Katër rrëfime nga Zullullandi - Pasqyra e realitetit tonë

1. E kam mik disavjeçar. Është student në vitin e tretë në USHT. Hëpërhë për shkak se nuk është në Maqedoni, vitin akademik e ka vënë në pauzë. Shpreson të vazhdojë kur të kthehet. Është djalë i rrethinës së një qyteti të madh shqiptar në Maqedoni. Familja e tij presin nga puna e tij. Prandaj deri tash verës dhe gjatë fundjavave punonte si punëtor krahu në ndërtimtari a çka të gjente në qytet, ndërsa kur e pa se kështu nuk mbahet familja, i ndërpreu studimet dhe u paraqit në një ndërmarrje që të shkojë të punojë në Irak. Sepse, le që nuk mund të studionte, por as që mund të ekzistonte. Në ndërmarrjen që u paraqit të shkojë në derë të vdekjes, u desh të paguajë goxha mirë që të shkojë. Hyni në borxh më shumë se një mijë euro, pagoi si djalë i mirë dhe vajti në Irak. Një hap më afër vdekjes. Tash i ka bërë disa muaj. E kur ndonjëherë gjen mundësinë të më paraqitet dhe e pyes se kur mund të kthehet, përgjigjja e tij fillon me “nëse kthehem...”. Ky është Agroni, studenti i USHT-së, djalosh 21-vjeçar shqiptar, që ndonëse në zemër ushqen dashurinë dhe humanitetin për gjithçka, të vetmet fjalë që i urren janë: Maqedoni, Qeveri dhe parti shqiptare.

2. Vjollca ka qenë gjenerata ime. Ajo studionte Pedagogjikun. Deshi fati dhe sapo mbaroi fakultetin, u punësua. Ndërkohë u martua dhe Zoti ia fali dy fëmijë. Bashkëshorti i saj, po ashtu arsimtar, por i pa punë, nuk kishte lënë derë pa rrahur. Ndërkaq Vjollca çdo ditë zgjohej herët dhe udhëtonte me dy autobusë që të mbërrinte në shkollë me kohë. I donte nxënësit e saj. Edhe ata e donin atë. Ishte familjarizuar me ata. Megjithatë, pasi i kishte bërë katër vjet pa vendim dhe me rrogë shumë modeste, që nuk i kishte mbuluar as shpenzimet e fëmijëve të saj, ishte detyruar të kërkojë zgjidhje tjetër. Meqë e njihte mirë anglishten, kishte konkurruar në shumë konkurse të organizatave ndërkombëtare. Në fund ishte paraqitur në një konkurs për pastruese në një ambasadë në Shkup. Dhe, ndonëse nuk kishte pritur, ishte pranuar. Sot jeton e lumtur në Shkup, e pastron çdo ditë ambasadën, ndërsa fëmijët e saj jetojnë si engjëj të ëmbël se nëna e tyre u fal jetë të mirë. Ndërkaq nxënësit në shkollë tash e kanë një mësuese tjetër e cila ku ta dish sa do të mund të qëndrojë aty.

3. Edhe kur ne studentët e tjerë ndonjëherë endeshim nëpër byfe e kafene të fakultetit, ai kurrë nuk shkelte aty. I kishte vetëm dy rrugë: një që çonte në fakultet dhe një që shpinte në bibliotekë. Ishte student në një nga fakultetet më serioze të shkencave natyrore në Shkup. I vetmi shqiptar në gjeneratë. E vetmja shpresë e familjes. Ne mendonim - edhe e kombit dhe e shoqërisë. Tash ka disa vite që ka diplomuar. Ka konkurruar në të gjithë konkurset. Ka lutur e kërkuar ndihmë nga të gjitha partitë e individët që u shkon fjala. Ndonëse kuadri më i rrallë në lëmin e tij në Maqedoni, i gjendur pa punë, në konkursin e fundit që e hapi Agjencia e Nëpunësve Shtetëror, ka konkurruar për të gjitha vendet e punës: që nga ato ku kërkohet me shkollë të mesme trevjeçare e deri te ato me fakultet. Vetëm të hyjë diku. Të marrë një rrogë. “Me vjen turp prej familjes dhe shoqërisë kur më pyesin se a punoj diçka, ku të bëhet, le të bëhet”, thotë. Kërkon edhe lidhje partiake. Kush e punëson, është në gjendje t’ia japë 1000 EUR. Do të hyjë borxh. E deri atëherë ka mbetur të jetojë në shpinë të vëllait të vet që shet cigare në Bit Pazar. Ky është Fatmiri i pa fat.

4. Ka studiuar me zell teologjinë. Ka mbaruar studimet në kohë rekorde. Plot energji e entuziazëm është kthyer që fenë e mësuar atje ta predikojë në Maqedoni. Këtu disa vite ka qëndruar pa punë. Disa vite e kanë shëtitur klanet e BFI-së. Tash është baba i dy fëmijëve dhe hoxhë në një xhami të periferisë së një qyteti në Maqedoni. Rrogën e ka saktë 6100 denarë. Ndërsa as këtë rrogë nuk e ka marrë disa muaj, sepse në zgjedhjet e fundit nuk e ka votuar myftiun aktual. I shkreti s’e ka ditur kush fiton. Jo për tjetër. Por, kjo i ka kushtuar që sot të jetojë në mëshirë të të vdekurve, pra xhenazeve që i përgatit, mevludeve dhe hatmeve. Jeta i është mërzitur. As sigurim shëndetësor, as sigurim pensional, as stazh, asgjë. Lutet të mos i sëmuren fëmijët, se nuk di ç’u bën. Kurrë s’e ka ndjerë veten më keq. Fëmijët dëshirojnë veshje, libra, fletore e ushqim në shkollë. Ndërsa ai nuk ka asnjë denarë në xhep. Telefonin ia kanë ndërprerë qëmoti, ndërsa rrymën pret dita-ditës po ashtu t’ia këpusin. Prandaj ka vendosur të kërkojë punë tjetër. Është paraqitur në shumë konkurse, por meqë është hoxhë, nuk e marrin askund. Në fund ka vendosur të kërkojë punë tjetër, qoftë kjo edhe në ndërmarrjen për pastrimin e qytetit. Aty së paku rrogat janë dyfish më shumë se rroga e tij që kurrë nuk e merr, ka sigurim pensional dhe shëndetësor. Prandaj, nëse dikush e njeh dikë që i sos punë, qoftë edhe të këtillë, hoxha Rexhep është gati, të hënën mund t’ia fillojë punës.
Janë këto katër rrëfime dhe personazhe të Zullullandit të Maqedonisë, të cilët vetëm emrat i kanë të imagjinuar, ndërsa rrëfimet janë krejt të vërteta. Të tillë sigurisht ka plot, andaj mos u lodhni t’i zbuloni. Vetëm lutuni që ju mos të jeni i tillë.

Mars 2007 – Maqedonia në rrugë drejt Europës.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme