Letër imamëve për Ramazan

Të dashur vëllezër në Islam, nuk dua që kjo letër të keqkuptohet, sepse këtë sinqerisht po e shkruaj në emër të Allahut të madhërishëm.

E di që një shumicë ngurojnë që t’ju bëjnë vërejtje, duke konsideruar se së paku duhet ta kenë të kryer medresenë që të mund t’ju bëjnë vërejtje. Andaj mendoj se unë e kam për detyrë që së pari vetvetes, pastaj edhe juve t’ju tërhjek vëmendjen dhe t’ju përkujtoj për disa gjëra me rëndësi në të cilat duhet patur kujdes secili imam veçmas gjatë ramazanit, krejt kjo, për arsye se edhe unë jam njëri nga ju dhe mendoj që këtë do ta kuptoni si një këshillë miqësore e vëllazërore nga kolegu juaj.

Së pari dua t’ju përkujtoj në atë se jeni bartës të „mirazit“ (trashëgimisë) Pejgamberit, ju jeni ata që kanë përgjegjësinë më të madhe para Allahut për veprimet tuaja, sepse keni dituri islame më tepër se populli i rëndomtë. Të jeni të vetëdijshëm se mihrabi dhe minberi janë vende të ndershme prej nga njerëzve u përcillet dhe çdo të premte u ndahet „mirazi“ i Pejgamberit, e ato janë ajetet e Kur’anit dhe hadithet e tij. Ju jeni të nderuar me atë se i ndani dhe përcillni fjalët e shenjta të Krijuesit tonë dhe fjalët e bukura të atij i cili do të ndërmjetësojë për besimtarët e sinqertë duke kërkuar faljen dhe mëshirën e Allahut.

Allahu ju shpërbleftë, tërhiqni vërejtjen dhe këshilloni xhematin tuaj që rregullisht t’i falin namazet e obliguara gjatë agjërimit, sepse e dini se janë të shumtë ata që agjërojnë, ndërsa gjatë një dite nuk e falin as një namaz të vetëm! Tërhiqni vërejtjen xhematit tuaj me fjalët e të Dashurit të Allahut mbi atë që agjëron, por e lë namazin: „Allahu nuk ka nevojë për urinë e tij“ duke dashur të thotë se agjërimi i tillë është vetëm uritje dhe për të nuk do të ketë kurrfarë shpërblimi. Kanë vetëm mëkate për lënie të namazeve. Vinie mendjen që xhematit tuaj t’ia shpjegoni se namazi i ramazanit nuk është vetëm namazi i teravisë, sepse namzet e ditës janë edhe më prioritare se teravija. Theksoni njerëzve rëndësinë e namazit, nëse ka nevojë edhe – për çdo ditë, sepse shumica mendojnë se po agjërojnë dhe me këtë e kryejnë obligimin ndaj Allahut, kurse në realitet, vetëm uriten. Çka mendoni, një njeri ta udhëzojë Allahu në rrugë të drejtë – më mirë është për ju se të keni gjithçka që ka në qiej dhe në tokë?! Kurse ai që nuk i fal namazet e obliguara – edhe vetë e dini që, i tilli është në lajthitje dhe duhet t’i tregohet rruga e drejtë.

Këshillonie xhematin tuaj që netët t’i kalojnë në ibadet, në namze të natës, sepse ky është muaj i faljes. Në të djajt janë të lidhur me zinxhirë dhe nuk mund t’i bëjnë asgjë atij që vetë nuk iu afrohet. Ramazani është rasti i vetëm për secilin njeri që t’i braktis disa mëkate që i ka bërë deri atëherë. Dhe inkurajoni njerëzit që sa më shumë të bëjnë vepra të mira në këtë muaj të bekuar. Mos pritni që të vjen Nata e Kadrit, e para taravisë apo pas saj kur shumica tashmë janë të lodhur t’u shpjegoni fadiletet e asaj nate të madhe, kur engjejt i shiqojnë ata që kërkojnë falje për t’i falur. Tërhiqni vërejtjen xhematit tuaj që shumë dijetarë islam mendojnë se Nata e Kadrit është nata e 27 e ramazanit, por kjo nuk do të thotë se sigurisht ia kanë qëlluar, sepse askush nuk thotë se me siguri ajo është atë natë. Së këndejmi, rekomandoni xhematit tuaj që të tretën e fundit të ramazanit ta kalojnë në ibadet, shumicën e netëve le t’i kalojnë në namaz duke qëndruar para Krijuesit të tyre duke kërkuar falje prej Tij. Ai që i kalon krejt 10 ditët e fundit në ibadet duke kërkuar falje sigurisht ia ka qëlluar njërën prej tyre që ka qenë Nata e Kadrit, por Allahu e di më së miri. Nëse nuk munden të gjitha 10 ditët, atëherë le t’i kalojnë në ibadet së paku netët tek të tretës së fundit të ramazanit, e nëse edhe këtë nuk munden, atëherë bile natën e 25, 27, dhe 29. Duhet t’u theksoni se nata e parë e ramazanit numërohet prej teravisë së parë, e jo prej ditës së parë të ramazanit. Kjo është kështu sepse të themi nata e premtes (xhumasë) në realitet është para të premtes e jo të premten në mbrëmje.

Andaj dhe teravija e parë nuk falet pas agjërimit të ditës, por pas agjërimit, përndryshe kjo do t’i binte se teravinë e kemi falur në shaban, e jo në ramazan. Po kështu edhe ditën e fundit të ramazanit nuk falim teravi, sepse prej mbrëmjes (akshamit) të asaj dite ka filluar muaji shevval. Dhe mos ua vështirësoni njerëzve ibadetet e tyre duke i kufizuar në disa dua (lutje) të caktuara gjatë nafileve të natës, sepse kjo aspak nuk do t’ua shtoj sinqeritetin e tyre në namaz e as që në mënyrë më të veçantë do t’i afrojë tek Krijuesi, sepse nuk e kuptojnë çka luten. Andaj shpjegonju se Allahu e kupton çdo lutje që i drejtohet në cilën do gjuhë dhe nafilet dallojnë nga namazet e obligueshme, ashtuqë në sexhde mund të lexojnë gjatë sa të duan, sepse Pejgamberi a.s. thotë se njeriu është më afër me Krijuesin kur gjëndet në sexhde, andaj le t’i luten Krijuesit të tyre për falje dhe le të qajnë, mos të turpërohen për të qajtur para Krijuesit, sidomos kur të jenë vetëm në dhomën e tyre, dhe ta lusin sinqerisht për falje.

Një këshillë për ju imamët: përkushtoni pak më tepër ibadetit dhe mundohuni që gjithçka që bëni gjatë ramazanit, ta bëni sinqerisht në emër të Allahut.
Secilit mund t’i ndodh të bëjë diçka që njerëzit ta lëvdojnë apo ta shohin atë vepër të tij, posaçërisht imami që ka zë të bukur apo di më tepër Kur’an përmendsh nuk guxon të ndodh ta zbukurojë zërin e tij që t’i mahnitë njerëzit, apo të lexojë disa ajete për të treguar sa di Kur’an përmendsh! Lexoni nga Kur’ani atë që dini përmendsh të lumtur që qëndroni para Krijuesit dhe që dini aq Kur’an përmendsh, sepse Ai insha’ Allah do t’u ngre në grada të larta në xhenet të cilat nuk do t’i arrij askush pos atij që di Kur’an sa ti. Zbukuroni zërin gjatë leximit të Kur’anit nga respekti dhe dashuria ndaj tij, apo nga falënderimi ndaj Allahut që ju ka dhuruar zë të bukur për ta lexuar librin e Tij. Dhe besoni, sa të jeni ju të sinqertë në namazin tuaj derisa lexoni para njerëzve si imam në mihrab, aq do të jenë njerëzit të sinqertë në namazin e tyre duke u falur pas jush si muktedij. Andaj mundohuni ta harroni dynjanë dhe plotësisht të kënaqeni në namaz, sepse qëndroni para Lartmadhërisë, para të Gjithëfuqishmit, pasi që keni agjëruar një nga ditët për të cilat vetëm Ai shpërblen. Disa dijetarë islam thonë se disa njerëz do të kenë shumë mëkate por Allahu i madhërishëm nga mëshira e Tij do t’ua falë mëkatet për shkak të agjërimit, pastaj do t’ua shtoj shpërblimin për ramazanat e agjëruar derisa shpërblimi t’ua shlyejë të gjitha mëkatet dhe do t’i shti në xhenet. Dhe, e dini për dyert që quhen Rejjan, në të cilat do të hyjnë vetëm agjëruesit, kur të hyjnë në ato dyer të gjithë agjëruesit, ato do të mbyllën dhe pastaj askush pas tyre nuk do të hyjë në atë pjesë të xhenetit. Mos e shndërroni teravinë në orë të fizkulturës, dinie se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vjedhësit më të këqij janë ata që vjedhin nga namazi i tyre” – as’habët të çuditur thanë: “Si mund të vidhet nga namazi?!” – e Pejgamberi a.s. thotë: “Nuk e drejton shpinën e tij pas ruku-s dhe nuk ulët mirë ndërmjet dy sexhdeve”. Ju dini për hadithin në të cilin theksohet se kur një beduin kishte hyrë në xhaminë e Pejgamberit a.s., i fal dy rekate tehijjetul-mesxhid e pastaj afrohet për t’u përshëndetur me Pejgamberin a.s. ky e kthen që përsëri ta fal namazin, pastaj përsëri e kthen edhe disa herë derisa e sheh se njeriu nuk po kupton se ku po gabon, pastaj Pejgamberi a.s. ia shpjegon namazin që nga marrja e abdesit e deri te dhënia e selamit ku thekson “… kur të ngrihesh prej ruku’s drejto shpinën, (…), ndërmjet dy sexhdeve qëndro ulur derisa të qetësohen rrobat tua në trup, pastaj e bën sexhden e dytë, …”

Ne njohim shumë imamë të cilët, sigurisht nga pakujdesia, gabojnë dhe e prishin namazin e tyre duke dashur ta kënaqin xhematin me teravi të shpejta, kurse Pejgamberi a.s. beduinit të përmendur i ka thënë: “Shko fale namazin”, e ky i përgjigjet: “E kam falur…?!?” , Pejgamberi a.s. i thotë: “Jo, nuk e ke falur, shko fale përsëri…”. Andaj, mos i lodhni njerëzit kot me teravi, nëse nuk mendoni t’i falni ashtu që të kenë shpërblim prej tyre, jo vetëm ata, por edhe ju.
Kaq prej meje. Nëse kam thënë diçka keq, e lus Allahun të më fal, kurse gjithçka që kam thënë mirë, e lus që të lë përshtypje në veten time, por edhe në ju. E lus Allahun e madhërishëm të na udhëzojë në rrugë të drejtë dhe të na shpërblejë për veprat e mira.

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme