Toleranca: konteksti filozofik dhe variacionet regjionale

Kjo papërshtatshmëri, – madje mund të thosha edhe kjo rrëqethje! – u shndërrua në ankth të vërtetë konjitiv kur u ballafaqova me faktin se toleranca kudo është vlera më e lartë e çdo shoqërie, për të mos thënë në fillin e gjithë historisë.

Merret me mend se diçka duhej të ndodhte që ky ankth konjitiv të përfundonte dhe unë përsëri të shpreh një nivel të rëndomtë dhe të padurueshëm të moskuptimit të botës në të cilën jetoj! 

Fijen e parë të lëmshit të Ariadnit, për të dalë nga ky labirint, e gjeta te fjalorët etimologjikë. Pasi konfirmova se nocioni “tolerancë” buron nga fjala latine tolerare dhe se në thelb do të thotë “të durohet” dikush, diçka ose ndonjë situatë, megjithatë m’u lehtësua. Tashmë të paktën e dija: reflekset e mia sociale janë ruajtur, ndërsa vetërespekti im natyror mbetet i fuqishëm si te çdo fëmijë i porsalindur, si te çdo zog ose te çdo peshk! Sepse, kush është ai që nuk do ndjehet i nënçmuar nëse e di se vetëm e durojnë, se e durojnë ngaqë nuk kanë zgjidhje tjetër, në vend që ta respektojnë? 

Nëse me këtë i kalova me sukses korridoret e para të labirintit, përpara meje mbeti akoma një rrugë e gjatë, në të cilën po ashtu mund të humbisja, qoftë edhe në çdo hap! Në fakt, nga doli ky lavdërim i përgjithshëm për tolerancën si një virtyt social, ku në thelb ajo paraqet një lloj marrëdhënieje, nëse jo drejtpërdrejt përçmues, atëherë sigurisht paternaliste? Që të zgjidhja këtë pjesë të labirintit, shtrova pyetjen mbi atë se me çfarë barazohet relacioni i tolerancës? Kush është ai që është vënë përballë asaj situate ku i duhet të kërkojë të jetë i toleruar? Apo më saktë, në çfarë rrethanash jemi të detyruar të kërkojmë të jemi të toleruar? Logjikisht kjo të shpie drejt skajit tjetër të relacionit, në të cilin ndodhet ai nga i cili kërkojmë tolerancën! Kësaj pyetjeje do i përgjigjemi më së miri nëse kujtohemi se kur dhe në çfarë kushtesh kërkohet toleranca? Nëse e orientojmë hulumtimin drejt jetës së përditshme dhe situatave në të cilat flitet për tolerancën, do të shohim se toleranca dhe jotoleranca paraqiten në të gjithë sektorët socialë, politikë, ekonomike, kulturorë dhe shpirtërorë të shoqërisë, si dhe në jetën e përditshme, në shtëpi dhe në shkollë, në rrugë dhe në teatër!

Duke ndjekur këtë fije, do mund të konfirmojmë se nocioni “tolerancë”, para së gjithash shpie drejt praktikës së përmbushjes së atyre lloj sjelljesh që nuk i miratojmë dhe drejt atij mendimi me të cilin nuk pajtohemi. Fjala kyçe e këtij përkufizimi duket qartë se është fjala “lejim”. Ekzistojnë shumë lloje sjelljeje të cilat nuk i miratojmë, si dhe mendime me të cilat nuk pajtohemi, por megjithatë nuk mund të bëjmë asgjë që t’i pengojmë ose t’i ndërrojmë. Por, nëse fjala “lejim” është bankënotë që vlen aq sa të shkruhet në të, atëherë durimi ynë dhe durimi i llojeve të sjelljes dhe i mënyrave të të menduarit me të cilat nuk pajtohemi, ndërkohë që objektivisht nuk është e mundur t’i ndërrojmë dhe as të ndikojmë mbi to, kjo thjesht nuk na çon te përkufizimi i tolerancës. Kjo dashamirëse e pazakontë, që është çelësi i mirëkuptimit të tolerancës si një qëndrim i zgjedhur në mënyrë të vetëdijshme për të duruar atë që në fakt nuk e durojmë dot, ka vetëm një shpjegim! 

Në fakt, të flasësh për tolerimin dhe tolerancën, kjo merr kuptim vetëm nëse jemi në pozicion që ta pengojmë, që ta ndërpresim ose të ndalojmë një sjellje të tillë! Për shembull, fëmijët, objektivisht nuk janë në gjendje t’i tolerojnë veprimet ose qëndrimet e prindërve të tyre, por prindërit ndodhen në ato situata ku u duhet të jenë tolerantë ose jotolerantë ndaj sjelljes dhe mendimeve të shprehura nga fëmijët e tyre! Ose, në një shembull tjetër, toleranca fetare paraqet lejimin nga feja dominuese, që në fushën e dominimit të saj të veprojnë edhe fetë e tjera, edhe nëse ato nuk janë të miratuara nga doktrina zyrtare ose konsiderohen si inferiore, të gabuara ose, madje, edhe të dëmshme, ndonëse ajo ka instrumente autonome, ose, më shpesh, instrumente shtetërore për të penguar veprimin e tyre të lirë! E kuptuar në këtë kontekst dinamik, toleranca, para së gjithash, paraqet praninë e një dallimi objektiv në statusin hierarkik ndërmjet palës që kërkon të jetë e toleruar, pra palës që vendos se a do tolerojë. E artikuluar më konkretisht, ky status hierarkik shprehet si posedim i fuqisë objektive, e cila përfshin edhe mundësi për ndalesë aktive dhe pengim të veprimit dhe mendimit të mundësive të tjera religjioze. Sipas kësaj, kur kundrohet në mënyrë integrale, si relacion i përcaktuar hierarkik i palës inferiore dhe superiore, toleranca, në radhë të parë, mund të barazohet me çështjen e marrëdhënies së të dobëtit me të fortin, ku pala e dobët kërkon ndryshim të qëndrimit të zakonshëm, të represionit nga më i forti mbi më të dobëtit dhe pret gatishmërinë e tij vullnetare për “të duruar” diçka që në çdo çast mund të pengohet, ndërpritet dhe ndalohet në mënyrë efikase! Pikërisht për shkak të kësaj, në aspektin historik, toleranca është një relacion që testohet ndaj pakicave pa përjashtim! E testuar në mesjetë, para së gjithash ndaj përcaktimeve religjioze të bashkësive më të vogla sociale të shteteve me fe dominuese zyrtare, sot ajo është shtrirë edhe ndaj bashkësive etnike, grupeve politike, homoseksualëve etj., ku me këtë rast, Konventa për të Drejtat e Njeriut përfshin edhe detyrimin ligjor të çdo shteti për tolerancë në të gjitha rastet. 

Dhe pikërisht me këtë detyrim zbulohet dhe pa dyshim dëshmohet karakteri i vërtetë i tolerancës! Detyrimi i tolerancës është gjithnjë një detyrim i faktorit më të fortë në të gjitha shoqëritë: shtetit dhe institucioneve shtetërore. Në fakt, diskutimi për tolerimin dhe tolerancën ka kuptim vetëm nëse jemi më të fortë dhe nëse realisht mund të veprojmë edhe në mënyrë tolerante, përkatësisht të ndalojmë një sjellje të tillë, ndërkohë që në të gjitha shoqëritë këtë fuqi e ka shteti! Sipas kësaj, shtete jotolerante do të ishin ato që me ligjet e veta nuk do e lejonin të drejtën e ekzistencës së lirë të partive të tjera politike, ushtrimin dhe praktikën e feve të tjera ose që nuk do ua jepnin të njëjtat të drejta njerëzve që i takojnë një race tjetër, një prejardhjeje etnike tjetër ose një kombi tjetër, ndonëse posedojnë fuqi reale që t’i imponojnë ligjet jotolerante. Kjo do të thotë se toleranca ka qenë gjithnjë detyrim i më të fortit ndaj më të dobëtit, i grupit më të madh për nga numri ndaj një grupi më të vogël, i përfaqësuesve të fesë dominuese ndaj përfaqësuesve të feve me më pak besimtarë etj. 

Ky parim themelor i tolerancës do ta ilustrojë një retrospektivë të shkurtër historike me besueshmëri të lartë të akteve të para juridike, me të cilat ishte i rregulluar detyrimi i shtetit ndaj grupeve më të vogla:

Historikisht, rasti i parë i regjistruar i aktit ligjor të tolerancës paraqet vendimin e mbretit pers Kir, për të liruar hebrenjtë që të shkojnë në atdheun e tyre (539 p.e.s.), gjë që përmendet në Dhiatën e Vjetër. 

Perandoria Romake u lejonte popujve të territoreve të pushtuara që të ruanin besimet e tyre tradicionale, me kushtin që të mos luftojnë kundër modelit panteist romak e as të mos predikojnë publikisht kundër tij. Krishterimi ishte përjashtuar pikërisht për shkak se e mohonte dhe e hidhte poshtë panteizmin. Me Ediktin e tolerancës së Krishterimit, të miratuar më 311 të erës së re nga perandori Galerij, toleranca zgjerohet edhe ndaj Krishterimit, besim të cilin, vitin e ardhshëm do e pranonte edhe perandori Konstadin I. 

Kushtetuta e Medinës (622 e. s.) e detyron qartazi shtetin islam që të tregohet plotësisht tolerant ndaj bashkësive hebraike në kuadër të territorit të tyre, duke garantuar të drejtën e tyre të plotë për të praktikuar lirshëm fenë e tyre dhe për të mos marrë pjesë në luftërat që zhvillonte shteti islam. Baza e këtij akti historik të Kushtetutës së Medinës qëndron në Kuran, që në mënyrë eksplicite ndalon çdo lloj detyrimi (shih në veçanti suren “El Bekare”). Në shek. XIII, Rumiu, në veprën e tij Mesnevi, këtë parim e promovoi si pikëpamje qendrore të mësimeve të tij, duke i ftuar adhuruesit e idhujve, politeistët, ateistët dhe njerëzit e tjerë në respekt dhe miqësi të ndërsjellë. 

Në vitin 1636, banorët e Rod Ajlandit, me nismën e Roger Williams-it, u pajtuan që “t’i nënshtrohen shumicës vetëm në lidhje me çështjet civile, ndërsa besimet fetare të mbeten një e drejtë e pakundërshtueshme e çdo individi”. Ndërkaq, në bazë të kësaj, në vitin 1663, mbreti Charles-i II lëshoi Aktin e garantimit të tolerancës religjioze në koloninë Meriland. 

Në Traktatin teologjiko-politik (s.a. 1670), Spinoza shkruan se “liria për të filozofuar, jo vetëm që duhet të garantohet pa dëm për paqen dhe stabilitetin e shtetit, por paqja dhe stabiliteti i shtetit janë kërcënuar me kufizimin e kësaj lirie, sepse ajo paraqet idealin politik të shtetit tolerant, shekullar dhe demokratik”. Në raport me tolerancën religjioze, Spinoza thekson se “çdo njeri ka të drejtë sovrane që t’i interpretojë mësimet fetare ashtu siç i kupton vetë ai, që të mund t’i hedhë ose t’i pranojë me bindje të plotë”. 

Dhjetë vite më vonë, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Spinoza-s, filozofi anglez John Locke, në traktatin Letër për tolerancën (1680), angazhohet për vendosjen e tolerancës së garantuar fetare në Angli. 

Pas polemikash të gjata dhe të rrepta, qëndrimi i Locke-t nis të dominojë, derisa Parlamenti Britanik, në vitin 1689, miraton Aktin e tolerancës për jokonformistët (protestantët), sipas modelit të Perandorisë Romake, që do të thotë, me kushtin që të betohen për lojalitet karshi kurorës britanike. Akti nuk kishte të bënte me katolikët, që, për shkak të konfrontimit të tyre doktrinar me protestantizmin dhe kishën anglikane, ishin përjashtuar nga jeta politike dhe nga universitetet. 

Sipas Amendamentit të Kushtetutës së Amerikës, të ratifikuar me Shpalljen e të Drejtave më 15 dhjetor 1791, thuhet se “kongresi nuk do miratojë kurrfarë ligji për shpalljen e fesë shtetërore dhe as ndalesë për ushtrimin e lirë të çdo feje”, veprim me të cilin e ngriti murin që ndan qartë e përfundimisht kishën nga shteti.  

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1948 miratoi nenin 18 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila thotë se “çdo njeri ka të drejtën e mendimit të lirë, të ndërgjegjes dhe fesë, përfshirë edhe të drejtën për të ndryshuar bindjet ose fenë, qoftë individualisht ose në grup, publikisht ose privatisht, si dhe t’i shprehë bindjet e tij fetare ose bindjet e tjera në teori, praktikë ose në ritet fetare”.

Në teorinë bashkëkohore toleranca është një përbërës themelor i rrymës liberale në interpretimin e të drejtave të njeriut. Në pajtim me këtë pozicion, për aq sa askush nuk lëndohet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe as nuk rrezikohen të drejtat e askujt, shteti duhet të mbetet mënjanë dhe të tolerojë gjithçka që ata që e udhëheqin atë e konsiderojnë si të shëmtuar, degraduese ose, madje, edhe të pahijshme. Përveç John Stuart Mill-it, si themeluesi dhe përfaqësuesi më markant i liberalizmit, me inovacionet e tyre interpretuese dallohen edhe John Rawls-i, Robert Nozick-u, Ronald Dworkin-i, Brain Berry, Will Kymlicka, Joseph Raz-i etj. 

Në veprën Toleranca represive (1965), Herbert Marcuse mendon se kundër “tolerancës së pastër”, që lejon totalitarizmin, por edhe tiraninë e shumicës, duhet të ndërtohet sistemi i “tolerancës represive”. Këtë temë e diskutojnë Walzer-i, Popper-i dhe Rawls-i përmes analizës së paradigmës së shënuar si çështje e “tolerimit të jotolerantëve”. Rawls-i përfundon se në një shoqëri tolerante sektet jotolerante duhet të tolerohen nëse nuk e kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë e individëve ose të të gjithë shoqërisë, duke vlerësuar se me kalimin e kohës shoqëria dhe grupe të tilla duhet të krijojnë tolerancë. 

Me analizën e kontekstit të nocionit “tolerancë” hapen një sërë mundësish për aktivitetin inkonstruktiv hulumtues, që është i dhënë pas variacioneve regjionale të zbatimit të tij. Në shembullin praktikës shtetërore të Republikës së Maqedonisë, gjatë periudhës që nga marrja e statusit si shtet i pavarur dhe sovran e deri më sot, nën dritën e një analize të tillë zbulohen pikëpamje të papritura. E përkufizuar si qeveri kombëtare, shteti, që nga fillimi i tij shfuqizoi parimet e deriatëhershme për statusin e pakicave, më konkretisht për bashkësitë e tjera kombëtare, para së gjithash ndaj shqiptarëve. Refuzimi i bashkësisë shqiptare që të deklarohet në referendumin për pavarësi, si dhe për Kushtetutën e parë të Republikës së Maqedonisë, sado që të interpretohen si demonstrime të nacionalizmit shpirtngushtë, në fakt ishin reagim ndaj reduktimit të tolerancës së rregulluar ligjore. Ashpërsia me të cilën shteti përplasej me përpjekjet e shqiptarëve për të vendosur arsim të plotë në gjuhën shqipe, me presione policore dhe sforcim të retorikës ekstreme armiqësore, flisnin qartë për faktin se shtetit i duhej një politikë urgjente dhe e patjetërsueshme për tolerancën! Në fakt, ishte e qartë se respektimi dhe mirëkuptimi ishin shumë larg, dhe se patjetër duhej kaluar në qasjen e “durimit” të detyruar ligjor. Megjithatë, shteti nuk i ndërmori hapat e nevojshëm as atëherë e as shumë vite më vonë. Madje edhe institucionet më të larta, si Akademia e Shkencave dhe Arteve, përkatësisht universiteti shtetëror, në krye me rektoratin dhe garniturat e dekanëve, kërkonte të pengonte me ultimatum të drejtën e shqiptarëve për arsimim të plotë në gjuhën shqipe, që është një rast pa precedent në historinë e re akademike! Një mori demonstruesish të zhurmshëm e ekstremë kundër të drejtës së shqiptarëve për t’u arsimuar në gjuhën e tyre, u graduan menjëherë ministra, ambasadorë dhe funksionarë të lartë qeveritarë. Në këtë valë të të shpërblyerve për jotolerancën dhe shovinizmin e tyre u gjendën jo vetëm profesorët e deriatëhershëm, por edhe një sërë studentësh! Qëndrimi i tyre i atëhershëm i jotolerancës radikale, deri më sot ka mbetur i pandryshuar dhe paraqet “shërbimin” e vetëm për shkak të të cilit ata ruajnë pozicionet e tyre edhe sot. 

Konflikti i vitit 2001 tregoi qartë se marrëdhëniet e ndërsjella kanë kaluar në mosgatishmëri të plotë të shtetit për të respektuar detyrimin e tolerancës, i rregulluar me aktet ndërkombëtare juridike! Nevojitej një presion i bashkësisë ndërkombëtare që të nënshkruhej Marrëveshja Kornizë e Ohrit, që de facto nënkupton se shteti nuk u bë tolerant, por u detyrua për tolerancë! Nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, parimi i tolerancës filloi të inkuadrohej edhe në të gjitha sferat e jetës shoqërore. “Kriminelët” e deridjeshëm hynë në parlament përmes portës së madhe dhe zunë funksionet më të larta shtetërore. Disa prej atyre që e kundërshtonin më së shumti të drejtën e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë për të mësuar në gjuhën shqipe dhe ishin të vendosur “ta paguanin me jetë” moslejimin e hapjes së universitetit në gjuhën shqipe, sot ligjërojnë në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë dhe në Shkup! Ky është një rast karakteristik i tolerancës së detyrueshme, e cila duhet të kalojë sa më parë në detyrim të pranuar vullnetar të shtetit, që të predikojë me besnikëri politikën e tolerancës në të gjitha nivelet dhe në gjithë territorin e tij. 

Duket qartë se ideali i shoqërisë në harmoni është personifikuar te shoqëria pa nevojë për tolerancë! Në fakt, për aq sa toleranca është në provë, përderisa ajo teston kapacitetet objektive demokratike dhe liberale të një shoqërie, ekziston një disproporcion real fuqish, e për pasojë edhe një mundësi potenciale që disproporcioni të keqpërdoret! Aty ku ekziston toleranca, aty ndodhet edhe më i forti, së këndejmi edhe i dobëti! Rregulli fisnik që thotë se “aty ku është më i forti, ai është në anën e të dobëtit”, e përkufizon këtë relacion, por e ka lënë në një vlerësim individual, si çështje të ndërgjegjes dhe krenarisë vetjake. Shteti, për nga përkufizimi, ekziston mbi parimin e fuqisë. Shoqëria e integruar dhe harmonike, megjithatë, nuk është ngritur mbi kriterin e fuqisë, por mbi atë të respektit të ndërsjellë!

Përfundimisht e gjeta daljen nga labirinti! E kuptova përfundimisht se nga më vjen ndjenja që çdo tolerim është një lloj përçmimi dhe pse nuk dua që të më tolerojë askush! Sepse dua të jem i respektuar ashtu siç jam! Njëherësh, sepse, edhe unë nuk dua të toleroj askënd. Respektimin e çdo njeriu e konsideroj si detyrimin më të lartë shoqëror! Individi i lirë dhe sovran, si dhe çdo bashkësi shoqërore, kulturore, fetare ose politike, është vetëm ai/ajo që nuk është në pozicionin inferior për të qenë i/e toleruar!

Problemi qëndron në pikën se burimi i vërtetë i nevojës për tolerancë është fakti që të gjitha shoqëritë gjatë historisë, përfshirë edhe të gjitha shtetet bashkëkohore, në themelin e tyre janë të organizuara pikërisht mbi parimin e fuqisë! Prandaj dhe toleranca, si konstante universale e shoqërive bashkëkohore, bëhet fati ynë. Megjithatë, sado që të jetë parahistori e lirisë, e ndërprerë në pragun e respektit të vërtetë, toleranca mund të kultivohet dhe të përsoset. Mënyra më e qëlluar për këtë është që bartësi i drejtpërdrejtë i fuqisë (pra shteti), politikën dhe praktikën e tij të tolerancës ta konceptojë dhe ndërtojë në mënyrë të pavarur, si një vendim autentik sovran, e jo nën presionin e ndonjë fuqie tjetër, rëndom e huaj, që është më e fortë se vetë shteti! Politika fisnike e tolerancës paraqet mbrojtjen më të mirë të çdo shteti, sepse përbën një mbrojtje të ndershme dhe të sinqertë të idesë së respektit dhe lirisë së ndërsjellë në shtet. Në varësi të asaj se si do të kuptohen në mënyrë më serioze kërkesat e çdo bashkësie, shteti jo vetëm që e forcon autoritetin e tij dhe dëshmon demokracinë dhe tolerancën, por krijon edhe hapësirë për inkuadrimin e të gjithë individëve dhe grupeve për pjesëmarrje aktive në krijimin e një shoqërie të përbashkët! 

Kjo vlen plotësisht edhe në relacionin e shtetit në raport me të drejtën e bindjes së lirë politike.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme