Súretu Já-Sin

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَـنِ الرَّحِيمِ

 

Me Emrin e Zotit Bamirës, Mëshirëplotë.

 

KREU "Ja-Sin": përmbajtja dhe vlerat
Súretu Já-Sin, Mekë, 83 ajete

Me ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, vëmendja e agjëruesit shkon te Kur'ani, në mënyrë të tillë, që agjërimi i tij të jetë më afër Zotit, këshillave, urdhrave dhe porosive që Ai na jep në Librin e Shenjtë. Nëse agjërimi, me të përmbajturit nga të ngrënit, të pirët dhe kufizimet e tjera, është një sakrificë trupore, Kur'ani, namazi, lutjet dhe lavdet për Zotin janë motivi shpirtëror i agjëruesit, miraxhi i tij drejt Zotit. Sepse, i Madhi Zot është i Gjithëfuqishëm e Pushtetplotë dhe nuk ka mangësi për ta plotësuar me sakrificën tonë. Përkundrazi, ne kemi nevojë që, me mëshirën e Tij, sakrifica jonë të na zëvendësojë mangësitë dhe forcojë besimin. Është kjo arsyeja që gjithsecili ndjen në ramazan një kënaqësi dhe sukses shpirtëror që nuk mund t'ia arrijë kohët e tjera.

 

Në fjalorin islam, sure "Jasin" quhet: "Jasin'i Sherif " që do të thotë: Jasina e nderuar". Ndërsa Kur'ani cilësohet: "Kur'an'i Kerim" që, gjithashtu, merr kuptimin: i nderuar ose fisnik. Porse, Kur'ani quhet edhe "mexhid" që do të thotë: fisnik, i lavdishëm.

 

Profeti a.s. ka thënë se "Jasina është zemra e Kur'anit." Siç dihet, Fatiha'ja quhet: "Ummul' Kur'an" (Baza e Kur'anit) sepse shpreh në esencë idenë e tij, kurse kreu Jasin përmbledh Kur'anin në tre shtyllat e akaidit (besimit): teuhidin (besimin në një Zot), dërgatën profetike dhe ahiretin (ringjalljen, gjykimin dhe jetën e përtejme) dhe trajton një numër çështjesh të tjera me tematikë dhe shembuj të shumtë. Jasina praktikohet më së shumti në kujtim të të vdekurve dhe si këndim Kur'ani për ta. Komentatorët përmendin thënie të Profetit a.s. për t'ua lexuar atyre që janë duke vdekur që t'u vijë më lehtë kalimi nga kjo jetë. Ose, për të vdekurit. Nga kjo anë, leximi i Jasinës ka mbetur si ritual, në një ceremoni përkujtimore që mbahet në shtëpi, lokal apo xhami duke zëvendësuar leximin e plotë të Kur'anit ose para lutjes (duasë) së hatmes.

 

Në këtë kontekst, po citoj një thënie të Imam Gazaliut, sipas të cilit: "Qëndrueshmëria e besimit mbështetet në njohjen e ringjalljes dhe të gjykimit."

 

Kreu Jasin u takon shpalljeve të periudhës së Mekës, aty nga mesi ose më vonë, siç vë në dukje Maududi, nisur nga tematika më e gjerë e saj, krahas çështjeve të besimit. Në rendin kuranor, vjen pas sures Fatir (Krijuesi) që i kushtohet Madhështisë dhe Pushtetit të Zotit dhe para sures Es-Saffat që trajton ringjalljen. Në rendin kronologjik, Jasina është e dyzetë e njëta, jo larg rendit kuranor, krahas sureve me tematikë të ngjashme. Si shpallje e periudhës së Mekës, Jasina nuk ka ndonjë ndryshim nga të tjerat në përmbajtje, porse, nga tematika e saj dhe bukuria e gjuhës, Profeti a.s. e ka vlerësuar duke thënë se "do të dëshiroja që Jasina të jetë në zemrën e çdo besimtari". 

 

Quhet "Ja-Sin" nga dy shkronjat e alfabetit arab, me tingujt  j dhe s (e butë), simbole me të cilat fillojnë disa sure. Sipas Ibn Abbasit, bartin kuptimin: "O njeri" dhe se i Madhi Zot i drejtohet me to të Dërguarit të Tij, Muhamedit a.s..

 

Já-sin. / Vel' kur'ánil' haqím. / Inneqe leminel' murselín. / Alá sirátin mustekím. / Tenzílel' âzízir-rahím.  (Ja, sin. / Për Kuranin e Urtë, / ti je ndër të dërguarit / në udhë të drejtë! / Mesazh i të Plotfuqishmit, Mëshirëplotit. /1-5/ )

Pas dy shkronjave në ajetin e parë, Zoti betohet në Kur'anin plot urtësi e gjykim se Muhammedi është ndër të dërguarit në udhën e drejtë e cila përmendet dhe përcaktohet qartë në ajetin 6 të kreut Fatiha. "Sirat(un) mustekim" është përkufizimi i "rrugës së drejtë" në Kur'an, pa devijime. Këtë e shohim, gjithashtu, në ajetet 52, 53 të kreut 42,  Këshillimi:       "Kështu, frymëzuam drejt teje një shpirt me Urdhrin Tonë. Ti nuk e dije ç’janë libri dhe besimi, por Ne e bëmë atë  dritë; drejtojmë me të kë duam ndër robtë Tanë dhe ti po udhëheq në udhë të drejtë, udhës së Zotit të Cilit i përkasin ç’janë në qiej e në tokë. Te Zoti përfundojnë çështjet."

Përgjatë Kur'anit, kryesisht te suret e periudhës së Mekës që kanë ton poetik, me pjesëzën "ve" e cila shërben si lidhëse mes fjalëve e fjalive, në të shprehurit metaforik, bëhet një lloj betimi për t'i dhënë theksin e duhur subjektit më pas. Zoti xh.sh. betohet në krijimin dhe dukuritë e Tij, siç betohet, p.sh., për diellin, hënën, ditën, natën, kohën etj. Betimi në to është i figurshëm dhe përdoret si mjet letrar. Betimi te Kur'ani përsëritet në suret  38:1 dhe 50:1.

 

Ajetet  6 - 10 u drejtohen mohuesve kurejshitë mekas të cilëve nuk u pati ardhur profet sikurse bijve të Izraelit dhe patën mbetur të çoroditur mes monoteizmit që nga koha e Ibrahimit dhe Ismailit a.s. dhe idhujtarisë më primitive. Kur u erdhi, mes tyre, i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s., me libër e sqarim, sikurse judenjve Musai a.s., ndërsa e prisnin, nuk e besuan dhe u treguan mendjemëdhenj e kryeneçë, si të kishin në qafë dhe në mjekër hallka që i mbanin kryepërpjetë (shih ajetin 8).  Kur lexon Kur'anin nga fillimi i sures së dytë, Bekare (Lopa), të periudhës së Medines, vëren po atë qëndrim të mohuesve. 

Ajeti 11veçon njerëzit që marrin këshillë, ata që ndjekin Kujtesën (arab. dhikr, Kur'anin) dhe i frikësohen Zotit Bamirës e Mëshirëplotë (arab. Er-Rahman) në të padukshmen. Arabët besonin Zotin - Rahman (Mëshirues i përgjithshëm), trashëguar nga besimi monoteist i Ibrahimita.s., por adhuronin idhujt e familjes dhe të farefisit ndërsa besimi i tyre nuk ndikonte aspak në bestytnitë dhe jetën barbare që bënin. Ishte kjo arsyeja që ata refuzuan misionin profetik të Muhamedit a.s.. Atyre që besuan dhe ndoqën Kujtesën, Zoti u jep sihariq për falje dhe shpërblim bujar (ajeti 11).

 

"In-ná nahnu nuhjil' meutá ve neqtubu ma kad-demú ve áthárehum ve qul-le shej-jin ahsajnáhu fí imámin mubín."  "Ne ngjallim të vdekurit dhe shkruajmë çfarë përgatitën edhe gjurmët e tyre. Gjithçka e numërojmë në evidencë të qartë." (Ajeti 12)

Me fjalët e para: "Inna nahnu..." (Me të vërtetë, Ne...), i Madhi Zot tërheq vëmendjen e mohuesve për ringjalljen dhe pasqyrimin e veprave të tyre në evidencë të qartë. Komentatorët e shpjegojnë këtë ajet në kuptimin që, jo vetëm  me regjistrimin e veprave, por edhe me pasojat e tyre. Gjithashtu, me gjurmët që lënë lëvizjet e trupave në hapësirë, këtu, në regjistrin e veprave. Sikurse thuhet në ajetin 65 dhe në disa sure të tjera: "Sot ua zëmë gojën; na flasin duart e tyre dhe u dëshmojnë këmbët për çka fituan." Në ditët tona, ky është një realitet i aplikuar në elektronikë.

 

"Jepu shembull banorët e qytezës kur u erdhën të dërguarit...."  Në ajetet 13 - 29 jepet një episod me të dërguarit pranë një vendbanimi. Disa komentatorë e lidhin me Antiokinë sipas gojëdhënave biblike. Zoti, në Kuran, bie shembuj si mësim për brezat. Te kreu 18, Shpella, ajetet 22 - 26, kur diskutohet për numrin e të rinjve besimtarë që u mbyllën në shpellë dhe kohën e qëndrimit të tyre,  Zoti xh.sh. i thotë Muhamedit a.s.: "Thuaj: "Im Zot e di numrin e tyre. Pak dinë për ta. Diskuto rreth tyre në dukje dhe mos kërko te ata ndonjë vendim."" ... "Thuaj: "Zoti e di sa qëndruan. Atij i takon e panjohura e qiejve dhe e tokës...""

Krahas të dërguarve që populli i përgënjeshtroi e mohoi, duke i akuzuar se me ta ka "ogur të keq", del edhe një njeri nga populli që i këshillon bashkëkombasit t'i dëgjojnë dhe pasojnë të dërguarit, siç ka ndodhur kurdoherë ndër popujt, porse ata s'e dëgjuan  ndërsa atij iu tha: "Hyr në parajsë!..." Me këtë, kuptojmë se parajsa dhe skëterra janë relative në kohë dhe hapësirë.

"Oguri i keq" i të dërguarve të Zotit dhe njerëzve që ndalojnë të keqen e këshillojnë të mirën në shoqëritë që nuk besojnë Zot e ringjallje, trajtohet disa herë në Kur'an. Kjo ka ndodhur e ndodh edhe në shoqërinë tonë ku njerëzit e pafe, mes tyre, shumë intelektualë, nuk arrijnë të kuptojnë se ku katandiset një shoqëri pa Zot.                                   

 

Pas ajeteve 28 - 32 që tregojnë se si përfunduan  breznitë e kaluara, jepen shembuj analogë nga natyra e gjithësia dhe nga vetja jonë. Ndër ta, lëvizja e diellit dhe e hënës në orbitat e tyre ishte një koncept i ri, më i avancuar nga ai i Ptolemeut ndërkohë që banorët e shkretëtirës së Arabisë nuk kishin njohuri për të.

"Edhe dielli lëviz në ciklin e vet. Ky është përcaktimi i të Plotfuqishmit, Dijeplotit. / Hënës i caktuam faza derisa kthehet e bëhet si degë e vjetër palme. / Dielli s’ia arrin hënës, as nata parakalon ditën. Secili noton në orbitë." (Ajetet 38 - 40)

Në kontekstin e sures, trupat qiellorë i nënshtrohen rendit të përgjithshëm. Nga pikëpamja e fizikës së trupave, parimi kuranor është dinamika. Në kreun 27, ajeti 88, thuhet: "Sheh malet dhe i pandeh se nuk lëvizin, por kalojnë si retë. Është arti i Zotit, i përsosur në çdo gjë..." 

Fahruddin Al Razi (1149-1209), tre shekuj para Kopernikut, krahas shpjegimit të gjerë të Kur'anit, trajtoi teorinë e lëvizjes së tokës, diellit dhe të sistemeve yjorë në hapësirë.

Zoti thotë në Kur'an: "Ndër dëshmitë e Tij është krijimi i qiejve e i tokës dhe gjallesave që ka përhapur në to, që,  në dashtë, ka fuqi t’i bashkojë." (42:29)

 

Ftesa e profetëve lidhet me të tashmen dhe të ardhmen që njerëzit të përgatiten me veprat e tyre (ajetet 45-46). Mirëpo ata janë indiferentë ndaj dëshmive të Zotit. Edhe kur u thuhet të kontribuojnë për të varfrit me ç'u ka dhënë Zoti, tërhiqen dhe thonë: "...Të ushqejmë dikë që, po të deshte Zoti, e kishte ushqyer?..." (ajeti 47). Ky kontribut bamirësie u bë detyrim zekati për besimtarët gjatë periudhës së Medines.

 

Pas ajetit 12 që tërheq vëmendjen për ringjalljen, prej ajetit 48 e në vazhdim, përshkruhet ngritja nga varret dhe shpërblimi me parajsë e skëterrë. "Dalja nga varret" është një aspekt i figurshëm i panoramës së ringjalljes. Kur'ani flet shumë për këtë, siç thuhet në ajetin 68: "Kujt i japim jetë, e kthejmë në krijim. A nuk kuptojnë?"  Përkundër mesazhit profetik, mekasit thonin se Muhamedi është poet. Ata e njihnin fare mirë pasi qe rritur mes tyre. I Madhi Zot thotë: " S’ia mësuam atij poezinë dhe nuk i shkon. Kjo është kujtesë dhe një këndim i qartë, / të paralajmërojë kë është i gjallë. Mohuesve u është përligjur fjala." (ajetet 69-70)

 

 

Mohuesit nuk besojnë në ringjallje pasi ata nuk besojnë krijimin e tyre të cilin e shohin të paqëllimtë ... Zoti thotë në ajetet e fundit të sures Jasin:

"Nuk sheh njeriu që e krijuam nga një pikë? Kur, ja, ai del kundërshtar i hapur. / Na bën krahasim dhe harron krijimin e tij.Thotë: “Kush i ngjall eshtrat kur të jenë kalbur?” / Thuaj: “I ngjall Ai që i ngriti herën e parë. Për çdo krijim Ai është i plotëditur." / Që bëri për ju nga druri i gjelbër zjarr dhe, ja, prej tij digjni. / Ai që krijoi qiejt e tokën, nuk ka fuqi si ato të krijojë? Po, Ai është Krijuesi i Madh, Dijeploti. /  Kur do diçka, urdhëron e i thotë: “Ji!” – dhe ajo është. /  Madhëruar qoftë Ai në Dorën e të Cilit është sundimi i çdo gjëje dhe që tek Ai ktheheni!" (ajetet 77-83).

 

Ebu Hurejreh, ndër mbledhësit më të njohur të hadithit, na përcjell porosinë e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s. që: "Kush lexon Jasin natën, ngrihet në mëngjes i falur..."

 

Në një hadith tjetër, Profeti a.s. ka thënë:

 

مَنْ قَرَأَ يس فِي لَيْلَةٍ ابْتِغَاءَ وَجْهِ اللهِ عَزَّ وَجَلَّ غُفِرَ لَه

 

Men kare-e Jásin fí lejletin ibtigâe vexh-hil-Láhi Az-ze ve Xhel-le gufire leh'

 

"Kush lexon Jasin natën, për kënaqësinë e Zotit të Plotfuqishëm e Lavdiplotë, është i falur."

_____

 

 

 

Shënim:  Lexoni dhe regjistroni në pajisjet tuaja elektronike Kuranin e shqipëruar nga Myfti Salih Ferhat Hoxha, në formatet epub, pdf, txt, online, dokument origjinal, përshtatur si ebook për lexuesit, rishikuar 2015, sipas linkut: smashwords.com/books/view/474958

 

K.S.Hoxha                                                                                      Qershor, 2015

kshoxha@yahoo.com

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme