Në vitin 622 realizohet hixhreti i Pejgamberit a.s. nga Mekka në Jethrib. Shkaqet që detyruan një shpërngulje të këtillë nuk ishin vetëm konsumimi/harxhimi i mundësive dhe kushteve për jetë në Mekke, por njëkohësisht kjo shpërngulje ngërthente në vete edhe thelbin e themelimit të Medinetu’n Nebijj, pra themelimin e shoqërisë islame respektivisht vënien e gurthemelit të qytetërimit iIslam. Po qese nuk do të kishte qenë kështu, pra po qese qëllimi do të kishte qenë vetëm se të ikin e të shpëtojnë nga dhuna, torturat e shtypjet e idhujtarëve mekkas atëherë Pejgamberi a.s. sa për të gjetur një strehim të sigurt do të kishte udhëtuar drejt Etiopisë.

Tani më Jethribi u bë Qytet/Medine. Në Medine e cila ndryshe nënkuptonte qytetin e Pejgamberit a.s. shoqëria islame dita ditës po zhvillohej. I Dërguari i Allahut nëpërmjet të përpilimit të kushtetutës së Medines marrëdhënieve mes grupeve shoqërore u dha një status juridik. Tani më në vende të ligjit të shkretëtirës funksiononte/dominonte ligji qytetërues. Te kjo shoqëri i Dërguari i Allahut mundohet të instalojë një identitet të pavarur nga shoqëritë e tjera. Ndërtimin e këtij identiteti e bën nëpërmjet veprimeve apo sjelljeve të quajtura sunnet. Vendi/qendra e përbashkët e muslimanëve në Medine ishte mesxhidi. Këtu ishte zemra e qytetit, vendi i vendimmarrjes së muslimanëve. Zemrat që ishin pa kible, ndjenjën e kibles/orientimit e fituan pikërisht këtu.

Nga ana tjetër mu pranë xhamisë u ndërtua Darus-suffa e cila për të vetmuarit, të pastrehët e  shoqërisë islame u bë edhe strehimore edhe shkolla e tyre. Në sajë të Suffasë i Dërguari i Allahut arriti sukses që nga individët më të braktisur të shoqërisë të fitojë personalitetet më kualitative të shoqërisë islame. Në fakt Suffa i shërbente qëllimit për ta përcaktuar kiblen/orientimin e mendjes apo intelektit.

Pozicioni/vendi i tretë që vuri në shërbim i dërguari i Allahut ishte një vende tregu që i përkiste shoqërisë islame. Në tregun i muslimanëve të themeluar aty ku sot gjenden varret (Xhennetul Bekije) vendoheshin/përcaktoheshin parimet e ekonomisë së tregut. E veçanta më madhe e këtij tregu ishte se ai gjendej në një pozicion të tillë sa që dukej e gjithë hapësira nga një skaj në skajin tjetër. Dhe kjo cilësi është e nevojshme për të themeluar një treg të drejtë. Rregullat e tregut ndalonin konkurrencën e padrejtë. Me një fjalë tregu i Medines e përcaktonte kiblen e tregtisë dhe ekonomisë.

Nga ana tjetër idhujtarët e Mekkes shpërnguljen e Muhammedit a.s. nuk e konsideruan shpëtim prej tij. Meqë Pejgamberi i cili në Medine kishte ndërtuar një shoqëri, tani më ishte më i “rrezikshëm” se sa kur ishte në Mekke një individë me vetëm disa shokë. Në fakt ata e kishin kundërshtuar thirrjen e Pejgamberit a.s. thjesht sepse konsideronin se ua prishte përfitimet  materiale. Pas shpërnguljes në Medine ky kërcënim ndaj interesave të tyre ishte rrit edhe më tepër. Sepse Medineja ishte një ndër stacionet më kryesore të ekspeditave të tyre tregtare. Tregtia veriore respektivisht relacioni Mekke-Sham zhvillohej nëpërmjet të kësaj rruge. Në atë periudhë nuk ekzistonte ndonjë rrugë tjetër alternative. Mekkasëve u erdhi mbi kokë ajo nga e cila frikoheshin. Kjo rrugë që ishte damari shpirtërorë i tregtisë së tyre kaloi nën kontrolle të shoqërisë islame në Medine.  Idhujtarët për ta rikthyer kontrollin e kësaj rruge u mobilizuan për luftë. Kështu që në vitin e dytë hixhri respektivisht më 17 Ramazan ndodhi një ngjarje që ndryshoi rrjedhat e historisë. Kjo ishte një fitore historike por që është më e rëndësishmja vahji/shpallja ndërtoi moralin/etikën e ngadhënjimit.  Për shembull njëri ndër ajetet e sures Enfal që ndërton kodet e sjelljes së fitimtarit është edhe ajeti në vijim.

“Sigurisht, nuk ishit ju që i vratë ata, por i vrau Allahu! Kur gjuaje, nuk ishe ti (Muhamed) që gjuaje, por ishte Allahu Ai që gjuante, me qëllim që t’u bënte besimtarëve një dhuratë të bukur. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” (Enfal,17).

Pra që ngadhënjimtari mos futet në psikologjinë se ai është gjithçka, dhe pastaj të egërsohet apo të marrë tipare tirani. Vahji/shpallja i thotë se ti fitoren, ngadhënjimin e arrite me dijen, fuqinë dhe mundësin që ta dha Allahu xh.sh.  Pra mos e shikoni shkakun por shkaktarin, fitorja nuk është tek ju por tek Allahu, mos harroni se suksesin ia keni borxh Allahut. Ose me fjalë tjera kjo luftë e shndërroi në praktik fjalën La Havle Ve a Kuvvete Il-la Bil-lah. Forca dhe fuqia i takojnë vetëm Allahut xh.sh.

Fatkeqësisht për një botë pa luftë nuk mund të themi se është një botë më drejtë. Sepse në këtë botë vazhdimisht ka dhunë, padrejtësi e tirani. Për derisa ka zullum do të ketë edhe luftëra kundër zullumit.  Prandaj nëse nuk mund ta ndërtojmë një botë pa luftë atëherë qëllimi ynë duhet të orientohet në ndërtimin e moralit të luftës. Pikërisht Vahji këtë e bënë. Ngase edhe në kohën kur ndodhi Bedri por edhe sot e kësaj dite bota është e privuar nga kodi etik i luftës.  Në fakt edhe atëherë por edhe sot ekzistojnë rregulla dhe konventa të ndryshme që i kanë përpiluar njerëzit. Mirëpo për shkak se pas këtyre normave nuk qëndrojnë vlerat e pandryshueshme metafizike, ose nuk realizohen/aplikohen ose këto parime meqë i përpilojnë të fuqishmit i përpilojnë sipas interesave të tyre personale apo në rastin më të keq edhe i thyejnë rregullat të cilët vetë i vendojnë. Meqë normat morale të luftës të cilët i vendon Kurani rrjedhin nga një fuqi mbinjerëzore pra nga vetë Zoti, aplikimi i tyre është i domosdoshëm për çdo njeri pa përjashtuar askënd. Jeta e Pejgamberit është argument se praktikuesi më i madhe i këtyre parimeve ishte vetë ai dhe  shokët e tij (sahabët). Menjëherë pas përfundimit të b. Bedrit u hapën shumë çështje për debat. preja e luftës, trajtimi i të vdekurve nga palët e armikut, trajtimi i të plagosurve, trajtimi i robërve të luftës etj. Prandaj për të ndërtuar këto vlera sureja Enfal e fillon këtë temë pas një pyetje të parashtruar.

“Të pyesin ty (o Muhamed) për plaçkën e luftës. Thuaj: “Plaçka e luftës i përket Allahut dhe të Dërguarit”. Prandaj, frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë”. (Enfal, 1)

Sipas rrethanave të asaj kohe luftërat ishin një portë drejt burimeve të kapitalit. Për luftëtarin lufta ishte një rast i volitshëm për të fituar pasuri. Kështu që për të fituar sa më shumë ai nuk nguronte që të vras sa më shumë. Dhe sa më shumë që vriste aq më tepër i shtohej apetiti për të vrarë, ngase e gjithë plaçka i takonte vetë vrasësit. Kurani këtë botëkuptim e ndalon dhe në këtë drejtim sjellë norma që plaçka e luftës të shpërndahet në mes të varfërve, të shtypurve etj.:

“Ta dini se çfarëdo që të fitoni si plaçkë lufte, një e pesta i takon Allahut, të Dërguarit dhe farefisit të tij, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarit (që ka ngelur në rrugë), nëse besoni në Allahun dhe në atë që ia kemi shpallur robit Tonë në ditën e fitores (luftën e Bedrit), atë ditë kur u ndeshën dy ushtritë. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.( Enfal,41)

Në fakt në mësimin islam lufta nuk është qëllim por është mjet për të arrit paqen. Bedri ishte i këtillë. Këtë realitet e shohim edhe pas Bedrit, mjafton të përkujtojmë marrëveshjen e Hudejbisë të cilën pejgamberi a.s. e quajti si fitoren më të madhe nga se në këtë marrëveshje figuronte një nen që parashikonte një paqe dhjet vjeçare në mes palëve ndërluftuese. Vetëm brenda këtyre viteve të paqes pothuajse i tërë gadishulli arabik kaloi në  fenë islame. Është një fakt i pamohueshëm islami vetëm në periudha të paqes është rritur. Në kohëra lufte ka stagnuar. Prandaj gjithmonë synon dhe  preferon paqen:

“Nëse ata shfaqin prirje për paqe, atëherë edhe ti ano nga ajo dhe mbështetu tek Allahu, sepse, vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka. Por, nëse ata synojnë të të mashtrojnë, të mjafton Allahu (si mbrojtës). Ai të ka forcuar me ndihmën e Tij dhe me besimtarët”. (Enfal, 61-62).

Në kuadër të ndërtimit të moralit të luftës është edhe ajeti në vijim që thërret njeriun të jetë vigjilent përballë kërkesave dhe ambicieve të përbotshme, lakmi të cilat mund ta mashtrojnë dhe për pasojë të përfundojë në tradhëti.  Në fakt ky ajet ka për qëllim të ndërtojë një ndërgjegje aktive e cila do të jetë mbështetja më e madhe i moralit të luftës.

“O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije. Ta dini se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë dhe se vetëm tek Allahu është shpërblimi i madh.” (Enfal, 27-28)

Kur’ani ditën e ngadhënjimit në Bedër e quajti me të njëjtën cilësi që vetë shpalljen e quan, jeumel furkan.(41 Enfal) d.m.th. dita në të cilën prerazi u nda hakî nga batili (e vërteta nga gënjeshtra). Kjo fitore, sukseset e deri tanishme në mënyrë individuale i shndërroi në suksese shoqërore duke formuar identitetin e shoqërisë islame. Tani më nuk kemi individë që i kontribuojnë kauzës së islamit por kemi një shoqëri islame. Dhe kjo shoqëri për ta realizuar hakikatin dhe adaletin (të vërtetën dhe drejtësinë) patjetër duhet ta ruaj unitetin dhe gjallërinë e vet.

“Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit .” (Enfal, 46)

Dhe sigurisht që, për të kultivuar një shoqëri me moral të këtillë, është e patjetërsueshme shoqëria të ndërtohet mbi shtyllat të cilët i përmendëm në fillim; zemër të orientuar, mendje vizionale dhe sistem ekonomik të drejtë. Një ndër parimet morale të luftës, që vendoi shpallja ishte edhe ai trajtimit të robërve të luftës. Duke filluar nga kapja e tyre, trajtimi njerëzor dhe deri te lirimi i tyre. I Dërguari i Allahut i kishte këshilluar shokët e vetë që ndaj robërve të luftës të kenë qëndrim të drejtë dhe mëshirues. Këtë realitet e përshkruan edhe shpallja duke thënë: “Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë.” (Insan, 8-9).

Me një fjalë ngjarja e Bedrit i mësojë njerëzisë moralin e luftës por njëkohësisht edhe luftën për moralin, thënia e të Dërguarit duke u kthye nga Bedri “Tani po kthehemi  nga xhihadi i vogël në xhihadin e madh”.Dhe xhihad të madh e quajti luftën kundër së keqes së brendshme. Bedri ishte një fitore epokale, ishte hapi i parë i mijëra fitoreve që do vazhdojnë gjatë historisë së Qytetërimit Islam. Andaj shikuar nga perspektiva bashkëkohore duhet  analizuar  mirë rrethanat që shpien në këtë fitore madhështore.

Mesazhet që mund të nxjerrim nga kjo fitore e madhe:

  1. Në fitore dhe suksese të mëdha arrihet duke u konsultuar me mendje vizionare dhe me profesionalist të fushës përkatëse, vetë  I Dërguari i Allahut u konsultua me shokët e vet para se të pozicionojë ushtrinë muslimane në Bedër.
  2. Në fitore kolosale arrihet me njerëz me moral të lartë, me ideale që synojnë lartësitë shpirtëror, me idealin të mbështetur te fuqia tejfizike absolute. Kur nuk ka ideal njeriu është i dëshpëruar, ideali për me qenë i gjallë duhet të jetë i lidhur me të Gjallin i cili nuk vdes.
  3. Fitoret/punët e mëdha kërkojnë përpjekje, flijime të mëdha, muslimanët lanë të gjitha pasuritë e tyre në Mekke dhe për kauzën e islamit u shpërngulën në Medine.
  4. Punët e mëdha kanë sukses vetëm me unitet, puna ekipore gjithnjë është më e suksesshme karshi asaj individuale (një talent futbolli mundë ta fitoj lojën por një ekip e përgatitur mundë të bëhet kampion).
  5. Gjithnjë duhet luftuar e pavërteta pavarësisht se duket e madhe, e fortë apo fuqishme. Ushtria myslimane numëronte shumë pak por Allahu thotë: “:… Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e Allahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha!” All-llahu është me durimtarët.  (Bekare/249)
  6. Të vërtetës/hakikatit i duhen njerëz të përgatitur në aspektin intelektual. (prandaj kushti i lirimit të robërve të Bedrit ishte mësimi dhjetë personave musliman shkrim leximin.)
  7. Gjithmonë punës duhet bashkangjitur duanë-mbështetjen në Zotin, Pejgamberi a.s. para se të dalë në Bedër bashkërisht me sahabët bën dua. Por njëkohësisht edhe duasë duhet bashkangjitur punën.
  8. Vazhdimisht duhet të jemi vigjilent që ti luftojmë armiqtë e moralit tonë. (kujto hadithin, tani po kthehemi nga lufta e vogël….)
  9. Njerëzit që posedojnë vlera të larta kohë pas kohe edhe mund të sprovohen, mund të testohen në mënyra të ndryshme.

“Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë  “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.”(Ankebut 1-2)