Një shkrim i shkruar para ca ditesh në prag të ardhjes së planit të Ahtisarit

Në letrën që Drnovshek u kishte dërguar përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe kishtarë, vitin e kaluar, shkruante "Element i rëndësishëm i zgjidhjes politike për problemin e Kosovës është pozita e minoritetit serb në Kosovë, të cilit duhet t`i garantohet siguria dhe një shkallë përkatëse e autonomisë".

Drnovshek kishte vlerësuar se çelësi për zgjidhjen e pozitës së minoritetit serb ishte definimi i statusit eksterritorial për monumentet e tyre më të mëdha në Kosovë, e këtë do të duhej ta definonte Kisha Ortodokse Serbe (KOS).

Statusin eksterritorial, sipas tij do ta fitonin manastiri i Deçanit të Lartë, manastiri i Graçanicës, manastiri i Pejës dhe katedralja e Prizrenit. Gjithashtu ai parashihte sigurimin e statusit të pasurisë kulturore nga UNESKO për të gjitha monumentet kulturore serbe.

“Duhet të përshpejtohet procesi i denacionalizimit, e kjo do të thotë se pronare e vërtetë e objekteve dhe tokave, sërish do të bëhet Kisha Ortodokse Serbe. Ndërsa marrëveshja përfundimtare për statusin e Kosovës, duhet të përmbajë në vete edhe rregulloren e veçantë, e cila do të mundësonte krijimin e një regjimi jodoganor për objektet EKSTERRITORIALE në Kosovë", përfundonte letrën e tij Kryetari Slloven Janez Drnovshek.

Sipas planit të Drnovshekut “Manastiret, së bashku me tokën që u takon, do të mbeteshin nën jurisdiksionin e Serbisë, kurse për sigurinë e tyre do të përkujdeseshin forcat ndërkombëtare".

Dhe mjerisht me sa kuptohet plani i Ahtisarit është ndërtuar mbi këto linja!

Kur një kërkesë e tillë, që parashihte ruajtjen e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën përmes monumenteve kishtare, u bë nga slloveni Drnovshek, shumicës së shqiptarëve kjo iu duk e pamundur dhe absolutisht e papranueshme. Por, për ironi të fatit, shumë nga këto gjëra janë pranuar nga grupi ynë negociator!

Nuk e di se cili vend në botë do të mund të pranonte një gjë të tillë?!

Plani i Ahtisarit i favorizon serbët e Kosovës, duke i shndërruar ata në një pakicë e cila do të jetë më e favorizuara në Evropë.

Me plotë të drejtë mund të pyesin pse më shumë se tridhjetë për qind e shqiptarëve në Maqedoni mund të integrohen dhe të participojnë në strukturat shtetërore maqedonase, pa fituar kurrfarë autonomie të veçantë, kurse pesë për qind e serbëve në Kosovë nuk mund të integrohen në organet shtetërore, por duhet që doemos të kenë autonomi, duke jetuar në enklava të vogla që do të ishin jashtë kontrollit të Prishtinës?!

Pse serbët e kanë të vështirë dhe pse nuk duan që të integrohen dhe të participojnë në organet e shtetit përkatës? Pse kudo që ka serbë duhet t’u jepet autonomi?

Në Bosnjë ata ushtruan gjenocid dhe u shpërblyen me republikën serbe. Në Kosovë kanë ushtruar gjenocid, jo vetëm kohëve të fundit, por gjatë gjithë njëqindvjeçarit që kaloi, dhe tani ata shpërblehen me autonomi brenda Kosovës.

Evropianët tregohen shumë të ndjeshëm ndaj Serbisë. Madje sipas tyre, sikurse do të shprehej më herët koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek, zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të jetë e tillë “që t’i mundësojë Serbisë që ta ruajë fytyrën”, apo sikurse është shprehur edhe këto ditë “të jetë e durueshme për Serbinë”!

Për ne shqiptarët, Evropa me një zgjidhje kompromisi nuk mund ta ruajë fytyrën e Serbisë që nuk ka dashur asnjëherë t’ia dijë për fytyrën dhe imazhin e saj në arenën ndërkombëtare.

Për më shumë se njëqind vjet, serbët, sikurse vlerëson edhe Erik Margolis, "nuk po mund t'i largohen realitetit të krimeve të tyre makabre, duke u fshehur pas trillit se ata janë viktima të një konspiracioni ndërkombëtar perëndimor. Është e vërtetë që serbët janë viktima; por jo të konspiracionit perëndimor; por të helmimit nazist, të racizmit dhe urrejtjes fetare kundër muslimanëve boshnjakë, katolikëve kroatë dhe muslimanëve shqiptarë të Kosovës."

Prandaj, para se Evropa të mendojë që të ruajë “fytyrën” e Serbisë, bën mirë që ta zbardh fytyrën e vet, që i lejoi Serbisë për njëqind vjet të bëj krime ndaj shqiptarëve dhe që më në fund ta sjellë drejtësinë në vend. Vetëm kështu Evropa do ta përmirësoj imazhin e keq që ajo ka karshi shqiptarëve.

Trajtimi i Serbisë si palë e lënduar, pavarësisht nga agresioni i saj ndaj Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës në dhjetëvjetëshin e fundit, si dhe kërkimi nga pala shqiptare – që ishte viktimë jo vetëm e aparteidit të Millosheviqit por edhe e të gjitha regjimeve serbe që nga largimi i Perandorisë Osmane – që ta pranojë kompromisin, pas tërheqjes diplomatike të amerikanëve në Ballkan, tregon pavendosmërinë dhe ndasitë e evropianëve.

Sikurse vlerësohet kërcënimet ruse dhe hamendjet e evropianëve i kanë shtuar arsyet që e kanë nxitur komunitetin ndërkombëtar që të përmbahet nga përmbushja e ambicieve për një Kosovë të pavarur.

Ne nuk duhet të mashtrohemi rreth asaj se a do të përdorë Rusia veton apo jo. Rusia përballë vendosmërisë amerikane është tërhequr gjithnjë. Ne duhet të punojmë që amerikanët të jenë më të përkushtuar dhe më të vendosur për çështjen e Kosovës. Gjithashtu me rastin e pranimit të planit të Ahtisarit duhet të mos lëshohet pe pavarësisht nga presionet që mund t’i bëhen grupit negociator. Është obligimi yni që plani të shihet me hollësi dhe të kërkohet me ngulm që të përmirësoheshin, aq sa është e mundshme, ato pika që nuk do të ishin të favorshme për Kosovën.

Po sikur plani i Ahtisarit të mos jetë plotësisht i favorshëm për Kosovën, a do të mund të refuzohej nga qeveritarët tanë?! Tashmë është e qartë se plani i tij nuk është i tëri ai çfarë kanë dëshiruar shqiptarët dhe pikërisht nga frika se mund të ketë trazira në Kosovë, vazhdimisht bëhet thirrje që të ruhet rendi dhe qetësia.

E drejta e politikanëve tanë është që ta pranojnë planin e Ahtisarit dhe të përgjigjen në mënyrë pohuese qoftë buza gaz apo me gaz të ngrirë në buzë. Kështu janë shtirë deri tani para faktorit ndërkombëtar, dhe s’kemi arsye që të besojmë se mund të sillen edhe ndryshe.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme