Kori religjioz i Kosovës dhe alternativa e Islamit

Kështu fillon mëngjezi shpirtëror në Bashkësinë e Popullit të Zotit një të dieleje në Prishtinë, përderisa Kisha Adventiste e Ditës së Shtatë ca metra tutje fillon javën e re (të dielën) pas abstenimit të një dite më parë, në pajtim me traditën Judaike. Një Dëshmitar i Jehovait mund të ketë rezervuar kohën e tij ditore (prej së paku katër orë) të predikimit, për të shpërndarë revistën ‘Kulla e Rojës” tek platoja e Hotel Grandit dhe për të ndarë me popullin e Prishtinës ‘lajmin e gëzuar për Mbretërinë e Atit në Tokë’. Ora një e ditës afron dhe nga minaret e xhamive dëgjohet ezani që i fton muslimanët e devotshëm për të bërë lutjen e drekës. Përveç njerëzve të rëndomtë që ndahen nga turma e rrugës dhe hyjnë në xhami mund të shohësh ca të tjerë me një dukje paksa më ndryshe, me një mjekerr të gjatë dhe pantolla të gjërë mbi gjunjë që paraqesin një kuptim paksa tjetër të Islamit, të paktën nga forma e jashtme. Gjimnazi “Xhevdet Doda” - kishë apo jo? Tek tuk ca zëra antiislamikë në mediat kosovare. Disa personalitete të njohura të kulturës dhe skenës kosovare që mund t’i takosh në namazin e xhumasë në xhami.

Kjo është pak a shumë veshja e realitetit religjioz të Prishtinës dhe Kosovës së këtyre ditëve. Dhe tash vetvetiu, ashtu spontanisht ngriten disa pyetje: ku është raporti i njerëzve të Kosovës me Zotin sot, çfarë po bëjnë (më mire thenë a po bëjnë, me një pikëpyetje pas) Institucionet Islamike të Kosovës për t’i ofruar popullit lajmin jetëdhënës të së vërtetës Hyjnore të ripërtërirë nga Profeti Muhamed larg në shekullin e shtatë.

Revista ‘Letra e Gjallë’ është organ i Kishës Ungjillore të Kosovës. Një nga numrat e fundit të saj shkruan: ‘Shqiptarët përfundimisht duhet t’i kthehen Evropës, përkatësisht vlerave perëndimore: krishterimi, demokracia, ekonomia e lirë, pluraliteti’; duke e sintetizuar Islamin kështu me antitezat e termave të përdorura në fjali: me antidemokraci, me anti ekonomi të lirë e me shumë anti të tjera që mund të shihen nga Letra e gjallë. Fehmi Cakolli, pastor i kësaj kishe në një artikull tjetër të ‘Letrës’ kishte akuzuar literaturën Islamike të botuar në shqip për joprofesionalizëm, antikrishterizëm dhe te cektë në spjegimin e Islamit. Hmmmm….Ka shumë për tu thenë për aktivitetin e institucioneve shqiptare Islamike (le tu kthehemi pak më poshtë) por nuk duhet lënë mënjanë një fakt tjetër këtu: ngritjen e furishme të një ‘fundamentalizmi kristian’ (thenë me terminologjinë e tyre) në zemër të Kosovës i cili shprehet duke filluar që nga 1. presioni psikologjik për kthim në krishtërim, 2. botimin e literatureës urrejtëse ndaj islamit alla Robert Morie por të përcjellë në mënyrë më perfide permes shkrimeve të Jochen Katz & Co…..3. mendjengushtësi në çështje të ndryshme kur bie fjala për relacionet: popuj muslimanë – pupuj apo fuqi kristiane ose çifute (nuk ke pse çuditesh nëse në një nga Kishat e Prishtinës bekohet shteti aktual i Izraelit njësoj si në programet televizive evangjeliste amerikane, të etiketuara nga vetë shumë amerikanë si fundamentaliste, ku shprehet ngazëllim për dhunën Izraelite nda Palestinezëve dhe ku shihet çuditëristh përmbushja e njëfarë plani të aluduar të Perëndisë për botën…, 4, 5, 6 etj etj etj.

E tërë kjo e bën imediate një çështje që do shikuar me emergjencë. A nuk është koha e fundit që Institucionet Islamike ta zhvendosin predikimin e Islamit nga xhamitë jashtë tyre dhe të ia përshtatin kushteve dhe rrethanave që ekzistojnë. Jo përshtatje të tipit protestantizëm Islamik por brenda kufinjëve të lejuar të Kur’anit. Islami është mjaft fleksibil sa për ta përballuar këtë. A nuk është koha e fundit që te pushojmë nga të vetelavdëruarit e të së kaluarës së dikurshme të Islamit dhe ta çlirojmë Islamin nga ngurtësia ku e kemi pranguar. Kemi dëgjuar mjaft herë ngjirje zërash për vërshimin e Kosovës nga misionarë kristianë. Saktë! Por a nuk themi se jetojmë në një vend të lirë ku secili ka të drejtë të predikojë besimin e tij. Dhe çfarë është më e rendësishmja a kemi ofruar ndonjë alternative? Është shumë e vërtetë se aktiviteti i kishave misionare në Kosovë shpesh ka tendenca të vazhdueshme dhe agresive kundër Islamit (siç e pamë nga një shembull i vockël midis shumë të tjerësh më lartë), mirëpo kjo nuk do të thotë se përgjegjja duhet të jetë ‘subhanallah ku kena mrri’ ose shprehje e mllefit për padrejtësi. Me këtë po e përulim edhe vetë Islamin. Po e paraqesim si të paaftë që të jape përgjegje të kënaqshme.


Vërtetë kemi nevojë që Islamin ta predikojmë ndryshe.

A nuk është e pështirë që të lejosh barazimin e Islamit me terrorizmin nga një predikues i tillë misionar qoftë në Kosovë qoftë gjetkë? Dhe më e pështirë është kur e mohojmë se njemend muslimanët sot kanë problem me keqkuptime tepër tepër të thella të Islamit të cilat kanalizohen shpesh me ekstremizma që nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin e njëmendtë. Kemi thenë muslimanët dhe jo Islami. Islami si Islam është po aq i dëlirë si ishte në kohën e profetit të nderuar. Kur ta akuzojnë Islamin për terrorizëm mos ngurro ta lexosh Kuranin (dhe jo të bazohesh në veprat e muslimanëve sepse të quajturit muslimanë jo medoemos përherë e prezentojnë Islamin) dhe gjithashtu Biblën dhe me argumente te gjesh përgjegjje ne këtë çështje. Mos ngurro të citosh fragmente nga Bibla ku ‘Perëndia’ urdhëron vrasje masive të burrave, grave dhe fëmijëve, pastaj plaçkitje etj, dhe mungesën e gjërave të tilla në Kur’an.

Katalogu i botimeve të një institucioni tone zyrtar islamik: ‘Zekati’, ‘Mevludi’, ‘Xhamitë dhe Mesxhidet e Beogradit’, ‘Si ta njohim artin Islam’, etj etj (natyrisht pa i nënçmuar këto punime mjaft të rendësishme dhe pa harruar edhe botime me vlerë për kohën), por a është kjo pergjegja e duhur ndaj keqkuptimit të Islamit në këto troje dhe ndaj obligimit që ta përhapim Islamin me fjalë të mire.

Pse të mos bëjmë më shumë që t’ia sqarojmë (vetes! dhe pastaj) të tjerëve se Islami i njëmendtë nuk ka të bëjë asgjë me pantollona të gjërë pak deri nën gjunjë apo me mjekrra? Të tillat janë traditë. Secili ka të drejtë të besojë çfarë të dojë dhe të komentojë besimin e tij si të dojë por kjo nuk arsyetohet në asnjë mënyrë kur kalon në militantizëm fjalësh dhe mendjengushtësi predikimi. Kjo shkakton iritim marramendës. Eh, meqë ra fjala. Pse mos të sqarojmë se kuptimi i Islamit sipas kallëpit të pantollave të gjërë, mjekrrave të gjata, mosdhënies dorë gjatë përshëndetjes, tendencës së mohimit të dërgimit në shkollë të femrës në emër të mbrojtjes nga ‘kufarizmi’ etj, janë denigrimi më absurd që ka mundur t’i bëhet ndonjëherë Islamit. Veshja e rrobave të gjata dhe tërheqja zvarrë e tyre në kohën e të Dërguarit të Fundit konsiderohej dhe ishte mendjemadhësi. Por a konsiderohet kjo kështu sot. Absolutisht jo. Dhe tash kyqja e një tradite të tillë në Islam është sulm ndaj vetë Islamit. Në anën tjetër le të shërbejë kjo edhe si këshillë ndaj të tjerëve që ‘mërziten’ dhe kritikojnë për një mënyrë tjetër të të falurit në disa xhami. Këto janë gjëra aq të parëndësishme sa që të merresh me to ose të provosh të thuash se në të kujt anë është e drejta është njësoj sikur të thuash se fonti që unë kam zgjedhur në shtypjen e këtyre fjalëve (Times New Roman 12) është i vetmi font që do përdorur dhe çfarëdo përdorimi tjetër është falsitet dhe bidat. Shumë qesharake. Në fakt kjo dhe është arsyeja pse muslimanët sod gjenden ku gjenden. Në vend të të meremi me gjëra më të mençura ne çajmë kokë kush si duhet të falet, militantojmë nofka kufarizmi për ata që nuk veshin veshje të sakta milimetrike, i klasifikojmë në bidat në mënyrën më naïve gjërat duke e turpëruar Islamin e kështu me radhë.


ALTERNATIVA…?

Islami i thjeshtë është alternative. Islami i mëshirës, paqes, trimërisë, prehjes personale, dashurisë në relacion me Perëndinë dhe të tjerët, i predikuar si në kohën e Profetëve (Ibrahim, Musa, Isa, Muhamed) i çliruar nga dogma marramendëse dhe formalizma iritues. Tash, a jemi të gatshëm që ta kryejmë një detyrë të tillë. A jemi të gatshëm që në botimet e literaturës tonë fetare kjo të jetë primare, duke pasur edhe parasysh se ka keqkuptime të thella ndaj Islamit gjenuin në këto hapësira e edhe gjetkë. A jemi të gatshëm që të gjejmë mënyra që predikimin e Islamit ta transferojmë nga xhamitë në shoqëri. Nëse PO PO PO PO atëherë është koha e fundit që të fillojmë të bëjmë diçka e të mos mburremi kur shohim xhamitë e mbushura plot sepse nuk janë fryt i punës sonë por i kërkimit personal. Dhe xhamitë e mbushura plot janë vetëm një segment fare i vockël në krahasim me turmën e njerëzve të paarrirë nga alternativa e Islamit.

http://halilibrahimi.blogspot.com/2006/09/kori-religjioz-i-kosovs-dhe.html

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme