LETËR BIJAVE TË MIJA

"O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar". (Kur'an: Et-Tahrim, 6)


    Kam menduar kohë të gjatë për të shkruar një letër për juve bijat e mija të dashura. Ide kjo jashtëzakonisht sublime, shpirtërore dhe fisnike njëherësh. Kur më vetëtiu ne kokë kjo ide, isha goxha i mahnitur dhe i kënaqur njëherësh, sepse thjeshtë ju drejtohem bijave të mija, loçkave të shpirtit tim. Si i entuziazmuar që isha, nuk munda të duroj dot, shpejt e shpejtë i komunikova këtë ide bashkëshortes sime-nënës suaj. Ajo u gëzua pa masë dhe më tha: "Do kesh përkrahjen time në këtë punë sublime, sepse All-llahu Mëshirëplotë na ka gëzuar me katër goca dhe i kemi emanet! Detyrë mbi detyrat kemi edukimin dhe arsimimin e tyre në rrugë të Zotit dhe profetit të Tij fisnik".
     Në shumë hadithe-gojëdhëna të profetit Muhammed a.s. fëmijët metaforikisht cilësohen si "mushkëritë e prindërve". 
    Kuptohet përmes juve, në fakt, iu drejtohem gjitha bijave e bijve të botës.‎ Me të shfaqur në kokë të këtij mendimi, përnjëherë më lindi në shpirt dhe lutja: "O All-llah, të qofsha falë! Insha-Allah nuk vdes para se të përfundoj e publikoj në libër këtë letër!" Në veçanti në këtë letër do përqëndrohem në hallet dhe dertet me të cilat përballen familjet shqiptare që kohë të gjatë jetojnë në mërgim, në dhe të huaj. Kjo për arsye se, ne prindërit mërgimtarë përballemi me probleme të nduarnduarta kundruall edukimit fetar dhe kombëtar të brezave të rinj, të fëmijëve tanë.
    Fëmijët i kemi dhuratë të All-llahut Mëshirues në këtë botë, madje dhe EMANET Hyjnor. Ndaj duhet parreshtur dhe palodhshëm të veprojmë në drejtim të edukimit dhe arsimimit sa më të shëndosh të fëmijëve tanë në dritë të burimeve autentike islame: Kur'anit Famëlartë dhe Sunnetit, gjegjësisht praktikës së profetit tonë të dashur Muhammedit a.s.
    Kur erdha për herë të parë në mërgim, në Berlin në fillim të vitit (shkurt) 1997, kisha vetëm një fëmijë, Amrën. Amra asokohe sapo kishte mbushur kater vjetë (lindi vitin 1994).


FËMIJËT VAJZA JANË FAT-BEREQET PËR FAMILJEN AMRA

 
    Amra është fryti i parë i dashurisë sime idilike me bashkëshorten time, Kefseren. Shumë më përngjan mua. Është shumë e ëmbël në shpirt, ndonëse shpejtë bëhet nevrike. Kur Amra shfaq herë herë nervozitet, bashkëshortja ime rëndomë thotë: "Burri im, Amra me gjitha sjelljet dhe tiparet karakterizuese që ka, anon nga familja dhe fisi yt!" (hahaha - më qeshet padjallëzisht).
    Amra kreu me sukses shembullor shkollën fillore. Si në mësime ashtu edhe në sjellje, ajo tregoi nivel të kënaqshëm. Rrjedhimisht pas fillores ndoqi mësimet në gjimnazin "Erst Aben Schule" në Neukolln të Berlinit. Këtu arriti rezultate të mëdha në mësime. Në këtë rrafsh më kujtohet fare mirë kur me shumë zell e përkushtim të thellë punoi në përgatitjen e punimit seminarik me temë: "Çështja shqiptare nga Beteja e Kosovës (1389) deri tek Kushtetuta e vitit 1974". Këtë temë Amra e mbrojti me notë të shkëlqyeshme para trupës arsimore. Me ditë të tëra vajza ime konsultohej me mua rreth historisë sonë kombëtare, duke shfletuar me këtë rast literaturë të numërt për temën në fjalë. E këshillova që të përqëndrohet me theks të veçantë tek laryshia apo mozaiku ynë fetarë: shqiptarë myslimanë, katolikë e ortodoksë, që pavarësisht diversitetit - dallimeve fetare, shqiptarët gjithnjë, historikisht, janë treguar unikë, rast ky i pashembullt në botë. Veçanërisht në këtë çështje Amra ka mahnitur me pikëpamjet e saj kolegjiumin arsimdhënës dhe nxënësit. I pata sugjeruar libra të numërt përkitazi me temën përkatëse, në dy gjuhët: shqip dhe gjermanisht. Falë Zotit, bibliotekën private në banesë e kemi mjaftë të pasur. Kam patur parasysh faktin se në mërgim do jem largë bibliotekave tona gjigante, largë librarive të shumta që shtrihen gjithandej në atëdhe, andaj çdoherë që kam vizituar familjen në Shkup, zakonisht me vete merrja vetëm rrobat e domosdoshme, në ç'mënyrë këtej mandej kthehesha me nga dy kuferë përplot libra. Në këtë rrafsh, kuptohet, na ndihmoi mandej edhe anëtarësimi im dhe i të bijave të mëdha në bibliotekat gjigante të Berlinit.
    Bijat e mija, mos harroni kurrë faktin se interneti, bota kibernetike përgjithësisht, asnjëherë nuk mund të zëvendësojë vlerën e letrës-LIBRIT. Ky fakt është vërtetuar shkencërisht. Pasuroni bibliotekat tuaja private dhe gjithnjë mikun më të ngushtë ta keni librin. Mos hiqni nga mendja asnjëherë urdhëresën e parë Kur'anore: "Ikre'...! Lexo në emër të Zotit tënd, i Cili gjithçka krijoi. E krijoi njeriun nga gjaku i ngjizur. Lexo se Zoti yt është më fisniku! I Cili ia mësoi njeriut ta përdorë lapsin...!
    Për njerëzit e dalldisur tejmase pas internetit, pas botës kibernetike përgjithësisht (shto këtu dhe celularët), e që flakin tej librat, bukur ka pohuar shkrimtari i shquar italian, Umberto Eco, në një ese të tij: "Kompjuteri sot mund të bëj gjithçka, vetëm nuk mund të besoj në Zot dhe nuk din të shkruaj poezi!"
    Këtu dëshiroj të ndalem një fije e t'ju rrëfej një detal (hollësi) nga fillimi i rrugëtimit tim drejt zgjimit islamik, të cilin për jetë të jetëve nuk e harroj dhe i cili, për më tepër, është mjaft inspirativ. Isha fillorist në klasën e 6-të kur befas më dhuroi në duar vëllai im Sahiti një libër. Nga kureshtja mora ta lexoj. I hedha vetëtimthi një sy titullit në ballinë: "Jeta e profetit Muhammed (Paqja e Allahut me të!)", të autorit shqiptar, hoxhë Vehbi Ismaili. Gjatë leximit vërejta se jeta dhe veprimtaria e profetit tonë të dashur përshkruhej në formë rrëfimi "të gjallë". Hoxhë Vehbiu, ndjesë pastë (Allahu e shpërbleftë me xhennet!), për çdo mbrëmje para gjumit i rrëfente të bijës së tij, Fatimesë, pjesë nga historia e profetit Muhammed a.s. Ky libër shkaktoi katarsis të hatashëm tek unë, nxiti transformimin rrënjësor tek unë drejt shtigjeve islamike. Mandej, pas disa ditësh, Sahiti më mori me vete në kinemanë "Napredak" të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, ku shikuam filmin shumë mbresëlënës "Mesazhi Islam-Nën flamurin e Muhammedit a.s." Nga kjo kohë unë fillova komplet një jetë të re. Fillova intensivisht të interesohem për Islam dhe me përkushtim të thellë të praktikoj detyrat fetare. Tek kryerja sipas rregullave e namazeve ditore, më ka mësuar shumë nuseja e vëllait tim Sahitit, Fitneteja, All-llahu e shpërbleftë! Nërkaq kurajo të fuqishme më ka dhënë nuseja e xhaxhait Zahir, Dada Taibe, ndjesë pastë, e cila ishte mjaftë inteligjente. S' do harroj kurrë kur njëherë ajo më pat thënë: "Bir, me izën e Zotit ti do mbërrish aq shumë sa ligjërimet tua do i dëgjojë një masë e gjerë!" Ndërkaq frymëzimin më të thellë religjioz e mora kur na ndërroi jetë xhaxhai më i ri, Hysniu (lala Hisë - All-llahu e shpërbleftë me xhennet!). Si më i ri që isha në familje, me rastin e ngushëllimeve që qe hapur për te, të tjerët pritnin e shërbenin mysafirët, ndërkaq unë ulesha diku tek dera e dhomës dhe dëgjoja me vëmendjen më të thellë hoxhallarët tek predikonin fenë. Veçmë klasën e 8-të vajta tek mejtepi i xhamisë Haxhi Qazim në Gazibabë, ku iu rreka me vullnet të madh proçesit edukativo-arsimor fetar përpara hafizit e hoxhës punëmadh Haxhi Adem Idrizi. Nuk mund të gjej fjalë për të falënderuar këtë hafiz të mirënjohur të Shkupit në ndërgjegjësimin tim fetar. All-llahu i Madhërishëm e shpërbleftë për kontributin e tij madhor! T'ju vë në dijeni faktin se kësokohe ishte në fuqi regjimi komunisto-ateist ish-jugosllav, i cili përgjonte e përndiqte çdo lëvizje e aktivitet fetar islamik të besimtarëve aktivë myslimanë. Ky regjim totalitar kishte therrë në sy zgjimin e gjithëmbarshëm islamik tek popullsia myslimane. U jam falënderues disa mësuesëve e mësueseve, arsimtarëve e arsimtareve, të cilët, ndonëse të shtrënguar nga regjimi i kohës, tregonin tolerancë e mirëkuptim karshi nxënësve praktikantë të fesë. Së këndejmi përjetë s'do harroj kujdestarin tim të klasës, arsimtarin Mitat Shaqiri, i cili ishte besimtar i devotshëm tok me axhën e tij, mësuesin Rexhep Shaqiri (ndjesë pastë!), mandej arsimtaren elegante të matematikës Nurije Kadriun dhe arsimtarin e gjuhës dhe letërsisë shqipe Kadri Lamallari. Kohë kjo kur ca mesimdhënës hynin nëpër klasa dhe detyronin dhunshëm nxënësit agjërues të prishin agjërimin dhe restrikcione e përkufizime të tjera karshi aktiveteve fetare.
    Përkujtova këto detaje-hollësi të një rëndësie madhore për mua, për t'ju treguar rëndësinë dhe vlerën e madhe që ka leximi-libri. T'ju kujtoj hadithin shumëdomethënës: "Gjënë e parë që krijoi Zoti ishte lapsi dhe i tha në formë urdhërese: Shkruaj gjjthçka që do të krijoj Unë!". Mandej jorastësisht u kam dhuruar juve në dy gjuhë shqip-gjermanisht librin mbi jetën e të Dërguarit të Allahut, Muhammed Mustafa a.s. dhe shpesh herë unë dhe mami juaj ju kemi rrëfyer pjesë nga jeta dhe veprimtaria e më të dashurit tonë Muhammedit, paqja e Allahut qoftë me te! Ju lutem, lexone dhe rilexone me shumë vëmendje dhe me shpirt! Allahu Mëshirëplotë do ju dhurojë bereqete vazhdimisht dhe gjithanshmërisht. Meditoni rreth haditheve vijuese:
"Nuk do të besoni askush prej jush plotësisht (nuk do keni iman të plotë) përderisa unë të mos jem më i dashur në zemrën e tij se sa prindërit, fëmijët dhe gjithë njerëzimi!"
"Kush i posedon tre cilësi ai ka shijuar ëmbëlsinë e vërtetë të imanit (ka kulmin e besimit):
1. Ai që e don Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se gjithçka në këtë botë,
2. Ai që e don një shok, mik vetëm për hirë të Allahut, pa kurrfarë interesi dhe
3. Ai që e urren kthimin në kufër (mosbesim) pasi që Allahu ta ketë udhëzuar, njëlloj sikur që urren të hidhet në zjarr.
    Sa i përket fesë, Amra falet rregullisht (zbaton me devotshmëri namazet ditore), agjëron për çdo vjet muajin e bekuar të Ramazanit, për çdo mbrëmje kryen zikrin (dhikrin-tespihët) tok me të motrat e saja dhe lexon rregullisht literaturë islamike dhe të përgjithshme (vitrinat e banesës sonë gjithandej janë të stërmbushura me literaturë gjithëfarëshe). Kombëtarisht është jashtëzakonisht e pjekur. Din fare mirë historinë kombëtare dhe flet rrjedhshëm gjuhën amtare shqipe. Përveç kësaj, komunikon rrjedhshëm dhe gjermanisht, anglisht e frengjisht. Në këtë rrafsh, ajo ndjek rrugën e së ëmës saj dhe dajës, Adil Beut, i cili ka talent poligloti.
    Aktualisht synon të regjistrohet në një nga universitetet ekzistuese në Berlin.


ZARIFEJA

 
    Brenda vitit të parë në mërgim (1997), më fali Zoti në atëdhe dhe vajzën e dytë. Me bashkëshorten time ramë në ujdi që t'i vemë emrin e nënës sime të ndjerë Zarife (All-llahu e mëshiroftë!)
    Zarifeja na pat ngazëllyer me bardhësinë magjike qysh në lindje. I ngjason tërësisht të ëmës saj. Me të marrë lajmin për lindjen e saj, shpejtë shkova në vendlindje për ta parë. Nuk më hiqet nga mendja çasti kur hyra në dhomë e ajo ishte në djep në mes të dhomës. I hoqa velin nga fytyra, ç'të shoh, më verboi "drita" e fytyrës saj që shndërriste magjishëm. Klitha zëshëm: Elhamdulil-lah! (Falënderimi i takon All-llahut!).
    Zarifeja është jashtëzakonisht e butë në shpirt dhe ka mirësjellje të shkëlqyeshme, si në familje, ashtu edhe në shkollë e shoqëri në përgjithësi. Tamam ka merituar emrin e nënës sime Zarife, të cilën gjithë familja, farefisi, miqtë dhe fqinjët e thërrisnin me dashamirësi Dada Zarë. Gjithë e donin dhe shfaqnin respekt të thellë ndaj saj. Po kështu është edhe me Zarifen, të cilën e duan të gjithë.
    Zarifeja në shkollën fillore tregoi talent të rrallë, për ç'gjë dhe aktualisht vijon mësimet në gjimnaz, ku po tregon rezultate të lakmueshme. Fetarisht dhe kombëtarisht, në çdo aspekt, është, falë Perëndisë, në nivel shumë të lartë.
    Çfarë do kisha veçuar për Zarifen? Zarifeja po tregon talent të rrallë në artet e kuzhinës. Në këtë rrafsh i ka ngjarë plotësisht gjyshes saj (nënës Sevdije - nëna e bashkëshortes sime). Pothuaj çdo ditë na surprizon me ëmbëlsirat e saja të llojllojshme, të cilat i përgatit me shumë shije. Së këndejmi do kisha theksuar dhe një fakt tjetër: elhamdulil-lah, tashmë si të rritura e të pjekura që janë, Amra, Zarifeja dhe Umihana shpesh herë na përgatisin gjellëra të ndryshme me shumë shije dhe, njëherësh, na shërbejnë me çaj e kafe. 
    O njerëz, pash Perëndinë, po a ka kënaqësi më të madhe ore se sa të të shërbejnë e respektojnë fëmijët-sytë e ballit, loçkat e shpirtit? All-llahu Mëshirëplotë ia mundësoftë këtë çdo familjeje shqiptare! Amin!


UMIHANA

 
    Më 1999 na lindi vajza e tretë, Umihana, në Berlin. Umihana, ah Umihana, mashallah, vajzë shumë inteligjente. Në shkollën fillore jo vetëm që tregoi sukses të shkëlqyeshëm, por edhe u mor me aktivitete të shumënumërta. Veçanërisht u shqua në lëmin e artit. Bëri vizatime të numërta artistikisht me nivel në shkollë dhe mori pjesë aktive me shkrime, me artikuj të numërt në buletinin botues të shkollës, për ç'gjë jo rrallë do dekorohet. Në artin vizatimor, do kisha theksuar, ndjek rrugën e dajës saj, Adil Ibraimit, i cili ka kryer Fakultetin e Arteve në Izmir e Stamboll dhe punon kreator mode (dizajner), njëherësh ligjëron me honorar dy lëndë Arti në Universitetin e Stambollit. 
    Për shkak të suksese të shumta në fillore Umihana aktualisht ndjek mësimet po në gjimnazin e Amrës.
    Çfarë është me rëndësi të vë në spikamë për Umihanën?
    Umihana është në lartësinë e detyrës edhe në kryerjen e detyrave të shtëpisë, si në mirëmbajtjen e pastërtisë, ashtu edhe në shopping (në blerje), punë kjo të cilën ajo e kryen pa përtesë fare dhe me përpikmëri. Në këtë rrafsh i ka ngjarë plotësisht nënës sime, e cila deri në pleqëri të thellë kryente këtë punë, duke udhëhequr me ndërgjegje të lartë komplet ekonominë e shtëpisë. Po këtë punë, ndonëse tashmë në moshë, e bën dhe motra ime e madhe Samija.
    Umihana si fetarisht, ashtu edhe kombëtarisht, është, mashallah, në nivel të lartë. Çdo ditë, mëngjeseve të hershme, mashallah, dëgjoj rrapëllimat e këmbëve të saj teksa zgjohet për të marrë abdest për faljen e namazit të sabahut.
ARTA
    Vitin 2005 familja na u pasurua, elhamdulil-lah, edhe me një fëmijë. Na lindi vajza e katërt, Arta e vogël simpatike. Gjithë shoqëria ime më thonë: "Zekerija, Arta "ta ka këput" kokën!" Ajo, me kuriozitetin e një fëmije ndjek hap pas hapi shembullin e të motrave të saj. Ndonëse akoma e vogël, u bashkangjitet prindërve dhe motrave në gjitha ibadetet (adhurimet fetare): në namaze dhe në dhikër. Këtë Ramazan Arta, tashmë ka mbushur 10 vjetë, qan poqese ndodhë të mos e trazojmë për syfyr. Ne e mësojmë, më drejtë do thoja e stërvisim nga tash, si edhe vajzat e tjera më parë, me takt e program që të agjërojë pjesërisht, në mënyrë që kur të rritet, të hyj në moshën e pjekurisë (bylyk - kohë kjo kur një mysliman e myslimane obligohen fetarisht për zbatimin e gjitha detyrave fetare) t'i vijë më lehtë për ta praktikuar. Më kujtohet fare mirë kur në fëmijërinë time qanim me të motrën time Ibadeten nëse ndodhte që prindërit e vëllezërit më të mëdhenj nuk na trazonin për syfyr.
    Dorën në zemër, në gjitha ato familje ku prindërit kanë edukatë e arsimim të mirëfilltë islamik, fëmijët brumosen në mënyrë të shëndoshë me po atë edukatë e arsimim.
    Dhëntë All-llahu i Gjithëmëshirshëm që vajzat e mija të ndjekin rrugën në të cilën janë deri në vdekje (Amin!). Gjithashtu lutem dhe për gjithë fëmijët, për gjithë ne, që të jemi në razinë (kënaqësinë) e All-llahut të Madhërishëm gjer në vdekje.
    Sepse gjithnjë unë dhe bashkëshortja ime nuk heqim dot nga mendja hadithin e Muhammed Mustafasë a.s. : "Kujt i dhuron All-llahu xh.sh. 3 vajza dhe i rrit e edukon në frymën islame, ato do i bëhen mbrojtje në ahiret nga zjarri i xhehennemit!" Me të dëgjuar të hadithit, disa sahabë (shokë besimdrejtë të Muhammedit a.s. e pyesin profetin çka nëse ata kanë dy apo një vajzë!? Profeti a.s. u përgjigj njëlloj: "...edhe ata që kanë dy apo një vajzë dhe i edukojnë tamam në frymën islame, ato do i bëhen mburrojë nga zjarri i xhehennemit në ahiret!"
    Me këtë rast do kisha vënë në spikamë një fakt mjaftë të rëndësishëm: Asnjëherë, në lindjen e secilës nga vajzat tona, nuk kemi shfaqur pezm, gjëmë, hidhërim, vërenjtje, mrrolje etj. pse fëmijët tanë ishin të gjinisë femërore. Përkundrazi, jemi gëzuar shumë dhe kemi falënderuar nga thellësia e zemrës Krijuesin e Gjithëpushtetshëm - All-llahun xh.sh. Unë kam patur zakon që jorrallë herë të bëj shaka padjallëzisht me time shoqe, Kefseren: "E dashur, All-llahu na ka begatuar me katër vajza, kur të martohen nesër, do kemi katër dhënduer, do të thotë 4 vajzat tona plus 4 dhëndurët-djem bëjnë 8, domethënë shtohemi, bëjmë 8 fëmijë!" (haha...)
    Dikush nuk ka patur fatin të ketë fëmijë. Përcaktim i All-llahut Fuqiplotë kjo punë. Djali i xhaxhait tim, Hamdiu, ndonëse mbi 20 vjetë martesë nuk ka fëmijë, tregohet jashtëzakonisht durimtar dhe stabil. Sa për digresion, lexoni bijat e mija një letër të shokut tim të ngushtë Alush Nebiu (nga Uzurmishti i Tetovës) dedikuar vajzës së tij:
"Donikës - Engjëlleshës sime
13 vite të plota kam pritur bekimin e Zotit. 13 vite kam kërkuar dhuratën e Zotit. Jam lutur vazhdimisht që pas martesës sime Zoti të më trashëgojë me fëmijë. Dhe, pas këtyre viteve të gjata plot lutje, përgjërim, mërzi e ankth, Zoti i Madhërishëm më bekoi me dhurimin e LULES-JETËS sime. Zoti ma fali një vajzë princezë, të cilës i vura emrin Donika. Zot, të qofsha falë, të falënderoj nga shpirti, të adhuroj dhe përkulem me respekt e devocion të thellë para Madhërisë Sate për këtë DHURATË të bukur - për këtë princezë të ëmbël. Zot ruaje nga të këqijat, jepi shëndet, shumë suksese në jetë dhe bekoje, si dhe gjithë fëmijët e botës! Amin!....Donika ti je zemra, shpirti dhe jeta ime! Ardhja yte në jetë ka begatuar dhe zbukuruar shtëpinë time. Të don babi shumëëë dhe lutet për ty!"
    Ka dhe përplot raste kur prindërve u vdesin fëmijët e mitur ose qysh në lindje. Fëmiu, i cili vdes foshnje, ndërmjetëson për prindërit në ditën e llogarisë në ahiret. Thotë Pejgamberi, alejhi selam: "Nuk ka njeri, që i vdesin tre fëmijë të vegjël (nuk kanë arritur pjekurinë), e të mos jenë mburojë për te nga zjarri ose të mos hyjë në Xhenet”. ”. (Transmetim unanim)
Në një transmetim të Buhariut qëndron edhe për dy fëmijë. Ebu Seidi transmeton se gratë kishin kërkuar nga Muhammedi, alejhi selam, që t’ua caktonte një ditë për t’iu dhënë këshilla. Ai me një rast iu kishte thënë: "Nuk ka grua që i vdesin tre fëmijë e të mos jenë pengesë për te nga zjarri. Një grua tha: E nëse dy? Tha: Edhe nëse (i vdesin) dy”. (Buhariu)
Falënderimi i takon vetëm All-llahut, profeti Muhammed a.s. thoshte: "Në ate familje që ka fëmijë vajza, All-llahu e shton bereqetin e Tij".
    Bijat e mija le të krenohemi me fenë së cilës i përkasim-Islamin, sepse kjo fe na ka ngritur në piadestalin më të lartë. Në periudhën e xhehaletit-injorancës (d.t.th. para paraqitjes së Islamit) femra, gruaja, nëna, po dhe fëmijët vajza ishin në pozitën më të rëndë e më të nënçmuar. Paramendoni, a ka më tragjike se sa vetë prindi, babai të fusë të gjallë në dhe, në varr, fëmijën e tij vetëm pse ajo ishte vajzë !??? Kësokohe fëmijët vajza paraqisnin turp, gjëmë, mallkim, fatkeqësi për një familje. Vetëm dhënja e lajmit për lindje të një fëmije femër paraqiste kob për atë familje. Ja se çfarë thotë All-llahu xh.sh. lidhur me këtë:
"Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet me (lindjen) vajzë, fytyra e tij prishet dhe bëhet pot mllef. Fshihet prej njerëzve, për shkak të asaj të keqeje me të cilën u lajmërua (e konsideron bela, e jo dhuratë prej Zotit). Mandej, (mendon) a do ta mbajë atë, ashtu i përulur, apo do ta mbulojë atë (të gjallë) në dhe. Sa i keq është ai gjykim i tyre”. (Nahl, 58-59)
    Së këndejmi dhe urdhëri Kur'anor:
"Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh”. (Isra, 31)
    Këtu me theks të veçantë do ju kisha rekomanduar të hiqni dorë në të ardhmen, kur të krijoni familje, nga gjitha mjetet moderne kontraceptive për parandalimin e shtatzënisë. A të mos flasim për abortet, që paraqesin krim të rëndë në fenë tonë islame.
Do të thotë le të jemi sa më largë përdorimit të mjeteve të ndryshme kontraceptive, kundër aborteve dhe le t'i themi stop feminizmit në përgjithësi.



KRENOHUNI QË JENI SHQIPTARE DHE MYSLIMANE



    Bijat e mija në asnjë rast mos i lejoni vetes të vuani nga kompleksi i vogëlsisë i të qenit shqiptare dhe myslimane. Nuk ka vend për inferioritet karshi identitetit. Sepse identitetin në të cilin jemi e ka parapërcaktuar Zoti i Madhërishëm. Ishte vullneti i Tij, i qofshim falë, të jemi shqiptarë dhe përkatës të Fesë Islame. Së këndejmi është mëkat i madh të përgënjeshtrohet a mohohet identiteti themeltar.
Ne themi zëshëm dhe botërisht: Po integrimit - Stop asimilimit! Është rrethanë lehtësuese që në Gjermani kemi mundësinë ligjërisht të ruajmë e kultivojmë traditat, doket e zakonet tona kombëtare e fetare. Prandaj detyrë mbi detyrat kemi të ruajmë fanatikisht, po sikur sytë e ballit, traditat vetanake. Kur theksojmë zëshëm se duhet të krenohemi e mburremi për përkatësinë tonë kombëtare e fetare, kjo nuk nënkupton vetëmburrjen negative, egocentrizmin, mizantropinë, urrejtjen ndaj kombeve, kulturave e feve të tjera, nacizmin etj. Unë po ju flas, në fakt, për një patriotizëm e fetarizëm të shëndoshë e konstruktiv. Fundja, po qe se duam vetëveten, ne jemi të gatshëm të duam dhe të tjerët. Shikoni se si gjermanët mburren në çdo hap dhe kudo, pa kurrfarë ngurrimi. Bija, të kemi kujdes, snobizmi është vesi më i urryer, më i gërditshëm. Filozofi i njohur françez Zhan Pol Sarter i kualifikonte për "njerëz të majmunosur" gjithë ata e ato që tregoheshin snobë, që turpëroheshin nga përkatësia e tyre identitare. Diku, në një libër timin, kam përmendur mendimin e kolosit shqiptar Faik Konica përkitazi me këtë çështje a ves. Ai thoshte me të drejtë: "Më së shumti në jetë ua kam patur mëninë atyre shqiptarëve snobë (Konica kishte zakon të këtillët ti quaj "levantinë") që mendonin se bëheshin françezë, gjermanë a anglezë me të veshur të një kollare evropiane a me të vënët në kokë të një kapele françeze...!! Unë në parim pajtohem me atë sentencën shumëdomethënëse të Zhan Pol Sartres e Albert Kamys, se "ne rastësisht jemi françezë, domosdoshmërisht jemi njerëz", por unë sërish theksoj: domosdoshmërisht jemi njerëz, domosdoshmëriosht jemi dhe shqiptarë e myslimanë. Përse them kështu? Françezët kanë shtetin e tyre gjigant e të fuqishëm në çdo pikëpamje, pokështu dhe gjermanët, anglezët dhe shumica dërrmuese e popujve të Perëndimit. Por ne shqiptarët nuk kemi për arsyet e mirënjohura për ne. Luftërat, gjenocidet, etnocidet, urbicidet, padrejtësitë e shumënumërta në çdo segment, uzurpimet grabitçare që i ushtruan historikisht nga antikiteti e gjer më sot armiqtë tanë sllavo-ortodoksë mbi tokën, gjuhën, flamurin, kulturën, qytetërimin dhe fetë tona, përgjithnjë si dje, ashtu edhe sot e në të ardhshmen, imponojnë ndjenjën për vetëkëndellje e për rimëkëmbje kombëtare dhe fetare, për ribashkim kombëtar të të gjitha trojeve të Gadishullit Ilirik, të ndara padrejtësisht me kufinj të hekurt nga armiqtë. Kur përmenda patriotizmin e shëndoshë e konstruktiv, po ju rikujtoj ate shembullin që shpesh ua kam përmendur. Rilindasi zulmëmadh Sami Frashëri ishte poliglot, shkruajti shumë vepra në turqisht dhe gjuhë të ndryshme, ndër të tjerash veçan u mësonte turqishten letrare dhe vetë turqëve duke ua shkruar fjalorin (Kamus turki) dhe enciklopedin kolosale, kishte kulture universale, por mu brenda Stambollit shkroi Abetaren për shqiptarët dhe veprën monumentale "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e çdo të bëhetë?" (nëntitulli: Mendime për shpëtimt të mëmëdheut nga reziket që e kanë rethuarë-botuar vitin 1899), e cila shërbeu për program për komplet Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Mandej Faik Konica, Fan Stelian Noli e shumë të tjerë intelektualë poliglotë e poliedrikë, flisnin e shkruanin në shumë gjuhë të botës, por paralelisht flisnin dhe shkruanin dhe për fatet e kombit e atëdheut tonë. T'i kthehem prap Sami Frashërit, le të lexojmë me vëmendje: "Shqipëtar është çdo njeri i pjellë prej shqiptarësh e që flet shqip, po shqiptar i vërtetë ësht' ay që ka mëndjen e zemrënë shqipëtar ... Duanë gjuhën' e kombin' e tyre edhe përpiqenë për mbrodhësit të mëmëdheut ...Kombi shqipëtar s'është komb për të pasurë turp prej tij; të qënët e një njeriu nga një komb kaqë trim e kaq i zgjuarë, s'është turp, por është nder i madh ... Jemi m'i vjetri komb i Evropësë edhe m'i fisçmi e më trimi; flasimë më të vjetrënë e më të mirënë gjuhë të farësë arjane".
    Prandaj, bijat e mija të dashura, vazhdoni me konsekuencë t'i ruani dhe t'i kultivoni traditat e zakonet thelbësore të kombit dhe të fesë sonë. Veçanërisht në shtëpi vazhdoni të komunikoni intensivisht në gjuhë amtare, shqip, pokështu dhe jashtë me shqiptarë e shqiptare të komunitetit tonë. Vazhdoni t'u përmbaheni rregullave fetare islame me përpikmëri dhe devotshmëri të thellë. Këto vlera të shenjta përcillni në të ardhmen dhe tek fëmijët tuaj, sepse rreziku më i madh për asimilim do t'u kanoset brezave të ardhshëm. Gjasme, mjerisht, ne jemi "të dënuar" të jetojmë jetë mërgimtari përjetësisht. Andaj të jemi syçelë e vigjilentë.
    Jorastësisht për çdo vjet shkojmë për pushime në vendlindje, në Shkup, ku qëndrojmë rëndomë 5 muaj. Dashuria ndaj atëdheut dhe vizitat tona të shpeshta atje kanë rëndësi të jashtëzakontë në ruajtjen dhe sforcimin e traditave tona kombëtare dhe fetare.
    Gjithnjë në aktivitet tona, qoftë individuale, qoftë të përbashkëta, le ta kemi parasysh atë devizën programatike të rilindasve tanë: "Për Zot e atëdhe!" 
    Pra, le të pajisemi me edukatë e arsimim të mirëfilltë fetar e kombëtar, sepse nesër ju si nëna fisnike e të zonja do krijoni familje të shëndosha, me fëmijë të dinjitetshëm në çdo sferë të jetës.



KONTRIBUONI PËR FE DHE ATËDHE

 
        Bijat e mija ndër punët më të lavdueshme është që njeriu të kontribuojë sa më shumë për Zot e atëdhe. Ne duhet të japim maksimumin në këtë rrafsh. Për më tepër për një ndërmarrje të këtillë na detyron feja. Kemi obligim të domosdoshëm që gjitha aftësitë, mundësitë, forcat, dijen dhe përvojën tonë t'i vemë në shërbim të fesë dhe kombit tonë. Mandej kini parasysh faktin se ne jetojmë në mërgim, në Gjermani, dhe këtu secili e secila nga ne, në një mënyrë, jemi ambasadorë - përfaqësues a reprezentantë të kombit dhe fesë sonë. Nëse tregohemi subjektë kreativë në shoqëri, duke kontribuuar në çdo sferë të jetës në pikëpamje pozitive, ne krijojmë në fakt imazh pozitiv në sy të nikoqirëve gjermanë kundruall përkatësisë sonë fetare dhe kombëtare.
    Në këtë botë të sotmen përplot terr, zvetënim moralo-etik, mjegullnajë e satanizëm në shumë segmentë të jetës, ne duhet të rrezatojmë dritë. Ne duhet të punojmë palodhshëm e me vullnet të madh në humanizimin e jetës. Diku, në një shkrim timin, kam parafrazuar atë sentencën domethënëse të një poeti: 
Nëse nuk digjem unë
nëse nuk digjesh ti
nëse nuk digjemi të gjithë ne ngapakë,
vallë si mundet errësira të bëhet dritë!?
    Si për gjithçka, ashtu edhe në këtë rrafsh le t'i referohemi burimeve tona islamike dhe atyre kombëtare. Do kisha veçuar faktin që me theks të veçant e evidencon All-llahu i Madhërishëm në Kur'anin Famëlartë. Këtu Zoti përmend me afirmimin më të lartë nënën fisnike të profetit Isa a.s., hazreti Merjemen (Zoti e mëshiroftë!), e cila do jetë reprezentante e gjitha grave fisnike e të devotshme në botën e amshimit, në ahiret. Merjemja, njihet për adhurimin dhe përkushtimin e saj fetar, që në rininë e saj të hershme. Ajo njihet për namazin e saj të natës, për meditimin e shumtë rreth Zotit dhe krijesave të Tij, si dhe për faktin që lindi Mesinë, hazreti Isain a.s. Merjemja është ndër personalitetet e rralla që admirohet dhe pëlqehet nga të gjithë fetë dhe kombet. Asnjë libër tjetër nuk e portretizon Merjemen, ashtu siç portretizohet në suren Merjem në Kur'an. Unë nuk kam lexuar ndonjë vlerësim më të mirë të këtij personaliteti, si vlerësimi që i bën Kur'ani në kapitullin me të njëjtin emër.
Statusi i Merjemes tek Zoti i lartësuar:
Në Kuran dhe traditën profetike, ajo njihet si zonja e të gjithë grave, simbol i dëlirësisë, virgjërisë e pastërtisë morale. Thotë Zoti në Kuran: "(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës.” (Al Imran, 42)
    Vetë fakti që Merjemeja është gruaja e vetme të cilës i përmendet emri në Kuran, do të mjaftonte për statusin që gëzon ajo tek Zoti. Asnjë gruaje tjetër nuk i përmendet emri në Kuran. Kur flitet për nënën e Musait a.s, ajo citohet vetëm si nëna e Musait. Po kështu për gratë e tjera. Sakaq, Merjemja jo vetëm që përmendet me emrin e saj, por kjo bëhet 33 herë. Kështu, ajo përmendet në Kuran më shumë se ç’janë përmendur emrat e disa profetëve. Thotë Profeti a.s:”Gratë më të mira në xhenet do të jenë katër: Hadixhe bintu Huvejlid, Merjem bintu Imran, Asija gruaja e faraonit dhe Fatimeja, vajza e Muhamedit.” Po sipas profetit Muhamed a.s, Merjemeja fisnike radhitet tek gratë më të pjekura. Hadithi tjetër: "Shumë njerëz e kanë marrur gradën e plotë, ndëkaq nga gratë, gradën e plotë e kanë arritur vetëm Asija, gruaja e Faraonit dhe Merjemeja, e bija e Imranit".
    Prandaj bijat e mija të dashura, ndiqni modelin perferkt të nënës Merjem (Zoti e bekoftë!), e cila flijoi gjithçka për Zotin. Për më tepër, shikoni se si All-llahu nënvizon në librin e Tij të shenjtë dallimin qenësor në mes të grave të devotshme dhe atyre jobesimtare. Lexoni me vëmendje ajetet vijuese:
"Atyre që mohuan, All-llahu u sjell shembull gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ata të dyja ishin në kurorë të dy robërve të mirë nga robërit tanë, por ato të dyja i tradhtuan (në fe) ata të dy dhe këta të dy nuk mund t'i mbrojnë ato fare tek All-llahu, e atyre dyjave u thuhet: "Hyni në zjarr së bashku me ata që hyjnë!"
"E atyre që besuan, All-llahu u solli shembull gruan e faraonit, kur ajo tha: "Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës Sate në xhennet dhe më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëlto prej popullit mizor!"
"Edhe Merjemen të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e Ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt e ajo i besoi fjalët e Zotit të saj dhe librat e Tij dhe ishte e devotshme". (Et-tahrimë: 10,11,12)
    Përkujtoni, madje, gruan më fisnike e më të devotshme të profetit tonë Muhammed a.s., hazreti Hatixhenë, e cila sakrifikoi gjithçka në të mirë të fesë islame. Ishte e para që përqafoi me zemër mesazhin islam dhe ishte krah i djathtë i profetit në misionin islamik gjer në vdekje. Ditën që ajo ndërroi jetë profeti deklaroi: "Më është tharë krahu i djathtë". Mandej këtë vit profeti e quajti "viti i dëshpërimit".
    Përkujtoni bashkëshorten më inteligjente të profetit, hazreti Aishen, e cila në historinë islame u cilësua si "fetvadhënëse e grave". Ajo përcolli me besnikëri mijëra hadithe të profetit Muhammed a.s. dhe pothuaj komplet sunnetin e tij, duke ua mësuar kështu burimisht fenë myslimanëve, veçanërisht grave.
    Përkujtoni madje femrën më zulmëmadhe myslimane, të bijën e profetit, hazreti Fatimenë, e cila gjer në vdekje qëndroi besnikërisht në shërbim të myslimanëve. Ajo në çdo segment i ndihmoi pa përtesë bashkëshortit të saj hazreti Aliut r.a., i cili ishte dijetar dhe luftëtar i madh i kauzës islamike. Si dhe qindra e mijëra shembuj të tjerë të lavdishëm të grave myslimane, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë islame. Ato jo vetëm që ishin besimtare të shkëlqyeshme, por edhe kontribuonin në gjitha sferat e misionit islamik, duke kryer me pedanteri punën e mësimdhënjes dhe edukimit, si në familje, ashtu edhe jashtë në shtetin islamik, duke marrë pjesë aktivisht në çdo aktivitet fetar, duke vizituar rregullisht xhamitë, duke kryer me ndërgjegje punën e infermiereve përgjatë luftimeve me armiqt, si dhe duke marrë pjesë aktive me shpatë në dorë në po ato luftime, krahpërkrah me burrat.
    Bijat e mija, punoni dhe ju parreshtur në sendërtimin e idealit madhor islamik: që fjala më e lartë të jetë ajo deviza jonë fundamentale: "Nuk ka zot-hyjni tjetër veç All-llahut Një dhe Muhammedi është profet dhe i dërguar i All-llahut".
    Bijat e mija, kur jemi tek kjo temë, ju lutem hidhni dhe një vështrim historisë sonë të lavdishme shqiptare, e cila është e mbushur me shembuj të shumënumërt të femrave e grave të devotshme, të fisme e atdhedashëse shqiptare. Femra shqiptare ka lozur dhe vazhdon akoma të loz rol të rëndësishëm në gjitha poret e jetës sonë, si në përparimin politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor të atëdheut tonë. Dihet historikisht kontributi kolosal në shumë fusha i, për shembull, Shote Galicës, Helena Gjikës (Dora d'Istria 1828-1888), mandej mësueseve të para shqiptare që punuan me dëshirë e vetëmohim në shkollën e parë të vashave „Shkolla e Vashave“ hapur në Korçë në vitin 1892: Sevastie Parashqevi Qiriazit, Katrina Cilkas, Polikseni Dhespot Luarasit dhe Fanka Efthimit, Dr. Sabiha Kasimetit (e para shkencëtare biologe shqiptare, e cila ndiqet, arrestohet dhe pushkatohet nga regjimi enverhoxhist si e vetmja grua në mes të 22 të dënuarve burra me pushkatim), Musine Kokalarit (intelektuale,shkrimtare e politikane e shquar, "Martire e Demokracisë"), Nurije Zekës (poete dhe ndër nismëtaret e para në aksionin për pajtimin e gjaqeve)Gonxhe Bojaxhiut (Nënë Tereza, e cila u laureua me çmimin Nobel për paqe) e shumë e shumë të tjera, me të cilat mburremi ne sot.
    Shikoni veçanërisht në këto dekadat e fundit pjesëmarrjen aktive të femrës e gruas shqiptare në të gjitha veprimtaritë e aktivitetet me rëndësi kombëtare. Dihet roli vendimtar edhe i femrës shqiptare në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, pjesëmarrja e saj aktive në gjitha demonstratat e organizuara për liri, arsimim shqip dhe pavarësi në Kosovë, inkuadrimi i saj me pushkë në dorë në gjitha betejat tona kundër gjenocidit sllavo-ortodoks në Kosovë (1998-1999), Në Kosovën Lindore (2000) dhe në Maqedoni (2001) e në shumë veprimtari të tjera substanciale kombëtare. Është mëkat të mos përkujtohen me pietet e respekt të thellë gjitha këto luftëtare sypatrembura, veçanërisht ato që ranë në altarin e lirisë - dëshmoret. Përkujtoni këtu mandej ato qindra mijëra nëna shqiptare që qëndronin si shqiponja nëpër istikamet e fushëbetejave tok me bijt e tyre zemërluaj. Shembull që do ngelë përjetë në kujtimet tona është e tërë familja e Komandantit tonë legjendar Adem Jashari (Zoti e shpërbleftë me xhennet!), që u flijua për lirinë dhe pavarësinë që ne sot e gëzojmë. Nëna e tyre kreshnike e burrneshë, Zahideja, tok me bijat, mbesat, nuset e me gjithë familjarët e saj ranë heroikisht në luftë përballë armikut (Zoti ua bëftë lehtë në amshim!).  S'do harrohen kurrë gratë legjendare të Likovës së Kumanovës pikërisht në kohët që zhvilloheshin luftime të rrepta në këtë zonë kundër soldateskës morbide sllavo-maqedone (vitin 2001), deklaronin zëshëm në media: "Kurrën e kurrës nuk largohemi nga istikamet tona! Në asnjë mënyrë e për asnjë çmim nuk i lëmë vetëm bijt tanë që po mbrojnë pragun, dinjitetin (ërzin e namuzin) dhe atëdheun tonë!"
    Prandaj dhe ju bijat e mija përvilni mëngët e qepjuni punës pa përtesë në të mirë të atëdheut. Vëndoni dhe ju nga një guriçkë në godinën e madhe shqiptare, të quajtur Shqipëri etnike!


DITËLINDJEVE JIPNI FRYMË ISLAMIKE

 
    Ne jetojmë në Evropë, konkretisht në Gjermani. Këtu bota krishtere dhe përgjithësisht ajo perëndimore kultivojnë zakone, rite e tradita konform kulturës tyre shekullore judeo-krishtere. Mos harroni faktin se, historikisht Qytetërimi Perëndimor mbështetet mbi tre themele: Kultura dhe religjionet perëndimore mbështeten mbi themelet e vlerave judeo-krishtere (në Torë-Dhjatën e Vjetër dhe në Bibël, Ungjill-Dhjatën e Re); filozofia perëndimore mbështetet mbi themelet e filozofisë antike greke; si dhe jurisprudenca (e drejta) perëndimore mbështetet mbi themelet e së drejtës Romake. Me këtë rast, nuk duhet të anashkalojmë një fakt me mjaft rëndësi: gjithë studjuesit, analistët objektivë jomyslimanë të Perëndimit pranojnë të dhënën e dëshmuar katërçipërisht se, edhe kultura, qytetërimi dhe filozofia Islame janë prej themeleve në të cilat mbështetet Kultura dhe Qytetërimi Perëndimor. Me të drejtë zyrtarë të lartë të shtetit gjerman deklaruan zëshën kohët e fundit: "Feja Islame dhe myslimanët janë pjesë ose elementë përbërës të shtetit gjerman!". Kjo thjeshtë sepse dijnë mirëfilli faktin, të dëshmuar historiografisht, se po të mos ishin Shtëpia e Urtë (Bejtul-hikmeh) e Bagdadit dhe Universitetet e Kordovës e Seviljes në Andaluzi (do të thotë, po të mos ishin shkencëtarët dhe filozofët myslimanë nga mesjeta), bota Perëndimore nuk do kishte haber për shkencat dhe filozofinë antike greke. Janë shkruar qindra libra faktografikë që dëshmojnë këtë të dhënë, edhe atë jo vetëm nga studjues myslimanë, por veçanërisht nga studjues objektivë jomyslimanë.
    Gjithandej në Perëndim njerëzit manifestojnë në mënyrë solemne ditëlindjet e tyre. Po kështu veprojmë dhe ne shqiptarët, si komb i stërlashtë i kontinentit Evropë. Por, ne si pjesëtarë të Fesë islame do dhënë ngjyresë fetare islame manifestimit të ditëlindjeve tona, në mënyrë që t' mos u përngjasojmë fetarisht të krishterëve, hebrenjëve, budistëve dhe sekteve të tjera religjioze, që janë të numërta gjithandej në Perëndim. Do patur parasysh gjithnjë vërejtjen e profetit Muhammed a.s. dedikuar mbarë botës myslimane: "Kush imiton në veprime një kolektivitet tjetër religjioz, ai atij i takon!"
    Bijat e mija të dashura, ju myslimanë, që të gjithë, në këtë çështje ne duhet të ndjekim rrugen sunnetike të të dashurit tonë Muhammed Mustafasë a.s. dhe gjeneratës së parë myslimane (as'habëve dhe tabiinëve). Rëndomë i Dërguari i All-llahut xh.sh. Muhammedi a.s. kishte zakon të agjëronte të hënave dhe të enjteve. Në pyetjen e sahabëve se pse vepronte ashtu, ai përgjigjej: "Agjëroj të hënave ngase të hënën kam lindur, më ka falur All-llahu i Madhërishëm dhe dëshiroj ta falënderoj Ate këtë ditë enkas me agjërim!"
    Bijat e mija, përpiquni të praktoni këtë metodë profetike. Në ditëlindjet tuaja shtoni punët e lavdueshme ibadetore, duke falënderuar Krijuesin e Gjithëpushtetshëm me namaz nafile, me lexim të sureve (kaptinave) kur'anore, me dhikër - duke përmendur me zemër 99 emrat e bukur të All-llahut (esmaul-husna), me agjërim nafile (agjërim vullnetar), me lexim të literaturës së larmishme islame etj.
    Ju kujtohet që pothuaj çdo vjet me rastet e ditëlindjeve tuaja ju bleja enkas tespihë gjithëfarësh dhe ju flisja për profetin e All-llahut, Muhammed Mustafanë a.s. dhe Fenë isame përgjithësisht.
    Ne jo vetëm që duhet t'u shmangemi praktikave të pjesëtarëve të religjioneve tjera në këtë çështje (si dhe në shumë çështje të tjera), por ne duhet t'u ikim dhe praktikave të skajshme shekullariste të njerëzve agnostikë (materialistë, ti ashtuquaj "mushrikë-politeistë modernë"), të cilët si joreligjiozë që janë nuk shfaqin kurrfarë religjioziteti a shpirtëroriteti në manifestimin e ditëlindjeve të tyre. Në sofrat-tryezat e tyre nuk përmendet minimum as Zoti se lëre më tjerat. Për më keq madje, ata edhe në këso manifestimesh fusin praktika devijante antiislamike duke përdorur skajshëm pijet alkoolike dhe veprime të tjera shfrenuese e amorale.
    Le të lexojmë me vëmendje versetin vijues Kur'anor në të cilin All-llahu xh.sh. flet për mrekullinë (mu'xhizen) e profetit Isa a.s. që i porsalindur ju flet njerëzve nga djepi dhe i lë gojëhapur e që për neve, kur jemi tek kjo temë, është mjaft ilustrativ:
"Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 30-33)
    Shikoni me sa përultësi e shpirt Isai a.s. i drejtohet të Madhërishmit: "...Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua në ditën që kam lindur...!
    Le të kërkojmë pra bekimin e Zotit ditën që kemi lindur. Atë ditë le të mbretërojë atmosferë e mirëfilltë islame në shtëpitë tona, larg çdo shprehie a veprimi jo-islamik.



TREGONI SYÇELTËSI: MARTOHUNI ME SHQIPTARË



    Me të drejtë kanë thënë njerëzit e urtë: Në dy gjëra njeriu duhet të ketë shumë kujdes e vigjilencë: në zgjedhjen e profesionit dhe në zgjedhjen e personit-persones për bashkëjetesë, martesë. 
    Martesa, e bazuar në dashurinë e çiltërt, bashkëjetesën, ngrohtësinë familjare dhe përzemërsinë e ndërsjellë ndërmjet bashkëshortëve, për ne myslimanët paraqet manifestimin e lartësuar të Vullnetit dhe të Qëllimit Hyjnor të All-llahut të Madhërishëm. Kjo dëftohet qartë në ajetin Kur'anor:
"Dhe nga faktet (e madhërisë) së Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe ndërmjet jush krijoi dashuri e mëshirë..." (Kur'ani, kaptina 30, ajeti 21)
    Bijat e mija martesa e fëmijëve këtu në dhe të huaj, në kurbet, është brenga më e thellë e çdo prindi. Në këtë drejtim, tregoni syçeltësi dhe vigjilencë të lartë. Mos përshpejtoni në vendimmarrje dhe peshoni punët mirë e hollë. Këtë e theksoj veçan për faktin se, siç dijmë, dashuria nuk njeh kufinj. Nga ana tjetër, mos harroni asnjëherë, për çdo rast hyni në konsultim me babain dhe nënën tuaj, veçanërisht me nënën mund të konsultoheni pa ngurrim dhe haptas. Eksperienca e më të vjetërve flet në favor të këtij sugjerimi apo kësaj ndërmarrjeje mjaftë njerëzore dhe instruktive (mësimdhënëse) njëherësh.
    Bijat e mija, ne shqiptarët, falë Zotit, jemi një komb mjaft vital dhe me natalitet të lartë. Gjithandej, si në atëdhe, ashtu edhe në mërgatë, ka shumë shqiptarë të rinj që janë të mirë, të bukur e të edukuar fetarisht dhe kombëtarisht në shkallë solide. Për më tepër, ne jemi një popull mjaft homogjen në gjitha segmentet e jetës. Kështu shqiptarët veprojnë edhe në jetën mërgimtare. Keni vërë re, ta zëmë, vetëm këtu në Berlin kryesisht shqiptarët mërgimtarë banojnë e veprojnë në dy komuna të Berlinit, në Neukolln (në shaka këtë komunë e quajmë "Shqipëria e vogël") dhe ne Weding, aty-këtu banojnë dhe veprojnë dhe në komuna të tjera të qytetit, por edhe atje grupe-grupe. Në këtë mënyrë më lehtë ruajmë dhe kultivojmë traditat tona vetanake kombëtare dhe fetare, krahas integrimit në botën gjermane. Sa i përket integrimit shqiptarët nuk kanë kurrfarë problemi, sepse gjenetikisht integrohemi lehtë kudo që ndodhemi jashtë atëdheut: shpejtë përvetësojmë gjuhët e vendit-shtetit ku vendosemi, mësojmë ligjet e zakonet përkatëse dhe jemi punëtorë të vyeshëm. 
    Mos hiqni kurrë nga mendja porosinë e profetit Muhammed a.s.: "Rini jini syçelë në vendimmarrjen e martesës! Njerëzit zgjedhin bashkëshorten e ardhshme për nga bukuria, prestigji e pozita familjare, për nga pasuria, si dhe për nga edukata e morali i mire fetar. Ti djalosh i ri merr atë femër për grua që ka këtë të fundit: edukatë e moral të mirë islamik!" Kjo, vetëkuptohet bijat e mija, vazhdon dhe për femrat në përzgjedhjen e burrit të ardhshëm.
    Hmmm! Kur jemi tek kjo temë do theksuar se dhe në mërgim ndodhë, mjerisht, ndonëse është rariret (shumë rrallë ndodhë), që ca shqiptare e shqiptarë të na martohen me të huaj, me pjesëtar të feve dhe kombeve të tjera. Këto raste janë shumë të dhimbshme për shqiptarët përgjithësisht e sidomos për prindërit e tyre, të cilët lëndohen thellë në shpirt. Kjo dukuri është rrezik të shkaktohet për faktin se ne mërgimtarët gjithandej bashkëjetojmë me nacionalitete e fe të ndryshme kudo shteteve e qyteve ku jemi. Fëmijët tanë ndjekin proçesin edukativo-arsimor nëpër çerdhe e shkolla, të mesme dhe të larta, ku nxënësit e studentët kanë përbërje heterogjene (të përzier) kombëtarisht dhe fetarisht. Jo vetëm kjo, është dhe një shkak tjetër që prodhon një nonsens të këtillë. Disa familje shqiptare, mjerisht, me të ardhur në kurbet, mbyllen hermetikisht në banesat e tyre dhe nuk komunikojne fare me shqiptarë të tjerë, ndërkohë që komunikojnë intensivisht vetëm me botën tjetër, me të huajt. Për pasojë, fëmijët e tyre nuk kanë kurrfarë kontakti me botën shqiptare dhe pësojnë shkrirje të hatashme kombëtare e fetare-asimilohen dalëngadalë. Në këtë rrafsh, ne do shumëzuar rrethin tonë shoqëror e miqësor. Duhet të intensifikojmë kontaktet ndërshqiptare, të vizitojmë rregulisht xhamitë, klubet e shoqatat e ndryshme tonat, të marrim pjesë aktivisht në çdo aktivitet e solemnitet kombëtar.
    Jorastësisht Feja islame na mëson devizën që do patur parasysh secili e secila nga ne: "Edukoni fëmijët tuaj para se të lindin ata!" Do të thotë në radhë të parë secili prej nesh do zgjedhur partnerin-partneren e jetës të edukuar në nivel, në mënyrë që në të ardhshmen të kemi trashëgimtarë-fëmijë me po atë edukatë. Familja është qeliza apo bërthama e shoqërisë, shtetit. Kemi familje të shëndosha në çdo pikëpamje, rrjedhimisht kemi dhe popull e shtet të shëndoshë.
    Rilindasi zulmëmadh Sami Frashëri ishte i frymëzuar fetarisht kur pohoi: "Keni edukuar e arsimuar një djal, keni ndërtuar e ngritur një personalitet, ndërkaq keni edukuar e arsimuar një femër, ju, në fakt, keni ndërtuar e ngritur një popull të tërë!"
    Në këtë rrafsh, nuk do lë pa theksuar dhe një fakt me relevancë. Në shumë biseda tonat flitet e përflitet për martesat tona mes shqiptarësh fesh të ndryshme. Demek a mundka të marrë një shqiptare myslimane për burrë një shqiptar katolik a ortodoks!? Kalimthi, sa për digresion, do kisha përmendur pohimin me shumë domethënje të një prifti shqiptar mjaft inteligjent kur i qe parashtruar një pyetje e tillë. Ai dha një përgjigje alegorike me shumë elegancë: "Ne shqiptarët jemi vëllezër të një gjuhe, gjaku e atëdheu. Kuvendojmë dhe punojmë bashkërisht në të mirë të atëdheut, por sa i përket martesave, ju lutem, secili-secila le të këpusë lulen në kopshtin e vet!" Kjo nuk do koment të tepërt, meqë është shumë e qartë dhe domëthënëse: secili apo secila në traditën, kulturën dhe fenë e vet.
    Përfundimisht, EMANET bija: Martohuni me djem të kombit e fesë sonë, që të ndërtoni familjet e pasardhësit tuaj mbi themele të shëndosha! Vetëm kështu do dëshmoni praktikisht KRENARINË tonë kombëtare dhe fetare.



RESPEKTONI PRINDERIT TUAJ

 
    Bijat e mija në Fenë tonë islame respektimi i prindërve zë vendin e dytë në kierarkinë e vlerave shpirtërore fetare. E pyeti një ditë Aisha fisnike profetin Muhammed a.s. "O i Dërguari All-llahut kush meriton respekt më së shumti pas All-llahut? Profeti përgjigjet: "Nëna!" "Po pas nënës?" - ndërhyri Aisheja r.a. Sërish profeti pohon: "Nëna!" Dhe pas së treti herë, ajo merr të njëjtën përgjigje. Së katëri herë profeti përgjigjet: "Pas nënës në radhë vjen babai!" Kjo është kështu për faktin se prindërit janë shkaktarë të ardhjes sonë në këtë botë, kurse Krijuesi ynë është All-llahu xh.sh. Nga prindërit nëna më së shumti flijon-sakrifikon për lindjen, rritjen, veshmbathjen, pastërtinë, ushqimin, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të saj. Gjithmonë kini parasysh hadithin e Muhammedit a.s.: "Xhenneti është nën këmbët e nënave tuaja!" Do të thotë me të respektuarit me përpikmëri e përkushtim të thellë fetar të prindërve ne kemi garantuar xhennetin e All-llahut xh.sh. Mandej në asnjë rast nuk duhet t'i lejojmë vetes të hidhërojmë, fyejmë a nënçmojmë prindërit, sepse profeti fisnik na ka tërhequr vërejtjen: "Kënaqësia e All-llahut është në kënaqësinë e prindërve, hidhërimi i All-llahut është në hidhërimin e prindërve".
    Mirësjellja ndaj prindërve parasëgjithash është urdhëresë Kur'anore. Lexoni me vëmendjen më të thellë ajetet vijuese të Kur'anit Famëlartë:
"Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve..." (Isra, 23)
"Adhuroni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë me prindërit" (Nisa, 36)
"Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu. Pse vetëm te Unë është kthimi juaj" (Llukman, 14)
    Bijat e mija të dashura, ne jetojmë jetë mërgimtari në Gjermani. Në këtë shtet, sikundër tashmë ju e dini, ç'prej kur krijojmë marrëdhënie pune në cilindo ent a institucion aty për aty inkuadrohemi në pagimin e sigurimeve të ndryshme, si p.sh.: sigurimin për papunësi eventuale, sigurimin shëndetësor, sigurimin pensional dhe atë për mirëmbajtje në azil - shtëpi pleqsh. Dëshiroj të ndalem një fije në këtë të fundit. Nuk është traditë jonja kombëtare e as fetare që pasi prindërit tanë të jenë në pension e në moshë të thyer t'i dërgojmë në shtëpi pleqsh, duke i larguar nga vetvetja, nga gjiri i ngrohtë familjar. Falë Zotit ne shqiptarët në këtë rrafsh do krenuar, sepse shfaqim respekt të thellë ndaj prindërve në çdo kohë, edhe atëherë kur ata hyjnë në moshë të thyer e nuk janë mirë shëndetësisht. Por, mjerisht, kohët e fundit ca fëmijë shqiptarë të rënë nën ndikimin e një pseudo-kulture, që është në trend sot, po tregojnë mosrespekt karshi prindërve të tyre pleq, duke i larguar nga banesat e tyre e duke i shpënë në azil-shtëpi pleqsh. Sa të pandjenja e të pashpirt që tregohen të tillët. Harrojnë tërësisht vërejtjen e profetit Muhammed a.s. : "Kush largohet dhe braktis prindërit ai veçmë ka bërë kufër (femohim)!"
    Le të ndalemi e le të meditojmë thellë rreth ajeteve vijuese:
"Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as <"of - oh">, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: "Zoti im! mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël". Zoti juaj e di më së miri atë që keni në shpirtin tuaj. Nëse keni qëllime të mira, vërtet Ai u fal atyre që pendohen". (Isra: 23,24,25)
    Sa bukur na këshillon All-llahu i Madhërishëm rreth raportit fëmijë-prindër. Lëre që është mëkat i pafalshëm, deri në shkallë kufri (mosbesimi), braktisja e prindërve, mënjanimi i çdo kontakti me ta e dërgimi i tyre në shtëpi pleqsh, por edhe vetëm shfaqja e mëllefit tonë ndaj tyre me vetëm një të vetmen klithmë-ofshamë "uf-oh" është mëkat i rëndë në fenë islame.
    Prindërit e braktisur, e nënçmuar, "të vetmuar" pa dashurinë e ngrohtësine familjare në shtëpi pleqsh ndodh të mallkojnë përjetë fëmijët e tyre të pandërgjegjshëm. Zot ruana! Fëmijët e tillë s' do shohin dritë kurrën e kurrës këtë jetë, kurse në botën e amshimit-në ahiret do kenë dënim të dhembshëm tek All-llahu xh.sh. I Dërguari i All-llahut, Muhammedi a.s. thoshte: "Duaja-lutja e prindërve për fëmijët e tyre tek All-llahu është po sikur lutja e profetëve për popujt e tyre; mallkimi i prindërve ndaj fëmijëve të tyre është sikur mallkimi i profetëve për popujt e tyre". Hadithi tjetër: "Nuk ka perde në mes prindërve që luten për fëmijët dhe All-llahut xh.sh. (do të thotë lutjet e prindërve pranohen qindpërqind tek All-llahu xh.sh.")
    Prandaj bijat e mija të dashura raportet-marrëdhëniet mes nesh le t'i vemë në ujdi e përputhje të plotë me urdhëresat dhe këshillat e All-llahut të Madhërishëm dhe profetit të Tij fisnik Muhammedit, paqeja e Zotit qoftë me te. Le të shtojmë dashurinë, mëshirën, respektin dhe lutjet reciproke për të përfituar bekimin dhe kënaqësinë e Zotit në këtë botë dhe në ahiret.
    Po kështu bija nesër (në të ardhmen) veproni dhe ndaj prindërve të bashkëshortëve tuaj. Konsideroni e respektoni ata sikurse prindërit tuaj biologjikë. Nëse sillemi mirë dhe me respekt të thellë karshi prindërve kështu do të sillen me neve në të ardhmen dhe pasardhësit tanë, fëmijët, nipërit dhe mbesat. Kështu na mësonte vetë profeti ynë i dashur: "Silluni mirë e drejtë me prindërit tuaj në mënyrë që nesër të sillen mirë dhe drejtë me juve fëmijët tuaj!"
    Bijat e mija të dashura, mos harroni asnjëherë, lutuni për neve, për babin dhe mamin tuaj. Pa dyshim dhe ne lutemi për juve.
All-llahu na bekoftë e na mëshiroftë!
All-llahu i bekoftë dhe mëshiroftë gjithë prindërit dhe fëmijët në botë!
Qofshim në razinë (kënaqësinë) e Tij në këtë botë dhe në amshim (ahiret)!
Amin!
"O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”. (Kur'an: Tahrim, 6)




Zekerija IDRIZI - BERLIN, qershor-ramazan 2015

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme