Kriza greke fundos Greqinë

image

 

Më 13 korrik 2015 mbledhja maratonë e Eurosamitit për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza financiare greke përfundoi pa sihariqin e shumëpritur, por vetëm me një njoftim të zbaritur: u vendos që Greqia të mbetet në Eurozonë, duke i vënë asaj kushte shtrënguese më të rrepta sesa ato që i kishte hedhur poshtë qeveria e Ciprasit dhe referendumi i 5 korrikut. Ciprasi u kthye në Athinë si humbësi i madh. Ai deklaroi kokulur se “merrte mbi vete përgjegjësitë, se nuk besonte te marrëveshja, por do ta zbatonte atë për të mirën e vendit”. Kundër tij u bënë protesta popullore dhe kritika nga një numër bashkëpunëtorësh. Me ndihmën e opozitës ai arriti të siguronte miratimin e marrëveshjes nga parlamenti grek natën e 15 korrikut. Megalomania greke ra përtokë. Por, edhe Europa nuk kishte me çfarë të mburrej. Gjithçka kishte mbetur pezull dhe duhen bisedime të tjera re mbi një paketë të tretë ndihmash financiare prej 86 miliardë euro. Merkeli paralajmëroi sërish se Greqisë i duhet të kalojë nëpër një rrugë të gjatë e të vështirë që ta rivendosë besimin e ta kapërcejë krizën. Në komentet e para lexuam se: “Grekët do të mbeten pensionistë të mllefosur në lëmoshën e Gjermanisë” (Maks Hastings, “Daily Mail”). Mbi grekët kishin rënë rrufetë e zemërimit të Zeusit të Olimpit ekonomik europian, Gjermanisë. Ndërsa Europës i duhet të derdhë pa pushim ndihma financiare në vrimën e zezë, që kriza greke ka hapur në Eurozonë.

* * *

1. Kjo që ndodhi pritej. Diplomacitë europiane prej kohësh e kishin ndjerë “të keqen greke”, aq sa i kishin lënë disi jashtë vëmendjes zhvillimet tronditëse në zonat më të nxehta të globit. Por, në gjysmën e parë të vitit 2015 ato u tronditën më seriozisht, sepse kjo krizë doli përfundimisht jashtë kontrollit të autoriteteve greke dhe të Eurogrupit, që po merrej me të. Kolapsi financiar i Greqisë bëri që dalja e këtij vendi nga Eurozona të dukej e pashmangshme. Në kulmin e acarimit të lëngatës ekonomiko-financiare Greqia hyri në një proces tronditjesh të forta të strukturave tradicionale politike e pushtetore. Në zgjedhjet e parakohshme fitoi një parti e ekstremit të majtë, Syriza, që nuk drejtohej nga ndonjë pinjoll i familjeve të mëdha mbizotëruese ndër breza të pushtetit, si Venizellos, Papandreu, Karamanlis, Pangallos, Micotaqis, Cuderu etj. Kryetari i partisë Syriza, Aleksis Cipras, hyri me vrull e me ambicie të mëdha në garën për postin e kryeqeveritarit. Ai u paraqit me profilin politik të revolucionarit-nacionalist sedërmadh e të socialistit të tipit të ri, radikal në retorikë dhe pragmatist pakëz ekstravagant e disi aventurier në pushtet. Ai tërhoqi menjëherë vëmendjen në Greqi, duke bërë premtime të bujshme për shpëtimin vendit e të krenarinë kombëtare dhe për mbrojtjen e interesave jetike sociale të grekëve. Ndërsa jashtë Greqisë ngjalli dyshime me deklaratat se do të shkëpuste nga Europa marrëveshjen më të mirë të mundshme dhe do të kundërshtonte vendosmërisht praktikat fyese diplomatike për gjunjëzimin e Greqisë. Ai luajti me blofin më fort sesa i lejonin këllqet Greqisë, kur sfidoi ashpër Gjermaninë dhe akuzoi politikanët europianë se donin të mashtronin e frikësonin popullin grek. Kundërpërgjigjet e rrepta ndaj tij kulmuan me “linçimin politik” në Parlamentin Europian dhe me poshtërimin e tij në Eurosamitin e 13 korrikut. Pozitën nuk ia lehtësuan as “dredhitë pa talent prej Odiseu”, si organizimi papritmas e me shpejtësi i referendumit popullor të 5 korrikut, ku u duk se arriti fitoren më të rëndësishme pasi tërhoqi pas vetes pjesën dërrmuese të elektoratit grek për t’u thënë “JO” masave shtrënguese të Europës. As dorëheqja e bujshme “me zemërim prej Akili” e ministrit të Financave, Varufakis, bezdisësit të madh të bashkëbiseduesve europianë nuk i shërbeu. Në vend që të hiqte dorë nga zemërgurësia ndaj tekave të Greqisë, Europa u bë më dyshuese ndaj lojërave të dyfishtë të saj. Kjo u pa qartë brenda javës në Eurosamit.

2. Pas kësaj mbledhjeje më e goditura më është dukur pyetja: “Po çfarë mpleksi Aleksi?” (“Dita”, 14 korrik 2015). Qeveria e Ciprasit dhe parlamenti grek bënë një veprim antidemokratik e antiligjor të pa precedent: përmbysën si pa të keq verdiktin e dhënë nga shumica e elektoratit grek në referendumin që hodhi poshtë diktatin europian. U shkel brutalisht vullneti i sovranit grek. Pas këtij akti të rëndë, normalisht, duhej që qeveria e Ciprasit të jepte dorëheqje, parlamenti të shpërndahej dhe të shpalleshin zgjedhje të jashtëzakonshme. Ciprasi ishte mburrur shumë para Europës se “Greqia është vendlindja e lashtë e demokracisë”. Por, Greqia e sotme u bë “vendvarrimi i demokracisë moderne europiane”

3. Europa e Bashkuar nuk ka gjetur ende një rrugëdalje as për vete nga udhëkryqi ku e hodhi kriza greke dhe duket se do të mbetet edhe më tej peng i “të keqes greke”, model frikësues zhvillimesh në Eurozonë. “Nuk kam parë kurrë më parë një situatë të atillë si kriza greke,” – u shpreh kryetari gjerman i Parlamentit Europian, Martin Shulc. Eurozona u kap gafil, pa alternativë të përpunuar për të përballuar me efikasitet situatën e krijuar nga Greqia në Eurozonë. Pushtetarët e vendeve më përgjegjëse për mbarëvajtjen e integrimit europian e humbën qetësinë në gjykim dhe vetëpërmbajtjen në veprime për ta detyruar Greqinë të pranonte sa më shpejt paketat e propozimeve të tyre. Më e rreptë u tregua diplomacia gjermane që përdori më fort politikën e kërbaçit se atë të kulaçit ndaj Greqisë së përkëdhelur tejmase. Kjo u dha pamje më të frikshme pasojave të krizës greke në Eurozonë e BE dhe çorientoi si asnjëherë tjetër sjelljet e mekanizmave politiko-ekonomike europiane dhe FMN-në. Lindi frika e bazuar që “sëmundja greke”, e diagnostikuar me vonesë dhe e kuruar keq për shumë kohë, mund të kthehej në një gangrenë ose reaksion zinxhiri për pjesë të tjera të Eurozonës. Prandaj BE-ja (së pari Gjermania e Franca), vendosën se “sëmundja greke” nuk mund të kurohej më me injeksione mpirëse financiare, por duhej ndërhyrje më e dhimbshme kirurgjikale. Greqia nuk deshi kurrsesi t’u nënshtrohej dhimbjeve të forta nga kurat e reja që përcaktoi Europa. Filloi një luftë nervash me mbledhje e me fjalë, me sfida e taktika dredharake. 

4. Kjo luftë shkaktoi mospajtime midis vetë partnerëve perëndimorë. Do të mbahet mend gjatë batuta e ministrit të financave të Gjermanisë kur i tha homologut të tij amerikan: “Jam gati ta marr Porto-Rikon në Eurozonë, nëse ti e merr Greqinë në Unionin e Dollarit”. Mospajtimet më të dukshme lindën midis Gjermanisë dhe Francës, të njohur për filohelenizëm, që mori më hapur rolin e lehtësueses së pozitës së Greqisë. Italia zyrtarisht ka mbajtur qëndrime apatike, në stilin ”edhe kështu, edhe ashtu”. Por, ish-kryeministri italian dhe ish-kryetari i Komisionit Ministror Europian, Romano Prodi, me pezmatim është shprehur: “BE-ja lindi si një bashkim i të barabartëve. Tani ka ndryshuar, çdo gjë vendoset nga Gjermania” (”Tema” 14 korrik 2015). Britania e Madhe ka heshtur, sepse nuk është në Eurozonë dhe ka për të bërë referendum lidhur me qëndrimin e saj të mëtejshëm në BE. SHBA-të japin këshilla-direktiva nga larg që të gjendet zgjidhja që e mban Greqinë të integruar fort në Europë, në kohën kur Amerika përpiqet të nxjerrë me çdo kusht Serbinë nga ndikimi rus. Edhe shtypi gjerman i ka kujtuar qeverisë së vet se Ballkani nuk duhet të bjerë nën ndikimin e pansllavizmit rus. Presidenti rus Putin publikisht është mjaftuar me fjalët shpotitëse: “Ku ishte deri tani BE-ja?” dhe me deklaratat gjumëvënëse se Rusia nuk i ka premtuar Greqisë ndihma financiare për t’ia kundërvënë Perëndimit. Por, Rusia e ka nxitur Greqinë kur ka pritur për vizitë Ciprasin. Rusët i kuptojnë më mirë fjalët “Greqia është dashnorja e Perëndimit, por nuse e Lindjes” (Robert D, Kaplan “Balkan Ghosts”, 1993, f. 251). Cipras ka lënë të nënkuptohet se ai u braktis nga Rusia e Kina, çka nënkupton se referendumin e 5 korrikut nuk organizoi pa një shtytje. Greqia rrezikon të kthehet edhe në top tenisi në fushën e sherreve globale.

5. Është e natyrshme të bëhet pyetja: Si mbërriti puna deri te “lufta e borxheve” midis Greqisë dhe Bashkimit Europian? Nuk ka kurrfarë misteri. Lufta për rregullimin e borxheve greke i ka dy burime parësore: mashtrimin e Europës nga Greqia dhe shpërfilljen vetëmashtruese të këtij fakti nga Europa. Politologu amerikan Xhon J. Mershaimer ka shpjeguar mirë se gënjeshtra, mashtrimi dhe fshehja e të vërtetave janë të pranishme edhe në politikat midis shteteve, ndonëse udhëheqësit më shumë gënjejnë popullin e tyre “për të mirën e tij”. Gënjimi e mashtrimi në marrëdhëniet ndërkombëtare quhen të pranueshëm dhe moralisht të kapërdishëm, sepse bëhen në dobi të shtetit e të kombit. (“Why Leaders Lie. The Truth About Lying in International Politics” 2011). Mershaimer-i ka rreshtuar 10 lloje gënjeshtrash që shtetet u bëjnë armiqve ose partnerëve. “Lloji i dhjetë i gënjimit midis shteteve është ai kur udhëheqësit orvaten të arrijnë një ujdi më të mirë për vendin e tyre gjatë bisedimeve për të përfunduar traktate ose marrëveshje zyrtare... Një rast i zbuluar është ai i Greqisë, që gënjente lidhur me deficitin në buxhetin e saj që të arrinte të hynte në Eurozonë.” (f. 10, 11). Një sërë shkrimesh në “NYT”; “Independent”; “Guardian” në shtator-dhjetor të vitit 2004 theksonin se vetë Greqia kishte pranuar se kishte paraqitur të dhëna të falsifikuara. Pra, Europa e ka ditur mashtrimin, por ka parapëlqyer vetëmashtrimin. Kjo ka nxitur qeveritë greke të mashtronin më lehtë popullin tyre dhe të kujtonin se “Kali i çalë” i ekonomisë e politikës greke mund të hidhte përherë vickla e të kalonte lehtë mbi “urën e mashtrimit” drejt BE-së. Grekët jetuan shumë kohë në bollëkun fiktiv. Ia varën punës dhe vështruan qejfet. Analisti amerikan Eduard Lutvak bëri parashikimin e gabuar: “Në Greqi do të fitojë “PO-ja” (në referendum), sepse grekët nuk duan të punojnë.” (“Tema”, 5 korrik 2015)

6. Po Europa pse i mbyllte sytë e veshët para shpërdorimeve të kredive të saj?! Sepse Greqinë e ka trajtuar gjithnjë si fëmijën e përkëdhelur e tekanjoz për shkak të filohelenizmit europian dhe të perceptimeve gjeostrategjike të qeverive perëndimore. Robert D. Kaplan ka shkruar: “Në qendrat studimore të Perëndimit 2000 vitet e fundit të historisë greke janë lënë me kast në harresë, për hir të një versioni të idealizuar të Greqisë së lashtë, një qytetërimi që tashmë kishte vdekur para se të lindte Jezu Krishti. Perëndimi nuk mund të pranonte se Greqia ishte më shumë një fëmijë e despotizmit bizantin e turk sesa i Athinës së Perikliut. Për rrjedhojë, ishin të pakët ata perëndimorë që mund ta kuptonin se çfarë po ndodhte në Greqi në vitet 1980-të, në një kohë kur ish-kryeministri dhe presidenti Konstantin Karamanlis (i vjetri - shënimi im A.B.) e përshkruante vendin si një ”azil i madh të çmendurish” (“Balkan Ghosts”, f. 248). Shpjegime si ato të Robert D. Kaplanit mund të gjesh edhe në libra të tjera. Duke iu referuar librave të Osvald Spenglerit “Dekadenca e Perëndimit” 1918 dhe Stjepan G. Mestroviçit “Shprehi të frymës ballkanike” 1993, vërehet se ata kanë trajtuar tema si “Rivlerësimi i dekadencës së Perëndimit”, “Kundërvënia midis frymës (shpirtit) dhe mendjes, midis kulturës (shpirtit) dhe qytetërimit (mendjes)” etj. Metroviçi citon se: “Sipas Spenglerit, kundërvënia midis shpirtit të lashtë grek dhe intelektit romak është ndryshimi midis kulturës e qytetërimit… Kapërcimi nga kultura në qytetërim u krye në shekullin e katërt, kurse për Perëndimin në shekullin XIX” (f. 91-92). Mirëpo në shekullin XIX vendin e helenizmit të lashtë në Greqi e kishte zënë bizantinizmi ortodoks dhe për këtë arsye Greqia nuk mund t’i përkiste qytetërimit perëndimor. Ajo që po ndodh tani lidhur me borxhet greke është ndeshja e frymës bizantine të Greqisë me qytetërimin perëndimor.

7. Mashtrimet dhe kriza greke rëndojnë shumë mbi shqiptarët, pavarësisht se në Shqipëri jepen sigurime se asgjë e jashtëzakonshme nuk do të ndodhë. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Greqia u hodh në veprimtari agresive e ekspansioniste të gjithanshme kundër kombit e shtetit shqiptar, duke shpërdoruar edhe paratë europiane, duke pretenduar rolin e kujdestares për Shqipërinë e varfër dhe të prijatares në udhëtimin e vendeve ballkanike drejt BE-së. Greqia i ka përdorur paturpësisht paratë e Europës edhe për veprimtari subversive të gjithfarshme në Shqipëri, për t’u dhënë pensione të majme minoritarëve grekofonë në Shqipërinë e Jugut ose shqiptarëve të migruar në Greqi që pranonin të quheshin “grekë homogjenë”, të ndërronin emrat, fenë e kombësinë. Fatkeqësisht edhe në Shqipëri u propagandua dhe u përhap mjaft psikologjia e mbrapshtë se “Greqia po na mbante me bukë”, se duhej fituar me çdo kusht dashamirësia e shtetit grek që Shqipëria të dilte nga prapambetja dhe të integrohej në Europë. Pa u gëzuar aspak për fatkeqësitë e tanishme të grekëve, u duhet kujtuar shqiptarëve se është koha të ndreqin perceptimet e tyre te gabuara kompleksuese dhe të ruhen tani nga rrjedhoja negative të krizës greke. 

Poeti romak Virgjili shkruante për helenët e lashtë: “Ruaju grekut kur të bën dhurata”. Përvoja e sotme e Europës të bën të mendosh: Kujdes me grekun edhe kur ti vetë i bën dhurata atij. Shqiptarët i kanë bërë me tepri dhurata Greqisë, duke filluar nga gjaku arvanitas që u derdh për pavarësinë e këtij vendi. Ndërsa shteti grek ka ndjekur gjithmonë politikë armiqësore e të pabesë ndaj kombit shqiptar. 

8. Greqia e telendisur edhe tani shkëpurdhet të ndjekë ndaj të dy shteteve shqiptare politikën e gënjimit, të mashtrimit dhe praktika që nga Mershaimeri emërtohen “Fearmongering” (frikëmbjellje). Këtë e vumë re edhe gjatë vizitave që bëri në Prishtinë e në Tiranë ministri i jashtëm grek, Kocias. Në Prishtinë u gëzuan si fëmijë për këtë vizitë, ndonëse Kociasi nuk tha ndonjë gjë të re e thelbësore për njohjen e shtetit të Kosovës, por lëshoi ca fjalë në tym se po kërkohen hapësira në këtë drejtim, por gjithnjë pa ndryshuar dy kritere: mbrojtjen e interesave kombëtare të Greqisë (pra, grekët të zhvasin diçka për vete) dhe mbajtjen parasysh të gjendjes në rajon (që nënkupton kur të dojë Serbia). Vizita në Tiranë ishte edhe më e kotë. U bë më shumë për fodullëk e për xhelozira ndaj veprimtarive të shumta e të rëndësishme diplomatike, që prej disa muajsh kanë pasur për destinacion kryesor Tiranën, në një kohë kur Ballkani ka marrë pamjen e një mozaiku krizash: “kriza financiare” (Greqi); “kriza e korrupsionit dhe e drejtësisë” (Shqipëri); “kriza e demokracisë dhe parlamentarizmit” (FYROM) “kriza e sovranitetit” (Kosovë), “kriza strukturore-shtetërore “(BH); “kriza e përcaktimeve politiko-diplomatike” (Serbi”) etj. Kociasi i pat bojkotuar veprimtaritë diplomatike shumëpalëshe që u bënë para disa kohësh në Tiranë. Tani erdhi të tregonte se Greqia nuk po i humbte ambiciet e rolin e vet të mëparshëm në zhvillimet ballkanike. Shtypi grek pat shpallur një program të fryrë gënjimi, mashtrimi e “Fearmongering-u” për bisedimet që do të bënte Kociasi: ndreqja e marrëveshjes për kufirin detar (që në fakt nuk ekziston), perspektiva integruese e Shqipërisë në BE; trajtimi i minoritetit grek, njohja e Kosovës, ligji grek i luftës, ndërtimi i varrezave të reja të ushtarëve grekë në Shqipëri e deri mospërfshirja në qeverinë shqiptare të “partisë së çamëve”. Tullumbacet e këtij programi u shfrynë shumë. Në bisedimet në Tiranë çështjet e ligjit grek të luftës dhe kufirit detar u cekën sa për të kaluar radhën, pa kurrfarë ideje dhe elementi të ri. Dëgjuam po ato formulime mashtruese greke që na janë bërë bozë dhe po ato “kërkesa” standarde shqiptare që nuk mbështeten me veprime konkrete. 

* * *

Shqiptarët kanë mësime për të nxjerrë nga zhvillimet rreth krizës greke. Dukuritë që rrënuan Greqinë janë rrënjosur edhe në Shqipëri, madje nën ndikimin e Greqisë. Shqiptarët ende vuajnë nga komplekset e inferioritetit, të grekofilisë e grekoservizmit tek elitat e tyre politike dhe intelektuale. Duhet të kuptohet mirë se një vend nuk përparon e nuk begatohet duke shpërdoruar ndihmat që merr nga jashtë. Qenia anëtar në BE nuk i zgjidh si me magji problemet e një vendi. Shqipëria duhet ta meritojë, jo ta presë dhuratë, anëtarësimin në BE. Shqiptarët të mos turren si deri tani të mashtruar nga iluzione për anëtarësimin, sepse jemi ende të papërgatitur për të bërë hapin e madh. Europa e djegur nga qulli grek do t’i fryjë më shumë kosit shqiptar, por kjo do të na dalë për mirë. Greqia në asnjë drejtim e në asnjë mënyrë nuk mund të jetë shembull ose mbështetje e fortë për Shqipërinë, siç hiqet. Në përfundim, në Shqipëri, por pse jo edhe në Kosovë, duhet të luftohen gënjeshtra, mashtrimi, korrupsioni dhe të riorientohet ekonomia e vendit që të ketë më pak lidhje me Greqinë dhe shtete si ajo në rajon, që nuk ofrojnë qëndrueshmëri. 

 

http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/27333-kriza-greke-fundos-greqine.html

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme