“Të shpëtojmë kishën nga helenizimi”

Patriarkana


Dje në mesditë kreu i Kishës Ortodokse “Shën Maria” e Elbasanit, At Nikolla Marku doli në një konferencë për mediat duke paraqitur një apel drejtuar strukturave më të larta drejtuese dhe politike në vend. Mesazhi i këtij apeli ishte, të pengohej misioni helenizues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare që po ndiqet nga prelati i saj më kombësi e shtetësi greke Janullatos, të krijohet një patriarkanë ortodokse kombëtare me qëndër në Tiranë dhe të hartohet legjislacioni i duhur për të normalizuar funksionimin e subjekteve fetare në vend. Kërkesa e parë e paraqitur nga kleriku ortodoks At Nikolla Marku, i cili nuk është nën tutelën e KOASH-it të drejtuar nga Janullatos, ishte ngritja e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare nga niveli i një kryepeshkopate në një Patriarkanë Ortodokse Autoqefale Kombëtare dhe fronëzimi në krye të saj i një prelati shqiptar. At Marku kërkoi mbështetjen dhe ndihmën e të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë kudo që ata ndodhen, madje qoftë dhe të besimeve të tjera fetare. “Kthimi në Patriarkanë i jep mundësi Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptarë që të qëndrojë në identitetin e saj kombëtarë. Njëkohësisht do të pengohej ndërhyrja dhe ndikimi i huaj në çështjet e ortodoksisë shqipëtare si dhe do të bëhej bashkimi i të gjitha Kishave Ortodokse Shqiptare në të gjithë botën. Qëndra e patriarkanës të vendoset në Tiranë”, tha At Marku.


Zgjidhja

Për të zgjidhur problemet kryesore të cilat kanë çuar në përçarjen e besimtarëve ortodoksë shqiptarë dhe vënien në rrezik të autoqefalisë së kësaj kishe At Marku paraqiti një seri propozimesh të tjera. Nëpërmjet tyre synohet largimi i Kryepeshkopit grek Janullatos, pengimi i influencës së kishës greke në Shqipëri, vendosja në krye të saj e një kleriku shqiptar, vënia nënkontroll e administrimit financiar të subjekteve fetare, transparenca e donacioneve që vijnë nga jashtë si dhe financimi për komunitetet fetare nga buxheti i shtetit. “Hartimi i ligjit për administrimin financiar të subjekteve fetare do ti jap fund abuzimit me fondet e donacioneve të dyshimta që futen nga jashtë”, tha At Marku. Ai e cilësoi kryepeshkopin Janullatos një diktator fetar, njëlloj si Hitleri apo Enver Hoxha. Në fund At Marku e cilësoi Janullatosis, “gjeneral i ushtrisë së humbur greke gjatë Luftës së Dytë Botërore, njëkohësisht dhe pushtuese në Shqipëri, që duhet të largohet një orë e më parë nga vendi”.

Gazeta Shqiptare Online URL:

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme