KUSH PO I FYEN NDJENJAT FETARE TË SHQIPTARËVE TË BESIMIT ISLAM..?

Me luftën dhe propagandën kundër besimit islam tek shqiptarët i kanë mobilizuar të gjitha mjetet dhe forcat në drejtimin që t’i rikrishterizojnë me zor ose me hatër shqiptarët me mbi 85% të përkatësisë fetare islame. Se nga dreqi u gufon i gjithë ky shovinizëm fetar, se nga buron e gjithë kjo urrejtje patologjike kundër Islamit dhe gjithë asaj që ka të bëjë me këtë fe të cilën shqiptarët e përqafuan me vetë dëshirë, etj., është vështirë të jepet ndonjë mendim i prerë. Sepse një diskurs kaq agresiv që po manifestojnë kundër Islamit të habit shumë kur dihet se libri i shenjët katolik Bibla-Ungjilli ka përmbajtje të natyrës paqësore, të tolerancës dhe dashurisë midis njerëzve, pa marrë parasysh përkatësitë etnike dhe fetare të njerëzimit. Prandaj, kur kihet parasysh misioni fisnik dhe human i Krishterimit, si i religjioneve tjera monoteiste, fushatat dhe urrejtjet kaq të pacipë anti-islame që po manifestojnë sot në mënyrë shumë të vrazhdë antiislamistët katoliko-egocentrikë dhe të tjerë, për ata të cilët i njohin mirë predikimet e këtij religjioni, del i qartë konstatimi se individë dhe grupe të caktuara “misionarësh” katolikë, kuptohet me paga të majme mujore, kështu siç po veprojnë viteve të fundit, kjo aspak nuk i shkon në favor fesë katolike, përkundrazi del se nuk e kanë të qartë se janë futur në vallen e djallit për ta shkatërruar tolerancën fetare tek shqiptarët. Dhe kjo tendencë e rrezikshme drejtpërsëdrejti iu shkon përshtati skenarëve serbo-greke për dobësim e faktorit shqiptar, pikërisht përmes pikës më të ndjeshme siç është toleranca ndër fetare midis shqiptarëve, gjë që më prishjen e saj si rrjedhojë do të vinte deri te konflikti fetar për të përfunduar në luftë vëllavrasëse siç ishte rasti në Liban, Sudan, etj. Pastaj, se kemi të bëjmë me disa injorantë politikë-fetarë të cilët egocentrizmin katolik e mbështesin mbi interesa të ngushta politike, duke u thirrur kinse në mbrojtje të vlerave të krishterimit etj, në bazë të sjelljeve dhe deklaratave që japin, merret vesh se s’kanë asgjë të përbashkët me Krishterimin dhe predikimet e tij humane për të mirën e njerëzimit. Ngase, as krahu katolik i Krishterimit nuk e predikon urrejtjen dhe luftën e “shenjët” kundër feve tjera, pra as kundër Islamit siç po vepron në Kosovë dhe më gjerë një grup ekstrem i “intelektualëve” katolikë shqiptarë. Sepse të qenit besimtar i fesë së krishterë nuk do të thotë të jesh apriori kundër Fesë islame, e cila siç dihet qysh në kohën kur ishte profet Isa a.s. (Jezusi) përmes Ungjillit njerëzimi ishte paralajmëruar për ardhjen e profetit të fundit në këtë botë, pra të Muhamedit a.s., pra një fe më e re se Krishterimi e cila nuk është kundërshtuar asnjëherë nga besimtarët e krishterë ashtu dhe në atë masë siç po përpiqen t’i paraqesin kvazi-misionarët katolik raportet midis këtyre dy religjioneve si tepër të ashpërsuara, duke i harruar qëllimisht faktet historike se katër fetë monoteiste lindjen dhe “selinë” e tyre e kanë të përbashkët, pra në Lindjen e Mesme, përkatësisht në territoret e sotme arabe-izraelite në Jerusalem, Kudës, Betlehem (arabisht: Bejt Lahm), Sina, etj. Nga këtu, pra fillon toleranca dhe mirëkuptimi midis këtyre dy religjioneve, ndër më të mëdhatë sot në botë. Pra, kurrsesi nuk qëndron pohimi i disa kvazihistorianëve se Krishterimi dhe Islami kanë qenë në luftë dhe armiqësi permanente, siç po propagandojnë egocentristët katolikë shqiptarë, të cilët në dekadën e fundit nuk kanë lënë gurë dhe dru pa lëvizur nga vendi që Islamin në Kosovë ta paraqesin si armikun kryesor të shqiptarizmit, gjë e cila nuk përkon fare me realitetin.

Ajo që duan ta arrijnë përmes fushatës anti-islame edhe disa politikanë që po e luajnë në mënyrë shumë të keqe rolin e “misionarëve katolik”, duke i sjellë dëme vetë katolicizmit shqiptar, është pa dyshim qëllimi për t’u radhitur kinse në bllokun e koalicionit kundër “terrorizmit islam”. Ndaj, marrë në këtë kontekst fushatën dhe propagandën e tyre anti-islame të ndërmarrë gjatë viteve të fundit, rezulton shumë qartë se këtë janë duke e bërë për qëllime politike, ngase po të kishin vërtetë qëllime të natyrës fetare, qofshin ato të shfaqura edhe si egocentrizma fetar ose si misione të katolicizmit për ta forcuar dhe përhapur sa më shumë fenë e tyre në rajonin ku jetojnë shqiptarët, ata (anti-islamistët) nuk do t’i sulmonin në mënyrë kaq të vrazhdë vlerat e kulturës dhe Fesë islame, të njohura dhe të pranuara nga e gjithë bota e krishterë. Sepse dihet historikisht se këto dy religjione qe 14 shekuj kanë bashkëvepruar në tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë kulturor dhe politik. Prandaj, ata të cilët vite me radhë po punojnë për prishjen e tolerancës midis katolikëve dhe myslimanëve shqiptarë, jo vetëm në Kosovë, janë pa dyshim armiqtë më të mëdhenj të kombit shqiptar, por njëkohësisht edhe dorë e zgjatur e Beogradit dhe Athinës. Mbase kur është fjala për fushatën anti-islame që po bëhët sot në Kosovë, s’ka dyshim se fjala është për skenar me prapavijë të errët anti-shqiptare që ka për qëllim destabilizimin e botës shqiptare, gjoja në emër të mbrojtjes së civilizimit të krishterë nga siç e quajnë ata “fundamentalizmi islam”, “terrorizmi islam”, etj.

Në kuadër të kësaj fushate ka vite që edhe Kosovën e ka përfshirë vala e fushatës anti-islame e cila është manifestuar dhe vazhdon të zbatohet përmes formave dhe mjeteve më të ndryshme propagandistike, duke filluar nga çështjet më të thjeshta siç është bartja e shamisë tek gratë myslimane dhe deri tek ndërtimi i katedrales politike në Prishtinë.

Rasti më i fundit në vazhdën e kësaj propagande, pranë qindra provokimeve tjera antiislame me të cilat janë fyer rëndë ndjenjat e besimtarëve islamë shqiptarë në Kosovë siç ishte shpërndarja e një Trakti të pistë para dy viteve përmes të cilit u bëhej thirrje shqiptarëve të besimit islam që të kthehen në katolicizëm etj, është padyshim edhe vënia e gurë themelit të një kishe katolike në fshatin Kuqishtë të Rugovës në praninë e kryetarit të komunës së Pejës z. Ali Lajçi dhe z. Isa Nikçit (simpatizantë të flakët të krishterimit dhe nuk e kuptoj se çka presin që nuk e shprehin publikisht konvertimin e tyre nga feja islame në fenë katolike), pa bekimin e të cilëve sigurisht se nuk do të kishte qenë e mundur të merrej një iniciativë e tillë, kur dihet fakti se në trembëdhjetë fshatrat e trevës së Rugovës nuk ka asnjë besimtarë të fesë katolike. Shih gazetën “Bota Sot” të datës 24.06.2005, f. 9 me titull: “Kisha katolike në Rugovë dëshmi e lashtësisë shqiptare autoktone”. Por para se të shkojmë më tutje dëshiroj të nënvizoj faktin se në asnjë mënyrë nuk jami kundër ndërtimit të kishave katolike në Kosovë, kur këtë gjë e kërkojnë vëllezërit tanë katolikë, veçse thënë pa ekuivoke ndërtimi i kishave në vendbanimet ku nuk ka asnjë besimtarë katolikë është padyshim provokim i llojit të veçantë, me të cilin nuk do të pajtohen, jo vetëm besimtarët islam shqiptarë, por asnjë njeri që logjikon drejt fetarisht dhe politikisht. Nisma për ngritjen e kishës katolike në fshatin Kuqishtë të Rugovës më ngjason pikë për pikë me politikën e kryepeshkopit ortodoks në Shqipëri Janullatosit me urdhrin e të cilit janë ndërtuar shumë kisha ortodokse mu në mes të fshatrave shqiptare në Jug të vendit ku shumica dërmuese i takojnë besimit dhe Fesë islame. Dhe dihet mirëfilli se çka fshihet pas këtyre akteve dhe cilat janë qëllimet e kishës ortodokse greke ndaj tokave të Verio-Epirit shqiptar!? Por, pasi që artikulli i lartë përmendur nuk është temë e këtij shkrimi, por me shumë teza të te cilit nuk mund të pajtohemi fare, ngase nuk përkasin me realitetin as fetar e as historik, po sjellim këtu dy vlerësime të thëna me rastin e vënies së gurë themelit të kësaj kishe nga ana e z. dom Lorenc Sopit, famullitar i kishës katolike “Shën Katerina” në Pejë, i cili ndër të tjera ka thënë: “Kjo kishë do të jetë në shërbim të besimtarëve të cilët duan t’i vizitojnë këto treva, por edhe ata do të binden për lashtësinë tonë në këto treva përmes këtij tempulli fetar. Edhe pse që të trembëdhjetë fshatrat e Rugovës janë të banuara vetëm me besimtarë të besimit islam, dua të them se nuk ka vend për ndonjë keqinterpretim nga kushdo qoftë. Këtu, nuk ka vend dhe nuk mund të ketë ndonjë formë të imponimit të ndonjë besimi tjetër për banorët e atyre trevave”. Ndërsa në pyetjen e gazetarit se kush është donator për ndërtimin e kësaj kishe Dom L. Sopi ka pohuar: “se nuk ka të dhëna të shumta për këtë, por tani për tani jam në dijeni se banorët e këtyre trevave kanë marrë përsipër që me mjete të tyre ta ndërtojnë këtë tempull fetar, përkatësisht se ata janë zotuar se do t’i sigurojnë mjetet financiare, e nga, unë personalisht nuk jam në dijeni të plotë”, ka pohuar ai(!?).

Pas konstatimeve të lartpërmendura të z. Dom L. Sopit kuptojmë qartë se cila është prapavija e vënies së gurë themelit të kishës katolike në një fshat apo trevë siç është Rugova ku qind për qind (100%) banorët e saj i përkasin besimit fetar islam. Pra, na del i qartë pretendimi ose dëshira e kamufluar që në Kosovë të ndërtohen sa më shumë kisha katolike, edhe aty ku nuk ka asnjë besimtarë të këtij religjioni, me qëllim për t’i joshur sa më shumë shqiptarët mysliman që të konvertohen në fenë katolike, dhe ky është thelbi i propagandës antiislame që bëhët sot e gjithë ditën në Kosovë, duke u thirrur gjoja në lashtësinë dhe autoktoninë e fesë katolike tek shqiptarët para se ata të kalonin në fenë islame. Mirëpo ky argument është i paqëndrueshëm nga disa aspekte;

1.), sepse lashtësia e një feje, cila do qoftë prej tyre, nuk nënkupton në asnjë mënyrë lashtësinë ose autoktoninë etnike të një populli, siç i ngatërrojnë qëllimisht egocentrikët katolik termin fe dhe komb,

2.), sepse për cilin do religjion në botë të jetë fjala, ai nuk shpreh identitetin kombëtar të asnjë populli në mënyrë të veçantë, sepse fetë janë vlera shpirtërore universale të njerëzimit, dhe si të tilla ato nuk mund ta zëvendësojnë identitetin kombëtar të asnjë populli,

3.), sepse shumica e kombeve dhe popujve të sotëm në botë kanë ekzistuar si shoqëri dhe shtete të organizuara edhe para Krishterimit dhe Islamit, prandaj shprehja e Dom L. Sopit se kishat dëshmojnë për lashtësinë tonë kombëtare në këto treva (fjalën e ka për trevën e Rugovës, v.j.) është inkompatibile me faktet etno-gjeografike të cilat dëshmojnë mbi lashtësinë dhe autoktoninë e një populli e që paraqesin argumentet kryesore në këtë aspekt. Pra, faktet arkeologjike, antropologjike, historike, gjuhësore, kulturore, etj, janë dëshmia më e fort që flasin për lashtësinë dhe autoktoninë e një populli dhe jo objektet fetare. Objektet e kultit shpirtëror para së gjithash janë dëshmia që identifikojnë faktin se një popull i takon një besimi të caktuar në Zot dhe profetë, dhe kurrsesi nuk paraqesin argumentet më kryesore që përcaktojnë lashtësinë dhe autoktoninë mbi trojet tona shekullore,

4.), sepse shqiptarët si popull dhe si komb me lashtësinë dhe autoktoninë e tyre në Ballkan datojnë me mijëra vjet para Krishtit dhe Muhamedit a.s., gjë që në mënyrë të prerë e rrëzon tezën së kishat ose xhamitë paraqesin faktin kryesor mbi autoktoninë ose lashtësinë e popullit shqiptar në rajonin e Evropës juglindore, dhe kështu me radhë.

5.), pra, identiteti fetar nuk shpreh identitetin kombëtar, ngase feja dhe besimi në Zot janë vlera universale të cilat u takojnë në mënyrë të barabartë të gjithë atyre popujve të cilët këto vlera i kanë përqafuar me vetë dëshirë, ndaj si të tilla fetë nuk përcaktojnë identitetin nacional të asnjë populli në botë. Dhe mu këtu qëndron gabimi më i madh tek ata të cilët e ngatërrojnë fenë me çështjen e kombit, kuptohet në aspektin e identitetit kombëtar e jo në kuptimin historik të feve dhe rolit të tyre në ruajtjen e kombit nga asimilimet dhe asgjësimet fizike.

Pastaj, deklarimi i z. dom L. Sopi se banorët e trevës së Rugovës vetë kanë kërkuar ndërtimin e kishës katolike në fshatin Kuqishtë, është krejtësisht i pa saktë dhe i pa bazë, sepse simpatitë e disa shkollarëve të kësaj ane që ushqejnë ndaj fesë katolike (e drejtë e tyre e pa kontestuar) në krye me presidentin I. Rugova (edhe ky vije nga kjo trevë, v.j.), në asnjë mënyrë nuk mund të interpretohet si dëshirë e tërë popullatës që të ngrihet kjo kishë në Rugovë. Idenë për këtë objekt fetar në Rugovë z. dom L. Sopi është dashur që opinionit t’ia shpjegojë pak më qartë, ngase ne që vijmë nga kjo trevë e dimë se rajoni i Rugovës që moti gjendet në agjendën e aktiviteteve të misionit fetar katolik në Kosovë, si hapësirë e rëndësishme në të cilën duhet depërtuar me aktivitete fetare (katolike) në mënyrë që banorëve të kësaj ane sa më shumë t’iu imponohet ideja për rikonvertim në katolicizëm. Pra, kjo është e vërteta që qëndron pas ngjarjes së fundit në Kuqishtë, e jo ashtu siç pohon z. Sopi kur thotë: “se këtu nuk ka vend dhe nuk mund të ketë ndonjë formë të imponimit të ndonjë besimi tjetër për banorët e atyre trevave”(?!). Përkundrazi, është në pyetje pikërisht kjo tendencë, pra që me ideologjinë fetare katolike të bëhen depërtime sa më të thella edhe në ato pjesë ku nuk ka asnjë besimtarë katolik siç është treva e Rugovës. Në këtë vazhdë aktivitetesh të kishës katolike, nëse nuk gabohem tani më dalin revista të ndryshme fetare, ose janë në dalje e sipër të cilat do shpërndahen në trevat e malësisë që përfshijnë rajonin e Rugovës, Plavë e Gucisë dhe deri në Ulqin e Shkodër. Qëllimi dihet; joshja dhe kthimi i shqiptarëve të besimit islam në “Fenë e të parëve, tek Hyji dhe e Verteta, tek Ati i Birit të shenjët, Jezus-Krishti”, sepse siç thonë ata mbetja e shqiptarëve në fenë Islame është gabimi më i pafalshëm, sipas tyre për shqiptarët myslimanë, të cilët, prapë sipas tyre, si pjesëtaraë të një religjioni primitiv siç është feja islame, nuk kanë se çka të kërkojnë në familjen evropiane..!? Dhe, këtu pra zënë fillin edhe mendimi sarkaz se pa u kthyer të gjithë shqiptarët myslimanë në fenë katolike Evropa nuk do t’i pranojë ata në ngjirin e saj, teori kjo fund e krye e veshur me petkun fetar katolik në mënyrë që shqiptarët myslimanë të kthehen masovikisht në fenë katolike. Pra, siç po shihet edhe disa aktivitete fetare të një pjese të klerit katolik shqiptar në Kosovë kanë emërues të përbashkët me sjelljet e egocentrikëve katolikë, e ajo është propaganda sistematike anti-islame për t’i realizuar detyrat misionare katolike për rritjen sa më të madhe të numrit të ithtarëve dhe besimtarëve katolik në Kosovë e më gjerë. Themi se i gjithë ky angazhim fetar i egocentrikëve katolikë shqiptarë, për çdo njeri të ndershëm do të ishte një veprim i rëndomtë, posikur aktiviteti i tyre të zhvillohej mbi baza thjeshtë fetare, pa cenuar dhe ofenduar ndjenjat e besimtarëve islamë shqiptarë, kur dihet se çështja e besimit në Zot si dhe zgjedhja e fesë janë të drejta ekskluzive të njeriut si dhe çështje personale të tij, të cilat askush nuk ka të drejtë që t’ia imponojë me dhunë. Më në fund na duket se propaganda dhe fushata kundër besimit dhe ndjenjave fetare të mbi 85% të shqiptarëve të përkatësisë fetare islame, tani më i ka kaluar kufijtë normal, prandaj, është koha e fundit që kreu katolik shqiptar në Kosovë të ndërmarrë hapa konkret në parandalimin e fushatës anti-islame, mbase për prishjen e tolerancës fetare brenda shqiptare në Kosovë dhe më gjerë përgjegjësinë do ta mbajë, askush tjetër veçse udhëheqja më e lartë e kishës katolike shqiptare. Sepse nga provokimet e njëpasnjëshme që po bëhen ndaj besimtarëve islamë shqiptarë, durimit të tyre një ditë mund t’i vije fundi..!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme