ANËTARËSIA E XHAMIVE NË FOKUS

 

 

 

MEDITIMET E MIA RRETH TEMËS: XHAMIA DHE ANËTARËSIA

 

Një prej çështjeve më substanciale, do të thosha, edhe më të ndjeshme, është anëtarësia e xhamisë.

Xhamitë medoemos duhet të posedojnë bazë solide materiale për mirëmbajtjen dhe zhvillimin sa më në nivel të aktiviteteve e veprimtarive fetare.

Thënë të vërtetën, në këtë drejtim shumica e xhamive kanë probleme serioze. Shumë prej tyre mezi arrijnë t`i mbulojnë shpenzimet e xhamisë: pagimin e qirasë, të rrymës, të nxehjes, të telefonit, pagimin e pagave të imamëve e myezinëve etj.

Çdo besimtarë i ndërgjegjshëm duhet të kryejë obligimin fetar të anëtarësimit në një xhami të caktuar. Kjo është detyrë madhore fetare. Besimtari duhet ta ndjejë xhaminë si shtëpinë e vet private.

Duke kryer pagesën e anëtarësisë tek arkëtari i xhamisë, besimtari nuk jep "hakun e hoxhës" - sikundër rëndomë thuhet popullorçe - porse ai, në të vërtetë, jep "hakun e Fesë", ai kryen një detyrim material fetar për zhvillim të gjithëmbarshëm të veprimtarive fetare islame.

Për të pasur sukses në këtë drejtim, për mendimin tim, do përqëndruar vëmendja në aktivitetet vijuese, që duhet ndërmarrë nga Bashkësitë Fetare, në përgjithësi, dhe xhamitë (imamët, myezinët dhe kryesitë), në veçanti.

 

Në xhami nuk ka vend për korrupcion

 

Imamët, myezinët, kryesitë e xhamive dhe të gjithë nëpunësit e bashkësive dhe qendrave fetare kudo në vend dhe jashtë në diasporë duhet të posedojnë virtytet morale në vijim: ndërgjegjshmërinë, besueshmërinë, devotshmërinë, saktësinë, cilësinë, vigjilencën, transparencën dhe pedanterinë në evidentimin, administrimin dhe menaxhimin e mjeteve materiale të grumbulluara në xhami.

Me këto virtyte të larta të moralit islam duhet të karakterizohen në veçanti ARKËTARËT e xhamive dhe të Bashkësive Islame.

Arkëtarët janë të obliguar moralisht dhe fetarisht të raportojnë në mënyrë transparente në çdo 3 apo 6 muaj për buxhetin (të hyrat dhe të dalat) e xhamisë përpara kuvendit ose xhematit të xhamisë.

Emrat dhe shuma e mjeteve të paguara duhet të figurojnë qartazi, në formë të shkruar, në anëkëndin e xhamisë. Kjo, kuptohet, stimulon çdo anëtarë që me kohë dhe rregullisht të kryejë obligimin e anëtarësisë në xhami.

Të gjitha mjetet e grumbulluara administrata e xhamisë i depoziton në një konto numër të veçantë në Bankën ekzistuese.

Aty ku mjetet menaxhohen drejtë dhe saktë, aty, pa medyshje, shtohet nga dita në ditë numri i anëtarëve të xhamisë.

Mjetet e tubuara nga anëtarësia, zeqati, sadakai-fitrat dhe mjetet tjera vullnetare, madje numri i anëtarëve dhe ndihmat në formë donacionesh të dhëna nga vetë fondi i xhamisë për nevoja të ndryshme, qoftë jashtë, qoftë në vendlindje, thjesht gjithçka duhet të jetë e regjistruar në mënyrë strikte, gjithçka duhet të jetë e kompjuterizuar. Së këndejmi arkëtari me kujdes të madh i ndjekë procedurat e vendosura të kontabilitetit (llogarimbajtjes). Atëherë, nëse ndërrohet arkëtari, cilido individ tjetër, që do ta zëvendësojë atë, do të dijë se çfare procedura ka përdorur paraardhësi i tij. Një revizion i llogarive do të ishte më i lehtë, nëse ndiqen procedurat standarde të kontabilitetit.

Me fjalë të tjera, barra më e rëndë dhe më me përgjegjësi nëpër xhami bie mbi supet e arkëtarëve. Profeti Muhammed a.s. thoshte: "Secili prej jush është bari, dhe çdo bari është përgjegjës për tufën e vet". (Buhariu dhe Muslimi)

Thënë troç: në xhami nuk kanë vend: matrapazët, të korruptuarit, hajnat e vagabontët.

 

Imami dhe kryesia duhet të komunikojnë vazhdimisht me masën e gjerë myslimane

Imami dhe kryesia nuk kanë për detyrë vetëm të konstatojnë duarkryq gjendjen ekzistuese të anëtarësisë. Për detyrë prioritare ata kanë të dalin në mënyrë të rregullt në opinion, të vizitojnë rregullisht besimtarët, thjesht të

trokasin në derën e çdo myslimani, si tek anëtarët, ashtu, madje në menyrë të veçantë, edhe tek joanëtarët. Të dalët në opinion, të vizituarit rregullisht të masave të gjera popullore, të komunikuarit e mesazheve hyjnore, ishte detyrë fundamentale e gjithë profetëve të Zotit. Të lexojmë me vëmendje mesazhet e Zotit të Madhërishëm:

"Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira...". (Kur`ani, 16:125)

"dhe ne nuk jemi të obliguar për tjetër përveç t`ju kumtojmë ashtu qartë (Mesazhin)". (Kur`ani, 36:17)

"E ti pra, këshillo, se je vetëm përkujtues. Ti ndaj tyre nuk je mbizotërues" (Kur`ani, 88 :21)

"E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: "Unë jam prej muslimanëve!". (Kur`ani, 41:33)

Imami, myezini dhe anëtarët e kryesisë së xhamisë nuk guxojnë të vetizolohen brenda për brenda mureve të xhamisë. Administrata e xhamisë nuk është e shëndoshë po qe se nuk shndërrohet në një zgjua bletësh apo mbretëri milingonash përplot energji dhe gjallëri, që plotëson aktivitete të dobishme në xhemat dhe në masën e gjerë. Administratorët e xhamisë duhet të zbresin nga "kulla e fildishtë" tek masat e gjera...që të ndezin një revolucion të besimit në zemrat e tyre, që t`ua komunikojnë mesazhet e Profetit të tyre, që të krijojnë një rilindje islame dhe një reformë të logjikshme e progresive fetare në shoqërinë dhe në kohën e tyre. Së këndejmi edhe verset e kaptinave të para që u shpallën nga All-llahu i Madhërishëm, i urdhëruan prerazi Muhammedit a.s. që të dalë nga izolimi dhe vetmia dhe të shkojë ndërmjet njerëzve që t`i ngushëllojë, t`u ndihmojë, t`ua tërheqë vërejtjen, t`i porosisë që të veprojnë mirë, t`u prijë atyre drejt lirisë, lavdisë dhe drejtësisë dhe, mbi të gjitha, t`i ftojë ata që nga poshtërsitë e tokës të ngjiten drejt qiellores-engjëllores, t`i falen Zotit e jo individëve, despotëve e faraonëve. Feja Islame shkon aq thellë sa madje All-llahu xh.sh. i urdhëroi Musait dhe vëllait të tij Harunit a.s. që të shkojnë tek Faraoni për ta ftuar në fenë e drejtë edhe atë mu brenda pallatit të tij:"Shkoni që të dy te Faraoni, se ai vërtet e ka tepruar. Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet (nga All-llahu)". (Kur`ani, 20:43-44)

Për të pasur efikasitet në këtë drejtim ne nuk guxojmë të lejojmë që xhaminë ta administrojnë vetëm 6/7 vetë, të cilët kresisht nuk veprojnë asgjë dhe presin punë e aktivitet vetëmse nga kryetari i xhamisë. Duke qenë se s’duhet të ketë vend për strëngarkime individuale, imami dhe kryesia duhet të formojnë urgjentisht trupën operative që në mënyrë konstante do të veprojë në terren. Trupa operative duhet të përbëhet nga anëtarë të devotshëm e besnikë nga të gjitha nahitë e krahinat shqiptare. Në këtë mënyrë punët përshpejtohen në mënyrë të sukseshme për arsye se njerëzit vendasë njihen mirë mes veti dhe kanë ndikim në njëri tjetrin. Madje ata e dinë më së miri se në ç’kohë njerëzit i vjelin frytet e punës (kur i marrin rrogat). Për më tepër, puna ekipore e ekspeditive ka dhënë gjithnjë rezultat. Anëtarët e trupës operative pajisen paraprakisht me blloqe fletëpagues, të verifikuar e të vulosur nga kryesia qendrore e xhamisë. Dhe, natyrisht, kjo trupë i jep llogari rregullisht qendrës.

Kështu ne patëm vepruar para 6 vjetësh në Berlin, ku trupa operative prej 32 anëtarësh me në krye imamin pat trefishuar numrin e anëtarëve të xhamisë në një afat rekord prej 6 muajsh. Kjo ishte një e arritur kolosale, të cilën xhamia s`e kishte parë 17 vjetë më parë.Veçanërisht do të theksoj faktin që unë dhe Haxhi Mejdiu (nga Radusha - themelues i parë i xhamisë në Berlin dhe kryetar për shumë vite i saj) ishim në ballë të kësaj trupe operative. Ishim në ballë të aksionit. Ne dyt nuk kemi lënë vendbanim, rrestorant, kafene, klub, shoqatë etj,. pa vizituar. Shpesh herë komunikonim me mërgimtarët tanë në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore, i informonim për mësimet më thelbësore islame dhe u dhuronim falas literaturë fetare, njëkohësisht. Dorën në zemër, pa kurrfarë qëllimi për t'u vetëlavdëruar, por është fakt i pamohueshëm që unë dhe Haxhi Mejdiu ishim ata që senzibilizuam besimtarët e xhamisë për të vënë xhaminë "Isa Beu" në shërbim të përkrahjes së luftës së UÇK-së në Kosovë, pikërisht në kohën kur klubi Bajram Curri u mbyll me vendim gjyqësor. Kësokohe, xhamia jonë ishte vatër e patriotizmit dhe atdhedashurisë. Kështu vepruam edhe përgjatë zhvillimit të luftimeve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si dhe në Maqedoni. Aty mblodhëm qindra mijëra euro për t'i furnizuar me pushkë e barut trimat tanë luftëtarë të ushtrive çlirimtare kombëtare.

Ta zëmë, me të përfunduarit e luftërave të fundit në atdhe, shumë kush prej nesh (veçan ata që kanë halë në sy shtëpitë e Zotit) pat menduar se do të zvogëlohet numri i anëtarëve të xhamisë. Jo, përkundrazi! Ne vetëm se e patëm trefishuar numrin e xhematit. Kjo, thjesht, meqë xhamia jonë i paraprinte çdo aktiviteti pa fije përtese. Praktikisht xhamia, kësokohe, qe shndërruar në klub  në vatër të të gjithë shqiptarëve. Kësokohe meditoja në vetëvete: "Zot, të qofshim falë, po kur lloj-lloj lëvizjesh ideologjike majtiste marksisto-leniniste e maoiste "përpiqen" të bëjnë diçka për çështjen kombëtare, përse të mos përpiqemi ne, besimtarët  LËVIZJA XHEMATORE, që në emër të Perëndisë t`i shërbejmë kauzës sonë të drejtë kombëtare!" Apo, ate që unë shpesh e theksoj: "Po kur edhe popat antikrishtë serbë me kishat e tyre obskure svetisaviane vehen në shërbim të luftës së tyre të fëlliqur e satanike (duke i bekuar masakrat e çetnikëve mbi popullsinë duarthatë e civile shqiptare!), atëherë përse ne të mos vehemi në shërbim të luftës sonë të drejtë dhe të pastër! Ne nuk manipulojmë me shenjtëritë tona fetare, ndërsa ata manipulojnë keqas me shenjtëritë e tyre sllavo-ortodokse".

Kësisoji arritëm në mënyrë të sukseshme që nën kulmin e Shtëpisë së Perëndisë të bashkojmë të gjithë shqiptarët pa dallime krahinore e fisnore, pa dallime ideologjike e politiko-partiake, tamam sikur një LOBI.

Dhe, rezultatet e punës sonë titanike i vjelëm më pastaj, duke u anëtarësuar shumica e shqiptarëve në xhami.

Madje, këtu do theksuar edhe një fakt tjetër jashtëzakonisht interesant. Po t`u bësh një inspektim anëtarësive të xhamive të diasporës do të konstatosh një fenomen të çuditshëm. Kudo që të shkosh xhamive të diasporës, me ca përjashtime të vogla, do të vëresh se kryesisht 80/90 % të anëtarëve dhe vizitorëve të tyre janë shqiptarë nga Maqedonia, 10/20 % janë nga Kosova. Nga ana tjetër, kudo që të shkosh klubeve a shoqatave të ndryshme kulturo-arstistike e arsimore shqiptare do të vëresh se situata është krejt e kundërt me atë të xhamive: ka më shumë anëtarë e frekuentues nga Kosova se sa nga Maqedonia.

Kjo situatë na ka brengosur jashtëzakonisht shumë, sepse në mënyrë të përçudshme krijonte (në ca vende akoma krijon) jaze ndarjesh e krahinarizmash mes vëllezërve tanë shqiptarë (duke thumbuar njëri-tjetrin me fjalët e zakonshme përçmuese: "Ata të Maqedonisë nuk janë patriotë...janë "torbeshë"!?"; "Ata të Kosovës janë laikë në fe...janë "llatinë"!?"). Kjo brengë, zatën, na nxiti që të punojmë palodhshëm në drejtim të zhdukjes së këtij fragmentarizmi. Dhe, pas një pune sistematike, ekipore e me një plan të përgatitur mirë, brenda një viti arritëm që në xhaminë „Isa Beu" dhe në Klubin „Bajram Curri" të Berlinit të baraspeshojmë numrin e anëtarësisë së tyre dhe shqiptarët të ndjehen mirëfilli vëllezër, pa kurrfarë ndarjesh e provincializmash. Por, mos të harrojmë, kjo nuk u arrit me shkop magjik. Ne, administratorët e xhamisë, në bashkëpunim me kryesinë e klubit ishim bashkë me masën në luftë dhe në paqe, në gëzim dhe në hidhërim, në kamje dhe në vuajtje e mjerim, thjesht në çdo aktivitet.

Do të rrëfej një shembull eklatant. Më 1997, udhëheqësit e xhamive në Gjermani me në krye qendrën tonë në Hamburg, ndërmorën një aksion për të grumbulluar mjete për Universitetin e Tetovës. Nga të gjitha qendrat fetare, ne, në Berlin, thyem rekordin me 2300 DM të grumbulluara. Në pyetjen e koordinatorit tonë, Zulhajrat ef. Fejzullahu, se si ia arritëm këtij rezultati, iu përgjigja: "Ne, në Berlin, të gjithë kemi vepruar sikur një trupë e unjësuar. Mjetet i mblodhëm në bashkëpunim të ngushtë me klubin „Bajram Curri", me fondin e Universitetit të Tetovës-nëndega e Berlinit, me klubin futbollistik „Liria", me teqen „Yjet e Ehli Bejtit", me Unionin e Studentëve Shqiptarë, me shoqatën arsimore „Dituria" etj". Në xhamitë e tyre, ndërkaq, ishte mbledhur shumë pak, kurse në njërën fare hiç. Në pse-në e koordinatorit, imami u përgjigj me fodullëk: „Xhemati im është irituar shumë për faktin se rektori i UT-se, dr. Fadil Sulejmani, ka hyrë në xhaminë tonë e nuk është falur!?"

O Zot, thash më vete, po në ç`kahe e shpiejne popullin tonë soji i këtyre imamëve?! Po çfarë lidhjeje, pashë Zotin, ka falja apo mosfalja e një individi me ngritjen dhe mirëmbajtjen e një tempulli shkencor-arsimor?!

Mjerisht, nëpër shumë xhami anëtarët e kryesive shërbejnë si kukulla statike. Ata tregohen fund e krye pasivë dhe egocentrikë. Nuk komunikojnë dot me masën dhe pandehin se vetëm me „amin" do të „pikin" anëtarët nga qielli! Sa rëndë vetëmashtrohen! Këta mjeranë duhet të dine se kështu nuk veproi as vetë Profeti fisnik. Vetë Muhammedi a.s. personalisht i përvjeli mëngët dhe iu përvesh gjithanshmërisht punës plot 23 vjetë së bashku me shokët e tij besimdrejtë, as’habët, për të komunikuar të vërtetën qiellore ndër njerëz.

Sa irituese, o Zot, më duken fjalët e tyre të shprehura jo rrallë herë në opinion: „ Po, ç`tju bëjmë njerëzve që s`paguajnë asnjë metelik për Fe dhe xhami! Ata e dinë vetë se ku gjendet dera e xhamisë! Apo fjalët e tyre defetiste: „U kemi thënë të paguajnë, por nuk na e varin veshin dot! Aman me këta njerëz, të dalë faresh, nuk punohet!" Druaj se këta udhëheqës xhamish, duke u humbur kështu durimin, do të pësojnë fatin e profetit Junus a.s.: do të përfundojnë "në stomakun e balenës"!

Le të lexojmë me vëmendje këshillën kur`anore: "Po ti (Muhammed), bëhu i durueshëm ndaj caktimit të Zotit tënd, e mos u bën si ai i peshkut (Junusi) në kohën kur pat thirrur (Zotin) dhe ishte i mllefosur. Sikur të mos i afrohej atij mëshirë nga Zoti i tij, do të hidhej në shkretëtirë i demoralizuar". (El-Kalem, 48-49)

"

Dhe atë (Junusin) e kafshoi (e gëlltiti) peshku, zatën ai ishte që e meritoi qortimin. E sikur të mos ishte ajo që ai kishte qenë prej atyre që shumë e përmendin Zotin, ai do të mbetej në barkun e tij deri në ditën e ringjalljes". (Es-Safaté, 142-144)

Këtyre zotërinjve „efendilerë" duhet t`u vehet në dijeni deviza për sukses ekonomik:

"Në rradhë të parë duhet të japim, përkatësisht të investojmë për të marrë ose vjelë rezultatet më pastaj!"

Shtrohen pyetjet e logjikshme:

Sa kemi dhënë ne për hirë të Zotit në drejtim të shtrirjes së Fesë ndër njerëz?

Sa i vizitojmë besimtarët tanë ?

Sa i vizitojmë veçanërisht të sëmurët dhe të burgosurit?

Sa u vehemi në ndihmë hallexhinjve, të hendikepuarve, të varfërve dhe jetimëve?

Sa aktivitete, tribuna, kuize a kurse të ndryshme kulturo-arsimore kemi organizuar me fëmijët dhe rininë tonë?

Çfarë aktivitetesh fetare u kemi ofruar motrave tona?

A u kemi ofruar literaturë fetare gratis joanëtarëve të xhamise? A u kemi dhuruar atyre ndonjë CD a DVD me ligjerata fetare?...dhe sërë pyetjesh të tjera.

Asgjë s`ndërmarrim në këtë drejtim dhe, për më keq, ndodhë të deklarojmë zëshëm: "Jo, jo, nuk ia pastrojmë, nuk ia falim dhe nuk e varrosim sipas parimeve fetare atë mysliman të vdekur (xhenazen) që nuk e ka paguar anëtarësinë!"

Sa për digresion, për të konfirmuar këtë, do përmend një rast shumë të hidhur që pat ndodhur në Berlin, aty diku nga viti 2009, kur unë isha përkohësisht në Zvicër me punë predikimi. Dy banesa shqiptarësh morën flakë. Mjerisht disa ndërruan jetë e disa pësuan djegie të thella. Paramendoni (o Zot!), në kërkesën për të kryer liturgjitë fetare për të vdekurit, drejtuar qendrës islamike shqiptare në Berlin, disa nga kryesia e xhamisë përgjigjen negativisht: "Nuk kryejme ritet fetare (pastrimin dhe faljen e namazit kufomave), sepse ata nuk kanë qenë anëtarë të xhamisë sonë!!!" Përfundimisht ritet fetare i kryen një imam i huaj arab, me ç'rast prezent ishin plot shqiptarë dhe gjermanë.

O Zot, sa të vrazhdë e të pandjenja janë këta njerëz?! O Zot, po çfarë besimtarësh e myslimanësh janë përfaqësues të tillë xhamish, që pikë loti nuk kanë në sy e as fije ndërgjegje religjioze në shpirt!!!!!?

Në rregull, dihet fakti se tek ne xhamitë vetëfinancohen nga kontributi vullnetar i besimtarëve tanë, ndërkohë që nga qeveritë shtetërore nuk marrin asnjë metelik për Fe, por ama administratorët e xhamive nuk duhet të sillen në mënyrë të vrazhdë e me një fjalor vullgar me njerëz, sikundër nuk i ka hije fare myslimanit.

Zatën qysh si fëmijë ky soj "efendilerësh" më ngjallnin pezmin e neverinë. Çdoherë që vizitoja xhaminë më ndodhte t`i shihja të mrrolur, të vrenjtur, të krekosur dhe, si të tillë, më bënin përshtypjen sikur xhamia të qe pronë e tyre private. Të këtillët, ruana Zot, edhe fenë "ta gerditin"! Prandaj, s`është për t`u çuditur që një numër i madh i besimtarëve nuk anëtarësohen nëpër xhami (për shembull në Shkup vetëm 27 % të familjeve myslimane paguajnë obligimin e anëtarësisë nëpër xhami dhe në Bashkësinë Islame). Prandaj, pason edhe ajo më tragjikja: një numër jo i vogël i myslimanëve tanë të luhatshëm kalojnë në kristianë, në jehovistë, në adventistë etj. Kjo nuk është një frazë e thënë ashtu kuturu. Kjo është një e vërtetë e hidhur me të cilën jam ndeshur vetë personalisht, si në vendlindje, ashtu edhe jashtë në diasporë.

Paramendoni, vallë si do të ndjeheshim ne po të venim në ndonjë kishë ? Ç`përshtypje do të fitonim? Si do të na prisnin ata? Kuptohet, vetëm me buzëqeshje e mikëpritje të ngrohtë.

Përkundrazi, udhëheqësit e xhamive duhet t`i karakterizojë morali dhe

edukata e Profetit tonë fisnik, Muhammedit a.s.: zemërgjerësia, buzëqeshja në fytyrë, mëshira, modestia, përkorja etj. Të lexojmë me vëmendje :

« Juve ju erdhi i dërguari nga lloji juaj, atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët ».

(Tevbe, 128) 

« Ti (Muhammed) ishe i butë ndaj tyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërngurtë, ata do të largoheshin prej teje... ».

(Ali Imran, 159) 

« Buzëqeshja yte para vëllait tënd është sadaka (akt bamirësie) »

(Sunen ut-Tirmidhi)

Mbi të gjitha, administratorët fetarë duhet fillimisht të diagnostifikojnë "sëmundjen" që mbretëron në mesin e myslimanëve tanë. Kjo, do të thosha, është primare. Cila është ajo "sëmundje" që i shtyn myslimanët tanë të mos anëtarësohen nëpër xhami dhe të mos i vizitojnë të njëjtat? Përgjigjja kuptohet: imani i dobët i tyre dhe "gafleti" (gjumi, indolenca, amullia, pasiviteti) fetar. Do të thotë ne duhet në mënyrë të organizuar dhe vazhdimisht të punojmë në drejtim të zgjimit ose sforcimit të imanit të tyre. Dhe, tek më pastaj, IMANI është ajo fuqia motorike që vëndon në lëvizje individët myslimanë, që i zgjon nga gjumi dhe pasiviteti i skajshëm fetar dhe i bën subjektë aktivë në bashkësinë myslimane.

Mos të harrojmë kurrë lekcionin krahasues të logjikës predikuese në mes të profetit Ibrahim a.s. dhe Muhammedit a.s., (të cilin po e përsëris këtu) që është shumë aktual për rrethanat tona: Ibrahimi a.s. përdori metodën revolucionare në predikimin e fesë ndër njerëz. Nëpërmjet të shpartallimit brenda nate të hyjnive e idhujve të rrejshëm në tempull, ai vetëm që ngjalli ca më shumë pezmin dhe neverinë e idhujtarëve të kohës së tij, duke e futur atë në turmën e zjarrit. Ndërkaq, profeti Muhammed a.s., në anën tjetër, përdori metodën evolutive të të predikuarit duke i shpënë njerëzit në atë stad, në atë shkallë vetëbindjeje që ata vetë, me duart e tyre, pas 23 vjetësh, do të shkatërrojnë hyjnitë dhe idhujt e tyre, që ndër shekuj i kishin instaluar në Qabe dhe përreth saj. Dhe, rrjedhjimisht ata, me vetëdëshirë, grupe-grupe do të futen në fenë e drejtë  në Islam.

 

Në xhami duhet të ketë atmosferë të gjallë dhe atraktive

 

Në xhami krahas vendeve për shërbesa e ibadete fetare duhet pasur edhe vende të tjera separat për aktivitete shkencore e arsimore, për aktivitete të larmishme sportive e për lojëra të ndryshme, kabinete kompjuterësh dhe bibliotekë sa më të pasur në mënyrë që të tërheqim sa më shumë të rinjë dhe intelektualë në xhami, në mënyrë që të shtojmë numrin e anëtarëve në xhami. Po të kemi tërhequr një intelektual në xhami ne, në fakt, kemi tërhequr pas tij dhe dhjetëra të tjerë. Kjo vetëkuptohet, sepse intelektuali është në gjendje që nëpërmjet të diapazonit dhe diskursit të tij të pasur shkencor e filozofik të bindë edhe shumë individë të tjerë. Vallë, a nuk iu lut Zotit vetë Profeti ynë që të pranojë fenë njëri nga dy fisnikët, inteligjentët e dinjitarët mekas, Ebu Xhehli apo Omeri r.a.? E, Zoti ia pranoi lutjen me kalimin në Islam të Omerit r.a., i cili më pastaj do të japë kontributin kolosal për Fenë tonë. Vallë, a nuk kishte Profeti rreth vetes poliglotë (që dinin shumë gjuhë të huaja), korrespondentë të shumtë, të cilët i shfrytëzonte për t`i ftuar në fe mbretërit e asokohshëm? Vallë s`e kishte rreth vetes arkitektin brilant, Selmani Farisiun, i cili hartonte planet strategjike për luftë? Vallë nuk kishte rreth vetes komandantë brilantë të tipit të Halid bin Velidit e komandantë dhe dijetarë të shkëlqyer të tipit të Aliut r.a.? Vallë, madje, nuk kishte rreth vetes këshilltarë e biznesmenë të tipit të Ebu Bekir Siddikut? E shumë e shumë të tjerë specialistë fushash të ndryshme.

Për të pasur sukses në këtë drejtim, ti, si anëtar i kryesisë së xhamisë apo si imam, ta zëmë, postojau nga një letër intelektualëve të rrethit tënd ku do t`i ftosh në mënyrë solemne në ndonjë tribunë debative a tryezë të rrumbullakët për të rrahur ndonjë temë aktuale fetare, shkencore a filozofike? Këtë letër postojau edhe kryesive të shoqatave e klubeve, zyrtarëve të ambasadave a konsullatave vendase, korrespondentëve të gazetave a mediave ekzistuese elektronike. Në ndërkohë merr edhe ti pjesë aktive në të tilla aktivitetesh çdoherë kur të jesh ftuar nga të tjerët. Do të thotë, krijo sa më shumë lidhje miqësore me intelektualë profilesh të ndryshme dhe përfaqësues asociacionesh të ndryshme. Vetëm në këso mënyrash mund të shpresojmë në rezultate praktike. Kurse ti, imam i nderuar, përpiqu që të premteve, në predikimet tuaja (në hytbe), të jesh sa më aktual, bindës, i rrjedhshëm dhe konciz. Vetëm kështu mund të përvetësosh zemrat e njerëzve në Fe e xhami. Herë-herë, madje, dil nga „petku klerikalesk" jashtë në masë, zbrit poshtë tek të rinjtë dhe njerëzit hallexhinj, solidarizohu me ta dhe ofroju ndihmë, shpresë e ngushëllim. Kryej falas shërbimet fetare për varfënjakët dhe jetimët. Pra, thjesht, dil nga soji i hoxhallarëve „xhenazexhi" e „bakllavamenë", që për aktivitete fetare njohin vetëm „mevlydet", „jasinat" dhe „qelimet". Edhe ju, efendilerë të Bashkësive Islame dhe profesorë të Medreseve e Fakulteteve të Shkecave Islame, dilni ndonjëherë nga „rrethet kabinetike", "nga kullat e fildishta", nga fotelet e buta e të nxehta në mes të xhemateve, besimtarëve, rinisë dhe masës së gjerë popullore dhe sakrifikoni më shumë për rilindjen islame.

Jo rrallë herë më ka ndodhur që shumicën e tribunave fetare e shkencore (në kohën kur kisha përgjegjësinë për të organizuar tribunat në nivel republikan në Maqedoni) t`i organizoj edhe jashtë xhamisë, në ndonjë lokal tjetër, në shkollë, në teatër apo nëpër lokale komunale. Kjo sepse kishim më tepër sukses. Tjesht, në të këtilla vende njeriu s`është i detyruar të marrë abdest apo të kryej ndonjë liturgji fetare, punë këto që vështirësojnë shumë pjesëmarrjen e ndonjë intelektuali apo të riu në xhami, të cilët s`kanë njohuritë më thelbësore islame. Ata thjesht u përtojnë këtyre punëve. Tribuna më e sukseshme, për shembull, na doli ajo që patëm organizuar (në kuadër të Bashkësisë Islame të Maqedonisë) në sallën e Teatrit të Kombësive në Shkup më 1996, në temën: „Aktualiteti i Fesë Islame në rrjedhat bashkëkohore". Ligjërues: shkencëtarë profilesh të ndryshme, publiku: qindra pjesëmarrës dhe dhjetëra korrespondentë gazetash e mediumesh elektronike. Më pastaj, temat nga kjo tribunë u botuan në një libërth të veçantë në kuadër të Bashkësisë Islame.

Rezultatet në terren na kanë rrëfyer më vonë për faktin se një numër i madh i intelektualëve dhe i të rinjve janë bërë anëtarë të devotshëm e besnikë xhamish.

Sa për digresion po jap një shembull të thjeshtë por shumëdomethënës e instruktiv. Një xhematliut tim një ditë i thashë: „Përse ti paguan anëtarësinë e xhamisë kur dihet se vëllai yt më i madh është veçmë anëtar i kahmotshëm?" M`u përgjigj në frymën islame: „Më fal hoxhë, por kur të vdes unë nuk do të hyj në një varr me tim vëlla! Ai paguan (sadakë) për shpirtin e tij e unë për timin". Më la pa tekst. "No coment" - thash më vete.

Të merremi vesh, myslimanët elitë e paguajnë me përpikmëri, në çdo kohë dhe rrethanë shumën e përcaktuar të anëtarësisë (madje, herë-herë japin edhe më shumë). Dhe, ata këtë e bëjnë ekskluzivisht për hirë të All-llahut xh.sh., largë mendjemadhësisë a interesave të kësobotshme. Ai, pra, nuk e paguan anëtarësinë për hirë të imamit. Imamët shkojnë e vijnë, ndërrohen, kurse ai qëndron stabil në rrugën e All-llahut xh.sh. Besimi i tij është i lidhur fuqimisht për Zotin e Madhërishëm dhe vetëm Atij i përkulet në shtëpi, kudo në natyrë dhe në shtëpitë e Zotit  në xhami. Dhe me këta myslimanë të përkryer ne nuk kemi pse të merremi. Ne duhet të merremi me ata myslimanë që kanë rënë në letargji të thellë e u është ndryshkur imani.

Do të thotë duhet të bëjmë sa më shumë „werbung" (reklamë) në favor të Fesë dhe xhamisë. Xhaminë duhet ta bëjmë në të ardhmen ELEKTRONIKE. Çdo xhami sot duhet të ketë webfaqen e vet në internet: xhamia të kompjuterizohet urgjentisht. Së këndejmi edhe dijetari me famë botërore, dr. Jusuf Kardavi shqiptoi fetvanë nëpërmes të cilës detyrohet çdo mysliman bashkëkohorë të inkuadrohet aktivisht në rrjetin e INTERNETIT.

Paj, dreqi ta marrë, pse ne të mos merremi me „werbung" të mësimeve të Fesë sonë të ndritur ndërkohë që hebrenjtë edhe me një „kikirikë" të prodhuar po t`i nxjerrin sytë me „werbung" në TV edhe atë në çastet e shfaqjes së ndonjë filmi të rëndësishëm artistik apo të ndonjë ndeshjeje të madhe sportive botërore.

Nuk do të ishte kurrfarë suksesi sikur të arrinim të krijonim një fond vetëm sa për të mbuluar shpenzimet më të domosdoshme të xhamisë. Sukses i mirëfilltë do të ishte sikur të arrinim të krijonim një fond të pasur mjetesh sa të arrinim të zhvillonim edhe aktivitete e veprimtari shtesë për zhvillim sa më në nivel e më cilësor të jetës fetare islame, si p.sh.:

- të themelojmë shtypshkronjat tona për botim librash, buletinesh e gazetash,

- të pasurojmë bibliotekat me tituj të rinj librash,

- të hapim klasa për zhvillim cilësor të procesit edukativo-arsimor islam, duke i pajisur ato me inventare sa më moderne,

- të prodhojmë CD,DVD e kaseta filmash e ligjëratash të llojllojshme,

- të hapim web-faqe tonat zyrtare,

- të themelojmë shoqata bamirëse humanitare,

- të organizojmë kurse për mësimin e kompjuterit dhe të gjuhëve të huaja

etj.

Pra, të bëjmë gjithçka që në xhami të ketë atmosferë të gjallë e atraktive. Në këtë drejtim duhet të angazhohen jo vetëm imamët, myezinët e kryesitë e xhamive, por të gjithë xhematlinjt, pa dallim.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme