Plagët e trungut të studentëve -Shoqëria shqiptare

Pra, duke e parë dhe soditur realitetin e studentëve në këtë frymë, ashtu siç duhet të jetë profili i tyre, siç ka qenë ndonjëherë dhe siç mund të jetë!, asnjëherë një shoqëri nuk do të ishte e zhgënjyer skajshmërisht, konsolidimi dhe përparimi i saj do të ishte i freskët dhe afatgjatë. Mirëpo, nëse profilin dhe realitetin e tyre e vlerësojmë me parametrat e ditëve të sodit se si ata e organizojnë jetën e tyre studentore, se si ndodh p.sh. që ata të jenë studentë dhe të mos studiojnë mirëfilli, se si ndodh që të mos e përfillin librin e shkencën, të përbuzin dhe të mos interesohen për problemet studentore e shoqërore, të propagandojnë antivlerën, e cila për çdo ditë e më shumë po thellohet në kulturën dhe shpirtin e tyre, ndërsa nga ana tjetër të mos tregojnë interes të veçantë për artin dhe vlerat shpirtërore e edukativo-arsimore.... do t´i shohim plagët që vazhdojnë edhe më të hapen dhe të dallohen në trungun e tyre studentor.

Plagët e një filozofie

E para, duke u nisur nga fakti se rinia e edukuar dhe e arsimuar është shtytësi dhe njëri prej faktorëve kryesor të triumfeve dhe sukseseve në kuadër të një populli apo të një shoqërie si dhe opozita e klasës së vjetër shoqërore dhe duke pasur frikë se rina shqiptare mund të konsolidohet mbi parimet e ndriçimit të mendimit të shëndoshë, kundërshtarët e kësaj filozofie optimale dhe kësaj rinie me tipare të gjalla iluministe pragmatiste, iu vërsulen duke promovuar një pako “kurthesh”, botëkuptimesh dhe metodash me anë të të cilave do të ndikonin tek ata, me pretekstin që ta dobësojnë vitalitetin e shpirtit të tyre, dhe kur ta kenë bërë këtë, e kanë dobësuar mbarë popullin. Për t´i konvertuar të rinjtë dhe studentët në botëkuptimet e tyre “inferiore” në mënyrë konstante promovuan programe dhe platforma të ndryshme argëtuese, rrugët e kënaqësisë dhe të dëfrimeve i shpallën zyrtare dhe integruese, ndonëse ato ishin “qorrsokaqe” të pasigurta dhe “zona të minuara”, propaganduan materiale artificiale të shkruara nga njerëz të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm, dhe kështu duke mos i filtruar të gjitha këto, ata (rinia univerzitare) ngadalë i thithën në qenien e tyre. Madje edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë peng e kësaj filozofie të konvertimit.
Që nga koha e komunizmit e deri te demokracia studentët dhe të rinjtë shqiptarë jo rrallëherë u gjendën përpara kontesteve dhe turbulencave shoqërore e univerzitare. Komunizmi, si sistem agresiv, i shtypi dhe i dënoi ashpër pasi që kërkonin të drejtat e tyre për tu arsimuar dhe shkolluar, ndërsa demokracia me lirinë e saj absolute i shthuri moralisht dhe mendërisht, dhe jo vetëm kaq, por i sfidoi me liberalizmin absolut dhe imponimin politik kundrejt konzervativizmit dhe aventurave të papjekura që i karakterizonin të rinjtë shqiptarë, dhe që vazhdojnë edhe sot, fatkeqësisht, të jenë të tillë. Si rrjedhojë plagët u zgjeruan edhe më shumë.
E dyta, si plagë që nuk mund të kapërdihet brenda kauzës univerzitare shqiptare dhe që mund të jetë më shkatërruesja është degradimi dhe shpërfillja e hierarkisë së normave morale e shpirtërore. Interesimi i dobët dhe mos ndërhyrja serioze e institucioneve shtetërore dhe stafit akademik univerzitar mbi vlerat morale të cilat skajshmërisht po përdhosen nga një pjesë e konsiderueshme e kuadrit univerzitar, ndihmojnë në krijimin e kushteve për një paralizim të theksuar të trurit univerzitar. Madje kjo edhe mund të çoj deri te një kolaps i shoqërisë univerzitare shqiptare, në qoftë se nuk shfaqet mëshira, vullneti dhe interesi për përmisimin dhe shërimin e kësaj “plage” kaq pasojëlënëse.
E treta, politizimi i shoqërisë univerzitare shqiptare dukshëm ka ndikuar të shfaqen një sërë dukurish negative brenda kuadrit univerzitar. Jemi dëshmitarë të asaj që po ndodhë nëpër univerzitete, brenda stafit drejtues dhe unioneve studentore, ku emërohen dhe shkarkohen nga vendet drejtuese nëpërmjet kapacitetit dhe rrjetit partiak. Idetë dhe programet nuk mund të promovohen, e në to të mos ketë konotacion dhe ngjyrim partiak. Shkollat fillore, të mesmet dhe univerzitetet nuk mund të mos menaxhohen nga politika ditore, për çdo ndryshim i papritur që ndodhë brenda tyre menjëherë përfitohet përshtypja se këtë e bëri politika. Një dukuri e këtillë s´do mend se shoqërinë univerzitare shqiptare nuk do ta integrojë, së pari në vetveten e saj, e pastaj edhe në shoqëritë tjera, por edhe më shumë do ta deformojë dhe do ta largojë nga misioni dhe qëllimi i sajë primar.
Një konglomerat i këtillë i këtyre dukurive dhe imitimi i verbër i të huajve pashmangshëm imponon rrezikun që shoqëria univerzitare shqiptare ta humb identitetin e saj kombëtar, fetar e kulturor...


Besimi i humbur

Dikur, në kohën kur studentët kanë qenë objektivi i sulmeve, torturave, burgosjeve, shkeljeve të të drejtave të tyre, ata ishin të panënshtruar dhe këmbëngulës në objektivat e tyre, ishin besnikët e popullit që nuk dorëzoheshin përpara dyfytyrësisë, interesit, arrogancës.... ishin të palodhshëm dhe permanent në punët e tyre. Kanë udhëhequr procese nga më të lehtat deri tek më të ndërlikuarat, ndërkohë që në këtë aspekt nuk ka munguar edhe mbështetja e shoqërisë. Gjersa bëjmë një retrospektivë të këtillë mes studentëve të së kaluarës sonë dhe të tashmes, natyrshëm na imponohen disa pyetje, të cilat kanë të bëjnë pikërisht me gjendjen momentale të tyre, sa ata i kanë për shpirti dhe qenien e tyre ato karakteristika që i cekëm më lartë, sa ata kanë besimin e popullit dhe të instancave më të larta të shtetit, sa demonstrojnë mendësi dhe mundësi për të udhëhequr procese të rëndësishme të karakterit edukativo-arsimorë, sa ata shqetësohen dhe interesohen që në shoqëri të mos krijojnë paragjykime negative dhe të mos komprometohet identiteti i tyre univerzitar, sa ata punojnë që kur të lexohen nga të tjerët, të lexohen për nga të arriturat, sukseset dhe vizionet pragmatike, sa ata janë të vetëdijshëm për padrejtësitë që u bëhen dhe të drejtat që u shkelen??! Të tilla pyetje ekzistojnë edhe më shumë, por ja që brenda këtij vështrimi të shkurtër është e pa mundur të parashtrohen të gjitha. Në bazë të kësaj që thamë, studentët të pa/vetëdijshëm në veprimet e tyre u reflektuan keq përpara syve të popullit dhe si rrjedhojë humbi besimi tek ai (populli). Kjo është fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur kauzes së sotme univerzitare. Të humbësh besimin e popullit, por para së gjithash edhe të Zotit, nuk reflekton bindshëm dhe bukur, madje donë të thotë të humbësh atë, respektivisht Zotin.


Suficiti i kuantitetit dhe deficiti i kualitetit univerzitar

Se sot kemi më shumë kuantitet e më pak kualitet në kuadrin univerzitar nuk ka nevojë edhe të komentohet shumë ose të jepen referenca të cilat do ta konfirmonin këtë të vërtetë kaq të madhe. Këtë e shohin dhe e ndiejnë me mish e me shpirt ata kuadro, të cilët sado kudo e kanë ruajtur atë sublimitet të vetëdijes së vërtetë se duhet më shumë përkushtim në dije dhe arsim sesa në dëfrime, në harxhimin e kohës pa rezultate, nëpër kafene dhe restauronte luksoze, etj. Mungesa e një elite kualitative studentore me përqindje më të kënaqshme në suaza të univerziteteve ka rritur pezmin tek prindërit, akademikët, intelektualët, studentët dhe më gjerë. Studentët duke shpërfillur aftësitë e tyre dhe normat shkencore të studimeve kanë krijuar një boshllëk në atë që ne e quajmë “fushë e studimeve dhe veprimeve” dhe në “bagazhin” e tyre akademik. Dhe kështu, duke mbetur pas në këto dy segmente themelore studimore, ata jo që nuk treguan ambicie dhe vullnet për ta rikthyer edhe një herë vetëbesimin dhe rolin e tyre të parë, por kësaj here u treguan, dhe po tregohen njëkohësisht, më neglizhentë, të pasuksesshëm, suficiti i kuantitetit dhe deficiti i kualitetit u ndije ashpër dhe kështu që, më lehtë mund të vëresh grumbuj studentësh që “vlojnë” nëpër univerzitete sesa mund të vëresh grumbull studentësh, të cilëve u “vlon” mendja nga të arriturat shkencore gjatë studimeve.


Vetëdija që vonohet të rikthehet

Të jesh mik i vetvetes do të thotë së pari ta duash atë dhe pastaj idealin që të mbështjell si bërthamën membrana. Studenti është mik i vetvetes dhe i shoqërisë kur ai udhëhiqet nga ideale të larta, të shenjta, ndërsa armik kur ai nëpërkëmbët nga pasionet dhe interesat e tij të sofistikuara. Një student me ideale nuk mund të rrokulliset në kësisoj tatëpjetash djallëzore, e assesi të bëhet robi i injorancës dhe obskurantizmit, por student dhe njëkohësisht mendimtar, student dhe kontribuues për përmisimin e standardeve dhe vlerave univerzitare, lëvrues i fushës akademike dhe mbjellës i farës së mirë shkencore, studiues i letërsisë dhe shkrimtar, studiues i fizikës dhe fizicient i mirë, studiues i teologjisë dhe teolog i mirë, studiues i politikës dhe politikan i mirë dhe çfarëdo fushe tjetër që të jetë ajo, ai duhet të jetë një ekspert, idealist dhe profesionist i mirë. Këto karakteristika padyshim që i kanë pasur studentët, të cilët më vonë edhe u bënë Rilindësit e kombit tonë. Tani shtrohet pyetja, studentët e sodit me çfarë idealesh përshkohen dhe ushqehen? Fatkeqësisht, ata sot për mekanizma nuk kanë idealet, vullnetin, dëshirën, punën, por dëshirat eksituese, dëfrimet dhe imagjinatat. Edhe ata pak studentë që tregojnë shquarje në aspektin e idealizmit realist disa herë ndodhë që të ngacmohen dhe të përbuzen nga vetë kolegët e tyre, për arsye se, gjoja, ka vdekur koha e idealistëve dhe revolucionarëve. Sipas tyre, ka skaduar koha e atyre që ishin të skalitur me ideale kombëtare e fetare. Ata ishin një herë dhe mbetën në antologjinë e vargut “na ishte njëherë...”.
Një përjetim i këtillë i realitetit të vetëdijes studentore e zhveshur nga idealet nuk do t´i shpjer për tek rrugët që i kanë ëndërruar për kaq shumë vite dhe assesi t´i liron nga ky peng i konvertimit në mendësi dhe mentalitet të huaj pa mos i filtruar ato.


Mungesa e sensit për punë kolektive

Është fakt i pamohueshëm se rinia univerzitare shqiptare ecën me hendikep, kur është në pyetje organizimi kolektiv. Studentëve u mungon sensi dhe eksperienca për punë kolektive madhore. Shpeshherë ndodh të shohësh studentin dhe studenten të jenë inferiorë dhe jo konstruktivë ndaj organizimeve kur kërkohet të demonstrohet puna kolektive. Mos eksperienca kolektive te rinia univerzitare shqiptare është pika më e dobët dhe shqetësuese. Duhet me një shpejtësi më të madhe të intervenohet në realizimin e një stabiliteti të qëndrueshëm dhe të krijohen kushte për rruajtjen dhe zhvillimin e vetëdijes dhe punës kolektive studentore, në qoftë se dëshirohet të ruhet identiteti i tyre si “rini univerzitare” dhe të sigurohet një ndjenjë për të shpresuar më tutje. Nuk mund t’u shpëtosh sfidave dhe problemeve të kohës në mënyrë individuale kur problemin e ke me karakter global dhe të fryrë.
Për fund, duke qenë se vështrimi ka karakter më shumë përshkrues dhe komentues se sa analitik i gjendjes aktuale të rinisë univerzitare shqiptare, ku nëpërmjet tij pikasen disa “plagë” të kauzës sonë studentore, jemi të vetëdijshëm se nuk kemi arritur të skicojmë në tërësi trungun studentor me të gjitha “plagët” e tij. Megjithatë, pavarësisht se nën ambalazhin e këtyre sentencave shprehet shqetësimi dhe pezmi ynë, kjo nuk do të thotë se studentët shqiptarë aspak nuk demonstrojnë vullnet pozitiv ose nuk japin sinjale shpresëdhënëse, por që këto në krahasim me dukuritë negative që i karakterizojnë duken të zbehta dhe pak reflektuese. Dhe, varësisht se si i kemi studentët sot, ashtu edhe ekziston mundësia ta kemi të ardhmen nesër.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme