Feja dhe liria

image

 

Shkruan:

Është bërë më shumë se një shekull qëkur shqiptarët nuk kanë reshtur duke kërkuar përgjigje në kuptimin e drejtë të thirrjes “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është shqiptaria”. Dhe, interpretimet rëndom janë luhatur mes atyre nacionaliste antifetare që duan të besojnë se vërtet mund të ekzistojë një fe me një emër të tillë (dhe, Zoti më faltë, mbase edhe një perëndi ekskluzive për shqiptarët!) dhe mes atyre ideologjike majtiste, që këtë thirrje e kanë përdorë për ta afirmuar ateizmin, madje për ta ndaluar fenë, siç bëri komunizmi enverist. Ndërkaq, harrohet të thuhet se të gjithë rilindësit tanë ishin njerëz të urtë e kryesisht fetarë, ndërsa ishin jashtëzakonisht shumë të interesuar për ta ruajtur harmoninë ndërfetare shqiptare. Prandaj pyetjet e tipit: Cila është feja e shqiptarit?; Cila është feja që e virtytizon shqiptarin?; Cila është feja që e shqiptarizon shqiptarin?; Apo, cila është feja për të cilën ka nevojë shqiptari?, në kontekst të Rilindjes Kombëtare Shqiptare kanë marrë përgjigje me nevojën kombëtare për ta ruajtur bashkëjetesën religjioze, sepse të urtit e Rilindjes e dinin mirëfilli se përçarja fetare do të thoshte përçarje nacionale, që do të rezultonte me skllavëri ndaj të tjerëve, kur nuk do të kishte mundësi as për ndonjë realizim religjioz.  

Në kërkim të këtyre pyetjeve dhe dilemave është krijuar edhe ky numër i revistës Shenja. Dhe, këtë e kemi bërë jo duke qenë të bindur se ia kemi “lidhur kryet” kësaj çështjeje, por që së paku kështu kemi dhënë ndihmesën tonë në lidhje me këtë temë, e cila aq shpesh diskutohet në opinionin shqiptar, ndërsa në jo pak raste edhe manipulohet me të për qëllime jo qëllimmira.

Ne mendojmë se të gjithë popujt e botës, pra edhe shqiptarët, kanë nevojë për ushqim shpirtëror, kanë nevojë për një mjet që i lidh me metafiziken, me të përtejmen, me atë që nuk arrijnë ta kapin shqisat fizike, të cilën studiuesi amerikan William Chitick e quan “atë që shkenca është e kufizuar ta shkencëzojë”. 

Dhe, në kërkim të kësaj të vërtete, shqiptarët kanë arritur të përvetësojnë dy tradita të mëdha religjioze, krishterimin dhe islamin, me disa nënndarje të brendshme. Natyrisht, për popujt që religjionin e kuptojnë si vlerë shpirtërore, kjo është një pasuri që nënkupton se kemi të bëjmë me një popull që i respekton vlerat spirituale (dashurinë, mëshirën, moralin etj.). Por, në jo pak raste ideologjizimet e ndryshme kanë prodhuar antagonizma që janë reflektuar edhe në këtë sistem vlerash. Dikur komunizmi, në emër të proletariatit dhe integrimit me Lindjen, duke e keqinterpretuar si antifetare thirrjen se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, e ndaloi me “fetva”religjionin dhe, në frymën e Niçes, shpalli se Zoti për shqiptarët ka vdekur. Ndërkaq, sot në emër të liberalizmit, dikush do të thoshte të dalldisë integruese me Perëndimin, përsëri po synohet të krijohet shtrat që religjioni për shqiptarët të jetë një antivlerë dhe, aq më shumë, një element antishqiptar. Dhe, për këtë sa mund të kenë faj qarqet jofetare (të mos themi antifetare), të cilat në emër të nacionalizmit përsëri e keqinterpretojnë “fenë e shqiptarit – shqiptarinë”, duke e konsideruar si thirrje antifetare, po aq mund të kenë përgjegjësi edhe klerikët shqiptarë të cilësdo fe, që nuk arrijnë të përgjigjen saktë në pyetjet që i shtruam në fillim të këtij editoriali. Kjo pastaj ka gjeneruar edhe lindjen e ekstremizmave të ndryshme ose politizimeve tifozerike të religjionit dhe përdorimit të tij për hesape të tjera. 

Ndërkaq, mësimi më i mirë për shqiptarët – të cilësdo fe qofshin – sot është se parakusht për realizimin religjioz është realizimi njerëzor. Duke jetuar në tradita të këtilla shoqërore, kjo i bie se pa liri nuk mund të ketë jetë religjioni. Ose se, si i tillë, religjioni mund të jetë ashtu siç po bëhet shpesh për shqiptarët: fetarët shqiptarë sot janë shumë më të prirë të bëjnë zhurmë për ndërtimin e një kishe a një xhamie, për ndalimin e shamisë për një vajzë në shkollë ose për një element tjetër fetar, ndërsa aq pak reagojnë kur u kufizohet liria njerëzore, kur atyre u kufizohet hapësira fizike e urbane, kur atyre u cenohet identiteti etnik e politik, kur atyre u dhunohen të drejtat kulturore, arsimore, urbane etj. Sikur harrohet se secili religjion para së gjithash dhe mbi të gjitha fton në çlirim nga çdo robëri dhe nënshtrim vetëm ndaj Perëndisë. Për këtë arsye kujtojmë se klerikët shqiptarë duhet t’ua shpjegojnë mirë e saktë shqiptarëve se për të qenë myslimanë, katolikë e ortodoksë të mirë, ata duhet të jenë shqiptarë të lirë, të kenë atdhe të lirë, të kenë shtete të fuqishme, të kenë komb të zhvilluar, të kenë arsim cilësor, të kenë kulturë të zhvilluar, sepse vetëm ashtu religjioni do të ketë ku të ngjizet dhe ku të ngjitet. Në të kundërtën ai mbetet si një shtresë paintegruar në palcën shqiptare, e cila u shërben qarqeve të caktuara për të bërë hesape të pushtetit dhe për ta matur takatin e tyre kundrejt tjetrit. 

Religjioni pa liri ka po aq kuptim sa kishte vlerë për izraelitët e Musait (Mojsiut), të cilët mendonin se janë fetarë të mirë, por nuk kishin guxim të luftojnë për atdheun e tyre. Në gjuhën e filozofit të Rilindjes, Sami Frashëri, kjo do të përkthehej si “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.”

Me një fjalë, shqiptari që i beson Zotit detyrimisht duhet të jetë edhe shqiptar i mirë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme