Tri uçk-të dhe e drejta në vetëvendosje

Mbi këtë të vërtetë njerëzore historike ishte i farkëtuar mësimi i vjetër latin: “Gjaku i Dëshmo­rëve është fara e Lirisë”, e cila u ridëshmua katërçipërisht në kohën më të re të historisë njerëzore me përvojën shqiptare të Tri UÇK-ve: të Kosovës, të Kosovës Lindore dhe të Iliridës, luftë kjo e Davidit me Goliatin me dimensionin e sakrificës ademjashariane përtejbibliko-kuranor, e cila u dha kahje të pritshme rrjedhave historike shqiptare, ballkanike dhe evropiane të dhunshme.

Rilindësi ynë i ndritshëm, Luigj Gurakuqi, të cilin e vrau dora tradhtare, la një mësim të vyer: “Një popull që nderon burrat e vet, një popull qe pavdekëson kujti­min e tyre, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monu­me­nte, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla”. Kjo më detyron t’i falënderoj, në emër të dijës, ata që mundësuan me gjak, me dije dhe me lekë, ngritjen e Monumentit të Lirisë në pamjen e Komandant Mjekrës, në sheshin e qytezës së Vitisë.

Dhe, sikur të mos i besoja fuqimisht mësimit kuranor se “Rëndësia e ngjyrës së penës së dijetarit është baras me rëndësinë e gjakut të dëshmorëve”, nuk do të kisha marrë guximin të flisja, këtu, para Jush, për flijimin e djalërisë ademjashariane për ardhmërinë e kombit shqiptar të copëtuar me dhunë ndërkombëtare. Vërtet, Tri UÇK-të: e Kosovës, e Kosovës Lindore dhe e Iliridës, kanë një Nënë që i përkundi - Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të UÇK-së në përgjithësi, u derdh në themele të kërkesës historike të kombit shqiptar për çlirimin dhe ribashkimin mbi të drejtën e kombeve për vetëvendosje.

Për ta kuptuar shkoqur misionin historik të të Tri UÇK-ve në funksion të kërkesës shqiptare për vetëvendosje, si një e drejtë hyjnore dhe njerëzore demokratike, detyrohem të konstatoj faktin se LPK- ja me organizim politik dhe ushtarak, nga gushti 1993, mbulonte të gjitha trojet shqiptare jashtë Shqipërisë Londineze. Ajo në fakt ishte e deklaruar “Orgaanizatë nacionalçlirimtare e pjesës së robëruar të kombit shqiptar nën Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi”, ndërkaq, në Deklaratën programore saktësoi: “Çlirimi dhe formimi i shtetit të pavarur të Kosovës, vullneti i popullit shqiptar, është në përputhje të plotë me normat ndërkombëtare”.

Mbi këtë shtyllë të drejtësisë u mbështet teksti fillestar i Betimit të Ushtarit të UÇK-së: “Unë, luftëtari i UÇK-së, në emër të popullit tim dhe të armës betohem se do të jem besnik i Luftës Nacionalçlirimtare i papërkulur deri në fund, i gatshëm në çdo çast që të mos kursej as jetën për Çlirimin e Kosovës dhe të viseve të saj nën robëri deri në bashkimin e tyre me Shqipërinë…”

Të ritheksoj këtë fakt: Koncepti “Kosovë” i LPK-së - UÇK-së i fazës fillestare, është koncept i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës të viteve 1941-1944, dhe i mbulonte të gjitha viset shqiptare jashtë Shqipërisë Londineze. Vërtet, në Ballkan, si dje edhe sot, çështja shqiptare nuk është e zgjidhur, as është duke u zgjidhur aktualisht. Shikuar nën thjerrëzën e dijes, kërkohet kohë shtesë dhe sakrifica shtesë për zgjidhjen e Çështjes shqiptare të ngatërruar me dhunë ndërkombëtare të vazhdueshme. Për ta pasur situatën më të qartë, t’i referohemi shkurtazi historisë së dhimbshme.

Nga fundshekulli XVIII dhe fillimshekulli XIX, kur nisi ngritja e shtetit të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Greqisë me ndihmën ruso-evropiane, njësia e Shqipërisë kishte rreth 120 000 km2, kurse deri në Kongresin e Berlinit, më 1878, Ajo u tkurrë në rreth 114 728 km2. Evro-ruset me Traktatin e Berlinit, dhunë kjo ushtarake e diplomatike, nga Shqipëria shkëputën edhe rreth 24 458 km2. Njësia e katër Vilajeteve të Shqipërisë Etnike: të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, deri në ditën e shpalljes së pavarësisë shtetërore të Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, pati 90 100, përkatësisht 90 270 km2 me 3 804 000 banorë. Në këtë hapësirë gjeografike shqiptarët ishin shumicë absolute me mbi 66%, bullgaro-maqedono-vllehët arrinin rreth 16%, serbët rreth 5% dhe grekët mezi kalonin 4%-shin. Kishte pak turq, hebrenj, evgjitë e të tjerë.

Evro-rusia në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, nuk mori parasysh vullnetin politik të kombit shqiptar dhe më 29 korrik 1913 sanksionoi dhunën ndërkombëtare me pasoja historike të pariparueshme për kombin shqiptar. Konferenca e Londrës e aprovoi projektin e Principatës së Shqipërisë në një pjesë anësore të Shqipërisë Etnike, me vetëm rreth 28 760 km2, me vetëm rreth 800 000 banorë, kurse 61 510 km2 të Shqipërisë Etnike, ua ndau: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Së këndejmi, shteti Shqipëri me kufijtë londinezë është dhunë evro-ruse, e papranueshme për kombin shqiptar. Kjo e nxiti madhorin e kombit, At Gjergj Fishtën, të thërriste me hidhërim: "Uh! Evropë, ti kurva e motit/, Qi i rae mohit besës e Zotit/, Po a kta a sheji i Gjytetniis: Me daa tokën e Shqypniis/ Për me majtë klysht e Rusisë?..."

Për të kuptuar më qartë rolin dhe rëndësinë e Luftës së Tri UÇK-ve si misionare çlirimtare të fundshekullit XX- fillimshekulli XXI në Ballkan dhe në Evropë, të rikujtojmë disa fakte për Vilajetin e Kosovës deri sot. Njësia etnokulturore dhe gjeopolitike e Kosovës në prag të Kongresit të Berlinit kishte 43 872 km2, kurse në prag të Konferencës së Londrës - 32 900 km2 me mbi 1 270 000 banorë. Ndërkaq, njësia administrative shtetërore e Kosovës nën administrimin e dhunshëm jugosllav avnojist deri me Marrëveshjen Ushtarake Teknike të Kumanovës, më 10 qershor 1999, midis NATO-s dhe Komandës Ushtarake të Serbisë, pati 10 887 km2. Në arealin e kësaj njësie, më 1912, që i kishte brenda viset e Shkupit, të Kosovës Lindore e të Sanxhakut të Tregut të Ri, pati vetëm rreth 3.7% serbë çifçinj nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina të sjellë në tokat e bejlerëve shqiptarë nga mesi i shekullit XVIII dhe gjatë shekullit XIX. Shkenca serbe e Shkollës cvijiçiane serbomadhe ka arritur të evidencojë si mesjetare, kinse të kohës së Betejës së Kosovës, vetëm një vëllazëri serbe, atë “Babushani” të fshatit Babush të Ferizajt. Një mësim evropiani na udhëzon. “Le të mos e nënçmojmë vlerën e faktit, sepse një ditë do të lulëzojë më një të vërtetë”.

Një fakt tjetër është se pjesa e kombit shqiptar jashtë Shqipërisë Londineze kurrë nuk e ndali rezistencën e armatosur dhe politike çlirimtare kundër okupatorëve ballkanikë e evropianë. Lindja, rrita dhe lufta e të Tri UÇK-ve, së fundi, është kurora e përpjekjeve politike e luftarake çlirimtare shqiptare për zgjidhjen e Problemit shqiptar mbi të drejtën për vetëvendosje. Lufta dhe gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të të Tri UÇK-ve çështjen shqiptare të Kosovës, të Kosovës Lindore dhe të Iliridës, e sollën në Konferencën e Rambujesë, në Marrëveshjen e Konçulit dhe në Marrëveshjen e Ohrit, të dizajnuara nga faktori i vendosjes ndërkombëtare, jo për të nxjerrë fitimtar UÇK-në, por, siç e vërtetuan zhvillimet ndërkombëtare, për të frenuar Luftën Çlirimtare të Kombit Shqiptar.

Dhe, të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Sikur të isha vetëm pesë minuta Adem Demaç do të dija të saktësoja, shkencërisht dhe politikisht, këtu para Jush, diagnozën pse edhe pas Luftës heroike të të Tri UÇK-ve zgjidhja e Çështjes shqiptare mbeti në udhëkryqet ruso-evropiane. Niq, do të më qortonte urtaku Anton Çetta: Kërkon të ishte Adem Demaç edhe pse e di se Ademin nuk e pëlqen një pjesë jo e vogël e populli nga i cili doli Ai, për faktin se Ademi flet drejt, kurse shumica e popullit të tij, e pëlqen të rrehet!

Shikuar shkencërisht dhe me drejtësi politike demokratike të proklamuar fuqimisht nga Perëndimi, edhe sikur sot, këtu, ta festonim pavarësinë e Kosovës, pa votim të lirë në referendum për Vetëvendosje: Duam shtet të pavarur, pra duam komb shtetëror surrogat kosovar(!?!), duam bashkim me Serbinë apo me Shqipërinë, apo duam ribashkimin e kombit shqiptar, ne do të vepronim kundër Betimit të Ushtarit të UÇK-së, kundër vullnetit politik të dëshmorëve dhe të martirëve të kombit shqiptar në përgjithësi.

Megjithatë, këtij Tubimi dhe veçanërisht Dëshmorëve të të Tri UÇK-ve do tu mbetesha borxh përjetësisht nëse nuk konstatojë shkurtimisht: Aleatët amerikano-evropianë që e ndihmuan Luftën e UÇK-së kundër mizorive serbe dhe maqedonase, kësaj Lufte ia mohuan emrin pa arritjen e rezultatit përfundimtar, Pavarësinë e Kosovës. Këta miq si ditën e si mundën, e krijuan një “lidership” shqiptar të korruptuar dhe në luftë të përhershme për pushtet pa shtet. Ju lutem, kujtoni vetëm pamjet e Seancave të Kuvendit Unmikian të Kosovës!

Kjo është fitore e pritur për një pjesë të mirë të UNMIK-ut, i cili hapur e nën plaf veproi për mohimin e të drejtës në vetëvendosje të popullit për statusin shtetëror të Kosovës, si hap i parë ky për zgjidhjen e Çështjes shqiptare, që do të thoshte: kombi shqiptar i ribashkuar para se të hynte në gjirin e bashkësisë së kombeve evropiane të lira. Do mësuar diçka të duhur edhe nga pamjet televizive nga shkelmimet e “Elefantëve” në fund të takimit të fundit e të ashtuquajturit me eufemizëm: “Grupi i Unitetit” - zëdhënës besnik i Ekipit të Martti Ahtisaarit për statusin e ardhshëm të Kosovës nën protektoratin evropian me afat të pacaktuar.

Vërtet, me “Pakon Ahtisaari” shtetësia e Kosovës po hynë në maratonë të re, tashti e copëzuar në enklava etnike, pa asnjë siguri vendore e ndërkombëtare për perspektivë shtetërore unike. Dhe, habit fakti se derisa Baba Ahtisaar thotë se “Pakoja” e tij 85% u kushtohet serbëve, Korifeu i “Ekipit të Unitetit”, thotë: “Dokumenti është i balancuar”(!?!). Po kështu edhe fakti se “Pakoja Ahtisaari” në mënyrë të prerë ia garanton Maqedonisë kominterniste 2 500 ha të tokës shqiptare të Kosovës, të falë nga Serbia në kohën kur Kosova administrohej nga OKB-ja, padrejtësi kjo ndërkombëtare e dyfishtë, kurse tellallët e Ahtisaarit nga “Grupi i Unitetit” bërtasin, që të dukën sa më bindës: “Nuk ka copëtim të Kosovës...! Tërësia e shtetit të Kosovës është e siguruar”(?!?!)

Tashti, edhe meqë nuk jam Adem Demaç, këtu duhet të ndalem dhunshëm. Por nuk mund të largohem nga foltorja pa e konstatuar një fakt: Sikur të ishte në vendin tim, këtu para jush, Madhështori - Komandant Mjekra, nuk do të linte pa thërritur me tërë ndërgjegjen e tij patriotike:

Liri për Albin Kurtin!

Bota duhet ta dije qartë se “Lëvizja Vetëvendosje” që sot ka për sinonim emrin Albin Kurti, është zëri i UÇK-së në Tri pamjet e saja: të Kosovës, të Kosovës Lindore dhe të Iliridës, është zëri i të drejtës shqiptare natyrore. Ky zë nuk mund të ndalet me dhunë as me gjak, siç ndodhi më 10 shkurt 2007, në Prishtinë. Ndalet vetëm kur Kosovës dhe Kombit shqiptar në përgjithësi t’u njihet e drejta për vetëvendosje me referendum për fatin e statusit shtetëror.

Lavdi e përjetshme për Dëshmorin Njazi Azemi - Komandant Mjekra, për dëshmorët e të Tri UÇK-ve dhe për dëshmorët e kombit shqiptar!

Viti, 26 mars 2007

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme