Horizonti i Europës

image

 

 

Teksa eurozona përballet me sfida të ngutshme nga Greqia gjer në Spanjë e Itali, fati i Europës është përsëri në rrezik. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, udhëheqësja e ekonomisë më të madhe dhe më të fuqishme të Europës për momentin, paralajmëroi në një sërë rastesh që nga vitit 2011 se “Nëse dështon euroja, dështon Europa.” Në fakt, nëse euroja dështon, do të dështonin shumë gjëra të tjera. Ky arsyetim ekonomik ka shumë për të treguar mbi idenë e Europës. Një pjesë e mirë e asaj që e mban bashkë Europën varet nga fuqia e monedhës së saj. 

Për të qenë të ndershëm, Merkeli po shprehte një ide më të madhe, me efekte të rëndësishme për të ardhmen e Europës. Duke iu referuar krizës së eurozonës dhe rolit të Gjermanisë në të, ajo tha: “Në planin afatgjatë, Gjermania nuk mund të jetë e suksesshme nëse edhe Europa nuk po shkon mirë.” Kjo thënie e thjeshtë në dukje zbulon një të vërtetë të rëndësishme mbi marrëdhënien me zigzage midis shteteve-kombe moderne dhe nevojës për të qenë më shumë se një shtet-komb për sigurinë dhe mbarësinë e tyre. Gjermania është një shtet-komb tipik, por, si një anëtare e BE-së, është më shumë se kaq; një fakt që vlen për të gjithë anëtarët e çdo klubi të fuqishëm. 

Duke adoptuar këtë linjë politike, Gordon Brown, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, shprehet se “kursi i vërtetë patriotik për Britaninë” është të mbetet pjesë e Bashkimit Europian dhe “të udhëheqë nga brenda”. Brown-i i referohet referendumit të vitit të shkuar për Skocinë dhe i bën apel popullit britanik që ta mbajë bashkë Europën me Britaninë në të. Europa ndesh sfida të mëdha në politikat e eurozonës, në emigracionin, racizmin, islamofobinë dhe në një ndjenjë në rritje të palidhurisë në çështjet globale. Udhëheqësit europianë më tepër nuk pajtohen se janë në një mendje mbi çështjet kyçe të politikës së jashtme, të ekonomisë dhe emigracionit. Horizonti intelektual dhe kulturor i Europës ngjan të jetë duke u ngushtuar, e jo duke u zgjeruar. Çdo krizë e madhe ekonomike do ta bëjë Europën ta hedhë më tepër se kurrë vështrimin përbrenda dhe do të krijojë ndarje të thella brenda hartës shoqërore dhe politike të Europës.  

Me një zë alarmues, Timothy Garton Ash shkroi se “Europa po shqyhet” për sa i takon krizës së eurozonës, por “...tortura do të jetë e ngadaltë”. Kjo do të thotë se kriza ekonomike, po qe se nuk trajtohet shpejt dhe siç duhet, do të “vazhdojë të shkaktojë vuajtje dhe ta ndajë veriun nga jugu”. Ky debat, njëherësh politik dhe ekonomik, nuk është i kufizuar me mënyrën si grekët ose italianët e shohin veten të trajtuar nga veriu i Europës. Ai gjithashtu ka të bëjë me Turqinë. Kjo e fundit është pjesë e territorit ekonomik europian, ndërsa me Europën e lidh mbi 45 për qindëshi i tregtisë së saj të jashtme. Ngritja e fundit e dollarit ndaj monedhave të tjera, duke përfshirë euron dhe lirën turke, paraqet sfidë për ekuilibrin ekonomik të Turqisë dhe Europës. Çdo lemzë në zonën ekonomike europiane do t’i shqetësojë ekonomitë e Afrikës, të Lindjes së Mesme dhe Azisë. Në frontin politik, lidhja e Europës me sfidat kyçe globale të botës ka për t’u bërë përsëri një çështje diskutimi për sa ka të bëjë me sigurinë e energjisë, krizën në Ukrainë, luftën në Siri, numrin gjithmonë në rritje të refugjatëve sirianë, terrorizmin e Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS) dhe me procesin e paqes palestineze. Ashtu siç e diskutova këtu më parë, pasojat shkatërrimtare të shteteve të dobëta dhe të dështuara rreth e qark botës do të përbëjnë sfida serioze sigurie për Europën dhe aleatët e saj. 

Në fund të ditës, ajo çka mund të bëjë ose që ka për të bërë Europa varet prej asaj se çfarë mendon ai mbi veten si një fuqi botërore. Lindja e Europës është e bashkështrirë me lindjen e “idesë së Europës”. Europa lindi kur u bë e vetëdijshme për veten si një entitet i dalluar, me një identitet të veçantë. Sipas Federico Chabod-it, historianit italian që shkroi në vitin 1947 një nga librat e parë mbi “idenë e Europës”, “koncepti i Europës është formuar nga qëndrimi kundër ndaj gjithçkaje që nuk është Europë dhe kërkon karakteristikën e vet ... përmes një përplasje me atë çka nuk është Europë.” 

“Europa” e ka ndërtuar në historinë e saj të gjatë një identitet të vetin në kundërvënie ndaj “të tjerëve”, si për shembull, ndaj “barbarëve”, pra jogrekëve, persianëve, aziatikëve, zezakëve, “saraçenëve”, pra arabëve dhe muslimanëve, turqve, indianëve, kinezëve e kështu me radhë. Kjo marrëdhënie e paqetë me “tjetrin”, si identitet kundërvënë, ka goxha ndikim në historinë e idesë së Europës. Ajo ka dhe një vend interesant në mitologji. 

Sipas një historie të famshme në mitologjinë e lashtë greke, emri “Europë” vjen nga rrëmbimi dramatik i Europës, vajzës së mbretit fenikas që sundonte mbi pjesë të Mesopotamisë dhe Levantit, nga Zeusi i goditur nga dashuria, i cili ishte shfaqur në formën e një demi të bardhë për ta ngashënjyer dhe rrëmbyer princeshën e bukur. Zeusi e mori Europën në Kretë, ku ajo u shtrëngua të bëhej nënë, me çka do të njihej si Europë. Historia e parë e vetëdijshme e Europës fillon kështu në Azi, me rrëmbimin e një princeshe fenikase. 

Por, nuk duhet shkuar më tej me mitologjinë. Historia e Europës, megjithatë, thotë diçka mbi marrëdhënien e trazuar midis Europës dhe Azisë. “Europa” nuk ishte parë si një kontinent më vete deri në epokën moderne, por qe konsideruar një zgjatim i masivit tokësor aziatik. Kjo na sjell në një domethënie tjetër të “Europës”. 

Fjala “Europë” rrjedh nga fjalët greke “eurys”, me kuptimin i gjerë dhe “opsis” apo “optikos”, me kuptimin: sy, shikim, ose pamje. Fjalë për fjalë, “Europë” nënkupton dikë që sheh larg, i referohet dikujt “largpamës”. Meqë ideja e Europës u kristalizua në kundërvënie ndaj të tjerëve, që nuk e përfaqësonin atë, Europa “largpamëse” është ironike dhe sugjestive. Prapëseprapë, Europa ka nevojë më shumë se kurrë për një vizion largpamësie.

 

*Artikullshkruesi është zëdhënësi i presidentit të Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan.  

 

Përktheu:

Bujar M. Hoxha    

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme