PROTESTAT NË ISLAM

Nga aspekti terminologjik, në bazë zë kuptimit të Sheriatit islam me terminologji moderne, kjo nënkupton një formë refuzimi kundër prijësit dhe deklarata e të kundërtës duke mos u pajtuar me politikën e tij apo të bashkëpunëtorëve të tij.[1]

Bashkëpunimi protestues mund të jetë në të mirë e devotshmëri apo në mëkate e armiqësi dhe kështu bashkëpunimi në të mirë e devotshmëri është i lëvduar, ndërsa në mëkate e armiqësi është i ndaluar.

Kush e përcjell me vëmendje librin e Zotit dhe kush e studion këtë fjalë dhe sinonimet e saj në disa vende, do të kuptojë se kuptimi dhe qëllimi janë një, gjegjësisht bashkëpunim dhe kundërshtim.[2] Në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë: “Allahu ua ndalon t'u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetes.” (Mumtehine, 9)

Ibën Kethiri thotë: “Ju ndalon t’u afroheni atyre e që bashkëpunuan në dobinë tuaj.” Zoti i Madhëruar thotë: “E, thanë: “Dy magji që përm­bajnë njëra-tjetrën. Dhe thanë: Çdonjërën prej tyre ne e mohojmë!” (Kasas, 48).

Protestat janë një formë e shprehjes shoqërore të një mendimi të përgjithshëm të popullit në ndonjë çështje të tyre. Do të thotë se edhe nga vetë emri, protestat praktikohen për tu ndihmuar e për të bashkëpunuar në ndonjë çështje të përgjithshme të popullit, për ta dërguar qëndrimin e tillë deri te udhëheqësi që ta realizojë dhe ta pranojë. Bota e sotshme bën protesta për këtë qëllim, gjegjësisht kërkon prej prijësit që t’i realizojë kërkesat e popullit dhe t’i plotësojë dëshirat e tyre. Nëse bisedohet për këtë kontekst, atëherë themi se Islami i mirëpret protestat për të treguar qëndrimin e përgjithshëm ndaj një çështje, posaçërisht kur bisedohet për interesin e përgjithshëm të popullit dhe për çështjet progresive, si p.sh., çështja e Palestinës, çështja e Gazës, çështja e Irakut, etj. Këtu obligohet ummeti mysliman të protestojë e të bashkëpunojë me të gjitha mundësitë për të treguar qëndrimin e tyre e për t’i detyruar udhëheqësit që t’i pranojnë qëndrimet e tyre, të krijojnë panik në zemrat e kundërshtarëve e të ndalojnë armiqësitë e tyre.[3]

Qëndrimi ndaj revoltës kundër udhëheqësit

Ehli-Sunneti janë të mendimit se ndalohet dalja kundër udhëheqësit të myslimanëve përderisa e praktikon Islamin dhe nuk e cenon shtetin dhe fenë e tyre, qoftë edhe nëse bën mëkate ose jepet pas kësaj bote dhe i harron myslimanët.

Parimi i daljes kundër prijësit nënkupton kundërshtim dhe refuzim të urdhrave e pushtetit. Rezistenca dhe kundërshtimi realizohen në mënyrë të hapur kundër zotimit apo zgjedhjes, apo thirrje për ta luftuar prijësin, sepse nëse nuk ka kundërshtim e protesta, nuk ka rrugëdalje.

Ibn Abasi transmeton se Profeti a.s. ka thënë: “Kush sheh diçka që e urren tek udhëheqësi, le të durojë, sepse kush ndahet nga shoqëria, qoftë edhe një pëllëmbë, do të vdesë në injorancë (xhahilijet).”[4]

Abdullah ibn Mes’udi r.a. transmeton se Profeti a.s. thotë: “Pas meje do të ndodhin ngjarje dhe çështje që do t’i refuzoni.”; Kur e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, si na urdhëron?”; Ai u përgjigj: “Kryejeni obligimin që e keni dhe e luteni Zotin që t’ju ndihmojë!”[5]

Shqyrtimi i çështjes së protestave

Njeriu duhet t’i analizojë çështjet që kanë të bëjnë me protestat, gjegjësisht anët pozitive dhe negative të tyre. Nuk ka dyshim se Sheriati urdhëron që të bëhen vepra të mira dhe të ndalohen veprat e këqija, si dhe të realizohet ajo që është më e preferuar në rast të mosmarrëveshjeve. Për këtë shkak, në vijim do të orvatem që t’i paraqes anët negative dhe pozitive të protestave që të ndihmoj më së miri hulumtimin kur të merret me qëndrimin e Sheriatit ndaj revoltës kundër udhëheqësit:

Aspektet pozitive dhe dobitë nga protestat:

- Ata janë mjet efikas për të shprehur mendimin dhe për të treguar dëshirën. Me ta mund të detyrohet refuzuesi dhe mund të dërgohet mesazhi që s’mund të dërgohet nëpër mënyrat e zakonshme. Këto gjëra janë të lehta, sepse nuk duhet fuqi informative e as përkrahje financiare, e për këtë shkak, protestat ndihmojnë realizimin e disa dëshirave të pakicës së dobët. Informacioni ndërkombëtar me kujdes përcjellë protestat dhe i transmeton, për shkak se i konsideron si materiale të mira informative. Protestat zhvillojnë ndjenjat për bashkëpunim ideologjish dhe për afrime vëllazërore si dhe flasin për vështirësitë që iu ndodhin disa popujve apo grupeve. Nëpërmjet tyre paraqiten dëshirat e vërteta nëse mbyllen dyert para tyre dhe nëse ngulfaten aspiratat e tyre.

Aspektet negative të protestave:

- Protestat e shuajnë zjarrin e ambicieve të popujve me çështje që nuk kanë ndonjë qëllim të vërtetë. Pjesëmarrësi mendon se ka bërë diçka me pjesëmarrjen e tij trupore, por realisht nuk ndryshon gjë nga realiteti.

Këta po ashtu shkatërrojnë bashkimin dhe unitetin, për të cilat urdhërohen myslimanët, sepse një grup proteston kundër ndonjë ideje ose çështjeje, të cilën të tjerët e pranojnë. Protestat u japin mundësi negative atyre që dëshirojnë të shkatërrojnë, sepse dëmtuesi fshihet në mesin e qindra protestuesve. Situatat e tilla ofrojnë mundësi që të ndodhin ngjarje negative kur disa protestues prezantojnë për të realizuar emocionet e tyre ose për të shprehur hidhërimin. Njeriu i tillë ndeshet edhe me protestuesit e tjerë, të cilët nuk janë të përgatitur për sjellje të tilla. Njeriu aty mund të fitojë ndjenja se mund të jetë më i fuqishëm se sa në realitet mund të jetë.

Veç kësaj, aty u jepet mundësia njerëzve që kanë mendime të huaja dhe parime të braktisura t’i paraqesin mendimet, kërkesat dhe dëshirat e tyre.

Po ashtu vlen të theksohet se veprat e tilla i dëmtojnë interesat e njerëzve, sepse u mbyllen zyrat dhe bllokohen rrugët, posaçërisht dëmet që ndodhin kur protestuesit përleshen me forcat e sigurisë.

Qëndrimi ndaj protestave[6]

Nuk ka dyshim se protestat janë diçka e re në vendet myslimane dhe për këtë shkak, nuk gjejmë se fukahatë e mëparshëm kanë folur diçka, madje as edhe të mëvonshmit. Myftinjtë bashkëkohor kanë dhënë mendimin e tyre, disa i lejojnë e disa i ndalojnë, dhe siç duket, qëndrimet e tyre varen nga çështjet vijuese:

Protestat në vendet islame:

Në vendet islame ku udhëheq myslimani, prijësi duhet respektuar, dhe në raste të tilla, ose të urdhërojë udhëheqësi për to, ose të lejojë apo t’i ndalojë.

A). Nëse i urdhëron, atëherë i lejohet myslimanit të merr pjesë aty me kusht që të mos ketë diçka të ndaluar ose të mos thirret në haram, dhe të mos sulmohet njeriu i ndershëm e i respektuar. Në realitet, udhëheqësi duhet të respektohet nëse nuk thirr në mëkat.

Në thelb, urdhrat e të parit duhet të jenë në interes të përgjithshëm. Nëse bisedohet për shprehjen e mendimit të lirë që është në interes të përgjithshëm, atëherë prijësi duhet t’i pranojë. Më parë ka qenë traditë kur është dashur të vendoset për diçka, udhëheqësit i kanë thirrur njerëzit në namaz me xhematë, gjegjësisht u kanë bërë apel të përgjithshëm publik dhe në raste të tilla, takimi i njerëzve realizohet me urdhër të udhëheqësit të respektuar që di se çka kërkon.

B). Nëse e ndalë apo nëse nuk e lejon udhëheqësi një vepër të tillë, atëherë nuk duhet të mbahen dhe as të merret pjesë në to, përderisa nuk bisedohet për ndonjë lejim të së ndaluarës. Në qoftë se bëhet kundër udhëheqësit, atëherë duhet të bëhen fshehurazi e jo haptazi.

Nëse organizohen për diçka tjetër, atëherë udhëheqësi duhet t’i pengojë, e kur të mendojë se nuk ka ndonjë dëm, atëherë mund t’i lejojë. Pra, ai i ndalon apo i lejon në bazë të interesit të shoqërisë dhe dobisë së tyre, e nëse ka synime negative, atëherë duhet ndaluar. Për këtë shkak, dijetarët thonë se udhëheqësi duhet të veprojë sipas parimit të interesit të përgjithshëm.

Protestat në vendet jo-islame:

S’ka dyshim se parimet e vendeve jo-islame dallojnë prej atyre të vendeve islame, s’ka udhëheqës që duhet respektuar dhe s’ka unitet për të cilin duhet kujdesur, e as që ka pasuri apo kohë që mund t’i dëmtojë, madje ndodhë që myslimani të ballafaqohet me diçka që ndalohet në vendet islame, si p.sh., ngjashmëria me jobesimtarët.

Nuk ka dyshim se protestat janë të zakonshme në shumë vende jo-islame për të shprehur mendimin e tyre dhe s’janë kaotike as destruktive përderisa janë paqësore.

Realiteti i tyre dëshmon se kanë ndihmuar pozitivisht në realizimin e synimeve të tyre.

Si anë negative të protestave në vendet jo-islame mund të theksohen: pengesa në punë e përfitime, humbja financiare dhe bllokimi i rrugëve dhe ndoshta anët pozitive janë më të mëdha se ato negative.

Ibn Abasi transmeton se kur Omer ibn Hattabi r.a. e pranoi Islamin i tha të Dërguarit të Allahut që fshihej në shtëpinë e Erkanit: “O i Dërguar i Allahut, pse po fshiheni?”; Dhe pas kësaj dolëm në të dy anët: në njërën anë unë dhe në tjetrën Hamza, e kur na shikonin Kurejshitët, i kaplonte një mjerim i paparë...”

Ekzistojnë edhe transmetime tjera, për të cilat mendoj se nuk është keq të theksohen.

Pjesëmarrja në protestat e shteteve jo-islame mund të arsyetohet me dy çështje:

1. Të shpresohet se pas tyre ka më shumë dobi se sa të këqija.

2. Të mos ketë ftesë në të ndaluarën ose mos përdoret diç e ndaluar.

Pra, në raste të tilla lejohet një vepër e tillë ashtu siç lejohet edhe pjesëmarrja (Vetëm Zoti është më i Dijshëm!)

Ne e përkrahim atë çka po ndodh këto ditë, respektivisht protestat në Lindjen e Mesme, të cilat filluan në Tunizi e Egjipt dhe pastaj vazhduan të çlirojnë e të reformojnë jetën edhe në Libi e Jemen, madje edhe gjatë çasteve të përpilimit të këtyre rreshtave.

Sheriati islam e garanton këtë të drejtë, por me kusht që të mos shkaktojnë derdhjen e gjakut, humbjen e pronave dhe djegien e shitoreve.

Dialogu paqësor është më i vlefshëm kur të arrihet pajtimi. Shprehja e lirë dhe përmirësimi i gjendjes së jetës janë të drejta të garantuara në Islam.

Të gjitha forcat e sigurisë shtetërore duhet t’iu nënshtrohen atyre dhe t’i ndërpresin zullumet e tilla.

Ne kërkojmë që udhëheqësit t’i pranojnë kërkesat e popujve të tyre, t’i dëgjojnë dhe t’i realizojnë kërkesat e tyre legjitime.

Islami e nxitë një vepër të tillë që nga momenti i shpalljes së tij, dhe nga format e lirisë është edhe parimi i sistemit shumëpartiak nëpërmjet formimit të partive.

Formimi i partive

Disa mendimtarë bashkëkohorë, si Abdurrahman Abdulbaki në librin e vet “Myslimanët dhe puna politike” dhe Mahmud Halidi në librin e vet “Rregullat e sistemit të pushtetit në Islam” lejojnë formimin e sistemit shumëpartiak.[7]

Fjala “Ahzab”- parti, grupe, theksohet në 11 ajete kur’anore dhe ka të bëjë me theksimin e jobesimtarëve dhe me qortimin e tyre, dhe në këtë kontekst Zoti i Madhëruar thotë: “Po grupet u kundërshtuan mes vete (rreth Isait). Të mjerët ata që nuk besuan se çka kanë për të parë ditën e madhe!” (Merjem, 37)

Kjo fjalë theksohet në Librin e Zotit për të treguar ndarjen që nuk e do Zoti dhe copëtimin e grindjen që janë larg synimeve dhe metodave legjitime të Islamit. Fjala “hizb” - parti, grup; theksohet në konotacion pozitiv vetëm kur i bashkëngjitet fjalës së Zotit të Madhëruar: “Të tillët janë palë (grup, parti) e Allahut, ta dini pra, se ithtarët e Allahut janë ata të shpëtuarit.” (Muxhadele, 22). Këtu theksohet për të dhënë një rezyme për tiparet e da’vetit islam, për të treguar të vërtetën e thirrjes në iman (besim) dhe tevhid (monoteizëm) larg nga nocioni bashkëkohor i fjalës “politikë”, që e kanë huazuar myslimanët nga kultura perëndimore dhe nga demokracia laike. Fjala Parti e Zotit i tubon të gjithë besimtarët si dhe udhëheqësit e tyre pa u përkufizuar vetëm në një grup konkret të njerëzve.[8]

S’ka asnjë fakt se Profeti a.s., kalifët e myslimanëve dhe udhëheqësit kanë formuar parti politike, madje edhe asnjë mysliman nuk i ka pranuar si legjitime e as që ka folur diçka të tillë deri në mesin e shekullit XIV hixhrij.[9]



[1] Ahmed ibn Sulejman, Hukmul-mudhaherat fil-Islam, f. 12.

[2] Po aty, f. 11.

[3] Sa’d Atije Fadël, Hukmul-mudhaherat fil-Islam, f. 7.

[4] Transmetim i Muslimit në Sahih, vëll. 9, f. 390, nr. 3438.

[5] Po aty, vëll. 9, f. 379, nr. 3430.

[6] Sa’id Atije Fadël, Hukmul-mudhaherat fil-Islam, f. 8.

[7] Bekër ibn Abdullah Ebu Zejd, Hukmul-intimai ilal-fireki vel-ahzabi vel-xhema’atil-islamijjeti, bot. 1, Darul-Haremejn, Kajro, 2006, f. 111.

[8] Mervan Ibrahim Kajsij, Meusuatu hukukil-insan fil-Islam, f. 610.

[9] Xhevad Afame, Er-Re’jus-savab fi teaddudil-ahzab, f. 23.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme