Manastiri me nëntë medrese dhe 70 xhami

Evlija Çelebi në veprën e tij “Sejahatname”, mbi katër shekuj më parë, tregonte për xhamitë, medresetë dhe jetën e kohës në Manastir dhe çajtoret ku ajka e inteligjencës së kohës bënte diskutime filozofike, teologjike, letrare etj. Është interesante që në kohën kur udhëpërshkruesi botëror kalon nëpër Manastir, numëron gjithsej 70 xhami në atarin e tij dhe nëntë medrese.

Evlija Çelebi në veprën e tij “Sejahatname”, mbi katër shekuj më parë, tregonte për xhamitë, medresetë dhe jetën e kohës në Manastir ku ajka e inteligjencës së kohës bënte diskutime filozofike, teologjike, letrare etj. nëpër medresetë, kutuphanet dhe xhamitë e panumërta. Imamët, dijetarët e kohës, ishin të shumtë dhe ata i jepnin tonin jetës intelektuale në fund të shekullit XVII në Manastir.

Është interesante që në kohën kur udhëpërshkruesi botëror kalon nëpër Manastir, qyteti numëron gjithsej 70 xhami në atarin e tij dhe nëntë medrese. Ka pasur edhe Myftiun e vet në Shejhu’l Islam, kështu që Manastiri sipas Çelebisë, ka qenë kryeqendër gravituese e Vilajetit të Manastirit, i cili ka përfshirë një sipërfaqe prej 22.000 km katrorë. Ky qytet është ngërthyer në arteriet më të rëndësishme të Ballkanit mesjetar.

Në këtë qytet janë të njohur karvanët tregtarë, të cilët ekspozonin mallrat dhe produktet nga Lindja dhe Perëndimi. Duke qenë se Manastiri ka paraqitur një pozitë tejet strategjike në Ballkan, Çelebi i kushton një vëmendje të veçantë duke e quajtur një “kasaba” shumë të madhe, e cila ka pasur 10 ura të drurit dhe gurit. Të bën përshtypje e dhëna që përreth Manastirit ka pasur të mbledhur 1.000 drurë të lartë, duke i bërë qytetit një hije tepër freskuese.

 

Xhamitë në Manastir

“Gjithsej ka 70 faltore myslimane”, do të shkruajë Çelebia në “Sejahatname”-t e tij në vitin 1661, kur edhe e viziton Manastirin.

Sipas Çelebisë, xhamia kryesore ka qenë ajo e Is’hak Efendiut, në afërsi të Urës së Madhe. Kjo xhami është ndërtuar në vitin 1506 nga kadiu i Manastirit Is’hak Çelebi ibn Isa, me një minare të lartë prej 50 metra. Kjo xhami është vetëm një pjesë e ndërtuesit të saj, të cilën e ka lënë vakëf së bashku me medresenë e kësaj xhamie, mejtepin, 103 dyqane, vreshta, 20 mullinj dhe shumë objekte të tjera.

Një vend të rëndësishëm në udhëpërshkrimet e Evlija Çelebisë zë edhe xhamia e njohur sot si Jeni Xhamia e Manastirit, xhami të cilën Çelebia e emëron si Xhamia e Mahmud Efendiut, ndërtuesit të saj. Sipas Çelebisë, kjo xhami është ndërtuar më 1565/6 sipas kalendarit gregorian ose në vitin 973 sipas kalendarit hixhri. Këtë të dhënë na jep edhe mbishkrimi në hyrje të xhamisë:

“E vërtetë është se kjo xhami e

shndritur

E ndriçon qytetin si ditë

O, La’eli, që përpiloi këto vargje

kronike

Faltore për pasuesit e të Dërguarit,

të Pejgamberit. 973=1565/6”

(La’eli Hasan ka qenë një poet i njohur i asaj kohe në Manastir dhe në bazë të mbishkrimit ai vetë i ka përpiluar këto fjalë në hyrje të xhamisë).

Në afërsi të xhamisë ka një minare të lartë 40 metra, ndërsa sipas artefakteve të gjetura deri më tani, ajo është ndërtuar nga Kadiu i Manastirit, Mahmud Çelebi. Për arsye se është ndërtuar 50 vjet pas xhamisë së Is’hak Çelebiut, e merr emrin “Jeni”, që në përkthim do të thotë “e re”.

Përmes Urës së Madhe, xhamia është e lidhur me Bezistenin dhe Çarshinë. Mahmud Efendia në afërsi të xhamisë ka ndërtuar disa dyqane, shtëpi, magazinë, han dhe një hotel, të cilat me testament i lë si vakëf. Në afërsi të xhamisë po ashtu ka ndërtuar edhe një medrese, ndërsa rreth xhamisë ka pasur një parcelë të vogël me varreza, ku ka qenë i varrosur edhe mistiku i njohur i asaj kohe Baba Halil.

Çelebi po ashtu në udhëpërshkrimet e tij përmend edhe xhaminë e Gazi Hajdar Pashës që sot njihet si Xhamia e Hajdar Kadisë, të cilën e ka ndërtuar Hajdar Beu, që ka qenë një administrator i lartë i Rumelisë në atë kohë në anën e djathtë të lumit Dragor, në afërsi të tregut të atëhershëm të kafshëve. Në afërsi të xhamisë po ashtu e ka ndërtuar edhe hamamin Deboj. Në bazë të mbishkrimit në xhami, del se kjo xhami është ndërtuar gjatë vitit 1561-1562. Ka mure të trasha prej 1,4 metra, ndërsa është ndërtuar nga arkitekti i njohur i asaj kohe Mimar Sinani. Çelebia e cilëson këtë xhami si një vepër të jashtëzakonshme të arkitekturës islame, sidomos e lëvdon shumë dekorimin e saj. Ka qenë e njohur si xhamia e vetme që ka pasur dy minare në këto treva. Sipas të dhënave, ka qenë e restauruar gjatë vitit 1890, kur Manastirin e viziton Sulltan Reshati.

Sipas Çelebisë, xhamia që ka pasur më shumë vizitorë ka qenë ajo e Çaush Beut. Sipas të dhënave që na jepen, një ndër vakëfnamet më të vjetra në Ballkan është vakëfnamja e Çaush Beut, e cila për zhvillimin dhe përhapjen e Islamit në Manastir e lë xhaminë që mban emrin e ndërtuesit, Xhamia e Çaush Beut, një medrese, një han, 25 dyqane, një teqe, dy parcela, shtatë mullinj dhe një vresht. Në vakëfname Çaush Beu thekson se e lë në emër të babait të tij, Abdullahut. Xhaminë dhe medresenë Çaush Beu i ndërton më 1434/35.

Edhe përkundër asaj që Evlija Çelebi thekson se Manastiri ka pasur 70 xhami, jep të dhëna vetëm për këto xhami që cituam më lart. Dikur nëntë medrese, sot asnjë Sipas Çelebisë, në Manastir kanë vepruar nëntë medrese. Por, prej të gjithave më e njohura ka qenë ajo e Dulbend Kadisë.

 

Medresetë e asaj kohe:

Medreseja e Dubled Kadisë, e ndërtuar në vitin 1566/67;

Medreseja e Koxha Kadisë, e ndërtuar më 1529/30, e cila ka qenë e njohur edhe si Medreseja e Kadi Ahmetit;

Medreseja e Kadi Mahmud Efendisë, e cila është ndërtuar po të njëjtin vit, kur Kadi Mahmudi ndërton xhaminë e tij të njohur si Jeni-Xhami;

Medreseja e Gazi Hajdar Kadisë, e cila ka qenë e ndërtuar në vitin 1561/62;

Medreseja e Haxhi Beut, e cila ka qenë e njohur edhe si Medreseja Turke. Edhe pse kjo Medrese është ndërtuar në vitin 1521/22, në dokumentacionet e ruajtura ajo për herë të parë përmendet në vitin 1652;

Medreseja e Ahmed Pashës, e cila ka qenë e ndërtuar në vitin 1767/68;

Medreseja e Shehzade Hatunit, e cila gjendet në afërsi të mesxhidit po me të njëjtin emër ndërton edhe medresenë në vitin 1782/83;

Medreseja e Jigit Ali Pashës, të cilin Jigit Pasha së bashku me bibliotekën (kutubanen) e kësaj xhamie i ndërton në oborrin e xhamisë së Emir Beut, në vitin 1791/92;

Medreseja Tefikije, e njohur ndryshe edhe si Fejzie. Ka qenë pjesë e kompleksit të Xhamisë së Hamza Beut, e njohur ndryshe edhe si Uç Shejler- Xhamia, e ndërtuar kah mesi i shekullit XVII;

Medreseja e Sherif Beut, e cila ka qenë pjesë e kompleksit të xhamisë me të njëjtin emër. Kemi shumë pak të dhëna se kur është ndërtuar kjo xhami, së bashku me medresenë e saj.

Ndryshe, përveç që kishte xhami dhe medrese me shumicë, Manastiri ka qenë një nga vatrat kryesore edhe të klubeve shqiptare, ku jo vetëm në shekullin XVI dhe XVII, por deri në vitin 1913 shqiptarët përbënin shumicën në këtë zonë dhe aspironin përhapjen e arsimit shqip kudo ndër shqiptarë.

Sipas Çelebisë, “qytetarë arnaut në Manastir ka shumë; të gjitha shtëpitë e tyre janë të mira, të rregulluara dhe simpatike”. Çelebi kumton se shqiptarët në këtë qytet kanë qenë edhe të pasur shumë, por edhe intelektualë të mirëfilltë.

Por, çfarë ndodh sot? Pas Revolucionit xhonturk (1908), duke përfituar nga koncesionet e vogla që i bënë në fillim xhonturqit, Manastiri bëhet çerdhe e vërtetë e klubeve shqiptare, e patriotëve shqiptarë dhe e shtypshkronjave të librave në gjuhën shqipe. Në këtë qytet shqiptar u mbajt Kongresi i Manastirit (1908), i cili vendosi për një alfabet të njësuar të gjuhës shqipe.

Mbas luftërave të përgjakshme ballkanike, Manastiri u pushtua nga hordhitë serbe, të cilat bënë mizori të papara mbi popullsinë shqiptare të Manastirit dhe e detyruan popullsinë shqiptare dhe myslimane të shpërngulej në vende të tjera dhe xhamitë i shkatërruan të gjitha, duke lënë të dëshmojnë për kohën e artë vetëm disa, të cilat i janë lënë mëshirës së kohës.

Sipas statistikave, vetëm 3,3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Manastirit sot janë shqiptarë. Pjesa tjetër janë maqedonas, jo si rrjedhojë e shtimit të lartë, por e ardhjes nga viset e tjera të Maqedonisë Lindore për në Manastir, ku kanë siguruar punësim solid dhe të mira materiale nga vetë shteti.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme