KONFRONTIMET IDEOLOGJIKE DHE RREZIKU I DËSHTIMIT TË SHTETIT

Prejardhja ideologjike dhe klanore e shumë pjesëtarëve të sotëm të elitave politike mund të ndihmojë shumë për të kuptuar shkaqet e kësaj shkalle të lartë të konfrontimit politik e mediatik në Kosovën e pavarur dhe të rrezikut potencial për dështimin e shtetit të ri. Edhe pse kanë ndodhur ripozicionime jo të vogla në skenën politike dhe mediatike të pasluftës, shtyllat kryesore të asaj prejardhjeje kanë mbetur esencialisht të pacënuara nga periudha e sundimit komunist jugosllav dhe e rezistencës ilegale ndaj atij sundimi. Kjo është më e dukshme për faktin që këto elita e kanë prejardhjen e hershme nga ideologji totalitare komuniste, e cila sado e zbutur dhe e transformuar, prapë se prapë mbetet agresive në raport me demokracinë. Për këtë arsye, këtyre elitave edhe u shkon formulimi i Geraint Perryt, që thotë se " elitat janë parë si kërcënim kryesor për mbijetesën e demokracisë. Ekzistenca e tyre është marrë si një mohim i demokracisë. Elitat që kanë mundësi të jashtëzakonshme të zënë "pozicione kyçe" në shoqëri, ose të ushtrojnë kontroll mbi politika të rëndësishme në shpërpjestim me numrin e tyre, me të drejtë mund të duken se janë kontradikta të gjalla të nocionit "qeverisje e popullit." 

Zënia e pozitave kyçe dhe e ushtrimit të kontrollit mbi politikat e rëndësishme të vendit, gjithsesi në shpërpjestim me numrin, është edhe realitet tipik kosovar i viteve të pas çlirimit të vendit më 1999 e veçmas pas pavarësimit në vitin 2008, që i ka shndërruar në "elita të pushtetit". Por, duke qenë me prejardhje ideologjike të hershme nga ideologjia totalitare komuniste, qoftë titoiste qoftë staliniste- enveriste dhe duke mos pasur alternativa të tjera ideologjike e politike në vend, "elitat e pushtetit" me perjardhje të tilla, janë bërë sundues të vendit, duke e ngarkuar jetën shoqërore e politike jo vetëm me keqqeverisje, por edhe me konfrontime të ashpra ideologjike.


Mbijetesa e jugosllavizmit në Kosovë

Në të vërtetë, në Kosovën e çliruar në vitin 1999, e cila deri në vitin 2008 ishte protektorat ndërkombëtar, ndërsa nga viti 2008 e deri sot është me një pavarësi të mbikëqyrur, nuk ka pasur kurrfarë hapësire të formësohej një elitë e re, e cila do të identifikohej me realitetin e ri politik e shoqëror dhe me vlerat e reja që mund të prodhojë dinamika e një shtet i ri. Hapësira politike ka mbetur e rezervuar për ata që ishin të etabluar më parë. Vetëm lëvizja "Vetëvendosje!" është produkt i realitetit të ri, por për shkak të ngarkesës së madhe ideologjike, edhe ajo duket si një fraksion i rebeluar i ish enveristëve shqiptarë.
Ndarja ideologjike që përshkonte realitetet shqiptare në Kosovë në periudhën e Luftës së Ftohtë, një ndarje e ashpër ndërmjet titoizmit dhe stalinizmit (enverizmit) ka ndërruar ngjyra e formë, por esencialisht ka mbetur gjenerator i konflikteve edhe njëzet vjet pas rënies së regjimeve komuniste në ish Jugosllavi dhe në Shqipëri. Djegia publike e librit "Këmbët e gjarprit" të Veton Surroit nga një grup veteranësh të luftës së fundit, në korrik të këtij viti, dëshmon për rivalitete e inate të akumuluara që mezi presin situata të ndryshme, që të manifestohen si revansh. Paragjykimi në të dyja anët është potencial. Eskponentët e linjës titoiste, synojnë të minimizojnë kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, brenda së cilës realisht kontributi i linjës enveriste në drejtimin e saj ka qenë më përcaktuesi. Kalkulimi politik në këtë rast është i saktë: pa e minimizuar dhe pa e kompromentuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe eksponentët kryesorë të saj, nuk është e mundshme të rehabilitohet jugonostalgjizmi me eksponentët dhe vlerat e tij, të prodhuar për gjysmë shekulli të Kosovës nën Jugosllavi. Pasi konstaton " se nuk ka ekzistuar ndonjë herë Ushtria Çlirimtare e Kosovës", pasi konstaton se " ajo që është quajtur Ushtri Çlirimtare e Kosovës, nuk ka qenë ushtri, nuk ka qenë çlirimtare dhe nuk ka qenë e Kosovës", Surroi përllogaritë kështu: " Po t'i kishte pasur Fadil Hoxha pesë brigadat e veta, të shqiptarëve të Kosovës, nën komandë, do ta bënte këtë pjesë të Shqipërisë." (f.188) Zor se mund të gjendet një ekponent më luftarak se Surroi në mbrojtje të Fadil Hoxhës dhe të vlerave të komunizmit jugosllav, që personifikon Hoxha ndër shqiptarë. Njëzet e pesë vjet pas daljes së Kosovës nga përbërja e shtetit jugosllav, Surroi vazhdon ta glorifikojë me guxim simbolin shqiptar të komunizmit jugosllav e të jugosllavizmit në tërësi dhe produktin që ka prodhuar gjithë elita politike shqiptare me vulë komuniste dhe jugosllave njëkohësisht. Ajo vulë jugo-komuniste nuk mund t'i hiqet Fadil Hoxhës e as bashkëpunëtorëve të tij. Fadil Hoxha ka qenë fanatik komunist dhe ka besuar në "vëllazërimin e bashkimin" e popujve të Jugosllavisë. E kam dëgjuar vetë se si fliste e bindje për këtë gjë, kur i patëm shkuar për ngushëllime në shtëpinë e tij me Ibrahim Rugovën, në vitin 1991, pasi e kishin dëbuar nga pushteti. Kemi biseduar gjerë e gjatë për zhvillimet politike. Ai ende ishte i bindur se rrëzimi i tij ishte vetëm një keqkuptim, një aksident dhe se ai do të kthehej në pushtet sërish dhe se Jugosllavia do të rikthehej plotësisht në kursin e Titos. Prandaj, është e kotë të tentohet nga kushdo që të serviret një shqiptarësi ideologjike e politike e tij. Ai mund të ketë qenë shqiptar i mirë, por ideologjia dhe veprimtaria e tij komuniste dhe jugosllave, ia kanë zënë frymën çfarëdo shqiptarizmi që të ketë patur.. Por, Fadil Hoxha dhe shumë eksponentë të tjerë të komunizmit jugosllav, vazhdojnë të mbijetojnë në publik ndër ne edhe pasi shteti i tyre, Jugosllavia dhe ideologjia e tyre, komunizmi titoist, janë shpërbërë. Në Kosovë ende mbahen përvjetorë për ta. Ata jo vetëm gjallojnë, po falë fuqisë së rifituar të klaneve të tyre familjare , duken të fortë, madje kërcënues. Protestat e dhunshme kundër rektorit të Universitetit të Prishtinës, të orkestruara prej tyre, janë provë e sigurtë e rikthimit të tye në skenë, si një grupim i motivuar për hakmarrje ndaj kundërshtarëve të vjetër ideologjikë.


Rizgjimi i konflikteve

Njëri nga shkaqet e vazhdimit të këtij konfrontimi ideologjik është moshapja e dosjeve, me çka disa nga dilemat dhe dyshimet do të mund të merrnin një zgjidhje. Gjithë ato krime që janë kryer për gjysmë shekulli kundër popullit shqiptar në Kosovë nga komunistët, nga shërbimet dhe nga administrata e drejtuar prej tyre, ende kanë mbetur të paadresuara. Asnjë drejtues komunist, asnjë pjesëtarë i shërbimeve sekrete, asnjë zyrtar i administratës, thjesht asnjë person nuk është dënuar për gjithë ato krime të kryera me projekt, me gjakftohtësi. Nuk ka ndodhur detitoizimi i shoqërisë. Ndërsa, edhe projekti titoist, si ai i krajlave serbë, ka qenë gjenocidal që nga fillimi: dëbimi i sa më shumë shqiptarëve nga Kosova, dealbanizimi i saj, i realizuar me shkatërrimin sisitematik të familjeve shqiptare, vendbanimeve autoktone dhe gjthë spektrit të identitetit kulturor, fetar e kombëtar. Edhe pse krimet janë kryer dhe pasojat i vuajmë edhe sot, ende nuk dihen me emër e me mbiemër kryesit e atyre krimeve, as kriminelët shqiptarët e as ata serbë dhe të gjithë të tjerët, që në emër të regjimit komunist jugosllav i kanë kryer ato krime monstruoze. Meqë krimet e tyre vazhdojnë të mbahen të fshehura, pasardhësit e tyre vazhdojnë të ndihen krenarë me baballarët e nënat e tyre – komunistë jugosllavë dhe madje tashmë ka raste që ankohen se u është uzurpuar e drejta e trashëgimit të pushtetit nga ana e fshatarëve enveristë. Po qe se do të hapeshin dosjet dhe do të dënoheshin krimet e komunizmit jugoslalv, me çka krimet e baballarëve, nënave dhe gjyshërve të tyre do të dilnin në sipërfaqe, pasardhësit e tyre edhe do të mund të reflektonin . Në këtë kontekst, edhe dënimi i krimeve të periudhës së komunizmit me rezolutë nga Kuvendi i Kosovës, do të ishte një ndihmesë në këtë drejtim. Por, as hapja e dosjeve e as dënimi i krimeve të komunizmit ende nuk janë në rend dite, për shkak të mosposedimit të materialeve në rastin e parë dhe për shkak të mungesës së vullnetit politik në rastin e dytë. Prandaj konfrontimet e mbetura përgjysmë për shkak të riokupimit millosheviqian të vendit në vitin 1990, për shkak të luftës në vitet 1998/1999 e pjesërisht edhe për shkak të administrimit të hekurt të UNMIK-ut në vitet 1999-2008, ka kohë që janë rizgjuar dhe po kërkojnë revanshin. Kjo tregon se elitat politike dhe mediatike në Kosovë nuk janë transformuar, po kanë qenë disi të ngurtësuara. Shërimi i komplekseve dhe prirjet hakmarrëse përbëjnë dy shtyllat kryesore të këtij konfrontimi të rizgjuar.
Xixat e konflikteve ideologjike ndërmjet dy taborreve, ndonëse shumë herë të kamufluara me të tjera motive, shpërthejnë shpesh dhe sa herë shpërthejnë, e shpiejnë në skajshmëri intolerancën dhe etiketimin e kundërshtarëve, gjë që është tipike për interpretimin ideologjik. Një shembull tipik është edhe shpërthimi i polemikave lidhur me vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës në janar 1982 në ish Republikën Federale të Gjermanisë. Këto polemika janë të mbarsura me konfrontim të ashpër idelogjik. Por, këto polemika të ashpra janë vetëm maja e ajsbergut e konfrontimeve ideologjike ndërmjet këtyre dy taborreve. Një linjë e vazhdueshme e sulmeve janë aktive edhe ndaj Isa Mustafës, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili akuzohet nga kundërshtarët e tij ideologjikë se ka qenë pjesë e qeverisë së dikurshme komuniste jugosllave. Por, këto polemika nuk lënë të qetë as figura e personaliteteve të vdekura, sikundër është edhe Ibrahim Rugova. Të gjitha këto polemika, pra, e kanë një lidhje te ish prejardhja ideologjike e akterëve, po edhe e rikompozimeve të panatyrshme që kanë ndodhur.


Konsolidimi i nostalgjikëve jugosllavë në LDK

Nga një vëzhgim themelor vërehet lehtë se janë dy linja kryesore të grupuara ideologjikisht që nga e kaluara. E para, i përket linjës me prejardhje ideologjike nga periudha e sundimit gjysmëshekullor komunist e jugosllav. Pjesa më e madhe e shtresës së mesme që u formua në atë periudhë, në fillimin e viteve nëntëdhjetë, formalisht u shkëput nga strukturat e organizimit politik e shoqëror jugosllav, por me mënyrën e të menduarit ideologjik mbeti e lidhur bukur shumë me përvojën e mëhershme. Përcaktimi gati plebishitar në vitet nëntëdhjetë për një politikë paqësore, për moskonfrontim me regjimin fashist të Serbisë, mbështetej kryekëput në këtë shtresë, e cila ende nuk e kishte braktisur iluzionin se gjërat do të merrnin drejtim të ri dhe sërish do të rikthehej normaliteti në federatën e përbashkët, ku Kosova kishte një status si "element konstituiv i federalizmit jugosllave". Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila u formua në dhjetor të vitit 1989 dhe e cila e dominoi skenën politike deri në çlirimin e vendit në vitin 1999, politika paqësore e moskonfrontimit, ishte politika zyrtare, e cila kishte eksponentët më të fuqishëm dhe vendimmmarrës në vetë kreun e saj. (Grupimet e tjera, që ishin futur në LDK, me qëllim që të fitonin njëfarë alibie për veprimet e veta politike, kryesisht ish të burgosurit politikë, me prejardhje ideologjike enveriste, mbaheshin brenda saj si "dekor i demokracisë". ) Disa nga vendimet e marra, si ajo për arsimin e vitit 1996, e ndërmjetësuar nga Shën Exhidio, ishin manifestim i kësaj prirjeje pajtuese dhe me iluzionin se mund të gjendej një akord për fillimin e rikthimit të normalitetit në një konstruksion të ri të një shteti federal. Kjo nuk ishte në kundërthënie me verdiktin e shtatorit të vitit 1991, ku në një referendum ishte dhënë përgjigje plebishitare për barazimin e statusit të Kosovës në federatën/konfederatën jugosllave. Barazia e Kosovës në federatë/konfederatën jugosllave ende konsiderohej si objektivi më madhor politik. Vetëm pas spastrimit etnik dhe gjenocidit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës në vitet 1998/1999, u kompromentua çdo mundësi që të mbahej në lojë platforma e riintegrimit të Kosovës në federatën jugosllave, e cila tashmë ishte reduktuar në një asociacion vetëm ndërmjet Serbisë e Malit të Zi. Prandaj, linja filojugosllave, e cila nën presionin e ngjarjeve u transformuar në indipendensite, pas çlirimit të vendit, ishte në një krizë të thellë të identitetit. Kjo zgjat disa vjet, por kjo linjë ideologjike filojugosllave, ndonëse e traumatizuar nga humbja e iluzioneve për rirregullimin e statusit në federatën jugosllave, u rikonfigurua edhe më qartë në Lidhjen Demokratike të Kosovës. nga e cila patën dalë e dolën në ndërkohë shumë eksponentë të linjës ideologjike enveriste. Në këtë mënyrë LDK u bë bastioni i nostalgjikëve jugosllavë të traumatizuar, që e urrenin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse e shihnin si një organizim me prejardhje ideologjike enveriste. Dhe dalja në krye të LDK-së e Isa Mustafës në vitin 2009, është një epilog normal i këtij konsolidimi, që paraprakisht u karakterizua nga kompaktësimi dhe fuqizimi i linjës ideologjike filojugosllave. Inkuadrimi i ekponentëve të partisë Ora në LDK, pas shuarjes së ish partisë së themeluar nga Veton Surroi, është tregues i këtij procesi dhe i këtij epilogu.
Një pjesë e kësaj linje, e cila nuk u inkuadrua në LDK, zuri pozicione të forta edhe në një rrjet të organizatave joqeveritare dhe të organizatave e agjencive të prezencës ndërkombëtare në Kosovë. Nga ato pozicione, me përkrahjen të fuqishme të agjencive të huaja dhe të prezencës ndërkomëtare në Kosovë, ky rrjet i organizatave joqeveritare në vitet 2007-2014 është bërë një mjet presioni ndaj qeverisë së Kosovës, duke mbajtur në publik edhe terma të luftës ideologjike, me shënjestër enveristët, por që i konsideron si të kamufluar në SHIK, në universitetin publik dhe në agjencitë e ndryshme qeveritare.


Enverizmi në Kosovë ishte dhe është kameleonik

Linja e dytë, ajo me perjardhje ideologjike enveriste, gjatë viteve 1991-1999 ka qenë shumë e zhurmshme, veçmas si opozitë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në Kuvendin e parë të LDK-së, në maj të vitit 1991, ky grupim ideologjik arriti të eliminonte një pjesë të konsiderueshme të eksponentëve të linjës së butë dhe të zinte disa pozita të rëndësishme në kryesinë e LDK-së. Në Kuvendin e Dytë, në vitin 1994, ata arritën të bëheshin shumicë në kryesinë dhe në Këshillin Drejtues të asaj partie, duke rritur ndikimin e vet në politikën e Kosovës. Edhe pse arritën të eliminonin me vota krahun e Fehmi Aganit, që konsiderohej si bastioni i linjës së butë në LDK, ata u detyruan ta pranonin rikthmin e tyre në kryesi, me disa kushte që bën spostimin e tyre nga pozitat kyçe në parti. Eksponentët kryesorë të kësaj linje, u treguan të pavendosur dhe bile kameleonik, gjë që në kuvendin tjetër do të shkaktonte dëbimin e tyre nga LDK-ja. Pra, pas Kuvendit të katërt, të shkurti 1998, ky grupim u largua nga LDK dhe formoi një formacon të ri politik, në krye të të cilit vendosën Rexhep Qosjen, i cili ishte i njohur për qëndrimet e veta majtiste, me konotime të veçanta antiberishiste dhe antirugoviste. Edhe pse Lidhja Demokratike e Bashkuar u formua në vorbullën e luftës dhe nuk kaloi asnjë test elektoral, përfaqësuesit e saj kanë marrë pjesë me numër të barabartë përfaqësuesish me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Konferencën e Rambujesë/Parisit.) Pas çlirimit të Kosovës, përfaqësuesi i saj, Rexhep Qosja, ishte anëtar i Këshillit të Pavarur Administrativ, i barabartë me Ibrahim Rugovën dhe me Hashim Thaçin. Por, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2000, LBD praktikisht u shpërbë, ndërsa disa nga eksponentët kryesorë të saj kaluan në PDK, duke e transferuar edhe trashëgiminë ish enveriste prej LDK-së në PDK. Ky ndryshim kameleonik i këtij grupimi nga LDK në LBD pastaj në PDK e së fundmi simbolikisht edhe në lëvizjen "Vetëvendosje!" është njëri nga shkaqet e konfrontimeev të tejzagjatura ideologjike. Kameleonizmi i tillë politik mbetet për t'u studiuar si një dukuri interesante për antropologjinë politike. Fatkeqësisht as pasojat e enverizimit në lëvizjen politike nacionale në Kosovë, të cilat kanë qenë evidente, veçmas në ashpërsimin e luftës së brendshme ndaj kundërshtarëve politikë, mbase edhe deri në eliminime fizike, nuk janë analizuar deri sot.


PDK në vorbullën e konfrontimeve

Grupimi kryesor i kësaj linjeje ideologjike të hershme, përbëhet nga ish elita ushtarake e UÇK-së, e cila pas procesit të demilitarizimit të vendit, u etablua në disa parti politike, (LKÇK, PQLK, AAK dhe Partinë Demokratike të Kosovës, si partia më autentike dhe më repezentative e kësaj linje.) Përderi sa LKÇK dhe PQLK dështuan në procesin e parë elektoral, AAK mblodhi disa parti të vogla (edhe LKÇK-në bashkë me to) dhe si formacion i përbërë nga ato parti të vogla mbijetoi, duke u shndërruar më vonë në parti politike. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës ishte që nga fillimi epiqendra e kësaj linje ideologjike, të dominuar nga ish komandantë dhe ushtarakët e tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK). PDK kaloi nëpër një proces të vështirë të demilitarizimit të politikës, proces, i cili ende nuk është kryer plotësisht. As qëndrimi në dy mandate në pushtet si partia kryesore e koalicioneve qeverisëse, nuk e ka ndihmuar që ta amorotizojë meritokracinë ushtarake, edhe pse ka bërë përpjekje riformatimi, duke u proklamurar si parti e qëndrës së djathtë. Programi politik edhe ka shkuar djathtas, por metodat e veprimit politik të disa prej eksponentëve kryesorë të saj, me meritokracinë e luftës si atu imponuese dhe me intolerancën ndaj procesit demokratik, kanë mbetur majtas. Kjo ndarje ideologjike shkakton turbulenca në aktivitet politik. Nga ana tjetër, me vendimin e saj që të proklamohet si parti e qendrës së djathtë, PDK-ja sërish është përfshirë në konfrontime ideologjike të tjera, sepse kundërshtarët e saj e akuzojnë për mashtrim, duke dyshuar në sinqeritetin e vendimit të saj për profilizmin si parti e qendrës së djathtë, ndërsa tashmë prej saj ka dalë një fraksion majtist, i quajtur "Nisma për Kosovën". Pra, kanë lindur konfrontime ideologjike edhe ndërmjet ish bashkëpartiakëve.


Tërmeti postzgjedhor dhe konfuzionet e reja

Por, pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 ndodhi një tërmet i ri ideologjiko-politik, efektet e të cilit mund të jenë largvajëtse në punë të rrështimti të partive dhe të konfigurimit të skenës poltike të Kosovës. Rezultati i dobët elektoral i Lidhjes Demokratike të Kosovës e shtyri kreun e saj Isa Mustafën që të formojë një koalicion të çuditshëm paszgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt dhe me listën Nisma të Fatmir Limajt. Bashkimi i këtyre tre subjekteve që kanë programe të ndryshme (vecmas "Nisma për Kosovën", që është proklamuar si e majtë) dhe të mbështetura nga Lëvizja "Vetëvendosje!" që është një subjekt i majtë, nëse tregon qëndrueshmëri, mund të ndikojë njëfarësoj në prishjen e skemave të deritashme ideologjike dhe në rikompozimin ideologjik të skenës politike në vend. Por, vetëm pjesërisht. Ndërsa shikuar realisht, gjasat nuk janë të mira që ky koalicion postzgjedhor të tregojë qëndrueshmëri. Tregoi o nuk tregoi, një gjë është e qartë: skena politike e Kosovës nuk normalizohet kurrë plotësisht pa ndodhur dënimi i krimeve të komunizmit, pa u hapur dosjet dhe pa u shkrua në mënyrë kritike historia e Kosovës e periudhës 1945-1989 dhe veçmas ajo e viteve 1989-1999. Ndërsa, pa normalizmin e saj, me elita të detitoizuara dhe të deenverizuara, dhe paralelisht edhe të dekriminalizuara, shteti i Kosovës e jo vetëm demokracia, gjithnjë do të jetë i kërcënuar nga dështimi. (Shenja)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme