Kontributet shkencore-kulturore të orientalistëve

Kontributet shkencore të orientalistëve, objektiviteti, cilësia dhe qëllimet e studimeve të tyre ka kohë që janë bërëobjekt të shumë diskutimeve dhe polemikave nëpër vende të ndryshme të botës, veçanërisht në ato islame. Diskutimet e tilla në botën islame i përshkon kryesisht një frymë pezhorative dhe pesimiste kundrejt rezultateve shkencore dhe kulturore të studiuesve jo-myslimanëtë Orientit (të cilët nuk qenë vetëm nga Perëndimi), e që njihen si orientalistë. Tashmë dihet se ekzistojnë metodologjitë ndryshme shkencore nëpërmjet të cilave studiuesit trajtojnë probleme e fenomene të ndryshme, siç janë metodologjia fenomenologjike ose ajo historiciste.Për atë dhe, kur gjykojmë për rezultatet shkencore – kulturore tëorientalistëve duhet të kemi parasysh gjithashtu edhe metodologjitë apo shkollat e tyre filozofike, që për mendimin tim, ato janë indikacionet bazike të rezultateve në fusha e tyrestudiuese. Ndërsa, shumica e këtyre polemistëve, duke mos i marrë parasysh fare metodologjitë shkencore e filozofike të këtyre orientalistëve, të gjithë këta të fundit i vlerësojnë me kritere të njëjta, të cilat më shumë janë politike, sesa shkencore. Por në mesin e këtyre studiuesve dhe polemistëve, një njohës kompetent i veprimtarisë shkencore të orientalistëve dhe madje mik i disa prej tyre, qe filozofi dhe studiuesi i mirënjohur egjiptian, Abdurrahman Bedevi.

Një oksidentalist i vyeshëm, sidomos i filozofisë ekzistencialiste, Abdurrahman Bedevi njihet edhe si studiues serioz i filozofisë islame dhe tesavufit dhe profesor në universitetet më kredibile të disa shteteve të Lindjes së Mesme. Njëra nga shumë veprat e tij ështëdhe Leksikoni i Orientalistëve, i cili në gjuhën shqipe erdhi dhe u pasurua me të dhëna dhe informacione nga prof. Isa Memishi, pedagog i gjuhës arabe në Universitetin e Prishtinës.

‘Leksikoni i Orientalistëve’është një vepër prej 400 faqesh ku zënë vend emrat e orientalistëve të cilët kanë dhënë kontribute të vlefshme në fusha të ndryshme të studimeve orientale. Me këtë vepër, Abdurrahman Bedevi si duket ka dashur t’i tregojë bashkombasave të tij në lidhje me arritjet shkencore – kulturore të studiuesve perëndimorë të Orientit dhe kështu t’ia bëjë me dije se rezultatet e tyre janë të shumta dhe të larmishme dhe ato nuk duhen të konsiderohen vetëm si material që kanë shërbyer për shtrirjen e kolonailizmit në Lindje. Gjatë leximit të kësaj vepre vërejmë edhe qëndrime kritike të Bedevi kundrejt disa orientalistëve, të cilat i shprehë pa ngurrimin më të vogël, dëshmi kjo qëspikatë seriozitetin dhe përgatitjen shkencore të autorit,gjë qëvetëm sa e ngritë cilësinë e kësaj vepre.
Në fillim të librit lexojmë një hyrje të prof. Memishit ku flet për rëndësinë e veprës, përmbatjen e saj, sfidat që ka hasur gjatë përkthimit si dhe në fund tregon për plotësimet dhe shpjegimet që ia ka bërë kësaj vepre. Më pastaj lexojmë për jetën dhe veprën e Abdurrahman Bedevi’ut, ku mësojmë se ai përveç se një njohës i kulturës perëndimore dhe asaj islame, qe edhe filozof në kuptimin e plotë të fjalës. Gjithashtu lexojmë se Bedevi ka arritur të botojë 150 vepra në gjuhët arabe, angleze, frënge, spanjolle dhe gjermane. Nuk duhet lënë pa përmendur se këtu është bërë një lëshim teknik, pra nuk është shkruar emri i Isa Memishit si autor i Hyrjes dhe njësisë ku flitet për jetën dhe veprën e Bedevi.
Në këtë vepër emrat e orientalistëve janë të radhitur sipas alfabetit të gjuhës shqipedhe kështu fillohet me emrin e Arnold Thomas Walker dhe përfundohet me emrin e William Muir. Por përveç krerëve me emra orientalistësh, gjithashtu mund të shohim edhe krerë si: Fjalori i parë Arabisht – Latinisht, Fjalori i dytë Latinisht – Arabisht, Kur’ani – Botimet e Kur’anit në Evropë, etj.. Në këtë vepër hasim të dhëna enciklopedike për shumë vepra dhe kontribute shkencore – kulturore të orientalistëve në lidhje me fetë, kulturat, gjuhët, letërsitë, qytetrimet dhe çdo gjë që ka të bëjë me popujt e orientit. Pra Leksikoni i Orientalistëve na ndihmon që të informohemi drejtë dhe pa shtrembërime me punën e madhe që e kanë kryer orientalistët në fushëne studimeve orientale. Edhe pse në këtë vepër askund nuk lexojmë mbi mënyrën dhe metodologjinë e përzgjedhjes së këtyre emrave të orientalistëve, por si duket autori ka qenë i përqëndruar vetëm në emra orientalistësh evropianë dhe nuk ka parë të udhës të përfshijë edhe emra si Toshihiko Izutsu (1914 – 1993), orientalist i famshëm japonez. Siç informohemi nga hyrja të librit, Bedevi nëLeksiokonin e tij prezanton orientalistët që jetuan dhe vepruan deri në gjysmën e dytë të shek. 20, por ai nuk përmend fare as emrat e mëdhenj të fushës së orientalistikës të këtij shekulli siç qenëRené Guénon (1886 – 1951), Leopold Weiss/Muhamed Asad (1900 –1992), Frithjof Schuon (1907 –1998), Martin Lings (1909 –2005), Annemarie Schimmel (1922 –2003),të cilët pas vetes kanë lënë jo vetëm studime dhe përkthime tepër të vlefshme, por edhe kontribute të çmuara në fusha të ndryshme të kulturës islame.

Përkthimi i veprës Leksikoni i Orinetalistëve i Abdurrahman Bedevi në gjuhën shqipe përmbushë një boshllëk të madh në fushën e studimeve orientale dhe më shumë se çdo gjë tjetër, mund të shërbejë edhe si një pasqyrë për të analizuar dhe kritikuar veprimtarinë tonë shkencore në fushat e orientalistikës në përgjithësi dhe islamistikës në veçanti. Leximi i kësaj vepre gjithashtu mund t’i ndihmojë atyre të cilët deri më sot kanë patur qëndrime joobjektive dhe të gjithë orientalistët i kanë trajtuar njësoj dhe me kritere të njëjta (më tepër politike sesa shkencore).

penaime.com

_______________________________________
* Leksikoni i Orientalistëve, autor: Abdurrahman Bedevi, përktheu dhe plotësoi: Isa Memishi, Botues: Logos – A, Shkup, 2015. Fq. 400.

 

http://www.penaime.com/kontributet-shkencore-kulturore-te-orientalisteve/

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme