidhur me ndërrimin e amendamenteve në kushtetutën e Kosovës së vitit 1974.

Edhe pse sipas kushtetutës së vitit 1974 kemi pasur një autonomi të një shkalle të lartë dhe me një pozite juridike të dyfishtë, Kosova ka qenë pjesë përbërëse e Serbisë, e njëkohësisht edhe pjesë përbërëse e ish federatës jugosllave. Por pasi që nuk e kemi pas statusin e Republikës së barabartë në ish Jugosllavi, ajo na la pasoja shumë të mëdha, ashtu që kjo më së miri na u revanshua në vitin 1991 kur komisioni i Badinterit vlerësoi se të gjitha republikat të ish Jugosllavisë, kanë të drejtë të organizojnë referendumet në të cilën popujt në mënyrë të lirë do të deklarohen dhe do të vetëvendosin për fatin e tyre të mëtejmë. Kjo vetëm në rastin e Kosovës nuk iu mundësua, pasi nuk ka qenë Republikë e barabartë në ish Jugosllavi, dhe se edhe sot e kësaj dite është në fuqi dhe se Kosovës nuk i lejohet mbajtja e referendumit në të cilin populli shqiptar do të vetëvendos për të ardhmen e saj, por i imponohet një propozim që nuk e përfill vullnetin politik të shqiptarëve për vetëvendosje.

Lidershipi kosovar dhe klasa politike e Kosovës do të duhej të dalin përball popullit dhe të shpjegojnë atij, se në momentin aktual politik botëror rrethanat janë të tilla që prej faktorëve vendimmarrës botëror, na imponohet një marrëveshje e tillë që nuk e merr parasysh realitetin aktual në Kosovë, dhe që është një status i ardhshëm nën mbikëqyrjen e fortë ndërkombëtare dhe në avancimin maksimal të pozitës së pakicës serbe në Kosovë.

Edhe pse kjo për lidershipin kosovar do të ishte”vetëvrasje politike”, që pas plot 7 vitesh premtime plot gojë për pavarësinë e Kosovës, porse vetëm kjo do t’ju mundësonte një satisfakcion që të dalin faqebardhë para popullit të vet.

Këtë guxim, urtësi, mençuri e pat ndërmor ish kryetari i ndjerë boshnjak Alia Izetbegoviçi i cili pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit në prononcimin e vet para popullit përveç tjerash tha:” kjo nuk është paqe e drejtë, por në botën në të cilin jemi, është e mundur të ndërmerret luftë e padrejtë dhe të imponohet paqe e padrejtë. Zotin e kemi dëshmitar që kemi bërë të gjitha çfarë kemi pas mundësi , që padrejtësia për popullin dhe atdheun tonë të jetë sa më e vogël”.

Në përfundim të kësaj qasjeje do të citojë fjalët e të dërguarit amerikan për çështjen e Kosovës Frenk Vizner, me rastin e vizitës në Kosovë kohë më parë, i cili i porositi kosovarët me këtë këshillë:” pas përcaktimit të propozimit përfundimtar të Ahtisarit dërguar Këshillit të Sigurimit, s’do të jeni tmerrësisht të zhgënjyer”, që do të thotë të zhgënjyer po se po, por tmerrësisht jo, i cili nuk di si mund të kuptohet dhe komentohet ndryshe, pasi që si i tillë është plotësisht i qartë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme