Ekstremizmi mes së vërtetës dhe ngatërresës

image

 

Në vitin 1983 u arrestova nga policia e ish-Jugosllavisë si pjesë e grupit të intelektualëve muslimanë të njohur si “Muslimanët e Rinj”, në burgun hetimor në Sarajevë. Pak kohë para se të vinin policët pata lexuar një pjesë nga revista “Duga”, që botohej në Beograd, ku shkruante se për shumicën e problemeve dhe organizimin e krimeve në botë shkaktarë kryesorë janë vetë shërbimet sekrete. Dhe, në kohën kur erdhi policia, e mora dhe ua lexova këtë pasus nga “Duga”. Përgjigjja që mora ishte mjaft interesante: “Ne e dimë edhe atë, edhe këtë... gjithçka është nën kontrollin tonë.” Dhe, siç ndodh zakonisht, kohëve të fundit u vërtetua se gjithçka kishte qenë skenar i tyre.

Arsyeja se pse e fillova shtjellimin tim kësisoj është ngase dëshiroj të tregoj se “koincidenca” të këtilla të çuditshme përsëriten kohë pas kohe. Tani, pas kësaj, nuk e di se a mbetet për të thënë diçka më tepër, megjithëse besoj se ne vetë duhet të merremi seriozisht me dukuritë e ndryshme që paraqiten brenda shoqërisë sonë, e sidomos asaj shqiptare, siç janë fundamentalizmi, radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi në emër të fesë, dhe atë jo për arsye se këtë e dëshirojnë të tjerët, por për arsye se kjo duhet bërë, por me kusht që mos ta harrojmë krizën politike, ekonomike dhe kulturore shqiptare. 

Këtu dëshiroj që në fillim të ndalem në dy nocione me rëndësi që ndërlidhen me këtë tematikë. I pari është e vërteta dhe i dyti ngatërresa (fitneja). E vërteta është qenësorja, kryesorja, më e rëndësishmja, e cila ka ekzistuar edhe para paraqitjes së Fjalës së Zotit në horizontin e kohës dhe të hapësirës; e vërteta është e pavdekshme; e vërteta është qetësia, siguria, stabiliteti, dashuria; e vërteta është ajo që i është dhënë emanet njerëzimit. Kjo do të thotë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj së vërtetës, sepse pa të vërtetën nuk jetohet. Në këtë pikë duhet të pyetemi pse dhe si është duke u paraqitur kjo mënyrë e të menduarit pikërisht në këtë shoqëri dhe në këtë vend. Vërtet, pse?!? Kësaj pyetjeje i përgjigjem kështu: ngase një kohë të gjatë politika serbe pandërprerë ka kërkuar çrregullime dhe ka sajuar trillime të këtij lloji lidhur me shqiptarët.

Termi i dytë ishte ngatërresa ose fitneja. Ky term ka kuptime të shumta dhe konsiderohet si një ndër faktorët më të rrezikshëm për shkatërrim. Ndër kuptimet që ka kjo fjalë janë: persekutim, djegie, shqetësim dhe vështirësi, therje, shkaktim i gabimit, joshje (për dalje) nga feja me çfarëdo mjetesh, kërkim mospajtimi ose dallimi në mendime, mashtrim, ndëshkim, tentim, shtyrje në ngasje, gjykim. Të gjitha këto kuptime qëndrojnë mbi dukuritë e përmendura më sipër. Ndërkaq Kur’ani Famëlartë në një ajet në lidhje me fitnen thotë: ve’l-fitnetu esh-sheddu mine’l-katl (fitneja është më e dhunshme se vrasja). Ja përshkrim i saktë i kohës së sotme; nuk kemi luftë, por kemi fitne, vdekje, persekutim, shkatërrim, djegie...  

Tani, pas parashtrimit të çështjes të së vërtetës dhe fitnes, mbi të cilën ne, për fat të keq, jemi duke e ndërtuar “ekzistimin tonë”, si në jetën fetare ashtu edhe në atë kulturore, shikoni se çfarë ekzistimi është ai në të vërtetë – ekzistim ku humbet kuptimi i dallimit midis të mirës dhe të keqes, i të mirit nga i keqi, i të vërtetës nga e pavërteta, i fetarit nga jo-fetari – kjo sot për sot është fotografia jonë e përditshme. Për fat të keq, frikësohen ata që nuk duhet të frikësohen, dënohen ata që nuk duhet të dënohen, kurse ata që duhet...

Shoqëria ku jetojmë, gjithsesi edhe ajo shqiptare, pas traumës së marksizmit dhe leninizmit shqiptar, u fut në një hapësirë që për të ishte e panjohur, dhe jo vetëm kaq, por u ballafaqua me një “forcë” që e kishte luftuar më parë: besimi dhe liria e të menduarit. Faktikisht ajo iu rrek kësaj çështjeje anasjelltas. A nuk është dëshmi për këtë fotografia e sotme e establishmentit politik shqiptar, që nuk është i vetëdijshëm për një gjë të tillë, kur vetë pranojnë se nuk dinë çfarë po ndodh dhe çfarë duhet të bëjnë. Këtu nuk flas për fjalorin pozitë-opozitë, por për fjalorin e zakonshëm. Kjo bëhet e qartë edha nga pasqyrimi i kësaj fotografie tonë në mediat perëndimore, të shkruara dhe elektronike. Nga ana tjetër, kijeni parasysh botëkuptimin e sotëm për fenë islame në shoqërinë perëndimore, të prodhuar nga mediat e tyre që pandërprerë prodhojnë dhe ndihmojnë në “dështimin” e të vërtetës dhe krijimin e fitnes, ndërsa për çdo ditë vetë po dëshmohet se ata kanë gënjyer dhe gënjejnë; ngase vetë shërbimet sekrete botërore dëshmojnë se shumë akte të kobshme kanë qenë raste të montuara nga jomuslimanët. Mirëpo, këtu nuk duhet harruar se ne hëpërhë nuk e dimë se kush është duke udhëhequr me botën: flitet me të madhe se presidentët janë marioneta të korporatave të ndryshme; flitet se dikush nga nëntoka rregullon, planifikon, përvijon harta të ndryshme dhe i realizon ato dhe e gjithë kjo në emrin tim, tuajin, në emër të globalizimit. E shihni se ata sot fare nuk frikësohen as nga e vërteta, ngase nuk kanë ndërgjegje, sepse vetëm i zbatojnë urdhrat nga diku e dikush. Tamam si liderët tanë politikë. Ne si shoqëri e vogël në një mënyrë shumë të papërfillshme u ballafaquam me momente të këtilla: përgjimet e publikuara se si planifikohet vjedhja, si organizohet “monstra” e madje edhe ajo e stilit “m’u kujtua diçka”. Çfarë ndodhi me shoqërinë dhe njeriun e vogël të këtij vendit, askujt nuk i plas fare. Ku ishin ata komandantë me e pa mjekra, që i shesin mend popullit të lodhur nga puna dhe frika që ta tregojnë trimërinë e tyre, me gjithë respektin ndaj të mirëve, të drejtëve dhe të sinqertëve? Sikur kjo të kishte ndodhur edhe në kohën e komunizmit, do të ishin tërbuar mendjet e shëndosha. Kur e them atë se ku janë “komandantët”, nuk mendoj e as që e kam për qëllim t’i thërras të luftojnë, por vetëm dua të them se ata edhe atëherë kanë qenë dhe sot vazhdojnë të jenë mashtrues të kohës, të mëhallës dhe të rrethit, duke iu nënshtruar filozofisë së mitit të viktimës, që shoqëria jonë “e ha” shumë lehtë dhe këta i ul në bash të vendit.

Më kujtohet shumë mirë kur në prag të krijimit të republikave, gjë që ndodhi pa dëshirën tonë (e të mos flas për shqiptarët se ata gjithçka e kanë farsë, madje edhe nacionalizmin), ata me dinakëri të madhe u munduan të shkaktonin destabilizim brenda shoqërisë dhe popujve, ndërsa armiqësinë mes shqiptarëve dhe maqedonasve këtu e kemi dhuratë – dhe atë nga nacionalistët marksistë-leninistë shqiptarë shumë primitivë, jo nga fetarët. Kurse nga “feja” dhe fetarët, për fat të keq, dhuratë e kemi injorancën. 

Për këtë gjendje ose fotografi natyrisht se të gjithë ne jemi fajtorë, por është mirë të themi se disa ndryshime dolën në shesh me paraqitjen e ca djemve të rinj, të cilët sapo e kryen medresenë, shkuan në vende të ndryshme të botës arabe, prej nga u kthyen me mjekra të çuditshme dhe kur flisnin, e vetmja gjë që dëgjohej ishte zhurma; fjala ose mësimi i tyre kryesor ishte se ne muslimanët e gjorë të këtij vendi nuk paskemi ditur të falemi, vetëm për arsye se nuk i hapim këmbët, nuk i shkurtojmë pantallonat dhe nuk martohemi me vajzën e xhaxhait etj. Por, më kryesorja, që nuk duhet harruar, është se ai soj djemsh u munduan me mish e me shpirt që nga feja dhe nga fetari ta nxjerrin indin e turpit edhe të kulturës së fesë, ndërsa ata vetë futën “terror” në shprehje, “terror” në lutje dhe arrogancën e fëlliqur nëpër shtëpitë, familjet dhe xhamitë tona. Për fat të keq, njerëz të tillë kemi sot të punësuar edhe në institucionin më të lartë të fesë. Megjithëkëtë, kjo nuk do të thotë se ata janë të rrezikshëm në kontekst të asaj që u imputohet nga qarqe të ndryshme, por janë “shërbëtorë të mendimeve te mira” dhe paksa torollakë. 

Tani meqë e përmendëm këtë institucion, shtrohet pyetja ku është Bashkësia Fetare Islame në gjithë këtë?!? Për vetveten e kam përgjigjen, që është më shumë si pyetje: pse a ka institucion të tillë këtu? Institucioni në fjalë natyrisht se e ka pasur dhe e ka rëndësinë dhe peshën e vet. Mu për këtë arsye ai është shndërruar në një qendër që për fat të keq ka lejuar të nënçmohet nga shërbimet sekrete të ndryshme, e të mos flas për shërbimin e sotëm të këtij, siç e quan B. Koneski, “vendi të mjerë”. Bota informative shqiptare nuk e di se ku gjendet, ndaj nuk merret shumë me këtë çështje e t’i pyesë hoxhallarët se kush janë ata që komunikojnë/bashkëpunojnë me këto shërbime. Më duket se vetëm ata hoxhallarë që lajnë xhenaze nuk komunikojnë me ata. Apo, mbase jam gabim?!? Disa prej tyre mburren se kanë shokë dhe shoqëri të thellë në këtë aparat. Vetë jam dëshmitar se në Bashkësinë Islame një kohë kishte dy persona që vazhdimisht ishin aty; po e përmend vetëm njërin – Kiro F., ndërsa emri i tjetrit nuk më kujtohet. Ata dinin shumë gjëra për vetë hoxhallarët dhe talleshin me institucionin fetar dhe faktikisht kohën më të madhe e kalonin në zyrat e BFI-së. 

Pastaj, si mund të presim ne teologji të shëndoshë nga kjo fotografi e teologëve të kllapitur?!? Këta prodhojnë vetëm teologji “të kllapitur”, ndaj edhe shoqëria jonë është e tillë. E ne besimtarët muslimanë jemi betuar para Zotit se e vërteta është mbi gjithçka, ndaj nuk guxojmë të tallemi me të vërtetën, nuk guxojmë të dështojmë dhe të jetojmë pa të vërtetën. Ne, për fat të keq, e harruam këtë emanet nga Zoti dhe sot jetojmë larg të vërtetës e, të mos them, kundër të vërtetës. Teologjia jonë, për momentin, është duke e përjetuar tmerrin e teologjisë ose, thënë më mirë, është bërë teologji e “kllapisë”. 

Në fund duhet të them diçka që do të jetë si përgjigje ndaj atyre që pyesin se si qëndron puna në të vërtetë me gjithë këto burgosjet e shpeshta, që po ndodhin në mesin e popullit shqiptar, që është më i varfri ekonomikisht, politikisht dhe kulturalisht në Ballkan. Pa marrë parasysh të kaluarën e vështirë, ne duhet të çlirohemi nga lojërat e manipulimit, të cilat janë shumë të rrezikshme dhe për të cilat përdoren metoda të sofistikuara, vetëm e vetëm për të na mbajtur nën kontroll. Edhe burgosjet kalojnë nëpër metodat e ndryshme të kontrollit, të emërtuara si: “teknologji e ndikimit”, “modelim i shpirtrave njerëzorë”, “reformë e vetëdijes”, “shpëlarje truri”, “forcë pa dhunë”, “dhunë pa forcë”, “kontroll i vetëdijes”, “operim i shpirtit” e të ngjashme. Madje, përmenden edhe institucionet që kryejnë veprimtari të tillë: “qendra për reformimin e vetëdijes”, “spitale për reformë ideologjike”, “shtëpi për të menduar”, “vendpastrime ideologjike”, “ministri të së vërtetës” etj. Pra, burgosjet janë bërë me një qëllim të caktuar, ndërsa vetë të burgosurit thonë se fare nuk ka pasur kuptim burgosja e tyre me realitetin intelektual, ideologjik e kështu me radhë. Por, efekti është vërejtur. Shembull i tillë është ateizmi vulgar dhe pafesia e turpshme në këtë kohë të vetëdijes së lartë dhe informacionit të shpejtë. Megjithatë, për masën këto burgosje kanë mbetur “të shenjta”, “të lartësuara” dhe një formë “liderllëku”. E njëjta gjë po ndodhë edhe me burgosjet e fundit të “mjekroshëve”. Kjo nuk ka të bëjë fare me mençurinë e tyre, me dijen ose ilmin e tyre, me hoxhallëkun e tyre, e as me ekstremizmin e tyre, sepse këta për dijen, për ilmin dhe kulturën kur’anore janë injorantë, xhahilë dhe fitnexhinj. Por, ky organizim i burgosjes ka vetëm një qëllim – që të përdoret terreni ynë shqiptar me një mit qindvjeçar se shqiptarët janë pararojë e Islamit. Dhe, ja tani, po mundohen që dikush tjetër të krijojë nga njerëzit më të dobët dhe më pa autoritet viktima për popullin tonë dhe kësisoj dalëngadalë të sajojë në mesin tonë ISIS-a, IDIL-a, halifate... E si mund të presim ne që kjo çështje të rregullohet, kur dihet se gjyqësori i pavarur nuk ekziston as në Maqedoni, as në Shqipëri e as në Kosovë. Prapë po them, si duket KËTA, mendoj në forcat e fshehta, tani për tani shërbimet sekrete, që nuk e dinë se kujt i shërbejnë, po mundohen të njollosin diçka që me të vërtetë vetëm ne e kemi në hapësirën e Ballkanit dhe të Evropës dhe me të cilën duhet të krenohemi – tolerancën fetare. Nuk mund të gjeni rast në mesin e shqiptarëve të vrasin njeri-tjetrin vetëm pse i takon një feje tjetër, pavarësisht incidenteve të mundshme. 

Tani t’i kthehemi asaj që më brengos më së shumti: institucioni më i lartë fetar, jo siç është, por siç duhet të jetë, dhe kultura fetare islame na ftojnë të jemi të vetëdijshëm për lojërat e ndryshme, që luhen rreth nesh dhe në mesin tonë në këto kohëra të vështira nga aktorë të ndryshëm, që të mos lejojmë nënçmimin e personaliteteve të larta fetare dhe uzurpimin e institucioneve fetare – e mos dhëntë Zoti kjo të bëhet me armë. Feja islame është e pastër dhe kërkon pastërtinë dhe ajo as për së largu e as për së afërmi nuk e pranon dhunën. Fetarët nuk duhet të frikësohen nga këto montime, burgosje dhe shkatërrime, ngase vështirësia duhet të na mësojë të jetojmë më të bashkuar, më të arsimuar, më të kulturuar, më të disiplinuar – tamam si robër të Zotit! “E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: 'Paqe!’”.

 

http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/28551-ekstremizmi-mes-se-vertetes-dhe-ngaterreses.html

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme