Roli i fesë në koekzistencën paqësore dhe dialogu ndërqytetërues

Nuk ka dyshim, se feja është një komponentë me rëndësi në jetën shpirtërore e materiale të çdo populli. Ajo, luan një rol me rënësi në formimin e vetëdijes individuale e shoqërore. Fillimisht, para se të trajtohet vështrimi në lidhje mbi kontributin e fesë në dialogun në mes të qytetërimeve. Paraprakisht, dëshirojmë mundësisht të sqarojmë, se çka nënkuptojmë me fenë-religjionin si Shpallje hyjnore, si dhe çka do të thotë qytetërimi ose civilizimi?

Me religjionin, në kuptimin më të gjer të fjalës, nënkuptojmë parimet e një besimi të caktuar, botëkuptimet shpirtërore, lëndore dhe njerëzore që i japin kahëzim jetës së tij. Feja është burim më themelor, më rrënjësor, burim i dorës së parë të njohurive të njeriut. Ky burim i kahëzon aktivitetet, veprimtarit njerëzore të quajtura kulturë, u jep një formë, pothuajse ua jep shpirtin atyre. Poashtu, me fenë nënkuptojmë komunikimin e vërtet me qenien mbinatyrore, ose si intervenim i Zotit në histori, si relacion shpirtëror dhe intelektual ndërmjet metafizikës dhe botës ekzistuese, ose të kuptuarit në kuptimin antropologjik si shprehje e zhvillimit kognitiv (njohës) të njerëzimit, si projeksion dhe terapi për problemet emocionale të njeriut, si funksion specifik në sistemin socio- kulturor, një është e çartë se: ’’ Feja është aspekt universal i kulturës.’’

Roli i fesë është tejet i madh. Përmes saj njeriu është bërë pika qendrore e historisë dhe përmes saj ka mësuar që ta vështrojë botën, përkatësisht njerëzimin, si tërësi. Përmes saj, ai njohu madhështinë e jetës së jashtme e të brendshëm, marrëdhënien e tyre të ndërsjellë, etj. Feja ka kontribuar në përmirësimin e nivelit të diturisë dhe lidhjeve të afërta midis popujve. Mund të pohohet, se pjesa kryesore e suksesit dhe e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, është bërë në saje të lidhjeve kulturore dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore si dhe për arsye të veprimtarisë së këmbimit dhe bashkëpunimit fetar. Ndikimet e tilla dhe konstruktive që janë krijuar në bazë të mendimeve-ideve të shkencëtarëve, të gnostikëve (njohësve), të poetëve dhe të mendimtarëve të disa shoqërive mbi shoqëri të tjera, janë disa raste, krahas ndërrimeve të kahut të historisë së shoqërive-qytetërimeve, që kanë kontribuar për hapjen e dyerve të zhvillimit dhe të prosperitetit për ato shoqëri.

Nëse bëjmë një vështrim mbi historinë dhe qytetërimin e vendeve të botës, ku pohohet ky besim, nënkuptojmë se shoqëritë njerëzore e kanë arritur pjesën më të madhe të aspekteve zhvillimore vetjake dhe shoqërore nëpërmjet të zgjerimit të këmbimeve kulturore e shkencore me popujt e tjerë.

Mendimtarët dhe shkencëtarët kanë lënë prapa vetes koleksione të shumta të trashëgimisë artistike dhe fetare jo vetëm në mjedisin ku kanë jetuar, por edhe në mesin e shoqërive të tjera. Sot në shumë vende gjejmë shembuj dhe pohime mbi rolin ndikues dhe prezencën e elementeve të religjionit.

Me këtë rast duhet cekur mendimin e filozofit Ibn Ruzhdit (Averroës,1126-1198), veprat e të cilit kanë lënë gjurma në qytetërime të ndryshëm, e i cili në një libër të tij thotë: ‘’Atë që i përgjigjet të vërtetës, e pranojmë me kënaqësi, madje falënderojmë të tjerët, ndërkaq për atë që i bie ndesh së vërtetës tërheqim vërejtjen.’’ E që bënë të kuptohet se paqja e jonë është në paqen e tjetrit dhe se lumturia jonë është në lumturin e tjetrit.

Duke i shfrytëzuar thesaret e pasur kulturor të Shpalljes dhe mundësit e aftësitë të mëdha shoqërisë, të udhëzuar në frymën e fesë, udhëheqësit fetar duhet të kryejnë detyrën e tyre historike, të tregojnë rolin e vërtet të fesë në vazhdimësi, në jetën individuale, në marrëdhëniet shoqërore dhe në aspektin e qeverisjes. (Nexhat Ibrahimi, D.Islame). Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnave, në Konferencën e Pejës, është promovuar me mendimin: “Bazuar në parimet fetar, ekziston një mendim, i përbashkët, se udhëheqësit fetarë duhet të japin kontributin e tyre që i takon, si prijës fetar. Për këtë obligojnë principet, si dhe interesi i përgjithshëm i besimtarëve dhe të qytetarëve. Liderët fetarë duhet të kontribuojnë në mesin e besimtarëve, duke promovuar vlera progresiste, vlera humane, dhe të ndikojnë tek ata që t’i kryejnë obligimet ndaj institucioneve shtetërore dhe fetare...’’ (D. Islame, nr. 190/06).

Po të zhvishemi nga pasionet dhe paragjykimet, nga lidhjet tona rajonale dhe gjeografike dhe t’i largojmë mënjanë, e të shohim thjesht dhe drejtë larg çdo fanatizmi e ndikimi, do të shohim se disa ide që shfaqen mund të shkaktojnë përçarje dhe konflikte në shoqërinë njerëzor. Ndërsa qëndrimi i vërtet i fesë është dialogu, dhe ky qëndrim parësor i fton njerëzit të komunikojnë për çështjet e përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse. Njerëzit duhet që të bashkojnë njohurit fetare me ato materiale, të janë të hapura, të pranojnë bashkëpunim me të tjerët për të realizuar çdo gjë që është në të mirën e njerëzimit. Po të kuptohen mirë këto parime, do të ishte shumë më lehtë të bindemi, se feja e mbështet dialogun ndërfetar me rrugë paqësore dhe logjike. Me këtë dialog synohet që të krijohen ura të forta me fetë pa ndonjë përplasje. Po të shikojmë në fetë e shpalljes, në tekstet e tyre që kanë shpëtuar nga devijimet dhe keqinterpretimet, shihet se ato thërrasin për të mirën e njerëzimit, ndalojnë shkatërrimin, padrejtësinë, mohimin e të drejtave të të tjerëve etj. Nëse bashkëbiseduesit fetar i dinë parimet dhe besojnë në to, ata do të pranonin mikun e tyre nga besimi tjetër me urtësi e me respekt, do t’i pranonin për bashkëbisedim serioz, për paraqitjen e së vërtetës dhe përforcimin e saj.

Feja e respekton njeriun. Atë e ka bërë objekt nderimi dhe shenjtërimi. E konsideron atë si vet jeta dhe e sheh me një respekt të gjithanshëm pa dallim race, ngjyre apo gjinie. Feja i ka dhënë gëzim jetësor shumëkujt. Disa i ka mbushur me energji krijuese dhe u ka dhënë për të realizuar vepra të paharrueshme kulturore. Të gjithëve që kanë ndjekur sinqerisht mësimet fetare, feja në një mënyrë u ka dhënë lumturi. Prandaj, përkundër dallimeve në bindjet dhe pikëpamjet e ndryshme fetare, diçka duhet të ketë qenë, ose duhet të jetë e kuptueshme dhe e përbashkët për të gjithë, sepse ajo diçka është shumë e rëndësishme, është fakti, se feja ka dhënë dhe jep kuptimin dhe përjetimin shpirtëror të jetës.

Mendimtari dhe teologu islam, Nexhat Ibrahimi, në një përsiatje të tij, në lidhje me procesin dialogimit ndërfetar dhe participimin e myslimanëve në të, ai shkruan, se: Myslimanët, si trashëgimtar të shpalljes së fundit hyjnore, të Kur’anit, duhet ta shikojnë botën si realitet, e jo iluzion. Islami si feja e vetme e pranuar te Allahu, islami si fe gjithënjerëzore, pa kufizime gjeografike dhe ideologjike, duhet të jetë e hapur për të gjithë, madje edhe për mëkatarët. Procesi i djalogimit ndërfetar nuk do të thotë njëkohësisht proces i kristianizimit, katolicizmit, ortodoksizmit, judaizmit, evangjelizmit, respektivisht nuk është asimilim i myslimanëve në donjë nga këto grupime apo sekte religjioze, por është proces që ka disa funksione:

1. Është komunikim popujsh, kulturash dhe traditash,

2. Është pikëpamje e thirrjes së myslimanit në rrugë të drejtë dhe përmbushje e detyrës së shenjtë duke komunikuar. (N. Ibrahimi: Drejt dialogut ndërfetar, www.zeriislam.com).

Çfarëdo qofshin qëndrimet themelore të ndonjë feje - sado që të jetë mësimi i tij i lartë ose i thjeshtë - qoftë ai monoteist, politeist ose panteist - thelbi më sekret i çdo përjetimi fetar, së pari është bindja se çdo gjë që ekziston, e ndodhë në këtë botë e ka pikënisjen e saj në Fuqinë vetëdijshme, krijuese e gjithëpërfshirëse.

Religjioni është i vetmi i cili mund t’i ofrojë platformë të gjerë grupeve të mëdha njerëzve për të rënë në ujdi se çka është mirë (e dëshirueshme) dhe çka është e kaq (e urryer). ‘’Një kërkesë e tillë është e domosdoshme për çdo lloj rendi, në marrëdhëniet njerëzore. Shekulli i tashëm, duket se kërkon religjionin i cili do të ishte shtytje në aksion dhe arsyetim të përparimit material dhe shoqëror, i cili është arritje e mrekullueshme.’’ (Christopher Dawson, Progresi dhe religjioni). Duhet pranuar, se religjioni më së miri, në mënyrë më të pranueshme dhe më së thelli ka kuptuar problemet e njeriut dhe është orientuar në atë njerëzoren tek ai.

Ndërkaq, nëse me qytetërim nënkuptojmë shprehjen për arritjet më të larta të njeriut në fushën lëndore, shpirtërore dhe të mirësjelljes. Qytetërimi mohon çdo shfaqje mohimi, rebelimi kryengritjeje dhe përplasjeje kundër të tjerëve ndërsa përforcon kuptimin e njerëzisë (humanitetit) dhe e ngre atë në ballë të interesimeve. Kur kihet parasysh ky përkufizim i qytetërimit, atëherë më afërmendsh është bashkërendimi sesa përleshja e qytetërimeve.

Secili qytetërim është borxhli që ta ruajë e ta kultivojë veçanti civilizimore të atilla që mund të krijohen kushtet për bashkëpunim, ndërqytetërues sa më të frytshëm, që të mund të arrihet paqja botërore, e mira e mbarë njerëzimit.

Duhet cekur pjesëmarrjen dhe kontributin konstruktiv të Bashkësisë Islame të Kosovës në takimet, konferencat ndërfetare (ekumeniste) të mbajtura në Kosovë dhe jashtë saj. E cila është dëshmuar se mbështet në veçanti dialogun, bisedën dhe takimet ndërfetare.

Nga ky vështrim, mund të kuptohet se gjatë historisë, por edhe tani religjioni ka rol vendimtar dominues dhe të domosdoshëm në dialogun ndërqytetërues. Është mision dhe imperativ i religjionit, që midis njerëzve ta kultivojë dashurinë, respektin e ndërsjellët e të luftoj urrejtjen dhe armiqësitë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme