MBETJET NEOKOLONIALE DHE NEOLIBERALIZMI I SHPIFUR PO PRODHOJNË GAZETARI TË ÇORODITUR


Gjashtëmbëdhjetë vjet pas instalimit të prezencës ndërkombëtare në Kosovë (qershor 1999)  është krejt e lehtë të konstatohet se medieve dhe gazetarisë shqipe që nga fillimi  i instalimit të saj e deri sot u është imponuar një kombinim i çoroditur i neokololializmit me neoloberalizmin, që bashkërisht kanë prodhuar medie e gazetari klienteliste,  herë ehrë edhe me prirje të hetueshme antishtet. Prirjen antishtet e kanë trashëguar nga neokololializmi, ndërsa tash e faturojnë si vlerë të neoliberalizmit, duke u fshehur gjoja pas komercializmit dhe lirisë së pakushtëzuar. Natyrisht alibia e rreme mund të bëhet para atyre që nuk e kuptojnë këtë skemë, por jo edhe para publikut e qytetarëve të mirëinformuar lidhur me natyrën e neokolonializmit, të neoliberalizmti dhe të surrogateve që prodhohen prej tyre si produkte mediale. Çka është neokololializmi në rastin e Kosovës dhe si u përthye në medie dhe në gazetari? 


 

Rrënjët e taktikave neokoloniale mbi mediet shqipe në Kosovë  

 

Karakteristika e neokolonializmit në planin medial, fillimisht u manifestua me sulmin brutal ndaj medieve të mëhershme shqipe, gazetës “Rilindja” dhe Radiotelevizionit të Prishtinës. Mbyllja e gazetës “Rilindja” duke e dëbuar edhe nga objektet e veta dhe shkatërrimi i dokumentacionit të sajnga OSBE-ja, ka pasur brenda vetes elemente kulturocidi. Ndërsa, zëvendësimi i Radiotelevizionit të Prishtinës me një transmetues emergjent për nevojat e UNMIK-ut, ka qenë në funksion të krijimit të një spektri të ri medial, i cili do të ngrihej mbi një amnezion për të kaluarën dhe në shërbim të verbër për prezencën ndërkombëtare në Kosovë. Ndalimi i gazetës “Dita” më 2 qershor 2000, me  urdhërin e  Përfaqësuesit Special, Bernard Kushnerit për raportimin e saj një paramilitar të maskuar si personel i UNMIK-ut, e legalizoi represionin neokolonialist të UNMIK-ut edhe mbi mediet e reja shqipe. Këto praktika neokoloniale u mbuluan  “ligjërisht” si me një gjethe fiku  me rregulloret tipike neokoloniale, 2000/4 dhe 2000/36 e 2000/37, që gjoja synonin pengimin e intolerancës etnike, racore e fetare, por që në fakt e formuan shtratin e Prokrustit për gjithë medien shqipe në Kosovë. Nga aspekti i interesit shtetëror e nacional të trupëzuar në medie, ky dëm i shkaktuar nga mbyllja e medieve me traditë shqiptare dhe me aplikimin e rregulloreve diskriminuese, nuk është kompensuar asnjëherë deri sot. Në fakt, prezenca ndërkombëtare, me OSBE-në në rolin kryesor, (ishte përgjegjëse për “formimin e institcioneve”) u  ka imponuar medieve shqipe të Kosovës një regjim të ashpër të injorimit të vlerave kulturore e nacionale dhe të trashëgimisë shqiptare në përgjithësi. Me vite të tëra “eskpertët” e OSBE-së kanë mbajtur nën kontroll e presion pronarët dhe redaktorët e medieve, duke u dhënë herë këshilla e herë urdhëra se si të hartojnë politikat editoriale dhe si të ndërtojnë agjendat e raportimit në pajtim me frymën e politikave të prezencës ndërkombëtare në Kosovë. Presioni disavjeçar, i shoqëruar edhe me favore e donacione për të dëgjueshmit, ka prodhuar një shkallë të lartë varësie e dëgjueshmërie te shumë prej tyre. Ky trend është bërë edhe më i ashpër në prag të pavarësimit të Kosovës dhe ka vazhduar edhe pas pavarësimit të saj në vitin 2008, me synimin e fortë që të eliminohet çfarëdo mundësie që Kosova e pavarur të ketë ndonjë parashenjë të shtetit nacional të shqiptarëve. Vetë Plani Gjithëpërfshirës i Marti Ahtisarit, i cili shërbeu si themel për pranimin e shtetit të pavarur të Kosovës, eliminoi çdo element të shtetit nacional. Kosovën e propozoi si shtet multietnik, me një status skajshmërisht të favorizuar të bashkësisë serbe dhe me një status të “shtetit në shtet” për Kishën Ortodokse Serbe. Propozimet e planit të Ahtisarit u inkorporuan në Kushtetutën e Kosovës, e cila është në fuqi edhe sot. Për shkak të eliminimit të institucioneve kryesore mediale, injorimit të traditave dhe vlerave nacionale shqiptare dhe për shkak të imponimit të një izolimi në formë karantine për Kosovën, shteti i pavarur i Kosovës nuk po arrinë ta marrë veten. 

 

Mburrja mazohiste e medieve mejnstrim 

 

Presioni i tashëm neokolonial i Brukselit, si në planin ekonomik ashtu edhe në atë politik dhe mbajtja nën presion me raportet e shpifura tremujore të sekretarit të OKB-së në Këshillin e Sigurimit, kanë prodhuar apati e paralizë në shoqërinë e Kosovës. Ky realitet bllokues ka sjellë si pasojë adoptimin ose edhe nënshtrimin e elitave dhe të institucioneve, duke përfshirë edhe mediet. Mediet mejnstrim që si të tilla operojnë aktualisht në Kosovë, më shumë e kanë preokupim t’u bëjnë qejfin institucioneve ndërkombëtare, se sa të informojnë në mënyrë korrekte dhe të afirmojnë vlerat dhe interesat nacionale të shqiptarëve. Pra, kjo pozitë neokoloniale e medieve shqipe në Kosovë është dominante edhe sot në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit.  

Prirja për ta arritur në këtë stad nënshtrimi të elitave dhe medieve është vërejtur që në ditët e para të çlirimit të Kosovës. Trazirat e marsit 2004 shënuan kulmin e kësaj prirjeje.  Ende pa u varrosur civilët shqiptarë të ekzekutuar nga KFOR-i dhe nga policia e UNMIK-ut, polemikat do të barteshin në një betejë të rëndë lidhur me mediet përkatësisht mbi rolin e tyre në nxitjen e trazirave të dhunshme. Beteja do të ishte shumë e ashpër, e mundimshme dhe e pabarabartë , prandaj edhe e fituar nga prezenca civile e ushtarake e huaj. Pasojat e atij sundimi neokolonial të UNMIK-ut (të OSBE-së, të KPM-së, të Shtyllës së Katërt) me rregullore e me diktate tiranike, do të mbeten deri në ditët tona. Mediet dhe gazetarët shqiptarë ende vuajnë nga kompleksi i inferioritetit në raport me prezencën ndërkombëtare dhe ende janë të motivuara në mënyrë të shfrenuar kundër institucioneve shtetërore dhe vlerave kulturore, fetare e nacionale shqiptare. Meqë janë formuar dhe janë konsoliduar në një ambient ku favorizimi i konceptit klientelist të shoqërisë pseudocivile, të komuniteteve pakicë dhe të prezencës ndërkombëtare është afirmuar si vlerë supreme, shumë nga këto medie janë vërsulur ndaj vlerave kulturore, fetare e kombëtare dhe ndaj institucioneve të vendit me egërsi tipike neokoloniale. Në këtë pikë jemi edhe sot. Disa medie që mund të kualifikohen si medie mejnstrim në realitetin medial të Kosovës, sikundër janë gazetat “Koha Ditore” dhe “Zëri”, Televizioni  KTV, portalet “Express” e “Telegrafi”, po edhe Radiotelevizioni publik, artikulojnë me shumicë përmbajtje mediale që përafrohen me konceptin neokolonial, më shumë se sa me interesin publik e nacional.  Fjala vjen, mburrja e drejtuesve të transmetuesit publik (RTK)  me faktin që kanë një kanal të fuqishëm në gjuhën serbe, po edhe programe ditore informative në gjuhët e minorioteteve rome, turke e boshnjake, është stereotip tipik i politikave neokoloniale të injektuara nga UNMIK-u dhe agjensët e tjerë të huaj që kanë vepruar në Kosovë nga viti 1999. Në një realitet normal medial, rendi do ta donte të afirmohej politika editoriale që kënaqë shijet dhe nevojat e shumicës së audiencës, në këtë rast të shqiptarëve e vetëm pas kësaj edhe të pakicave. Por, kjo përmbysje e rendit normal të gjërave është pasojë e mënyrës së ndërtimit të RTK-së, si medie emergjente e UNMIK-ut dhe e shtetit të Kosoëvs si shtet i ngritur mbi multietnicitetin, me favorizim të skajshëm të komuniteteve pakicë. veçmas të serbëve. Fillimisht shpresa e arkitektëve të këtij modeli të ndërtimit të shtetit të Kosovës ka qenë që Serbia do ta pranonte këtë model që i favorizonte në mënyrë enorme serbët. Por, serbët morën favoret e këtij modeli të ndërtimit të shtetit, ndërsa e refuzuan njohjen e tij. Natyrisht, e tëra u reflektua e reflektohet edhe në strukturimin medial dhe në politikën editoriale të medieve në gjuhën shqipe në Kosovë. Edhe kanali 2 i Radiotelevizionit të Kosovës është produkt i Planit të Ahtisarit. Edhe ky evokim i mënyrës së themelimit dhe funksionimit të këtyre medieve, me deformimet që janë shfaqur në formën e klientelizmit dhe mercenarizmit është e domosdoshme, që të fillojë vetëdijësimi i akterëve dhe i publikut për një reformë tërësore të rregullativës së lirisë së shprehjes dhe të medies në vendin tone e të hiqet dorë nga konceptet dhe praktikat neokoloniale në rregullimin  ligjor të tregut medial dhe funksionimin e medies.  

 

Çfarë reforme mediale na duhet 

 

Reforma duhet të fillojë nga ndryshimi i Kushtetutës së vendit, ku duhet të eliminohen  primesat neokoloniale të Planit Gjithpërfshirës të Ahtisarit, pra si një proces dekolonizimi edhe të fushës së lirisë së shprehjes e të lirisë së medies shqipe në Kosovë.  Paralelisht me këtë proces dekolonozimi, duhet të zhvillohet edhe procesi i vënies së disa rregullave elementare ligjore për neoliberalizmin e shpifur dhe të shfrenuar në realitetin e sotëm medial. Krahas dekolonizimit të termave të Kushtetutës, duhet të ecën edhe standardi i derregullimit të medieve të shkruara dhe të rregullimit ligjor të medieve elektronike në kuadër të një shteti mirëfilliligjor, sespe derregullimi i medieve të shkruara, rregullimi i medieve elektronike dhe vetërregullimi i profesionit të gazetarisë, nuk mund të mbeten kategori jashtëligjore. As mediet e as gazetarët nuk mund të mbajnë për vete statusin e subjekteve që nuk kanë përgjëgjësi ligjore përbveprimtarinë e vet. Sigurisht që duhet të mirren praktikat më të mira të shteteve demokratike evropiane, që e rregullojnë këtë fushë (në gjithë Bashkimin Evropian ka ankesa për dështimin e vetërregullimit), por nuk mund të mbetet pa një përgjigje adekuate ligjore kjo fushë me kaq ndikim në shoqëri. E drejta, në rastin e miratimit të ligjeve të reja që rregullojnë funksionimin e medies, fjala vjen ligji për  KPM dhe ligji për RTK, do të ketë një problem të madh: pamundësia faktike e ligjvënësve për të kapur ritmin e ndryshimeve që po ndodhin në botën e medies e të gazetarisë. Milton Fridmani, duke komentuar mbi gjetjen e A. Dicey në librin “Ligji dhe opinioni publik” mbi dallimin ndërmjet ligjit e opinionit publik, pohon se “njerëzit bëjnë ligje në bazë të filozofive që ata asimilojnë në moshat e rinisë. Kështu që brenda një periudhe njëzetvjeçare këto filozofi edhe mund të ndryshojnë apo fashiten në periudha të ndryshimit, nën efektin e korenteve të opinioneve si dhe të alternimit të rezultanteve në politikat publike.” Prandaj, ligjet zakonisht janë prapa realitetit, konstaton Fridmani. Kjo vlen veçmas për fushën e medieve dhe gazetarisë në kohën tonë, kur ndryshimet janë marramendëse, aq sa pa u tharë mirë boja në një ligj, mund të dalin probleme të reja, për të cilat ligji nuk ka parashikuar zgjidhje. Në rastin e Kosovës kjo paraqet vështirësi shtesë, pasi që Kushtetuta dhe ligjet duhet të rishikohen nga themeli, për t’ua hequr gjembin e neokolonializmit që e kanë brenda vetes. Dhe paralelisht me këtë proces, duhet edhe të vihet nën fre edhe neolioberalizmi I shpifur, që në shumë raste është imponuar  më shumë nga arroganca e grupeve të interesit ( fjala vjen nga pronarët e medieve) se sa nga zgjidhjet ligjore. Këtë proces paralel mund ta ndihmojë digjitalizimi. liberalizimi i tregut të medies elektronike, integrimi i tregut medial të Shqipërisë e të Kosovës dhe fillimi i aplikimit të rregullativave të Bashkimit Evropian.  Por, paraprakisht duhet që mentaliteti, rregulativat dhe praktikat e injektuara nga UNMIK-u dhe OSBE-ja të shpallen të vdekura. Sidoqoftë,rirregullimi kushtetues dhe ligjor është i domosdoshëm. Por, për shkak të perjardhejs proefsionale të deputetëve, ku në masë të madhe lulëzon jokompetenca, për shkak se elitat politike janë të identifikuar tashmë me praktikat neokoloniale dhe i kanë adoptuar për intresesat e  veta, duke i mbajtur edhe mediet nën tutelë, mënyra më e mirë e ndryshimeve kushtetuese e ligjore është me anën e demokracisë direkte, pra me anën e referendumeve.  Referendumet e evitojnë paditurinë e ligjëvnësve dhe u japin përparësi komenteve e analizave të ekspertëve. Në anën tjetër, referendumet mund të organizohen më shpejt, se sa debatet e komplikuara nëpër komisione parlamentakle, me grupet hileqare të ineteresit dhe me seanca konfliktuoze  parlamentare. Bile edhe rregullimi eventual i mënyrës së funksionimit të medieve të reja, do të mund të bëhej me anën e një referendumi, i cili në fazën e përgatitjes, do të mund të ishte me rol informues dhe emancipues për publikun e gjerë. 

 

“Laissez-faire” si prodhuese e konflikteve  

 

Por, cili është roli i vetë medieve dhe i grupeve të interesit në ndryshimet ligjore të kësaj natyre? Me aq sa shihet, ato më shumicë janë kundër rirregullimeve që do të adresonin përgjegjësinë etike, profesionale dhe ligjore të pronarëve të medieve dhe të gazetarëve. Me frymën e tyre neokoloniale po e kënaqin faktorin  e huaj dhe elitat politike, ndërsa me neoliberalizmin e shpifur po e manipulojnë qytetarin e frustruar shqiptar. Nuk po u bëhet vonë pse po prodhojnë qëllimisht gazetari të keqe, me anën e klientelizmit të shfrenuar, sipas të cilit kush paguan më shumë, ka rrëfim më të mirë në medie. Poashtu nuk po u bëhet vonë që  po kontribuojnë në zhgënjimin e qytetarëve, duke ua fyer vlerat kulturore, fetare  e nacionale me të cilat ata identifikohen. Dhe nuk po u bëhet fare vonë, që duke zbatuar agjenda të prodhimit të konflikteve, po kontribuojnë në minimin e qëndrueshmërisë së shtetit. Formula neoliberale “laissez-faire” (bëj çka të të teket) është shndërruar në mekanizëm të stimulimit të konflikteve në një shoqëri që para gjashtëmbëdhjetë vjetësh mezi ka dalë gjallë nga konflikti dhe ka nevojë si për oksigjen për shtet ligjor, për paqe e harmoni sociale. Dhe për medie që informojnë, arsimojnë, edukojnë, afirmojnë kohezionin social dhe vlerat themelore të shtetit e të kombit shqiptar. Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit është një rast për ta shikuar në mënyrë kritike praktikën e deritashme dhe për ta ravijëzuar në mënyrë pragmatike të ardhmen e medies,  të lirisë po edhe të përgjegjësisë së saj.  


RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme