Ekstremizmi islam te shqiptarët

image

 

Për t’i parandaluar keqkuptimet eventuale, që në fillim dua të nënvizoj se personalisht, por edhe nga kultura dhe tradita familjare jam besimtar, shpresoj i denjë, brenda mundësive dhe kushteve parimore islame. I edukuar dhe rritur në një rreth dhe familje besimdashëse, mbaj të drejtën për disa aspekte të jem edhe më kritik, gjithnjë në gjykimin tim. Në këtë aspekt, e konsideroj të padrejtë paragjykimin për fundamentalizmin islam si atribut negativ, siç dëshiron ta pasqyrojë shumëkush atë! Edhe nga kuptimi terminologjik i konceptit “fundamentalizëm”, ai s’ka logjikë të paragjykohet si fenomen negativ. Bile mendoj se ky nënkuptim është paradoksal, ngjashëm me atë, për shembull, të diskriminimit pozitiv. Fenomeni i ekstremizmit islam qëndron pikërisht te zhvendosja e fondamentit islam nga ajo burimore në atë derivate! Shumë dukuri negative të islamit sot janë derivat i keq i tij, që janë shmangur pikërisht nga fondamenti. Pikënisjet e fondamentit islam janë dija, paqja, toleranca, bamirësia, humanizmi...., që për nga veprimet e sotme, të shumicës që thirren në fundamentalizmin islam, rezultojnë të jenë shmangur nga po ky fondament! 

Për ta elaboruar këtë aspekt pak më praktikisht dhe jo vetëm në aspektin filozofik të çështjes, do t’i nënvizoj vetëm tri atribute të tij (fatkeqësisht nga më shumë sosh): niveli më i ulët i dijes (rrjedhimisht më i lartë i analfabetizmit), niveli më i gjerë dhe i lartë i varfërisë (jo edhe si mesatare matematikore!), si dhe përplasjet, konfliktet ose edhe urrejtjet brenda llojit të vet (gjithnjë në kuptimin religjioz të çështjes).

Qëkur e kam mësuar “abecedën” e parë islame, në mësim-besimin fetar asokohe (50 vite më parë!), më ka lënë përshtypje udhëzimi kuranor “Ikre” (Lexo/Mëso)! Universiteti më i vjetër në botë (themeluar që në vitin 859 në Gadishullin Iberik – Marok), mbi 200 vjet para universitetit të Bolonjës, shumë shkenca filozofike dhe bile nga ato më ekzaktet, si astronomia, nga Bagdadi, Damasku, Kajro, Kordoba e gjetiu, e kanë gjenezën në këto territore të botës islame, ndërsa shumë dijetarë dhe filozofë të mirënjohur e kanë pasur përcaktimin fetar islam. Megjithatë sot jemi në këtë nivel – të mos kemi edhe të vetmin një universitet të ranguar në top 10, 50 ose edhe 100 universiteteve më të mira në botë nga rajonet ose shtetet islame! Sipas rangimit më kredibël të Thomson Reuters-it 2014/15, i vetmi universitet nga rajonet muslimane (bile të një shteti shekullar) është Universiteti Bogaziçi në Turqi, i ranguar në pozitën 139! Sipas një rangimi tjetër, më pak kredibël, i a.q. QS-World University Ranking 2014/15, në vendin e 20-të është Universiteti Kebangsan (UKM) nga Malajzia (përsëri një shtet me islam “liberal”). Pa u lëshuar në statistika populative dhe nivele të arsimimit nga regjionet me popullsi dominuese islame ose në publikime dhe zbulime relevante shkencore, që në mënyrë revolucionare kanë ndikuar në jetën e njeriut, fatkeqësisht të pakta janë veprat me të cilët do të krenoheshim. Akoma kemi situata me analfabetizëm kolektiv, edhe pse individë gjenialë, ashtu siç gjejmë edhe diploma “të blera” (si ajo e djalit të diktatorit Gadafi) gjithandej.

Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e popullatës islame jeton në regjione dhe vise me pasuri të mëdha të “arit të zi”, niveli i varfërisë relative është tejet i lartë dhe njëkohësisht me pabarazi ekstreme në shpërndarje të ardhurave dhe pasurisë. Indeksi i shpërndarjes së pabarabartë të të ardhurave kombëtare është mesatarisht më i lartë krahasuar me shumë vende të tjera, por aq më keq, pas “Pranverës Arabe” dhe trazirave e luftërave qytetare gjithandej, ky trend është edhe më keqësues. Familjet e pasura dhe “kuzhinat” e sheikëve hedhin mesatarisht shumë më shumë ushqim sesa në çdo vend tjetër, edhe pse rekomandimi fundamental kuranor është për bamirësi dhe ndihmë familjeve në nevojë. 

Në këtë aspekt, që të jetë ironia edhe më e madhe, kohëve të fundit gjithnjë e më të zëshëm janë promotorët demagogë se bile edhe shpëtimi i “kapitalizmit” nga krizat ciklike, që e kaplojnë atë kohëve të fundit mundet dhe duhet të kërkohet në organizimin e sistemeve ekonomike mbi bazë të parimeve islame! Përderisa nuk dëshmohet së paku një i vetmi model i suksesit që funksionon mbi këto parime, kjo ideologji mbetet vetëm demagogji. Parimet islame në ekonomi, bile në shtetet ku normativisht praktikohet sheriati, si Irani p.sh., koeficientin e Xhinit e ka rreth dyfish (rreth 45) më negativ krahasimisht me atë të vendeve skandinave (rreth 20)! Shumë më efikas dhe i drejtë është një kapitalizëm social i tipit skandinav sesa një model ekonomik me sistem islam, qoftë edhe në vendin më të përzgjedhur për këtë krahasim. Atëherë si mund të promovojmë për preferencë diçka që vetëm na tingëllon bukur dhe praktikisht nuk funksionon fare apo, më mirë thënë, funksionon keq?!

Aspekti i tretë është i përplasjeve, konflikteve dhe fragmentimeve sektare brenda llojit! Të përçarë në shumë sekte dhe nënlloje, të dezorganizuar dhe me entropi ekstreme, të shkallëzuar dhe shtresuar në lloj-lloj fise, pa një qendër dhe autoritet institucional regjional dhe global, bota islame në vazhdimësi është në një kaos irracional. Me të drejtë shumëkush nga ne kemi (para)gjykime se këto përçarje dhe turbulenca na i shkaktojnë tjerët (shpesh i përshkruhen MOSAD-it ose shërbimeve tjera kundërshtare), por ama pse u mundësohet atyre nëse kjo vërtetohet si e vërtetë? S’do mend se motoja “Përçaj, sundo dhe kolonizo!” është për motive të eksploatimit të pasurive dhe resurseve, por kjo funksionon me dekada. Për interesa të pastra komerciale, shtetet e fuqishme, përmes shërbimeve inteligjente, në këto vende krijojnë “perandori diktatoriale” dhe duke i “qethur” mirë deri në maksimum, që pastaj po të njëjtat nxisin “revolucion popullor” për t’i rrëzuar po ato diktatura! Rrethi vicioz vazhdon në pafundësi, duke krijuar kaos dhe luftë qytetare, bile deri në projekte të përmasave të “islamizimit” të gjysmës së Europës. Kjo me qëllim që të krijojë frikë kolektive, pasiguri dhe urrejtje ndaj islamit, që në fondament është paqësor, tolerant, human...! Ku janë prijësit dhe intelektualët islamë që ta zbërthejnë, analizojnë, studiojnë dhe dëshmojnë këtë fenomen tashmë “tradicional” brenda llojit? Kush ka faj për këtë? Sigurisht më pak se vet ne, fajtor janë kundërshtarët!

T’i kthehemi oborrit tonë – trojeve shqiptare dhe ekstremizmit islam midis nesh. Sipas vlerësimeve institucionale, rreth 100 të rinj nga Kosova, dhjetëra nga Maqedonia (vetëm në aksionin e fundit “Celula” u burgosën rreth 10 dhe mbi 25 janë në kërkim) dhe akoma s’dihet numri nga Shqipëria dhe trojet e tjera shqiptare, u janë bashkangjitur luftëtarëve të ISIS-it. Përpjesëtimisht me numrin e popullatës, ndoshta gjendemi ne rang shumë më të lartë se popujt e tjerë me shumicë përkatësie fetare islame! Akoma më shumë se kushdo tjetër shtetet “islame” hezitojnë njohjen e Kosovës dhe haptazi janë në anën e Rusisë dhe vet Serbisë. Kjo duhet të jetë brengosje kombëtare në kontekst të zhvillimeve tona strategjike në regjionin e Ballkanit! Kanë dështuar dhe vazhdojnë të dështojnë institucionet, duke filluar nga shërbimet tona inteligjente, sistemi edukativo arsimor, e deri te Bashkësitë Fetare Islame. Çka e shkakton gjithë këtë preferencë për këtë “mision fetar” në vendet aleate të Rusisë? Para 35 vitesh kam studiuar në Prishtinë dhe pothuaj në po këtë periudhë vjetore i binte muaji i Ramazanit. Nga 600 studentë të gjeneratës në Fakultetin Ekonomik, as 6 kolegë kosovarë nuk agjëronin (më pak se 1%!), kurse nga 20 studentët nga Maqedonia (kryesisht nga Pollogu) më shumë se 80% agjëronim. Çka ka ndodhur midis kohës kaq të shkurtër për këtë revolucion fetar në shoqërinë kosovare posaçërisht? Periudha e okupimit serb dhe arsimi në bodrume po jep “efektet” në shoqëri. Nga shumë raste individuale të identifikuara, duket se nuk është motivi material dhe ekonomik ose mercenar, siç i quajnë këto veprime.  

Në Maqedoni do ta kisha nënvizuar dominimin e faktorit material dhe praninë e fondeve për rekrutime të kësaj natyre. Edhe nga shpërndarja territoriale e “të përndjekurve” në rastin “Celula” ne Maqedoni, dukshëm prijnë Shkupi dhe “ngec” Pollogu. Zaten shumë herë është paralajmërua se trualli më i “kontaminuar” i këtij fenomeni është në rajonin e Shkupit. Paralelisht arsyeve materiale dhe ekonomike në Shkup dhe rrethinë padyshim ndikon edhe shkalla më e ulët e arsimimit mesatar të popullatës.

Në anën tjetër, përkundër promovimit të Shqipërisë si model tolerance ndërfetare, nuk mendoj se gjendja në mikrostrukturë edhe atje është më e mirë. “Rikthimi i besimit” fetar me vitet e fillimit të pluralizmit politik vetëm sa ka arritur të penetrojë në brendi. Do të kisha dashur që toleranca, aq e promovuar ndërfetare atje, të jetë strukturale dhe e qëndrueshme, e jo si rezultat i besimit të dobët fetar, sepse me sforcimin e besimit, me kohë do të zbehej edhe ajo. Sidoqoftë, atje institucionet kanë kohë për të vepruar në preventive më shumë se në Kosove, ndërsa në Maqedoni institucionet e kalbura të shtetit, edhe për motive politiko strategjike, ndoshta edhe i motivojnë ose edhe i gjenerojnë vetë këto lëvizje ekstreme. Asnjë shqiptari musliman nuk i hy në punë dhe nevojë një angazhim për ISIS, aq më tepër kur format e veprimit të tyre janë rrëqethëse dhe kontradiktore me parimet bazike të Kuranit Famëlartë, siç i përmendëm më lart. Të gjitha statistikat e veprimeve xhihadiste, së paku në dekadat e fundit, dukshëm pasqyrojnë humbjet në njerëz, shkatërrimet materiale, nxitje të urrejtjeve dhe prapambeturi së pari brenda vet llojit islam dhe, më pas, edhe njerëzimit dhe imazhit të Islamit në përgjithësi. Prandaj është koha e fundit që institucionet dhe elitat qeverisëse shumë seriozisht dhe në prioritet të lartë t’i studiojnë, analizojnë dhe parandalojnë këto fenomene negative në emër të një ideologjie për mbrojtje të Islamit, ndërkohë që vetë këta “avokatë” e shkatërrojnë atë!  

 

http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/28550-ekstremizmi-islam-te-shqiptaret.html

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme