LETËR BIJAVE TË MIJA


    Kam menduar kohë të gjatë për të shkruar një letër për bijat e mija. Ide kjo jashtëzakonisht sublime, shpirtërore dhe fisnike njëherësh. Kur më vetëtiu ne kokë kjo ide, isha goxha i mahnitur dhe i kënaqur njëherësh, sepse thjeshtë ju drejtohem bijave të mija, loçkave të shpirtit tim. Në shumë hadithe-gojëdhëna të profetit Muhammed a.s. fëmijët metaforikisht cilësohen si "mushkëritë e prindërve". Kuptohet përmes tyre, në fakt, iu drejtohem gjitha bijave e bijve të botës.‎ Me të shfaqur në kokë të këtij mendimi, përnjëherë më lindi në shpirt dhe lutja: "O All-llah, të qofsha falë! Insha-Allah nuk vdes para se të përfundoj e publikoj në libër këtë letër!" Në veçanti në këtë letër do përqëndrohem në hallet dhe dertet me të cilat përballen familjet shqiptare që kohë të gjatë jetojnë në mërgim, në dhe të huaj. Kjo për arsye se, ne prindërit mërgimtarë përballemi me probleme të nduarnduarta kundruall edukimit fetar dhe kombëtar të brezave të rinj, të fëmijëve tanë.

    Fëmijët i kemi dhuratë të All-llahut Mëshirues në këtë botë, madje dhe EMANET Hyjnor. Ndaj duhet parreshtur dhe palodhshëm të veprojmë në drejtim të edukimit dhe arsimimit sa më të shëndosh të fëmijëve tanë në dritë të burimeve autentike islame: Kur'anit Famëlartë dhe Sunnetit, gjegjësisht praktikës së profetit tonë të dashur Muhammedit a.s.
    Kur erdha për herë të parë në mërgim, në Berlin në fillim të vitit (shkurt) 1997, kisha vetëm një fëmijë, Amrën. Amra asokohe sapo kishte mbushur kater vjetë (lindi vitin 1994).
AMRA
    Amra është fryti i parë i dashurisë sime idilike me bashkëshorten time, Kefseren. Shumë më përngjan mua. Është shumë e ëmbël në shpirt, ndonëse shpejtë bëhet nevrike. Kur Amra shfaq herë herë nervozitet, bashkëshortja ime rëndomë thotë: "Burri im, Amra me gjitha sjelljet dhe tiparet karakterizuese që ka, anon nga familja dhe fisi yt!" (hahaha - më qeshet padjallëzisht).
    Amra kreu me sukses shembullor shkollën fillore. Si në mësime ashtu edhe në sjellje, ajo tregoi nivel të kënaqshëm. Rrjedhimisht pas fillores ndoqi mësimet në gjimnazin "Erst Aben Schule" në Neukolln të Berlinit. Këtu arriti rezultate të mëdha në mësime. Në këtë rrafsh më kujtohet fare mirë kur me shumë zell e përkushtim të thellë punoi në përgatitjen e punimit seminarik me temë: "Çështja shqiptare nga Beteja e Kosovës (1489) deri tek Kushtetuta e vitit 1974". Këtë temë Amra e mbrojti me notë të shkëlqyeshme para trupës arsimore. Me ditë të tëra vajza ime konsultohej me mua rreth historisë sonë kombëtare, duke shfletuar me këtë rast literaturë të numërt për temën në fjalë. I pata sugjeruar libra të numërt përkitazi me temën përkatëse, në dy gjuhët shqip dhe gjermanisht. Falë Zotit, bibliotekën private në banesë e kemi mjaftë të pasur. Kam patur parasysh faktin se në mërgim do jem largë bibliotekave tona gjigante, largë librarive të shumta që shtrihen gjithandej në atëdhe, andaj çdoherë që kam vizituar familjen në Shkup, zakonisht me vete merrja vetëm rrobat e domosdoshme, në ç'mënyrë këtej mandej kthehesha me nga dy kuferë përplot libra. Në këtë rrafsh, kuptohet, na ndihmoi mandej edhe anëtarësimi im dhe i të bijave të mëdha në bibliotekat gjigante të Berlinit.
    Bijat e mija, mos harroni kurrë faktin se interneti, bota kibernetike përgjithësisht, asnjëherë nuk mund të zëvendësojë vlerën e letrës-LIBRIT. Ky fakt është vërtetuar shkencërisht. Pasuroni bibliotekat tuaja private dhe gjithnjë mikun më të ngushtë ta keni librin. Mos hiqni nga mendja asnjëherë urdhëresën e parë Kur'anore: "Ikre'...! Lexo në emër të Zotit tënd, i Cili gjithçka krijoi. E krijoi njeriun nga gjaku i ngjizur. Lexo se Zoti yt është më fisniku! I Cili ia mësoi njeriut ta përdorë lapsin...!
    Sa i përket fesë, Amra falet rregullisht (zbaton me devotshmëri namazet ditore), agjëron për çdo vjet muajin e bekuar të Ramazanit, për çdo mbrëmje kryen zikrin (dhikrin-tespihët) tok me të motrat e saja dhe lexon rregullisht literaturë islamike dhe të përgjithshme (vitrinat e banesës sonë gjithandej janë të stërmbushura me literaturë gjithëfarëshe). Kombëtarisht është jashtëzakonisht e pjekur. Din fare mirë historinë kombëtare dhe flet rrjedhshëm gjuhën amtare shqipe.
    Aktualisht synon të regjistrohet në një nga universitetet ekzistuese në Berlin.
ZARIFEJA
    Brenda vitit të parë në mërgim (1997), më fali Zoti në atëdhe dhe vajzën e dytë. Me bashkëshorten time ramë në ujdi që t'i vemë emrin e nënës sime të ndjerë Zarife (All-llahu e mëshiroftë!)
    Zarifeja na pat ngazëllyer me bardhësinë magjike qysh në lindje. I ngjason tërësisht të ëmës saj. Me të marrë lajmin për lindjen e saj, shpejtë shkova në vendlindje për ta parë. Nuk më hiqet nga mendja çasti kur hyra në dhomë e ajo ishte në djep në mes të dhomës. I hoqa velin nga fytyra, ç'të shoh, më verboi "drita" e fytyrës saj që shndërriste magjishëm. Klitha zëshëm: Elhamdulil-lah! (Falënderimi i takon All-llahut!).
    Zarifeja është jashtëzakonisht e butë në shpirt dhe ka mirësjellje të shkëlqyeshme, si në familje, ashtu edhe në shkollë e shoqëri në përgjithësi. Tamam ka merituar emrin e nënës sime Zarife, të cilën gjithë familja, farefisi, miqtë dhe fqinjët e thërrisnin me dashamirësi Dada Zarë. Gjithë e donin dhe shfaqnin respekt të thellë ndaj saj. Po kështu është edhe me Zarifen, të cilën e duan të gjithë.
    Zarifeja në shkollën fillore tregoi talent të rrallë, për ç'gjë dhe aktualisht vijon mësimet në gjimnaz, ku po tregon rezultate të lakmueshme. Fetarisht dhe kombëtarisht, në çdo aspekt, është, falë Perëndisë, në nivel shumë të lartë.
    Çfarë do kisha veçuar për Zarifen? Zarifeja po tregon talent të rrallë në artet e kuzhinës. Në këtë rrafsh i ka ngjarë plotësisht gjyshes saj (nënës Sevdije - nëna e bashkëshortes sime). Pothuaj çdo ditë na surprizon me ëmbëlsirat e saja të llojllojshme, të cilat i përgatit me shumë shije. Së këndejmi do kisha theksuar dhe një fakt tjetër: elhamdulil-lah, tashmë si të rritura e të pjekura që janë, Amra, Zarifeja dhe Umihana shpesh herë na përgatisin gjellëra të ndryshme me shumë shije dhe, njëherësh, na shërbejnë me çaj e kafe.
UMIHANA
    Më 1999 na lindi vajza e tretë, Umihana, në Berlin. Umihana, ah Umihana, mashallah, vajzë shumë inteligjente. Në shkollën fillore jo vetëm që tregoi sukses të shkëlqyeshëm, por edhe u mor me aktivitete të shumënumërta. Veçanërisht u shqua në lëmin e artit. Bëri vizatime të numërta artistikisht me nivel në shkollë dhe mori pjesë aktive me shkrime, me artikuj të numërt në buletinin botues të shkollës, për ç'gjë jo rrallë do dekorohet. Për shkak të suksese të shumta në fillore Umihana aktualisht ndjek mësimet po në gjimnazin e Amrës.
    Çfarë është me rëndësi të vë në spikamë për Umihanën?
    Umihana është në lartësinë e detyrës edhe në kryerjen e detyrave të shtëpisë, si në mirëmbajtjen e pastërtisë, ashtu edhe në shopping (në blerje), punë kjo të cilën ajo e kryen pa përtesë fare dhe me përpikmëri. Në këtë rrafsh i ka ngjarë plotësisht nënës sime, e cila deri në pleqëri të thellë kryente këtë punë, duke udhëhequr me ndërgjegje të lartë komplet ekonominë e shtëpisë. Po këtë punë, ndonëse tashmë në moshë, e bën dhe motra ime e madhe Samija.
    Umihana si fetarisht, ashtu edhe kombëtarisht, është, mashallah, në nivel të lartë. Çdo ditë, mëngjeseve të hershme, dëgjoj rrapëllimat e këmbëve të saj teksa zgjohet për të marrë abdest për faljen e namazit të sabahut.
ARTA
    Vitin 2005 familja na u pasurua, elhamdulil-lah, edhe me një fëmijë. Na lindi vajza e katërt, Arta e vogël simpatike. Gjithë shoqëria ime më thonë: "Zekerija, Arta "ta ka këput" kokën!" Ajo, me kuriozitetin e një fëmije ndjek hap pas hapi shembullin e të motrave të saj. Ndonëse akoma e vogël, u bashkangjitet prindërve dhe motrave në gjitha ibadetet (adhurimet fetare): në namaze dhe në dhikër. Këtë Ramazan Arta, tashmë ka mbushur 10 vjetë, qan poqese ndodhë të mos e trazojmë për syfyr. Ne e mësojmë, më drejtë do thoja e stërvisim nga tash, si edhe vajzat e tjera më parë, me takt e program që të agjërojë pjesërisht, në mënyrë që kur të rritet, të hyj në moshën e pjekurisë (bylyk - kohë kjo kur një mysliman e myslimane obligohen fetarisht për zbatimin e gjitha detyrave fetare) t'i vijë më lehtë për ta praktikuar. Më kujtohet fare mirë kur në fëmijërinë time qanim me të motrën time Ibadeten nëse ndodhte që prindërit e vëllezërit më të mëdhenj nuk na trazonin për syfyr.
    Dorën në zemër, në gjitha ato familje ku prindërit kanë edukatë e arsimim të mirëfilltë islamik, fëmijët brumosen në mënyrë të shëndoshë me po atë edukatë e arsimim.
    Dhëntë All-llahu i Gjithëmëshirshëm që vajzat e mija të ndjekin rrugën në të cilën janë deri në vdekje (Amin!). Gjithashtu lutem dhe për gjithë fëmijët, për gjithë ne, që të jemi në razinë (kënaqësinë) e All-llahut të Madhërishëm gjer në vdekje.
    Sepse gjithnjë unë dhe bashkëshortja ime nuk heqim dot nga mendja hadithin e Muhammed Mustafasë a.s. : "Kujt i dhuron All-llahu xh.sh. 3 vajza dhe i rrit e edukon në frymën islame, ato do i bëhen mbrojtje në ahiret nga zjarri i xhehennemit!" Me të dëgjuar të hadithit, disa sahabë (shokë besimdrejtë të Muhammedit a.s. e pyesin profetin çka nëse ata kanë dy apo një vajzë!? Profeti a.s. u përgjigj njëlloj: "...edhe ata që kanë dy apo një vajzë dhe i edukojnë tamam në frymën islame, ato do i bëhen mburrojë nga zjarri i xhehennemit në ahiret!"
    Me këtë rast do kisha vënë në spikamë një fakt mjaftë të rëndësishëm: Asnjëherë, në lindjen e secilës nga vajzat tona, nuk kemi shfaqur pezm, gjëmë, hidhërim, vërenjtje, mrrolje etj. pse fëmijët tanë ishin të gjinisë femërore. Përkundrazi, jemi gëzuar shumë dhe kemi falënderuar nga thellësia e zemrës Krijuesin e Gjithëpushtetshëm - All-llahun xh.sh. Unë kam patur zakon që jorrallë herë të bëj shaka padjallëzisht me tim shoqe, Kefseren: "E dashur, All-llahu na ka begatuar me katër vajza, kur të martohen nesër, do kemi katër dhënduer, do të thotë 4 vajzat tona plus 4 dhëndurët-djem bëjnë 8, domethënë shtohemi, bëjmë 8 fëmijë!" (haha...)
    Dikush nuk ka patur fatin të ketë fëmijë. Përcaktim i All-llahut Fuqiplotë kjo punë. Djali i xhaxhait tim, Hamdiu, ndonëse mbi 20 vjetë martesë nuk ka fëmijë, tregohet jashtëzakonisht durimtar dhe stabil. Sa për digresion, lexoni bijat e mija një letër të shokut tim të ngushtë Alush Nebiu (nga Uzurmishti i Tetovës) dedikuar vajzës së tij të vetme, të cilën All-llahu ia fali pas 13 vitesh pritjeje:
"Donikës - Engjëlleshës sime
13 vite të plota kam pritur bekimin e Zotit. 13 vite kam kërkuar dhuratën e Zotit. Jam lutur vazhdimisht që pas martesës sime Zoti të më trashëgojë me fëmijë. Dhe, pas këtyre viteve të gjata plot lutje, përgjërim, mërzi e ankth, Zoti i Madhërishëm më bekoi me dhurimin e LULES-JETËS sime. Zoti ma fali një vajzë princezë, të cilës i vura emrin Donika. Zot, të qofsha falë, të falënderoj nga shpirti, të adhuroj dhe përkulem me respekt e devocion të thellë para Madhërisë Sate për këtë DHURATË të bukur - për këtë princezë të ëmbël. Zot ruaje nga të këqijat, jepi shëndet, shumë suksese në jetë dhe bekoje, si dhe gjithë fëmijët e botës! Amin!....Donika ti je zemra, shpirti dhe jeta ime! Ardhja yte në jetë ka begatuar dhe zbukuruar shtëpinë time. Të don babi shumëëë dhe lutet për Ty!"
 



P.S. Kjo është hyrja e veprës sime me titull "Letër bijave të mija", e cila është në përpunim e sipër. Zekerija IDRIZI

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme