KUSH JEMI NE?!

Duke i lexuar ato fakte, si shembulli i dimive që qenkan orientale, për ç’arsye sigurisht ndërmjet rreshtave nënkuptohet se gratë shqiptare duhet t’i flakin (sa keq pa dimi, a?!) që të veshin diçka që ju rri më mirë ose si do të thoshin ata “veshje origjinale shqiptare”, të cilën pas atyre shkrimeve unë e kam vështirë ta marr me mend se çfarë është ajo (mbase aso me kërthizën jashtë?!), fillova të mendoj gjerë e gjatë se si do të dukej shqiptari nëse marrin aksion t’ia heqim të gjitha ato elemente që ndër shekuj i ka marrë dhe i ka përvetësuar nga popujt me të cilat ka qenë në kontakt.
Siç tanimë e dimë, fjala u zu te folklori, madje edhe ai më burimori – i fshatrave dhe maleve, që qenka me aq shumë elemente orientale, për çka dëshmojnë edhe shumë adete (edhe kjo fjalë orientale) të dasmave të Kosovës që z.Xhaferit në shkrimin e tij njëmend i pengojnë. Kështu fillova të mendoj se a ka vërtet aq shumë elemente të huaja në kulturën shqiptare dhe çka të bëhet me to që shqiptarët të puritanizohen e të çlirohen nga gjithë ajo dhunë që iu është bërë. Meqë në një mënyrë kam mësuar pak gjëra nga historia e gjuhës (kam dhënë provim në këtë lëndë gjatë studimeve), fillova të mendoj pikësëpari për huazimet në gjuhën shqipe. Kështu fillova nga huazimet më të hershme greke, fjalët e para që janë futur në gjuhën shqipe nga ndonjë gjuhë që ne e njohim. U desh në këtë moment t’i flakë fjalët lakër dhe mokër (greqizma të greqishtes së vjetër) dhe kështu ta rrëzoj faktin e autoktonisë shqiptare këtu - të kufizimit të shqiptarëve me grekët që në kohën antike. Pastaj u desh t’i heqë gjithë ato latinizma e italianizma në gjuhën shqipe, që ashtu shqipen ta varfëroj për së paku 30% të fjalëve, ndërsa kishën katolike shqiptare ta lë pa thuaja pa asnjë fjalë për komunikim. M’u desh pastaj t’i hedh edhe të gjithë turqizmat që kështu edhe nja 30% shqipen ta varfëroj, ndërsa myslimanët shqiptarë t’i gjymtoj e t’i bëj shurdhmemecë që nuk do të dinë me çka do të komunikojnë në lidhje me kulturën e tyre shpirtërore. Pastaj e kisha patjetër t’i hedhë edhe disa për qind sllavizma e greqizma që po ashtu, sidomos ortodoksët shqiptarë, nuk do të ma falnin. Kur ia vura barazimin kësaj pune, u desh që fjalorin shpjegues të shqipes, me atë që ne krenohemi se i ka rreth 40.000 fjalë, menjëherë ta grisi e ta rrudhë diku deri në 10.000 fjalë që ashtu ta arrij dëshirën time për të pasur fjalor puro-shqiptar. Pasi të mbaroja me fjalorin, do t’i kthehesha veshjes kombëtare që edhe aty të bëja një kërdi. Këtu dimitë menjëherë do t’i digjja si orientale, po ashtu edhe këmishën e dredhtë, fustanellën që grekët aq shumë e trumbetojnë si të tyre, e bile edhe qeleshen që popujt e Kaukazit me aq admirim e xhelozi e mbajnë për të veten. Sa besheret m’u duk shqiptari pa këto gjëra. Dhe, plus, kur mendova se edhe tirqit ka qenë objekt polemikash se a janë greke, sllave apo shqiptare, ose se tirqit janë greke e shiritat shqiptare, vërtet m’u duk se po bëja palaço për cirk. Pasi të kisha mbaruar me veshjen, do t’i kthehesha muzikës. Të parën punë që do të bëja do t’i përjashtoja këngët qytetare pejane që rrinë ulur në sofrën turke, por edhe do t’ua merrja të drejtën për të kënduar, se as ato këngë nuk qenka shqipe. Do ta thyeja çiftelinë se është turke (çifte teli), do ta prishja lahutën se është malazeze, do ta shqyeja defin arab dhe lodrën orientale, ndërsa surlet rome as që do t’i shihte më ndonjë shqiptar me sy. Dhe, gjithë këtë natyrisht do ta bëja për të mirën e kombit tim. Ajo që do ta kisha më vështirë ta bëja do të ishte si ta pastroj gjenin shqiptar. Së pari më ranë ndër mend nipat e mbesat malazeze të Skënderbeut. Ku ta gjeja atë fis dhe si ta rregulloja?! Më duhej ta pastroj mbretin tonë, Lekën I, se edhe ai nuk është puroshqiptar, do të duhej të pastroj me një varg kasabalish Tetove që hanë bukën e shqiptarit (në shenjë qytetërimi) e e flasin gjuhën e pushtuesit, turkut (nuk di pse nuk flasin anglisht e frëngjisht). Në këtë rrëmujë do të duhej të pastroj edhe me shumë intelektualë që kanë lënë fëmijë nëpër Serbi e gjetiu, por t’i gjej edhe pasardhësit jashtë martese të ca shkrimtarëve tanë që kanë jetuar nëpër Evropë e Amerikë, sepse edhe ata më nuk janë gjaku jonë. Kjo punë do të më hidhte gjithandej nëpër Dalmaci (Zarën e Stipçeviqit), në Itali (Kalabri e Sicili), në Morenë e Greqisë dhe në Stambollin e Turqisë. Ndërkaq nëse do të futesha në këtë valle nëpër Maqedoni, do të duhej të bëj kërdi. Kiamet, sa puna është këtu! Dhe, pas gjithë kësaj pune, mbase do të arrija të krijoj një komb me nja 500.000 anëtarë, me një gjuhë me nja 5.000 deri në 10.000 fjalë, komb pa asnjë fe, komb me folklor shumë të paktë, komb thuaja pa këngë e valle, sepse aq shumë janë përfolur të gjithë këto gjëra në Ballkanin, saqë askush nuk do të hezitonte t’i shpallë për të vetat dhe të na i marrë. Kështu do të ishim kombi i vetëm i pastër në botë. Diçka ngjashëm si indianët e Amerikës.
E bëra këtë hyrje paksa të gjatë dhe pak ironizuese për të vënë në pah se sa e dëmshme është ideja për purokomb, për komb pa kurrfarë huazimesh. Me të desha të them se kjo ide le që është e parealizueshme dhe e dëmshme, por madje është edhe raciste. Në botë nuk ka kombe të pastra (mendoj pjesërisht pos indianëve të Amazonit), gjuhë të pastra (në kuptimin që e folëm më sipër), folklor të pastër apo veshje vetëm të një kombi. Kjo do të thotë se njerëzimi duke u shtuar, duke lëvizur, duke u dyndur, duke luftuar, duke punuar e duke jetuar, kanë dhënë e kanë marrë nga njëri-tjetri, ashtu që sot askush nuk ka të drejtë të ngrihet e të thotë se kjo është vetëm e imja, ose se nuk e dua këtë se është e huaja. Megjithatë, ndonëse kështu, ndonëse njerëzit gjatë historisë e kanë parë interesin e tyre së pari fizik dhe i kanë këmbyer gjithë ato sende, prapëseprapë kanë ngelur një varg gjërash që janë të këtij apo të atij kombi, të asaj ose të kësaj kulture e folklori e kështu me radhë, të cilat një komb i ka marrë dikur, i ka modifikuar si i është dukur më mirë dhe kështu i ka përvetësuar. Një sinkretizim të tillë e kemi edhe me shembullin e gjuhëve ballkanike, të cilat ndonëse u takojnë grupeve e bile edhe familjeve të ndryshme gjuhësore, duke qenë në kontakt mes vete kanë zhvilluar aso tipare që janë të përbashkëta vetëm për këto gjuhë, që kështu të formojnë një lidhje gjuhësore që quhet gjuhët ballkanike. Kemi këtu turqishten semite, kemi rumanishten e latinizuar, kemi greqishten dhe shqipen si gjuhë të veçanta indo-evropaine, si dhe maqedonishten, bullgarishten e serbishten sllave. Prof. Shaban Demiraj në Gjuhësinë ballkanike i përmend 12 tipare të përbashkëta të këtyre gjuhëve që nuk i kanë gjuhët e tjera të atyre grupeve a familjeve. Kështu ka ndodhur edhe me gjërat e tjera, si në muzikë, folklor, mite, histori, art figurativ etj. Njerëzit nuk janë makina.
Prof. Stipçeviqi, që na vizitoi para do dite, na the se vetëm biologjia molekulare me nja 30 vjet punë do ta përdëftojë se sa ka gjak iliri te kroatët, te boshnjakët, malazezët e sa te shqiptarët. Ku ta dish çfarë rezultate mund të na japin këto analiza! Këtu ka pasur shumë përzierje dhe është e kotë të gjurmohet origjinalja deri në patologji vetëm me dëshira anormale dhe romantike që çuditërisht të shpiken lidhje amerikano shqiptare e të mohohen lidhjet e shqiptarëve me popujt që me shekuj kanë qenë në kontakte të ndryshme. Kujtoj se pas gjithë kësaj e kuptuam se sa ka gjasa kombi i pastër dhe a është kjo ide afër mendsh ose jo. Tani po kalojmë në një çështje tjetër.
Kujtoj dhe jam i bindur se edhe z.Xhaferi dhe gjithë bashkëmendimtarët e tij e dinë këtë logjikë e këto teori, se do të ishte marri të besohet se ata nuk e dinë. Por, atë që ata duan ta thonë e që nuk e thonë se si duket nuk u mban akoma, është si të bëjmë që ne shqiptarët t’i këpusim të gjitha lidhjet që i kemi krijuar me Lindjen, sidomos gjatë pesë shekujve osmane, që ashtu ta bëjmë veten puroevropianë. Kjo ide mbase do të ishte e mirë edhe për spanjollët që të mos pinë më çaj orienti e as mos të ulen më nëpër minderat orinetal, prandaj do të ishte mirë që në këtë frymë t’i ndihmohet pak edhe kryevropianit Havier Sollana.
Mendimtari amerikan, simodos i këtij dhjetëvjetëshi të fundit, Semuel Huntington, në librin e tij “Përplasja e qytetërimeve” e shtron një pyetje që edhe mua më vjen ta shtroj kur gjendem para një dileme që më kanë vënë këta tanët. Ai pyet: “Kush jemi ne?” dhe përgjigjet: “Për t’u përgjigjur në Kush jemi ne? , duhet ta dimë një herë kush nuk jemi ne dhe kundër kujt jemi ne.” Eh pra, për z.Xhaferi dhe për të gjithë të tjerët që si po del puna nuk duan ta pranojnë se kush jemi, ne jemi shqiptarë, sipas të gjitha gjasave me prejardhje ilire, dikur paganë, pastaj të krishterë, e më pas me mbi 70% myslimanë, dikur të pavarur, pastaj nën sundimin romak, më pas nën bizantin, pak më vonë nën sllavë, pastaj në turk, që prapë të kthehemi një pjesë nën sllavë e tjetra e pavarur, gjithnjë në një udhëkryq historik të rrugëve që e kanë lidhur Evropnë dhe Azinë. Këta jemi ne. Ne nuk jemi kundër Evropës, ne jemi evropianë, i takojmë Evropës edhe me territor, edhe me gjuhë, edhe me kulturë, po ne në kulturën tonë kemi edhe një varg elementesh osmane që natyrisht se e kanë pasuruar kulturën tonë (këtu assesi nuk mendoj në piskamat tallave të kohëve tona të biçimit të Ibrës) dhe kemi një fe që e kemi marrë nga këta osmanë që natyrisht se kombin tonë e ka fisnikëruar bashkë me vlerat që ndër ne vazhdimisht i kanë predikuar katolikët dhe ortodoksët tanë. Ne nuk jemi kundër askujt, por si duket të tjerët janë kundër nesh. Ata si duket ia kanë vënë mendjen të na tjetërsojnë, të “na pastrojnë” nga barbaria, të “na shpëtojnë”. Mbase kështu do ta shpëtojnë edhe Sollanën nga ndikimi maur!
Në fund, të këtij shkrimi, më kujtohet përgjigja që poeti jonë dibran, Nexhat Pustina, i cili në një poezi të tij pasi pyet Kush jam unë?, përgjigjet: Gur i qitun n’rrafsh të lamës, djalë i tepërt i nanës.
Vërtet keq me qenë i tepërt (jetim) dhe mos me ditë se kush je!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme