Kosova në rrugën e pavarësisë: VRASJA E VETËVENDOSJES

10 shkurti i vitit 2007 në historinë më të re të Kosovës, asaj unmikiane, do të mbahet mend jo vetëm si datë e protestave masive kundër propozimit të Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por edhe si datë kur pas disa viteve përsëri Kosova filloi t’i falë viktima lirisë së saj. Me dallimin e vetëm se tani vrasësi nuk është serb (nëse nuk ka pasur polic serb në SHPK), por një i huaj tjetër ose, në rastin më të keq, një polic shqiptar. Kjo ishte e turpshme.

Në botën e qytetëruar protestat janë gjëja më normale që mund të ekzistojë. I shohim përditë protestat kundër globalizmit, si protestat e para disa ditëve kundër luftës, të organizuara në SHBA, kundër “të mëdhenjve” në Davos, kundër ministrave të Mbrojtjes Spanjë e kështu me radhë. I shohim përditë edhe një varg protestash të karakterit tjetër, pra jopolitike, si puna e protestave të grupeve ekologjike, të artistëve, rokerëve, homoseksualëve e çka jo tjetër. Shoqëria nuk është demokratike nëse nuk e njeh institucionin e protestës qytetare. Është kjo një formë që flet se një grup i qytetarëve kanë një pakënaqësi ndaj asaj që ndodhë.

Megjithatë, si po del puna, vetëm te shqiptarët protesta kuptohet ndryshe. Ndoshta sepse në gjenin tonë është kultivuar ndjenja se protesta është reaksion ndaj dhunës sllave, që rregullisht ka kaluar në demonstratë gjithëpopullore, e cila si pasojë ka pasur trysninë ndaj protestuesve, burgosjen dhe vrasjen e tyre. I kemi këtu protestat e ’68-tës, të ’81-shit, të ’89-tës e shumë protesta që janë bërë demonstrata e çdoherë janë larë me gjakun e studentëve e të rinisë kosovare. Por, të gjithë kishim menduar se këto kanë përfunduar me qershorin e ’99-tës. Dhe, ishim zhgënjyer.

Derisa ekipi i a.q. i unitetit turravrap, ende pa hapur gojë Ahtisari, e pranoi propozimin e tij, duke harruar se ai propozim mund të herrej akoma në Vjenë e në Këshillin e Sigurimit, e vetmja fuqi që i tha “Ndal!” kësaj pakoje, që më shumë interesohet për fatit e plakave serbe në Kosovë se për rreth dy milionë shqiptarët e Kosovës, ishte lëvizja qytetare Vetëvendosja. Politikanët e Kosovës, po si duket edhe ndërkombëtarët, e kishin marrë këtë reaksion si normal, por jo serioz, sepse ashtu, mendonin ata, po bëhet vetëm pak trysni mbi palën serbe dhe mbi ndërkombëtarët, e jo si diçka serioze që mund të mobilizojë masa aq të mëdha të popullit, që në botën e qytetëruar flet shumë. Më e keqja është se zyrtarët kosovarë (ata të sigurimit publik), akoma pa e ditur se cili ishte qëllimi i protestuesve (që sigurisht nuk kishin ndërmend të bënin grushtet – se shkak i asaj proteste ishte pikërisht ajo Kosovë), morën guxim të sillen me aq vrazhdësi ndaj atyre që nuk kërkojnë asgjë më shumë se kanë serbët në Serbi, pa ju marrë atyre asgjë, pra vetëm që edhe shqiptarët të jenë vetëvendosës në vendin e tyre.

E kur krejt kjo përfundoi me dy viktima (deri tash), e me shumë të plagosur, vetëm atëherë më duket u kuptua se Albin Kurti e paska pasur me gjithë mend reaksionin e tij, vetëm atëherë e morën vesh se puna është më serioze, vetëm atëherë e morën vesh se ata në Vjenë nuk mund të sillen si kapadai e të bëjnë pazarllëk me vullnetin e popullit. Dy viktimat e fundit për lirinë e Kosovës edhe një herë i treguan botës se mbi të gjitha duhet të respektohet vullneti i popullit, duhet të dëgjohet edhe zëri i atyre që nuk marrin pjesë në ekipin negociator, këto dy viktima edhe një herë për të satën herën në këto 30-40 vitet e shkuara i treguan botës së liria nuk është gjë që burgoset, nuk është gjë për të cilën vendosin ata që nuk e jetojnë atë. Ishte ky edhe një mësim për ekipin negociator kosovar, për palën serbe dhe, në veçanti, për palën ndërkombëtare, se çkado që të bëjnë, me fatin e Kosovës nuk mund të jenë aq joserioz.

Kosova duhet të jetë e pavarur jo nga mëshira e ndërkombëtarëve, jo nga përkimi i planeve strategjike të fuqive të mëdha, jo nga shkaku se Serbia është dobësuar e Rusia është pezmatuar, por vetëm nga shkaku i thjeshtë se mbi 95% e qytetarëve të Kosovës dëshiron ta ketë ashtu vendin e vet. Gjithçka tjetër që nuk është kjo, paraqet destabilizim, probleme e kokëçarje për të gjithë: shqiptarët e Luginës së Preshevës do të pyesin për hisen e tyre, për vendin e tyre, pse nuk bëhen hiç hesap edhe ata, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë do të pyesin si ka mundësi që një përqindje aq e vogël joshqiptare në Kosovë t’i ketë gjithë ato të drejta kur më shumë se 1/4 e Maqedonisë (pra shqiptarët) në të jetojnë si mysafirë. Kjo pyetje madje është parashtruar njëherë, por politikanët tanë sa vijnë në pushtet e harrojnë.

Janë këto gjëra që nuk duhet t’i harrojnë ata që i mbajnë në dorë lapsat. Le ta dinë se me ato nënshkrime ose do ta nënshkruajnë pavarësinë e Kosovës ose, në të kundërtën, do ta nënshkruajnë ndonjë pranverë të ardhshme të përgjakshme që askujt s’i konvenon, por prej së cilës më së paku do të humbin shqiptarët. Se më nuk kanë as çka të humbin.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme