Çeçenia nën terrorin rus

Autori Jörg Baberowski në një shkrim të tij me titull “Krimi i shekullit, lindja e luftës çeçene nga fryma e terrorit stalinist” përshkruan internimin e popullit çeçen nga ana e Stalinit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Veç të tjerash ai nënvizon:

“Natën, ndërmjet 23 dhe 24 shkurtit të vitit 1944, Lavrent Berija, shefi i shërbimit sekret të Stalinit kishte dhënë urdhër për internimin e çeçenëve dhe të ingushitëve nga shtëpitë e tyre. Berija i raportonte Stalinit për fillimin e operacionit: ‘Sot, më 23 shkurt, me daljen e diellit kemi filluar me internimin e njerëzve.’ Një ditë më vonë, Berija raportonte përfundimin e operacionit. Internimi kishte shkuar ‘normalisht’ dhe ishin transportuar 352.647 njerëz me 86 trena.“

Baberowski shkruan se ishin internuar rreth gjysmë milionë çeçenë dhe ingushitë, që rusët i kishin internuar në Kazakistan dhe në Kirgistan. Në shtëpitë e braktisura prej çeçeneve ishin vendosur fshatarë të shpërngulur rusë dhe ukrainas dhe refugjatë që kishin humbur shtëpitë e tyre në vorbullën e luftërave, sikur çeçenët të mos kishin banuar asnjëherë aty.

Autori thekson se pas vdekjes së Stalinit, shumë çeçenë u kthyen ilegalisht në atdheun e tyre. Komunistët iu kishin ofruar çeçenëve një pjesë të Kazakistanit ku ata do të kishin autonomi, gjë që ata e refuzuan. Në vitin 1975 komunistët u detyruan të lejojnë kthimin e çeçenëve dhe rivendosjen e autonomisë së Çeçenisë dhe Ingushtisë.

Kjo ishte gjendja tragjike e çeçenëve gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.



Gjendja në Çeçeninë e sotme

Një numër i madh humanistësh dhe organizatash të ndryshme për të drejtat e njeriut anekënd botës kanë ngritur zërin e tyre kundër torturave të ushtuara nga SHBA në Ebu Gureib apo Guantenamo.

Ndërkaq, kemi një heshtje të plotë ndaj masakrave dhe torturave jonjerëzore që po bën Rusia e Putinit në një Ebu Gureib apo Guantenamo tjetër të quajtur Çeçeni.

Për gjendjen e sotme në Çeçeni nuk flitet shumë. Opinioni ndërkombëtar bën sehir dhe nuk ndihet aspak i shqetësuar për atë që po ndodh atje. Shtypi apo mediat vizive rrallëherë kujtohen që të pasqyrojnë realitetin e hidhur në Çeçeni.

Padyshim se është për t’u përshëndetur raporti i Human Rights Watch i publikuar në muajin nëntor 2006, pikërisht kur Komitetiti i KB-së kundër torturimit kishte përfunduar vështrimin e vet kritik për Rusinë.

Raporti bën të ditur se torturat në burgje publike, ose të fshehta në Çeçeni po përhapen gjithnjë e më shumë në mënyrë sistematike. HRW në dokumentin e tij të gjerë shkruan se janë mbi njëqind raste torturimi, gjë që lë të kuptohet se keqtrajtimi jonjerëzor në Çeçeni ushtrohet vazhdimisht.

Raporti prej 16 faqesh që mban titullin “Përhapja e torturimit në republikën e Çeçenisë” i është dërguar Komitetit të KB-së kundër torturimit. Dokumenti shqyrton torturimin johuman që iu bëhet të burgosurve nga ana e forcave çeçene pro-ruse dhe anëtarëve të policisë ruse. Në punën hulumtuese që ka zgjatur nga prilli deri në shtator të vitit 2006, HRW ka vërtetuar 82 raste, ku forcat nën udhëheqjen e diktatorit rusofil Ramzan Kadyrovit i kanë burgosur njerëzit dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tyre.

Hulumtimi i bërë përmend një numër burgjesh të paligjshme, së paku dhjetë sosh, dhe faktin se shumica e tyre gjenden në shtëpitë private të komandantëve regjionalë që janë lojalë ndaj Kadyrov-it, diktatorit besnik të Moskës.

Në raportin e HRW përmendet se për të marrë informata me rëndësi të burgosurit keqtrajtohen dhe ndaj tyre ushtrohet dhunë. Gjithashtu nënvizohet fakti se disa prej të burgosurve më pas lëshohen, kurse disa të tjerë detyrohen që t’u bashkëngjiten forcave të Kadyrov-it. HRW ka dokumentuar dhe një numër rastesh ku në torturimin dhe keqtrajtimin e të internuarve nëpër burgje ka marrë pjesë edhe personeli i njërit prej shërbimeve informative ruse (ORB-2),.

Të persekutuarit, sipas raportit të HRW, kanë thënë se i janë nënshtruar shokut elektrik, rrahjes me çizme, me shkop, me tel, kurse disa kanë treguar, se janë ndëshkuar, madje, edhe me zjarr. Gjithashtu mbi ta është ushtruar edhe presion psikik. Në raport theksohet se pushteti ka ndërhyrë shumë rrallë në mënyrë që të ndalohen apo të ndëshkohen ata që bëjnë torturime të tilla. Madje edhe atëherë kur viktimat kanë marrë guximin të bëjnë ankesë, prokurori dhe organet përgjegjëse kanë refuzuar që të nisin hetimin.

Orvatja e qeverisë ruse që ta mbajë të mbyllur Çeçeninë ndaj botës së jashtme, dhe që të mos ndëshkojë shkelësit e ligjeve të vet asaj, ka bërë që Çeçenia të shihet nga jashtë si një burg i madh rus. Rusia është treguar e vendosur që t’i mbajë sa më larg vëzhguesit e jashtëm ndërkombëtarë dhe është munduar që të pengojë vazhdimisht çfarëdo denoncimi të kasaphanës dhe shkeljeve flagrante që është duke ushtruar ndaj një populli të vogël e të pambrojtur.

Rusia nuk ka ngurruar që të përdorë në mënyrë të rreme edhe kartën e terrorizmit duke i akuzuar luftëtarët çeçenë për lidhje me Al-Kaidën. Është i pakuptueshëm hezitimi dhe mosgatishmëria e shteteve islame që nuk e ftojnë Rusinë që të marrë hapa konkretë për ndërprerjen e praktikimit të torturimit dhe gjenocidit që ajo po ushtron në heshtje ndaj çeçenëve.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme