”Dhe (All-llahu) ia mësoi Ademit emërtimet e të gjitha sendeve…” (II:31)[1]
”I Gjithëmëshirshmi,
të mëson Kur’anin,
e krijon njeriun,
e mëson të flasë” (LV:1-4)
”A nuk e kemi bërë atë (njeriun) me dy sy!
Me një gjuhë dhe dy buzë,
Dhe i kemi trasuar dy rrugë! (XC:8-10)
”Në të vërtetë, proceset me anë të të cilave intelekti njerëzor ka arritur deri tek gjendja e tanishme e kompleksitetit dhe formës së tij të veçantë të natyrshmërisë, paraqesin një misterie të madhe…” (Noam Chomski, Language and Mind, New York, 1968)
Gjatë zhvillimit të vet, duke filluar prej interesimit grek për gjuhën (shek. V p.e.r) e deri tek zbulimet më të reja, linguistika ka kaluar nëpër një fazë të gjatë. Në fillim, e kuptuar eksluzivisht si ”gramatikë”, një disiplinë normative dhe e ngushtë e cila jep rregulla për diferencimin e formave të rregullta nga ato të parregulltat, siç e trashëguan edhe Romanët, apo e studiuar brenda disiplinave të tjera: filozofisë dhe logjikës, më pas si filologji (Friedrich August Wolf, 1977) – kur është marrë me studimin e greqishtes dhe latinishtes së vjetër – dhe filologjia komparative (Franc Bopp, 1816), linguistika – edhepse më vonë një shkencë më vete – është marrë me gjuhët e shkruara dhe të veçanta, veças apo në mënyrë komparative.
Tek më 1870, me punën e gjermanistëve, e posaçërisht pas ”Jetës së gjuhëve” të Uitnit (Whitney), kjo disiplinë duke i vendosur në rrjedhat historike të gjitha rezultatet e deriatëhershme – ndryshe do ta konceptojë gjuhën; ajo nuk është më një „organizëm i cili zhvillohet vetëvetiu“, por „prodhim i frymës kolektive të grupeve linguistike“.
Kështu, përcaktimi qendror i nocionit të gjuhës – objekt i studimit të linguistikës – i ka kushtëzuar detyrat e linguistikës. Nocioni i gjuhës (lang) do të ndërrohet gjatë evoluimit – mutatis mutandis deri në kohën kur zvicerani Ferrdinand de Sosyri (Ferdinand de Saussure, 1857 – 1913), e në kohën e re edhe amerikani Noam Çomski (Noam Chomski, i lindur më 1928) arrijnë t’i sendërtojnë revolucione të vërteta, jo vetëm në linguistikë, por edhe në fushat tjera bashkëkohore.[2]
Ky punim bazohet në kuptimin e rrëfimit kur’anor mbi gjuhën, të folurit dhe mbi ca zbulime të dy shkencëtarëve të sipërpërmendur, zbulime këto të cilat ”nuk mund të tunden më në bosht” dhe të cilat për mrekulli i ndriçojnë disa ajete (citate) kur’anore.
Qëllimi i këtij punimi është sendërtimi i sintezës dhe njëherit shmangia nga i ashtuquajturi ”sofizmi profan” dhe anasjelltas, po edhe një rrezik të cilin tashmë e ka tejkaluar qëllimi i autorit.
Ç’ËSHTË GJUHA? – GJUHA (LANG) DHE TË FOLURIT (PARÓLE) – SOSYRI DHE ÇOMSKI – RRUGA E NDËRSJELLTË E FJALËVE
Aftësia e të folurit është dhunti e All-llahut dhënë njeriut. Në fakt, edhe krijesat tjera kanë njëfarë të foluri që i karakterizon ato, kanë ”sistemet e tyre të komunikimit”.
Kur’ani vë në pah shembullin e bletës (”Zoti yt e ka frymëzuar bletën…” XVI:68), bubrrecit (”Kur arritën te lugina e bubrrecit, një bubrrec tha: ”O bubrreca, hyni në vrimat tuaja…” XXVII:18), zogjve (”…Kurse malet dhe zogjtë ia nënshtruam që me Davudin të madhërojnë (All-llahun), Ne e bëmë këtë”, XXI:79).
Kështu, bleta e cila burimin e mjaltit e gjeti në natyrë, me anë të lëvizjeve të veta (”sinjale”) u flet shoqeve për largësinë e mjaltit nga zgjoi, ndërsa kombinacioni ”tetëshi” dhe ”gjysëmtetëshi” tregon drejtimin (”domethënien”) se ku gjendet mjalti.
Delfinët janë – po ta lëmë anash shkencën fantastike për ta – edhe më interesantë. Ata janë sisorët e detit, të ngjashëm me peshqit, të cilët marrin frymë me anë të mushkërive. Naturalistët na shpjegojnë se ata merren vesh duke lëshuar tridhjetë e dy zëra të ndryshëm, të njëjta me fishkëllima.
Delfini të cilin e plagosin peshkatarët lëshon mu atë zë që sinjalizon dhembje, kështu që ”shokët” vrapojnë ta ndihmojnë, i qepen përreth duke e mbajtur në sipërfaqe që të mos fundoset në ujë. Apo:
Nëse udhëheqësi i tufës së delfinëve ndien ndonjë rrezik, i njofton të tjerët që janë prapa tij. Kur rreziku kalon, ai sërish lëshon, tani një fishkëllimë tjetër dhe tufa vazhdon rrugën.
Por kafshët, madje edhe ato të cilat i përmend Kur’ani dhe të cilat ne i njohim si më të përsosura, nuk posedojnë gjuhë.
Si të shpjegohet kjo? Ç’është në të vërtetë, gjuha?
Sistemi i komunikimit të cilin e përdorin të gjitha krijesat tjera përveç njeriut, është një sistem i ”mbaruar”, me fjalë të tjera një sistem me anë të të cilit transmetohet një numër definitiv i ”porosive” të veçuara, ”domethënia e të cilave është e konsoliduar”. Këto ”porosi” dhe ”domethënie” të tyre, kafsha nuk mund t’i ndërrojë e as të sajojë ”porosi”, ”domethënie” apo ”fjali” të reja.
Është e vërtetë se bleta me ndërrimin e ”sinjaleve”, intensitetin e lëvizjeve dhe variacioneve të ”tetëshit” dhe ”gjysëmtetëshit”, mund të sinjalizjë në mënyrë të ndryshme largësitë dhe destinacionet e llojllojshme.
Por, raporti i këtyre dy formatave vaiable: ”sinjaleve” dhe ”domethënieve” është në një marrëdhënie të ngushtë e të pandryshueshme.
Këtë më së miri e dëshmon të kryerit e saj e huallit ”në mënyrë kryeneçe” kur të tjerët ia dëmtojnë.
Sa i përket sistemit të komunikimit të njeriut – gjuhës – puna qëndron krejt ndryshe. Me anë të një numri të caktuar të rregullave gramatikore dhe fondit leksikor të gjuhës me të cilën flet, njeriu mund të shqiptojë e të kuptojë nga bashkëfolësi një numër të pakufishëm të fjalive. Së këndejmi, veçoria e krijimtarisë, ”pakryerja” është nga veçoritë themelore të gjuhës së njeriut.
Nocioni i krijimtarisë, pra, vë në pah ”kapacitetin e të gjithë shfrytëzuesve të një gjuhe që të lidhin e të kuptojnë një numër mjaft të madh fjalish, të cilat kurrë më parë nuk i kanë dëgjuar e njëherit, ndoshta, askush para tyre nuk i ka shqiptuar”.[3]
Krijimtaria gjuhësore është një specifikum i gjinisë njerëzore. Duke qenë e njëjta me të ecurit, kjo veçori shfaqet në mënyrë instiktive. Veçorinë që e gjejmë në sistemin e komunikimit tek të gjitha krijesat tjera, e posedon edhe njeriu, por të gjitha krijesat tjera nuk posedojnë krijimtarinë gjuhësore.
Njeriu, sikurse edhe bleta, mund ta ndërrojë ”intensitetin”: ngjyrën e zërit, gjatësinë dhe fortësinë e shqiptimit. Sa për ilustrim, po e marrim shembullin e fjalës ”jashtëzakonisht” në fjalinë ”Ai është jashtëzakonisht i devotshëm”. Ndërsa bleta, e as cilado krijesë tjetër, kurrë nuk do t’ia arrin të shkruajë poezi. Natyrisht as kompjuteri, siç e konstaton këtë Voznesenski.
Veçori tjetër themelore e gjuhës së njeriut është e ashtuquajtura ”dyjësi e strukturës”. Disa mijëra gjuhë në botë, të njohura e të panjohura (”Nga argumentet e tij është edhe krijimi i qiejve dhe i tokës, llojllojshmëria e gjuhëve tuaja edhe e ngjyrave tuaja… XXX:22), si dhe çdo gjuhë tjetër në përgjithësi, posedojnë dy nivele të strukturës gramatikore:
1. Atë të ”instancës së parë” – sintaksore dhe
2. ”të instancës së dytë” – fonologjike;
Njësi themelore në strukturën sintaksore është fjala; fjalia, sipas kësaj është bashkimi i njësive (fjalëve) të cilat, të marra veç e veç janë koherente dhe nuk formojnë asgjë. Vetëm kur sistemohen dhe bashkohen sintaksorisht – sajojnë shprehje të kuptimtë – fjali.
Niveli fonologjik shërben për të krijuar njësi sintaksore. Njësia themelore e këtij niveli është fonema (zëri) – ”përmbledhje e tingujve akustikë dhe e lëvizjeve artikulare të një njësie të folur” (Sosyr) – e cila me shenjat e veta distinktive, çdonjëra dallon nga tjetra.
Kështu, p.sh. ”a”, ”k” dhe ”r” janë tri fonema të ndryshme. Mirëpo, fonema ”r” e shqiptuar normalisht, dallohet nga shqiptimi shumë i shpeshtë i r’-së në mënyrë të gabuar, siç dallohet edhe nga ”r” e arabishtes.
Parimisht, për një fonemë të caktuar përdoret një shenjë grafike, por ky rregull nuk vlen gjithnjë. Në frëngjisht, p.sh. ”ch” shënon fonemën ”sh”. Fonema më vete është e pakuptimtë.
Nga sa u tha, fjala është bashkim i disa fonemave, të sistemuara e të shqiptuara në mënyrë ekzakte. Fjala, pra, është ajo e cila përgjithësisht bart kuptimin, por jo edhe gjithnjë. Të marrim një shembull:
Në fjalinë: Erërat që fryjnë, fjala ”që” nuk ka kurrfarë kuptimi, derisa dy të tjerat kanë. Tani kur u njohëm me veçoritë e saj themelore, mund ta shqyrtojmë gjuhën nga afër, e njëherit do ta dallojmë nga të folurit, nga ana tingullore, fiziologjiko-fizike e fjalëve si dhe të shqiptuara apo të shkruara siç vijon:
Çomski, i cili i vëreu cilësitë e sipërme, nuk u kënaq me komentimin e gjuhës nga ana e Sosyrit. Sosyri konsideron se: ”Gjuha është vetëm një pjesë e caktuar, thënë të vërtetën, e rëndësishme e të folurit. Ajo është njëkohësisht edhe prodhim shoqëror i aftësisë së të folurit dhe tog i konventave të duhura, të pranuara nga shoqëria që t’u mundësohet individëve aplikimi i kësaj aftësie. I marrë në tërësi, të folurit është shumëformësh dhe i llojllojshëm (heterogjen), i takon si sferës individuale ashtu edhe asaj shoqërore”.
Për ta kuptuar më mirë këtë konstatim, do ta thjeshtësojmë duke e krahauar gjuhën dhe të folurit me semaforin. Meqë, sipas Sosyrit, gjuha (lang) është një sistem i elementeve gramatikore dhe fondit të fjalëve (kod), të vëna dhe të pranuara në mënyrë konvencionale (nga ana e shoqërisë) secilit folës të gjuhës së veçantë, atëherë sistemimi i ngjyrave në semafor: e kuqe, e verdhë, e gjelbër, aktivizimi i tyre i saktë dhe kuptimi, pastaj numri i tyre, në krahasimin tonë paraqesin – gjuhën.
Meqenëse të folurit (paróle) është realizimi tingullor i gjuhës: përdorimi i rregullave të saj gramatikore dhe në mënyrë virtuele i të gjitha fjalëve, atëherë vetë aktivizimi i ngjyrave në semafor paraqet të folurit.
Të folurit e Sosyrit është ”shumëformësh dhe i llojllojshëm”, individual dhe shoqëror, ndërsa gjuha si strukturë është një sistem shenjash i cili shpreh një ide, i vetmi për të gjithë pjesëtarët e gjuhës përkatëse. Në këtë rast, të gjitha gjuhët botërore janë të ndryshme njëra prej tjetrës.
Çomski nuk e pranon kurrsesi konstatimin e fundit. Sipas tij, gjuha është ”një dukuri e veçantë” , aftësi, karakteristikë e gjinisë njerëzore; njerëzve në mënyrë gjenetike u është dhuruar ”aftësia e të folurit”, siç u është dhuruar dashuria, pikëllimi etj.
Të gjitha gjuhët me të cilat flitet, me të cilat flitej apo me të cilat do të flitet në të ardhmen kanë disa karakteristika universale ”substantive dhe formale” , komponente të çdo gjuhe, por edhe shenja specifike, në përgjithësi normale.
Çomski, madje, shkon edhe më larg duke pohuar se ngjashmëria midis gjuhëve është shumë më e madhe se sa llojllojshmëria e tyre. Universalizimet gjuhësore janë konditat, të vëna formës dhe organizimit të çdo gjuhe. Kështu, ”krijimtaria” dhe ”dyjësia e strukturës” të cilat i përmendëm bëjnë pjesë në universalizime gjuhësore. Lidhur me këtë, Çomski flet për një strukturë të gjerë dhe të përciptë të cilën e posedon secila gjuhë njerëzore. Fjalia ”Zoti i padukshëm e krijoi botën e dukshme”, ndonëse një fjali me një strukturë të përciptë, në strukturën e vet të gjerë ka tri fjali:
- Zoti është i padukshëm;
- Zoti e krijoi botën dhe
- Bota është e dukshme;
Struktura e përciptë e gjuhës shfaqet nëpërmjet zërit (të folurit e Sosyrit – paróle) apo shkrimit. Sendërtohet:
- në mënyrë lineare: me radhë, në një drejtim, në boshtin kohor kur ka të bëjë me zërin apo në atë të hapësirës kur ka të bëjë me shkrimin;
- koherente: harmonike, të folurit e njeriut normal dallohet nga të folurit e maniakut dhe
- instiktive.
Brenda strukturës së sistemit fonologjik të gjuhës i hasim poashtu edhe karakteristika universale (universalizime formale). Në fonologjinë strukturaliste i zbuluan Trubecki dhe Jakobsoni. Duke u nisur nga ky zbulim, Çomski pohon se ”një numër mjaft i vogël (i shenjave distinktive sh.për.) të cilat mund të caktohen nga emërtime të pavarura – absolute, ofron sa mund të shihet – bazën për organizimin e të gjitha sistemeve fonologjike”, dhe ”një gjuhë, e ndërtuar në mënyrë artificiale e cila do të shkelte disa nga këto parime (universalizime formale) nuk do të ishte aspak shkencore apo së paku jo aq e lehtë dhe me sukses siç do ta mësonte një fëmijë normal”.[4]
Shumica e gjuhëve përbëhen nga 25-30 fonema, me variacione të ndryshme. Krahas kësaj, në fushën semantike (kuptimore) e më shpesh në atë sintaksore, shumica e tyre da-
llojnë gjininë mashkullore dhe femërore, emrin (idenë) nga folja (veprimi), më pastaj në të gjitha gjuhët pasqyrohen madhësitë fizike ashtu siç u përshtaten atyre: shumë – pak,
idhët – ëmbël, vështirë – lehtë, njeri – njerëz, Zoti – bota etj. Me çdo gjuhë, mund të shprehet gjithçka që do folësi i saj.
Duke marrë parasysh këtë, nuk ekzistojnë gjuhë ”të pasura” dhe ”të varfëra”, gjuhë të afërta apo të largëta sistemeve të komunikimit të kafshëve, gjuhë ”të qytetëruara” dhe ”të
prapambetura” etj. Ekziston vetëm terminologjia e cila është pasqyrim i zhvillimit qytetërues të shoqërive të veçanta. Gjuha, e kuptuar kështu, është e përbashkët për të gjithë njerëzit. (A është gjuha arabe, gjuhë e Kur’anit, rregull që bën përjashtim me çka Çomski nuk do të pajtohej, mbetet një çështje e linguistikës për ta studiuar në të ardhmen. Zbulimet kompjuterike që i publikoi Reshad Halifa, ndonëse senzacionale, ende nuk e vërtetojnë këtë supozim. Mbi të gjitha, përmes kompjuterëve kjo as që mund të ndriçohet dot).
Qëndrimet e kohëve të fundit rreth ”universalizimeve substantive dhe formale” të gjuhës njerëzore bënë që Çomski të pohojë se mendja është e ngjashme me gjuhën, gjegjësisht se ”aftësia gjenetike e gjuhës” i përcakton universalizimet.
Posedimi i gjuhës është i lidhur ngusht me mendjen, e jo vetëm me shkallën e lartë të inteligjencës. (Personat analfabetë dhe të sëmurët mentalë e përdorin lirisht gjuhën). Fëmiu nuk lind i predestinuar të mësojë këtë apo atë gjuhë. Ai lind me ”aftësinë e të folurit”, i predisponuar të shërbehet me sistemin e komunikimit.
Ngase, si të shpjegohet aftësia e fëmijës, i cili me një numër proporcionalisht të vogël të shprehjeve të cilat i dëgjon rreth vetes dhe të cilat mund të jenë plot me gabime dhe ngatërrime, ia arrin që në një afat mjaft të shkurtër t’i ndërtojë (e jo t’i mësojë) rregullat gramatikore të gjuhës dhe t’i zbatojë në mënyrë shembullore?
Me këtë problem është marrë Ivan Ivić, profesor në Fakultetin Filozofik të Beogradit. Në librin e vet ”Njeriu si animal symbolicum” (Nolit, Beograd, 1978), Ivić, midis tjerash shqyrton origjinat e funksionit simbolik tek fëmijët. Këtij funksioni, sipas tij, i prin kumtimi presemiotik – afektiv dhe praktik – funksional.
Fjalët e para tek fëmiu shfaqen para çfarëdo forme tjetër të sjelljes semiotike: gjestet komunikative (kumtuese), mentale dhe figurat onirike, ndërsa semiotizimi (nga gr. sēmeion – shenjë) i të folurit shfaqet aty kah gjysma e vitit të dytë të jetës së fëmiut.
Tërë këtë argumentim, Ivić e bazon në faktin sipas të cilit inteligjenca në mënyrë ontogjenetike i prin jo vetëm të folurit, po edhe semiotizimit, i cili ashtu si të folurit është cilësi karakteristike e njeriut.
”Funksioni simbolik është një aftësi e përgjithshme e të fituarit dhe e të përdorurit, gjegjësisht e të krijuarit të shenjave, sistemeve semiotike, e të nxjerrurit të operacioneve semiotike dhe e të fituarit apo të krijuarit e vërtetësive semiotike”, përfundon Ivić.
Është plotësisht e sigurt se pohimet e Çomskit dhe ato të Ivić-it kërkojnë një shqyrtim shkencor dhe se mund të mos i pranojmë menjëherë. Për më tepër, Çomski për disa prej tyre (me sa duket pa fakte mjaft të forta) ishte kritikuar nga ana e nxënësve të tij, posaçërisht nga Xhon Lajonsi, linguisti bashkëkohor anglez.
Martine (Martinet) në ”Eléments de linguistique générale (Paris, 1970) Çomskit ia privon titullin e linguistit për arsye se ”e mbyti strukturalizmin”. Ivić është kritikuar poashtu.
Mirëpo, ne shpresojmë se zbulimet e tyre si dhe ato të Sosyrit, kuptohet se do t’na ndihmojnë që të kuptuarit ynë të kësaj dhuntie të All-llahut dhënë njeriut – aftësisë së të folurit – do t’i zgjerojë kufijtë e veta.
Këtu, megjithatë, nuk mund të ndalemi pasiqë as përfshirja kur’anore e as ajo linguistike të problematikës së shtruar as prej së largu nuk mbarojnë me kaq.
Të flasim tani për rrugën e ndërsjelltë të fjalëve dhe le të vëzhgojmë se çfarë procesi realizohet gjatë një akti të të folurit. Kjo fushë e dytë i përket fonologjisë, një disiplinë e veçantë dhe e pandashme e linguistkës. Ajo duhet dalluar nga fonetika.
Fonetika (angl. phonetics) merret me evoluimin e zërave dhe përshkrimin e tyre. Si e tillë, ajo për dallim nga fonologjia, është disiplinë historike. Fonologjia merret me fizioligjinë e tingujve, organeve dhe me mekanizmin e artikulimeve të tyre, të cilat gjithmonë mbesin të njëjta dhe të cilat i hasim tek secili folës normal. Nëse janë të ngatërruara që nga lindja apo nëse ngatërrohen më vonë, shfaqet afazia (humbje e plotë ose e pjesshme e të folurit).
Rruga e ndërsjelltë e fjalëve realizohet me, së paku, dy persona (fot.1). Pika fillestare gjendet në trurin e njërit prej atyre dy personave. (Në fotografinë tonë tek personi A).
Kjo, në të vërtetë, është fillim i procesit psikik i cili prin, gjegjësisht proces i cili shërben për ta plotësuar procesin fiziologjik dhe atë fizik. Në tru, idetë janë të lidhura me shenjat linguistike (figurat akustike) me anë të të cilave shprehen këto ide.
Pas kësaj lidhjeje, fillon procesi fiziologjik Nga goja A deri tek veshët B transmetohen valët e zëshme të formuara, të artikuluara e koherente, çka tashmë është proces fizik. Tek personi B, procesi zhvillohet anasjelltas: prej veshit deri tek truri. (fot. 1 dhe 2).
Në fot.3 janë të shënuara organet të cilat marrin pjesë në artikulimin e zërave. A – tregon zgavrën e hundës; B – zgavrën e gojës; C – fytin bashkë me tingullin g’ ndërmjet dy pejzave të zërit; a dhe a’ – janë buza e sipërme dhe e poshtme; b’-y – gjuha (b’ tregon majën e gjuhës, ndërsa y çdo gjë tjetër); d – tregon dhëmbët e sipërme; f-h – janë qiellëzoret (palatalet): pjesa e përparme (f) është eshtërore dhe e palëvizshme, kurse pjesa e prapme (h) është e butë dhe e lëvizshme; i – është vello e qiellëzoreve dhe r’ – është njerithi (gjuhëza).
Pa i përshkruar detajisht të gjitha organet, do të konstatojmë se çdonjëri prej tyre merr pjesë në realizimin e aktit të të folurit. Dëmtimi i cilitdo prej tyre e pamundëson shqiptimin apo së paku reflektohet në të. Kështu, pejzat e zërit – nëse muskujt e tingullit (g’) zgjerohen dhe pasi atëherë ajri kalon lirisht – nuk dridhen; po nëse muskujt e tingullit mblidhen, kalimi i ajrit shkakton dridhjen e tyre.
Disa organe për fonacion i përmend edhe Kur’ani (XC:9, XVI:78).
Roli i këtyre organeve varet nga lëvizshmëria e tyre. Disa prej tyre janë pasive gjatë artikulimit (A, B, C,…), ndërsa të tjerët aktive (g’, b’, a’, r’,…).
Të ndalemi pak më tepër tek zgavra e gojës (B), (gjuha, buzët dhe dhëmbët), të cilën e përmend ky ajet kur’anor:
”A nuk e kemi bërë atë me dy sy!
Me një gjuhë dhe dy buzë,
Dhe i kemi trasuar dy rrugë! (XC:8-10)
Zgavra e gojës i kryen dy funksione: Atë të prodhuesit të zërit dhe të rezonatorit (rezonator – pjesë e aparatit të të folurit ku formohet rikumbimi i tingujve, gjuha (si organ), sh.për.). Nëse nuk ka dridhje guturale (grykore) pasi tingulli është i hapur gjerë (p.sh. gjatë shqiptimit të fjalës bismil-lah), atëherë zëri vjen drejtpërdrejt nga zgavra e gojës. Po nëse tingulli dridhet (p.sh. gjatë shqiptimit të fjalës Kul huvall-llah), zgavra e gojës kryen funksionin e saj të dytë, atë të rezonatorit për modifikimin e zërit gutural. Muslimani mbetet i habitur me të lexuar ajetin kur’anor:
”Ne e kemi krijuar njeriun në formën më të bukur!” (XCV:4)
Ai i cili e krijoi, po të dojë, mund t’ia marrë dhuntitë. Këtë e dëshmojnë më së miri rastet e afazisë.
”…Sikur të donte All-llahu, mund t’ua merrte edhe të dëgjuarit, edhe të pamurit, sepse All-llahu, me të vërtetë, ka mundësi për çdo send” (II:20)
Po sikur Krijuesi t’ia merrte aftësinë e të folurit?!
EDHE NJË MASHTRIM I TEORISË SË EVOLUCIONIT
Në fillim kemi cekur disa dallime midis gjuhës së njeriut dhe sistemit të komunikimit tek kafshët. Deri më sot janë bërë hulumtime të shumta mbi ”gjuhën” e kafshëve, posaçërisht me antropoidët (eksperimentet e Ladigine – Kots me shimpanza), ndërsa teoria rreth origjinës evolutive të gjuhës është flakur tërësisht. Shtrohet pyetja: Pse?
Është një fakt i pamohueshëm se të gjithë njerëzit e mësojnë të folurit pa ndonjë vështirësi, kurse eksperimentet me arritjet më spektakulare të antropoidëve kanë treguar se realizimi i tyre më i madh, i arritur deri më sot mezi i arrin vetë fillimet e aftësisë semiotike, aftësi kjo e cila siç pamë, tek fëmiu zhvillohet aty nga gjysma e vitit të dytë të jetës së tij.
Në librin e tij ”Retë dhe orat” K. Poperi (Popper) e shkoqit një teori sipas së cilës gjuha e njeriut është zhvilluar nga sistemet primitive të komunikimit, të cilat edhe sot i hasim tek kafshët. Gjuha e njeriut, e këtillë siç e posedojmë ne sot, sipas Poperit, ka kaluar nëpër disa faza evoluimi, përkatësisht nëpër atë ”më të ultë” deri tek ajo ”më e lartë”. Në fazën ”më të ultë”, njeriu, për t’i shprehur emocionet e veta, shërbehet me tinguj të paartikuluar, ndërkaq në atë ”të lartën” shfaqen tinguj të artikuluar për ”përshkrim dhe argumentim kritik”.
Mirëpo Poperi, siç e vëren këtë Çomski, ndonëse ka folur rreth zhvillimit evolutiv, nuk sqaron atë se si erdhi deri te kalimi nga faza ”më e ultë” në atë ”më të lartë”, e as nuk na propozon mekanizmin me anë të të cilit është bërë ky kalim.
Prandaj, ”nuk ekziston më në këtë rast baza për supozim rreth zhvillimit gradual të fazës ”më të lartë” nga ”më e ulta”, por për supozim se hapi i evolucionit është zhvilluar nga frymëmarrja” (Çomski).
Torpi (W.H.Thorpe) ndoqi një rrugë tjetër. Ai pohon se po të përjashtohet njeriu, është vështirë të paramendohet që të gjithë sisorët të kenë aftësinë e imitimit të zërave. Meqë këtë aftësi përgjthësisht e kanë zogjtë, mund të shpresohej mjaft që ata të jenë ”gjini e cila do të duhej ta zhvillonte gjuhën në kuptimin e vërtetë të fjalës, e jo sisorët”. Torpi e hedh poshtë teorinë e evolucionit, ndonëse thekson se ndërmjet gjuhës së njeriut dhe ”gjuhës afektive, josemiotike të njëllojësisë qenësore” ekzistojnë disa karakteristika të përbashkëta tek kafshët, edhepse ”ne tash për tash nuk mund të paracaktojmë se të gjitha ato janë prezente në ndonjë kafshë specifike”.
Këto karakteristika të përbashkëta janë ”intenca”, ”ana sintaksore” dhe ”propozicioni”. Me ”intencë” këtu nënkuptohet qëllimi i folësit që t’ia bëjë me dije diçka personit tjetër, ”ana sintaksore” paraqet organizim të brendshëm, strukturën dhe koherencën, ndërsa ”propozicioni” – transmetim të informacionit.
Komparacioni sekondar i ”të folurit” të bletës e cila ka gjetur mjaltë me gjuhën e njeriut që e kemi dhënë në fillim, do t’na zbulojë se çka synon Torpi.
Bleta ”u flet” shoqeve të saja ”me intencë”: pasi bën një rreth përqark vetes, ajo u ”thotë”: ”ejani shoqe, dua t’ju tregoj diçka!”, ”sintaksorisht” lëvizjet e saj dhe kombinacionet e ”tetëshes” dhe ”gjysëmtetëshes” janë të organizuara, dhe ”propozicionalisht” – ”kam gjetur mjaltë në atë e atë drejtim!”
Shkalla e komunikimit të saj patjetër se nuk është as afër asaj të njeriut. Njeriu, nëpërmjet të ecjes mund të transmetojë një informacion mu ashtu siç e bën bleta. Me shpejtësinë dhe intensitetin e ecjes mund të vihet në dukje p.sh. interesimi për ta arritur qëllimin, ndërsa me anë të gjuhës njeriu shpreh një numër të pakufishëm idesh, qëllimesh e ndjenjash të reja.
FJALA E KUR’ANIT
Pas njohurive të theksuara të linguistikës moderne, është e udhës t’u afrohemi edhe ajeteve kur’anore. Kur’ani, duhet theksuar që në fillim, nuk është libër as shkencor, filozofik e as artistik. Në fakt, ai është superior ndaj të gjitha këtyre dhe mundësive të tëra të mendjes njerëzore.
”Mostër e paaritshme e përsosmërisë si nga ana e përmbajtjes ashtu edhe nga ajo formale”, Kur’ani, kur në disa ajete, shpeshherë të shpërndara në mozaikun e vet, në njërin apo vetëm në gjysmë ajeti përmend ndonjë fakt të cilin shkencëtarët shekuj më vonë, pas një pune të mundimshme e akribike do ta zbulojnë, dëshiron ta paralajmërojë njeriun për atë çka e rrethon vazhdimisht dhe pranë së cilës kalon pa menduar fare, t’ia bëjë prezente në vetëdijen e tij, e njëherit qëllimi i vetëm i ajeteve të tij është që njeriun ta forcojë dhe ta frymëzojë në besimin e All-llahut.
I tillë është edhe rasti me ajetet të cilat flasin mbi gjuhën e njeriut dhe aftësinë e tij e të folurit si dhunti të All-llahut dhënë njeriut, dhunti këto të cilat Çomski i quan ”misterie”.
Rrëfimi mbi Ademin (”Kissatu Adem”) ku është përmendur ajeti:
”Dhe (All-llahu) ia mësoi Ademit emërtimet e të gjitha sendeve…” (II:31), duhet kuptuar në radhë të parë si rrëfim mbi të dërguarin përkatës, por edhe mbi njeriun, në përgjithësi, mbi llojin njerëzor – gjininë njerëzore.
All-llahu i Lartësuar e pajisi Ademin (paqja qoftë mbi të) po edhe gjininë njerëzore me gjuhë e të folur. (Njëjtë sikundër që e pajisi me cilësi të natyrës së tij njerëzore, gjurmat e të cilave do t’i njohim shumë lehtë në faqet e historisë së përgjithshme njerëzore).
Këto cilësi janë ”mëkate” të Ademit (paqja qoftë mbi të) dhe të të gjithë njerëzve. Kur’ani i thekson në mënyrë alegorike në ajete që vijojnë pas këtij që e cekëm më sipër.
Shfrenimi seksual, vrapimi pas asaj që është e huaj, lakmia për pasuri, ”harresa e Zotit”, glorifikimi i vetvetes, lakmia për të jetuar më tepër dhe dëshira për pushtet e pozitë – të gjitha këto janë ”mëkate-cilësi” të cilat janë prezente në çdo shoqëri e kohë.
Të gjitha dokumentet mbi qytetërimin njerëzor janë të tepërta po qe se lihen pas dore këto ”mëkate-cilësi” të mësipërme. Të ngritet njeriu mbi këto – E vendi më i bukur kthimi është tek All-llahu – është qëllimi final i Islamit.
Ademi (paqja qoftë mbi të) i ka ditur ”emërtimet e të gjitha sendeve”: formën, funksionin dhe emrat e tyre. Të kesh dije mbi emërtimin (emrin), fillimisht do të thotë të kesh ide mbi ndonjë krijim (prej ”e krijuar” – ”krijim”) nga realiteti me ç’rast ”realiteti” nënkupton jo vetëm botën fizike – të krijuar, po edhe atë shpirtërore – fiktive të njeriut, më pas për secilën ide ”faktin e vetëdijshëm” të kesh figurën e saj akustike dhe në fund artikulimin.
Lexuesi i kujdesshëm do të hetojë se Kur’ani me këtë ajet, de facto, vetëm me një fjalë (” el-esma’ ”) e ka përfshirë tërë interesimin e linguistikës moderne.
Këtë e vërteton edhe ajeti i katërt i kaptinës ”Er-Rahman”:
”I Gjithëmëshirshmi e mëson (njeriun) të flasë”. (Al-lemehu-l-bejan).
Çdo fjalë e gjuhës së njeriut dallohet nga tjetra me zëshmëri (që paraqet një tregues të shenjës gjuhësore) dhe nga ana kuptimore (e caktuar nëpërmjet të një shenje gjuhësore). Këtu, natyrisht, ”bejan” nënkupton edhe shqiptimin e fjalës.
Sa i përket pjesës fonologjike të fjalës, ajo është shprehur në mënyrë më ekspresive në ajete, që tashmë i kemi cekur, të kaptinës ”Beled”:
”A nuk e kemi bërë atë (njeriun) me dy sy!
Me një gjuhë dhe dy buzë,
Dhe i kemi trasuar dy rrugë!” (XC:8-10)
Kur’ani shkon me radhë: së pari i përmend sytë, e pastaj gjuhën dhe buzët.
Shenjat gjuhësore janë të kushtëzuara nga percepcioni. Këtë e vërejtën qysh herët edhe të Vjetërit, kështu që në njërin nga përkufizimet e veta të shumta, njeriun e emërtojnë si: ”anathron ha opope” – ” Ai që mendon rreth asaj çka sheh”.
Shqisat me të cilat Krijuesi i tij e pajisi (”All-llahu juve ju nxjerr nga barqet e nënave tuaja e ju nuk dini asgjë. Ju pajis edhe me shqisa për të dëgjuar, për të parë, edhe me zemër, mbase do të jeni mirënjohës”) i shërbejnë që të fitojë përvojë nga burime të ndryshme. Pikërisht gjuha e tij është pasqyrim i asaj përvoje të tërë, asaj marrëdhënieje të njeriut kundrejt Zotit, botës dhe gjërave përreth.
Ndërsa, për funksionet e zgavrës së gojës, të përfshira në këtë ajet, kemi bërë fjalë më herët.
EL – LEDHI ‘AL – LEME BIL – KALEM
Kjo metaforë e mrekullueshme kur’anore: ”I cili e mësoi me pendë” (XCVI:4) zbulon edhe një të vërtetë – dhunti e All-llahut dhënë njeriut. Kjo na bën të konkludojmë se të shkruarit buron nga gjuha dhe nga të folurit. Shkrimi e zëvendëson të folurit; ai është ”mediumi plastik i të folurit”.
Mbi këtë kushtëzim – sa shtrihen aftësitë e të folurit të njeriut – themelohet ”Shpallja”, gjegjësisht mundësia e saj e të sjellët e ”Zbritjes” (Tenzil) dhe më vonë e kompensimit dhe ruajtjes. Pa aftësinë e të folurit, i dërguari – njeriu nuk do të mund ta pranonte, ta kuptonte dhe t’ia përcillte atë njerëzimit.
Dihet mirëfilli se i dërguari (fjala është për profetin Muhammed a.s., sh.për.) së pari i lexonte përmendësh ajetet e shpallura, e më pas ia diktonte sekretarit të tij, Zejd ibn Thabitit r.a.
Të kuptuarit e Shpalljes rrjedh nga i njëjti burim prej nga edhe gjuha – nga mendja. Njohja e saj është e obliguar dhe kusht i besimit. (”Më së shumti i urrej dy persona: të devotshmin i cili beson pa ditur dhe të diturin i cili din po nuk beson”, hadith).
Njeriu i Kur’anit nuk gabon nga ”pema e njohjes”, por nga ”pema e përjetësisë dhe e sundimit i cili zgjat”. ”Mëkatet” e tij janë cilësi – konstituante të natyrës së tij, siç kemi theksuar më parë. Kështu duhet kuptuar edhe ajeti kur’anor:
”Nuk janë të barabartë ata që dijnë dhe ata që nuk dijnë”.
Dija, këtu ka një zotësi të veçantë: ajo është dija mbi Shpalljen. Mosnjohja e duhur e Islamit është një ndër shkaqet më të mëdha të dekadencës së muslimanëve. Pranimi i Shpalljes, do të thotë, ka qenë i gatshëm me kushtëzimin e sipërm. (”… Me disa prej tyre ka folur All-llahu…”, II:253).
Po të lihet anash njeriu, të gjitha krijesat tjera nuk kanë mundur dhe kanë refuzuar ta pranojnë (Shpalljen).
”Ne u kemi dhënë obligim qiejve, tokës dhe maleve, por ato refuzuan të pranojnë këtë se u frikësuan, kurse njeriu e mori mbi vete…”, XXXIII:72).
Duke e pranuar Shpalljen (obligimin), njeriu e barti me vete gjatë historisë. Bartja e saj në këtë botë është nga detyrat dhe qëllimet parësore të ekzistencës së tij.
Shqipëroi:
Jahja Hondozi
[1] Numri romak tregon numrin e kaptinës, ndërsa ai arab numrin e ajetit.
[2] Shih F. de Sosyr, Linguistika e përgjithshme, Nolit, Beograd, 1977 dhe N. Çomski, Gramatika dhe mendja, Nolit, Beograd, 1972.
[3] Xhon Lajons, Revolucioni linguistik i N. Çomskit, Duga, Beograd, 1977.
[4] Xh. Lajons, Revolucioni linguistik i N. Çomskit.