Ana tjetër e medaljes: KEK-u DHE KOMPLOTI KUNDËR KOSOVËS

Kollapsi energjetik i Kosovës është bërë, si përnga tejzgjatja si përnga egërsia, i pakonkurencë edhe për të zënë kryet e vendit në Librin e Ginisit. Tetë vjet pas çlirimit të vendit, kriza energjetike ka mbetur akute si në ditët e para të çlirimit, kur po niste rindërtimi i jetës sociale dhe ekonomike, pas përfundimit të agresionit ushtarak serb kundër Kosovës, i cili resurset energjetike megjithatë nuk i kishte dëmtuar esencialisht. Atëherë, pse ndodhi dhe pse po vazhon kaq gjatë kjo katandisje?

E para, për shkak se UNMIK-u instaloi një pushtet tipik kolonial mbi Kosovën. Pushteti kolonial ëshë i njohur për të zi për faktin se e rregullon punën si më mirë për vete, ndërsa për banorët e kolonisë nuk i han palla. Me të hyrë në Kosovë, UNMIK-u dhe levat e tij, instaluan burimet e energjisë për vete, ndërsa KEK-un e lanë anash si të ishte një plaçkë lufte, që mund të ndahej ndërmjet fiseve. Edhe pse administrimi i KEK-ut bie nën autoritetin e Shtyllës së Dytë (që do të thotë të Bashkimit Europian,), asgjë europiane nuk u zbatua për rimëkëmbejn e këtij ish gjigandi energjetik të Kosovës. Përkundrazi, u zbatuan masa sistematike për degradimin dhe për për shkatërrimin e KEK-ut. Lejimi i mospagëses së energjisë së shpenzuar nga qytetarët dhe ndërmarrjet, ishte dhe mbeti në funksion të blerjes së paqes sociale për rehatinë e UNMIK-ut. Qytetarët që e vjedhin energjinë eletrike dhe ata që nuk i paguajnë faturat e energjisë së shpenzuar, kujtojnë se po u lehtësohet mbijetesa sociale, të cilën UNMIK-u me asgjë nuk ka bërë përpjekje që ta përmirësojë. Fakti që tetë vjet pas ;lirimit, Kosova importon 1.3 miliarë euro, ndërsa eksporton vetëm 79 milionë euro, tregon se ;farë politikash ekonomike koloniale janë zbatuar në këtë vend. Fakti që privatizimi ka ulur numrin e të punësuarve, tregon poashtu se për ;farë komploti është fjala. Ndërsa,shumë qytetarë të këtij vendi, fërkojnë duart të gëzuar që shmangin pagesën e energjisë së shenzuar. Kujtojnë se po ia hedhin UNMIK-ut. Bile, shumë sish kanë mendim të mirë për UNMIK-un dhe për qeverinë. Në të vërtetë, ata janë bërë bashkëpjesëmarrës të shkatërrimit të KEK-ut dhe të degradimit të pasurisë më të madhe të vendit të vet, e kjo vetëm sa do ta rritë mjerimin social, edhe të vetë atyre. Por, kur ata ta kuptojnë hilen, UNMIK-u nuk do të jetë këtu, ndërsa Kosova do të kuptojë se i ka humbur tetë vite të mëdha, të cilat nuk mund t’i kompensojë as pavarësia e saj. Kjo paqe e rreme sociale të cilën e ka blerë UNMIK-u, ka rrezik të eksplodojë në Kosovën e pavarur, e të bëhet komplot i ri kundër mbijetesës së saj ekonomike.

E dyta, Qeveria e Kosovës, si zgjatim i pushtetit kolonial të UNMIK-ut, vetëm sa ka shërbyer për të legjitimuar hajninë masive. Duke qenë një qeveri e korruptuar, ajo nuk ka pasur as vullnet e as fuqi që të veprojë për stabilizimin e gjendjes. Minimumi që ka mundur të bëjë Qeveria e Kosovës ka qenë ndihma për mbledhjen e parave për energjinë e shpenzuar. Por, edhe qeveritarëve u ka konvenuar që t’ua japin falas energjinë elektoratit të vet, në këmbinm të ruajtjes së votave të tyre. Për të qenë ironia edhe më e madhe, ministri i territ të Kosovës, flet për të ardhmen, për termocentralin Kosova C, në kohën kur Kosova është e zhytur dhe e shkallmuar nga terri. Por,, nga përvoja tetëvje;are e manipulimit, edhe ai ka të drejtë të shpresojë se manipulimi do të vazhdojë edhe më tutje të jep rezultate.

E treta, punonjësit e KEK-ut kanë mbetur të paralizuar në këto tetë vjet. Krahas punës së rëndë më mihje e në termocentrale, ata e kanë mbajtur gojën të mbyllur, pa guxim për të marrë vetë iniciativa. Kanë pranuar pozitën e fajtorit kujdestarë. Kurrkush më shumë se heshtja e tyre nuk ka dëshmuar se ky vend është koloni dhe se qytetarët e këtij vendi nuk e kanë kuptuar se po u vidhet e tashmja e jetës së tyre dhe e ardhmja e fëmijëve të tyre.

Me një fjalë, tregimi për KEK-un është tregimi për një Kosovë të manipuluar në emër të lirisë, të shfrytëzuar në emër të statusit dhe të poshtëruar në emër të parneritetit. Tregimi për KEK-un nuk ka të bëjë me ekonominë, po ka të bëjë me politikën dhe moralin, përkatësisht me kolonializmin dhe degjenerimin, që kanë plandosur për tokë këtë vend.

6 mars 2007

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme