Besa-besë dhe bashkëkohësimi i unit arkaik

Pjesa I

 

Si term besa-besë nënkupton betimin, respektimin e marrëveshjes ose të fjalës së dhënë, drejtësinë, një sërë të cilësive dinjitoze. Njeriu besnik dhe shoqëria besëtare gjithnjë synojnë të jetojnë me mallin, idealet, dëshirat e injektuara nga ky term: besa. Gjithnjë me pasion shënjojmë dhe jetësojmë besa-besën tonë. Pararendësit tanë me dhimbje, mundime, dashuri, miqësi të panumërta, grila e kohë, kanë sfiduar përmes besës, të cilën duhet të vazhdojmë ta kultivojmë me vullnet të pasosur.

Në fakt, për ta perceptuar besa-besën, duhet zbritur në botën e unit ose të vetes sonë. Aty mund t’i gjejmë rrugët e kritereve të vlerave ose domethënien e nocionit të unit. Përmes besës duhet t’ia dalim ta lexojmë dhe kuptojmë drejt. M. Ikballin, i cili idenë e unit e pat vlerësuar në aspektin ontologjik, duke thënë: “Uni është realiteti bazik, të cilin na e bën të njohur intuita. Ky realitet është epiqendër e çdo veprimi.” Ikballi shënjon se përmes kësaj fjale njeriu e njeh vetveten, mëson t’i besojë vetes, ta respektojë veten, t’i shprehë mundësitë dhe shkathtësitë e veta, se të gjitha këto janë jashtëzakonisht të rëndësishme për vetë njeriun, si një qenie serioze, ose siç do të thoshte I. Bardhi, fjala njeri tingëllon rëndësishëm, dinjitetshëm. 

Këto dy fjalë janë të gjykuara të jenë bashkë, por ç’e do që rrëmuja konceptuale e kohës kohë pas kohe besën e ka çkuptimësuar, e ka zhveshur nga ndjesia, na e ka memorizuar atë, na e ka paradoksalizuar, na e ka vetmuar atë nëpër këngë, na e ka shndërruar në slogan gjuhe, në fjalë bredharake që vazhdon të jetojë nëpër gjuhët tona. Në strukturën e shoqërisë së sotme shprehja besa-besë thuajse është emër i një gjendjeje “të parazitizuar”. Kohë pas kohe duket shumë qartë se kjo sintagmë, që pasqyron të vërtetën e unit tonë, është defaktorizuar. 

Vallë çka mund të jetë besa-besë të cilën uni mund ta perceptojë?

Sikur uni të mos ndjente nevojë për të, a do të kishte një ligjëratë universale, a mund të shndërrohej në diskurs të një lëvizjeje politike. Ja pra, ata që ia kanë dhënë dhe do t’ia falin zemrën kësaj lëvizjeje, tregojnë se kanë takuar unin e vërtetë të personalitetit dhe të individualitetit. Të njëjtën duhet të mundohen ta frymojnë shoqërisht përmes unit dhe besa besës. Besa-besë duhet të jetë një shprehje e thellë dhe e gjerë, mbipartiake, sepse të njëjtës i përket njeriu në përgjithësi. Njeriu veten e manifeston përmes unit dhe në këtë ose në atë mënyrë arrin te besa-besë . Kujtoj se ka ardhur koha kur si shoqëri, me gojën plot e me gjithë zemër, duhet ta japim besën se do të jemi persona fjalëdhënës, por besnikë, që do ta bartim mbi supe besën e brezave. Ka ardhur koha e shfaqjes së intelektualëve të vërtetë, e mendimtarëve të mirëfilltë, që dinë të gjenerojnë alternativa, që dinë që konstruktivisht të jenë të zëshëm dhe këtë zë t’ua përcjellin brezave të ardhshëm. Besa-besë nuk duhet të kufizohet vetëm me një lëvizje, por së pari duhet të orvatemi ta kuptojmë qenien njerëzore, me unin ose unët e vet. Kjo kryefjalë duhet t’i mbërthejë të gjitha spektret e jetës sonë, duhet të bëhet pjesë e qeniesimit tonë. Që tani me shumë përkushtim dhe pedanteri duhet të investojmë  për ndërtimin e ardhmërinë tonë. 

Ka ardhur koha kur duhet ta dëshmojmë ekzistencën e besës që do t’i ndriçojë kohët. Ngjashëm siç një platformë politike e huaj prezantonte veten përmes siglës: “Mjaft më! Fjalën e ka populli.”, ne me besa-besë duhet të vazhdojmë prej aty ku kemi mbetur. Në çdo çast dhe dimension të jetës sonë duhet ta kuptojmë domethënien e shprehjeve “pesha e gurit, besa e burrit”, “koka hiqet, besa s’shitet!”, “kau lidhet për brirësh, burri për fjale!”, të cilat i gjejmë në letërsinë tonë, në doket, zakonet, në thesaret e kulturës dhe qytetërimit tonë.     

Me gjithë qenien, mundësitë dhe shkathtësitë tona duhet të mundohemi që besa të ngadhënjejë, andaj përpjekja jonë duhet të jetë e pandërprerë. Sepse, nëse nuk duam ta dëgjojmë unin tonë, përballë na del një “kulturë tjetër shoqërore” dhe fillojmë që shqetësimet e saj t’i përjetojmë sikur të ishin tonat. Dhembjet sociale, ekonomike, politike, idealet, pasionet dhe dëshirat e tyre i përjetojmë sikur të ishin tonat. Tani dhe këtu duhet të nisim të bashkohemi te vlerat e përbashkëta, duhet që kulturën tonë shoqërore ta mësojmë si t’i perceptojë kushtet e kohës sonë. Duhet të shpëtojmë nga tëhuajësimi, duhet t’i mësojmë njerëzit tanë t’iu shmangen kthetrave të kulturës sociale të huaj. Duhet që bashkëkohanikët e qytetarët t’i përgatisim që të jenë gati për këtë terapi të ndryshimit. Duhet që të shndërrohemi në entitet që i kërkon të drejtat të gjithë popujve dhe që ia jep çdonjërit hakun e vet. Jemi të vetëdijshëm që komunitetet e ndryshme kanë filozofi të ndryshme të leximit të historisë, kulturës dhe dallimet i perceptojmë si pasuri. Në strukturën e  sotme koniunkturale nuk duhet të synojmë të arrijmë aty ku janë ata; ne dhe ata kemi objektiva të ndryshme, sepse botëkuptimet i kemi të ndryshme dhe këtë gjë duhet ta kuptojmë si një dhunti, që duhet të na shpie te respekti i ndërsjellë. 

Ne medoemos duhet ta përjetojmë një ndryshim politik mendor. Këtë ndryshim mund të na e sjellë kjo lëvizje politike, sepse ajo i kapërcen perspektivat tona të unit, i kapërcen të gjitha fazat dhe arrin te besa-besë, si një lëvizje ideore shoqërore. Kuotat duhet t’i përcaktojmë në bazë të filozofisë universale të eticitetit, të manifestuar vendorisht te besa-besë. Duhet sërish ta ndërtojmë gjuhën tonë të humbur të zemrës, duhet t’i flasim botës shpirtërore të njeriut. Këtë edhe mund ta bëjmë, edhe e meritojmë. Nëse jemi të bindur se besë ka dhe ajo ekziston, e ne atë e njohim shumë mirë, atëherë miq të nderuar, ju ftoj të merremi me këto pyetje izetbegoviqiane: “Kur do të fillojmë të vëmë theks mbi shpirtin, arsyen dhe sukseset tona? Ku e kemi forcën, shkencën, letërsinë? Ku i kemi shpikjet dhe kontributin ndaj të mirës universale?”

 

Burimi: http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/21353-besa-bese-dhe-bashkekohesimi-i-unit-arkaik-1.html

 

 

Pjesa II 

“Ne e harruam mendimin, dhimbjen shpirtërore, sakrificën, bukurinë, qetësinë” (Alexis Carrel)

 

Të përgatitesh për të shkruar gjithmonë të njëjtën tragjedi dhe “të mos arrish ta shkruash”, të jetosh me frikën e kursimit të fjalëve, të jetosh në kohën kur nuk ekziston muzika e fjalëve, në kohën kur fjalët nuk arrijnë të rrjedhin dhe simfonizohen, të jetosh sikur i kapur ndërmjet fjalëve, gjithmonë nëse jetohet... Kjo situatë gjendet në atë arenën tonë të veprimit me të cilin do të bëjmë që mendimi ynë të kuptohet plotësisht, saqë ajo ka mbyllur fushat tona për “të lëvizur” dhe për t’u ndeshur me qëllimet e duhura dhe me të gjitha gjërat që duhen parë. 

Të jetosh dhe të qëndrosh sikur po mbetesh midis të jetuarit dhe të mosjetuarit, ndërsa fatkeqësisht po përgatitesh për të jetuar plotësisht, kur përparimi i shpejtë i makinës ekzistuese të kohës duhet të jetë diçka në fushat ku personaliteti do të sprovohet në shoqëri. Kjo situatë nuk i jep mundësi për të ekzistuar përfshirjes dhe zhvillimit të fushës së sprovës, ku ka mbetur e gjithë atmosfera e ekzistencës së besa-besës dhe personalitetit. Personaliteti ynë ekzistues, ndjenjat tona të unit dhe intuitat tona do të krijojnë individualitetin dhe karakterin tonë në emër të stabilizimit të të gjithë këtij kaosi ku jeton besa-besë dhe personaliteti. Si do të arrijmë ne në paradigmën universale të konceptit të besa-besës dhe personalitetit që ne do ndërtojmë në këtë fushë sprovimi?

Risjellja e besa-besës dhe personalitetit të humbur, si dhe arritja e të qenët i besës arrihet vetëm me idenë e personalitetit. Nëse duam t’i edukojmë përsëri ata njerëz idealë dhe të rrisim breza për vite me radhë, ne duhet ta kuptojmë mirë besa-besën dhe personalitetin e humbur. Prandaj edhe Ikballi thotë: “Në zhvillimin e personalitetit, aktivizmi është po aq i rëndësishëm sa mendimi. Qëllimi final i personalitetit nuk është të shohësh diçka, por të jesh diçka. Aktivizimi final nuk është një aktivizim ideor, por një aktivizim jetësor që përfshin të gjithë ekzistencën e unit. Të ulesh dhe të mendosh për çdo gjë që ndodh në këtë botë është diçka e pamjaftueshme. Bota nuk është një fushë ekzistence e njohur dhe që shihet vetëm nëpërmjet koncepteve. Ai është një vend sprovimi që do të ndërtohet përsëri me një aktivizim të vazhdueshëm.” Të gjithë faktorët negativë nëpër fushat e aktivizimit në këtë botë, ku sprovohet personaliteti, e kanë dënuar personalitetin për t’u mjaftuar vetëm me njohjen e atyre që shihen. Të dënohesh do të thotë të dënosh fushat që do të ndërtojmë. Po kush ka dënuar? 

Më e keqja është se ne u besuam pamjeve të tyre apokaliptike dhe duket sikur ramë në një situatë insistuese, prandaj edhe kemi vështirësi për të dhënë një vendim të shëndoshë. Ata janë të vendosur për të shkatërruar çdo gjë tonën, sepse personaliteti i tyre ka falimentuar; po ashtu besa dhe ‘normat e tyre të moralit” janë shkatërruar. Ata i vështirësuan kushtet për t’i risjellë mbrapsht nivelet e vetëdijes së njerëzve, sepse ata nuk i morën aspak në konsideratë funksionet tona për t’i sjellë në arenën e provës besimet tona. Me këto ndërhyrje paradoksale, udhëtimit tonë të jetës i ka ardhur fundi. Për më tepër që muzika e fjalëve në mendjen tonë u përball me zhdukjen e saj. Të nderuar miq, a duket sikur jemi në një situatë ku kemi kryqëzuar veten tonë? Aktualisht, ne jemi të huaj për veten tonë. Kjo situatë e ka zhdukur shijen e lidhjes që ne e kemi me besën dhe me brendësinë tonë. Po ashtu ajo ka shkatërruar sistemin dhe atmosferën e gjuhës tonë të shpirtit. Ne po jetojmë në një periudhë me mjegull dhe të errët. Kjo gjë synon direkt bllokimin e të gjitha reflekseve të personalitetit tonë. 

Ky erozion që ka përfshirë të gjitha shtresat e jetës tonë, ka bllokuar vënien në lëvizje të të gjitha mundësive në jetën tonë. Shpëtimi nga kjo klimë mendimi, që i shërben pesimizmit është bërë i pamundur dhe trashësia e këtyre mureve nuk na jep mundësi që ta lexojmë në mënyrë të saktë historinë tonë, si dhe që të shkruajmë e të prodhojmë kulturë. Skenarët që janë vënë kundër nesh na kanë lënë të habitur ndaj një tragjedie që po na i verbon sytë tanë. Duket sikur jemi dënuar të jetojmë. Duket sikur personaliteti ynë është i huaj ndaj këtyre gjërave këtu. Po ashtu duket sikur është e nevojshme që ai t’i përkasë një vendi tjetër. Shumë plagë që nuk shërohen e kanë pushtuar botën tonë shpirtërore në një mënyrë barbare. Është bërë shumë e vështirë të balancosh personalitetin tonë ekzistues me besa-besën tonë. Ata e kanë shkatërruar dashurinë tonë për të pasur një personalitet dhe karakter. 

Ata e kanë ndotur të gjithë atmosferën e fushës së sprovës së besa-besës dhe personalitetit; meqenëse fusha e sprovës është një fushë e frikshme dhe e rrezikshme, të kuptuarit e dallimeve finale që përfshijnë të gjitha fushat e jetës tonë është bërë e vështirë. Të gjitha fushat ku ne jetojmë: rajoni, lagjja, fshati, qyteti, familja, universiteti, shkolla fillore, kinemaja, teatri, politika, kultura, etj...a nuk janë të gjitha këto nga një fushë sprove me të cilat kemi dhe do të përcaktojmë dhe ndërtojmë personalitetin dhe besa-besën tonë? A nuk nevojitet që t’i ndërtojmë përsëri fushat e sprovës së personalitetit dhe besa-besës tonë, që e kanë dhe duhet ta përfshijnë të gjithë ekzistencën tonë? Ata i kanë vështirësuar oportunitetet e krijimit të mundësive për të zbuluar dhe ndërtuar besa-besën dhe personalitetin tonë. Përse vallë? Kjo sepse njeriu i kësaj “gjeografie” ku ne jemi “të detyruar” të jetojmë, insiston për të mos na dhënë mundësi për të qenë jashtë vetes tonë, për të qenë i huaj me veten tonë dhe për të qëndruar vetëm. Janë bërë përpjekje për të shkatërruar funksionet dhe strukturën e jetës tonë ideore. Nuk na është dhënë mundësi për të gjetur dhe parë nga jashtë anën tonë të brendshme. Dallimin e të tashmes ne e përjetojmë tashmë, jo duke nxjerrë tym, por duke djegur. Nëse vazhdon në këtë mënyrë, vetëdija jonë do të vazhdojë të nxihet. Ne nuk mund të bëjmë asgjë pa përcaktuar dhe kuptuar plagën tonë me anë të vijave të qarta. Prandaj dhe u mësuam për të qenë një Mankurt (skllav në mitologjinë Turke). Më parë, bota dhe fushat e sprovës ishin një mjet për të arritur qëllimin, ndërsa tani të gjitha qëllimet sakrifikohen ndaj dëshirës për të jetuar. Tani ne mësojmë dije për të jetuar dhe nuk jetojmë për të mësuar dije; ja pra sa atë ndryshme janë këto dallime. Të jetosh në një botë ku format janë fshirë, bukuritë kanë humbur dhe trupat janë ngurtësuar, është sikur të jetosh jashtë kësaj bote – thotë Xhemil Meriç. Ky mentalitet prej komiti kërkon të përvetësojë pavarësinë e jetës tonë. E tmerrshme! Këtu fshihet dëshira për të hipotekuar personalitetin tonë. Pra, të kërkosh vetëm atë që është në dobinë tënde. Ata kanë rënë në dëshirën për të treguar vetëm të jashtëligjshmen. Kjo është ta shohësh artin me “politikën” e inatit. Kjo është të vendosësh skulptura në errësirën e natës duke të mos mjaftuar dita dhe të fshehësh rregullin e bukur të yjeve të natës. Çfarë neglizhence është që këto çmenduri dhe këto “figura skulpturash” t’i konsiderosh si heronj kombëtar. Është tradhti të lajkatosësh artin, të godasësh pa mëshirë botën e brezave të ardhshëm dhe të rrezikosh kulturën e të jetuarit së bashku. Në art ekziston politika e tolerancës dhe e bashkimit, prandaj nuk mund të imponosh politikë apo ndasi. Të gjitha këto çmenduri i djegin zemrat e njerëzve. Kjo nuk është krijimtari, por është prodhimtari, sepse vepra e vërtetë artistike nuk të bën të mendosh “sesi është artisti i vërtetë”, por të bën të mendosh “përse” ai është një artist i vërtetë. Prandaj, ato vepra të prodhuara janë po aq kalimtare sa një plak prej bore. Kështu “përpara se njeriu të pyesë se çfarë duhet të bëjë, pikësëpari ai duhet të dijë se çfarë ai është” thotë Sejjid Husein Nasr.

Për këtë arsye, kambanat e “fatkeqësisë” kanë nisur të bien përsëri. Tashmë ka ardhur koha që mentaliteti prej komiti dhe mentaliteti i kapur pas paranojës për të vallëzuar me atë mentalitet, të vijnë në vete dhe të largohen. Ata nuk ka pasur kurrë shansin dhe forcën për të shkatërruar personalitetin dhe besa-besën e këtij kombi. Ata nuk kanë pasur kompetencën dhe ndikimin për të shkatërruar atë sistem të brendshëm që e bën këtë komb të ekzistojë. Asgjë nuk e tremb dhe nuk ia mbyll gojën këtij kombi. Ky komb, me fuqinë dhe besimin që ka marrë nga të parët e tij, ka aftësinë për të ringjallur dhe krijuar përsëri personalitetin dhe besa-besën. Ky komb e di shumë mirë se çfarë është drejtësia. Ai e di shumë mirë se sa universal është të qenët dëshmor. Ky komb e di shumë mirë se çdo të thotë atdhe. Ky mentalitet nuk e ka kapacitetin për të nxirë të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve të këtij kombi. 

Kur ne ta përfshijmë fuqishëm motivimin tonë kryesor brenda fushës së besa-besës dhe personalitetit, atëherë fitojmë përvojën e arritjes së funksioneve për të gjallëruar dhe krijuar përsëri kulturën, qytetërimin, artin, politikën dhe letërsinë tonë me anë të moralit. Ky është një edukim i dhimbshëm dhe dhimbjet nuk duhet të na mposhtin. Në atë vend ku nuk ka dhimbje, nuk ka as dashuri. Fjala më e mirë në këtë botë është dashuria. Nëse dëshpërimi nuk ka kuptim, atëherë edhe dashuria nuk ka kuptim. Ne duhet të sigurojmë rritjen e nivelit të vetëdijes te njerëzit tanë. Idetë tona duhet të marrin formë. Ne duhet të krijojmë liri universale. Ndërsa i ofrojmë shoqërisë tonë ndjenjën e një lirie të re, ne duhet ta kontrollojmë strukturën tonë emocionale dhe duhet të mësojmë të krijojmë një balancë midis racionales dhe irracionales. Nga kjo klimë ndryshimi duhet të kenë shansin për të përfituar të gjitha masat dhe rajonet e vendit. Jeta jonë nuk duhet të kalojë duke u ankuar ndaj këtyre ezoterikëve, zullumqarëve, konformistëve, romantikëve dhe atyre që u shërbejnë dikujt. Prandaj, tani është koha për të vënë në lëvizje vetëdijen, besa-besën dhe personalitetin tonë. Le t’u themi ndal këtyre amatorëve profesional. Tashmë gjatë vizatimit është koha që figurat dhe ngjyrat t’i kombinojmë sipas anës tonë shpirtërore. Tani është shpëtimi, liria, shpresa dhe veprimi. Përse? Kjo sepse Ikballi thotë: “Personaliteti nënkupton zhvillimin në mënyrën më të përsosur të fuqisë më të lartë brenda teje. Vlera e njeriut varet nga grada e realizimit të këtij personaliteti. Personaliteti nënkupton qëndrimin pranë të vërtetës. Ai nuk nënkupton të jetuarit në një kohë të përkohshme në këtë botë, që ka një fund, por të jetuarit në një të tanishme që s’ka fillim  dhe të përjetshme.”

 

Burimi:http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/24209-besa-bese-dhe-bashkekohesimi-i-unit-arkaik-2.html

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme