Erdoganizmi vs. titizmit

image

Pas paraqitjes në skenë të lëvizjes së re politike shqiptare, Lëvizjes BESA, që është ndërtuar nga njerëz të rinj, disa nga të cilët mund të kenë përvojë politike, por jo edhe hipoteka politike, në opinionin tonë u artikulua edhe një term i ri akuzues për ta - deri tash i panjohur edhe për shkencat politike, madje edhe për ambientin gjuhësor politik shqiptar - erdoganizëm. Ndonëse profesionistët nuk e njohin fare këtë term në shkencat politike, për shqiptarët e rëndomtë, që ia kanë hallin dhe dertin kombit, ky term është mjaft i qartë. Ai asocon një grup që duhet të jenë filialë e presidentit të R. së Turqisë, Taip Erdogan, i cili në këtë rast nuk është figura mike e shqiptarëve, porse një “arap i zi” që vjen nga deti dhe i cili sjell me vete asimilimin e shqiptarëve, ekstremizmin fetar islam, prapambeturinë, dekadencën, thjesht thënë ai është fryma më antishqiptare. 

rn

Ndonëse ky orientalizim (sipas Edward Saidit) është tipik për interpretimet ideologjike të Orientit, në këtë rast kemi një stereotip që përdoret në kushte bashkëkohore. Edhe në kohën e ish Jugosllavisë, kur shqiptarët vuanin nën Serbinë, fajtor ishte “pushtuesi osman”, edhe në Shqipërinë komuniste historiografia shpjegonte se dekadenca shqiptare ishte rezultat i “natës së gjatë osmane” (sipas Kadaresë). Në këtë mënyrë, edhe sot - ndonëse Edi Rama e Hashim Thaçi andej dhe Ali Ahmeti e Menduh Thaçi këndej nuk hezitojnë edhe në xhami të hynë e të falen pranë “mikut të shqiptarëve” dhe “partnerit strategjik të shqiptarëve”, Taip Erdogan, përsëri opinioni bombardohet se rreziku na vjen nga Erdogani. Dhe, ç’është më e keqja, ata vetë gjithë ditën e lume vrapojnë nëpër zyrat e shtetit turk, nëpër komunat turke e nëpër shoqatat turke, që të nxjerrin ndonjë lekë, ndërsa “erdoganizmin” e përdorin si gogol që t’i frikësojnë shqiptarët se “sa të ligë janë erdoganistët”. Një paradoks i llojit të veçantë. Po cili është në këtë rast erdoganist në Maqedoni: ata që orë e çast janë në Stamboll e Ankara apo ata që stacion e kanë Prishtinën e Tiranën? Ose, pyetja tjetër: nëse është i ligë Erdogani, pse atëherë vrapojnë të fotografohen me të e përjargen pranë tij? Le të deklarohen publikisht se janë kundër Turqisë dhe kundër Erdoganit dhe kështu do të jemi rehat të gjithë. 

Prapaskenat
Krejt kjo na bën me dije se nuk kemi të bëjmë me armiqësi të vërtetë të këtyre politikanëve shqiptarë te Maqedonisë ndaj Turqisë, sepse as që u mban ta shpallin atë, por kjo më shumë ka të bëjë me aplikimin e metodave enveriste të projektimit të armikut të jashtëm, i cili do të përdoret për mbajtjen e pushtetit brenda. Dhe, si enveristë të devotshëm që janë - sidomos këta të BDI-së, këtë lojë e luajnë për mrekulli.
Në nëntitullin e këtij artikulli e vendosëm një fragment të librit të Enver Hoxhës “Titistët”, ku ai flet se si titizmi ishte armik i marksizëm-leninizmit dhe shpjegon se si ajo ideologji është kundër popullit të vet, se sa është e dëmshme ajo për popullin që jeton në Jugosllavi, por edhe sa armiqësore është për popullin fqinj shqiptarë, që kështu pastaj - në emër të kësaj akuze - të shpallë armiq të brendshëm, siç bëri Enveri me Mehmet Shehun e shumë të tjerë - për ta legjitimuar vrasjen e tyre dhe për ta proklamuar atë si fitore. 
Ndërkaq, historianët kanë shënuar se po ky Enver Hoxha që në atë fragment flet aq keq për Titon e titistët (dhe ka marrë zahmetin të bëjë një libër rreth 600 faqesh), po për atë Tito më 5 janar 1948 në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PKSH deklaronte: “Sekretar i Përgjithshëm nuk jam unë, por Mareshali. Ne jemi parti, si partitë e republikave të tjera me sekretarët e saj, me vijën e njëjtë me të tjerat. Këtu është çështja që ne ta kuptojmë partinë në këtë kuadër.” E kur Koçi Xoxe e këshillonte që të matej disi, Enver Hoxha sqaronte: “Unë kam thënë se edhe Partia duhet të shkojë në baza federale, pse e gjithë kjo vijë politike që shtrojmë aty të çon.”. Madje, shtonte Enveri: “Atë që thashë e them prapë se të gjithë sektorët të shkojnë në atë rrugë, me baza federale, duke qenë kështu Sekretar i Përgjithshëm Titoja. Kështu vendi do të shkojë në një federatë.”
Ose, edhe më keq, në plenumin e jashtëzakonshëm të KQ të PKSH, 18-20 dhjetor 1946, Enver Hoxha deklaronte: “A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresiste. Pra, në këtë situatë, përkundrazi, duhet të bëjmë ç’është e mundur që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët... Ata që nuk e kuptojnë këtë, ne e kemi për detyrë t’i luftojmë”.
Pra, vetëm këto fragmente e bëjnë të qartë se nuk ishte fjala se Enver Hoxha e kishte hallin e Kosovës, as dertin e Titos e të titistëve, siç e akuzon në këtë libër Veli Devën dhe Fadil Hoxhën, por ai e kishte hallin që ta projektonte një armik, me të cilin do t’i frikësonte shqiptarët e tij dhe kështu do ta legjitimonte diktaturën e tij si më meritori për pushtet. 
Krejt si sot: BDI-ja po e projekton Titon me Erdoganin dhe titistët me erdoganistët. Jo se ka armiqësi reale me Turqinë dhe me Erdoganin, se as Enveri nuk kishte realisht armiqësi me Jugosllavinë, por që kështu të dëshmojë se sa e rrezikshme është BESA, sepse sipas tyre - për shkak se BESA ua rrezikon pushtetin - kjo lëvizje është armiqësore, armiku është Erdogani, e, rrjedhimisht, ajo është lëvizje erdoganiste. Natyrisht, e vërteta është se BESA është erdoganiste aq sa ishin viktimat e Enver Hoxhës titistë, por të cilët ai i vrau në emër të kësaj lufte. Ndërsa titisti më i madh ishte ai vetë, sepse atij i mbeti peng dëshira të ishte nën “Mareshalin”. Këtë Frojdi do ta shpjegonte me kompleksin e inferioritetit, që shprehet në këso forma të agresivitetit, por ajo është mesele tjetër, që mbase mund ta ndërmarrë ndonjë psikiatër. 

“Antierdoganistët” e Kosovës
Megjithatë, meqë enveristët nuk jetojnë vetëm në Maqedoni, por aq më shumë gjenden edhe në Kosovë - edhe atje janë në pushtet, kjo akuzë enveriste ka zënë rrënjë pikërisht atje më shumë. Dhe, prej atje lansohet më lehtë dhe më mirë. Aq më shumë që në Kosovën e kontaminuar me antiosmanizëm gjen (nëse nuk gjen, paguan lirë) plot analistë që janë në gjendje që BESËN ta paraqesin si lëvizjen më antishqiptare në historinë tonë kombëtare, duke e shpjerë deri atje sa të shpikin fantazira të tilla se kjo lëvizje paska ndër mend ta ulë numrin e popullatës shqiptare në Maqedoni nën 20%, kjo në favor të turqve, dhe kështu ta bëjë tradhtinë më të madhe kombëtare. Krejt në stilin “e dimë se çka do të bëjnë, andaj nuk duam as t’u japim mundësi të dëshmohen”. Dhe, natyrisht, nuk e përmendin faktin se vetëm pasi që në Maqedoni kanë ardhur në pushtet enveristët, nga Maqedonia kanë ikur së paku 300.000 shqiptarë. Pra, tre enveristët e Kërçovës u kthyen nga Zvicra, që t’i shpërngulin në Zvicër dhe gjetiu nëpër botë 300.000 shqiptarë të tjerë. Por, ky nuk është fakt për enveristët, sepse për ata përsëri “fajet i kanë erdoganistët”. Siç i kishin fajet për mjerimin e Shqipërisë titistët. 

Pakohësia e enveristëve 
Ashtu siç i duhej Enver Hoxhës një armik, për ta ushtruar dhe shtuar dhunën mbi popullin e tij, duke i trembur se - nëse nuk jam unë, ju mbaruat - njashtu edhe “Enveri ynë” ka nevojë për projektimin e një armiku te BESA, që ashtu ta legjitimojë pushtetin e tij. Në atë mënyrë, kujton “Enveri ynë”, shqiptarët do të duhet t’ia arsyetojnë të gjitha disfatat, gjithë politikën antikombëtare, të gjitha skandalet e funksionarëve të tij, krejt dështimet e këtyre 13 viteve në skenën politike shqiptare, sepse ai megjithatë i mbron shqiptarët nga “titistët” (që në kohën tonë i quan “erdoganistë”). 
Dhe, që kjo të duket më e besueshme, këtë e shpallin si agjendë nacionaliste, kombëtare (ndonëse enverizmi është në themel ideologji antinacionaliste) dhe e shtrijnë në terma si “nga fitorja në fitore mes armiqsh të egër të Partisë” (kujtoni sloganet “Jetësojmë idealet”, “Bashkë ndërtojmë” etj.), me ç’rast Partia është simboli i atdheut që e finalizon heroizmin kombëtar të shprehur ndër shekuj. 
Madje, propaganda mjeshtërore shkon deri aty sa ta mbajë një popull të tërë në mjerim, siç ndodhë sot me shqiptarët e Maqedonisë, dhe përsëri ta detyrojë të besojë se “Enveri ynë” ka një agjendë të madhe. Në kujtimet e autorit të librit “Rezistenca kosovare mes dy zjarresh” të autorit Sabri Maxhuni-Novosella, kemi një fragment, ku derisa ai bisedon për fatin e keq të Kosovës në ish Jugosllavi me funksionarë të lartë të shtetit shqiptar enverist, i regjistron edhe këto fjalë të një enveristi: “Shoku Enver dhe PPSH-ja janë në luftë për ta shkatërruar imperializmin amerikan dhe reaksionin ndërkombëtar, socialimperializmin sovjetik dhe revizionizmin që nga ai titist e deri tek ai kinez”. Ai vazhdon edhe më tej: “Çështja e Kosovës do të zgjidhet me fitoren e revolucionit proletar botëror. Nuk ka kohë shoku Enver dhe PPSH-ja të merren me gjëra të vogla”. 
Këtë të fundit besoj se nuk ka nevojë ta vendos në paralele me diskursin aktual nga “Enveri ynë”, sepse krejt është e qartë: ai e ka hallin te Ukraina, NATO, BE-ja dhe Rusia dhe nuk ka kohë të merret me stemën, gjuhën, veteranët, arsimin shqip, shpërnguljet e shqiptarëve.... Krejt rrëfimi është i njëjtë, megjithëse janë nja 50 vjet ndërmjet. Këtu është Enveri, këtu është Tito, këtu janë enveristët dhe këtu janë titistët. Vetëm që tash kanë emra të tjerë. Sepse ashtu i duhen Partisë. 

(Autori është një nga themeluesit e Lëvizjes BESA)

rn

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme