Disa aspekte të Kur`anit


 

                   

 

“Gjuhët njerëzore nuk mund ti konsumojnë fjalët kur`anore[1].

Rreth të kuptuarit dhe perceptuarit e Kur`anit janë dhënë ide qysh në kohën e Pejgamberit a.s i cili është përcjellësi i mesazhit dhe komentatori i parë i tij. Të kuptuarit e Kur`anit buron nga të kuptuarit e Zotit. Shpjegimet e ndryshme rreth tij gjatë gjithë historisë kanë kontribuar në thjeshtësimin e mesazheve dhe bërjen të kuptueshme për të gjitha shtresat shoqërore. Pa pretenduar se janë përfundimtare nuk e zbehin vlerën dhe as nuk e thonë gjithçka rreth tij.

Kur`ani dhe dija e ardhur në tokë buron nga dija absolute e Allahut xh.sh. Gjithashtu kuptimet e tij janë me karakter universal, absolut edhe pse forma është e pandryshueshme. Gjithmonë forma e jashtme është thirrje drejt kuptimeve të brendshme, sikurse arti dhe kaligrafia të cilat janë gjuha e imagjinatës në botën konkrete. Prandaj kufizimi i Kur`anit brenda dy kopertinave përbën kufizimin formal lëndor dhe jo atë kuptimor. Kufizimi kuptimor i tij nënkupton kufizimin e dijes hyjnore, si e tillë do të ishte një qasje e gabuar ndaj tij.

Në fillimet e para të zbritjes së tij në Mekë ai themeloi normat e para besimore, ajete këto të cilat shpjegonin ekzistencën e Zotit dhe atributet e tij, për të vazhduar me pjesën morale e më vonë ato normative dhe ligjore. Kështu Kurani për muslimanët ishte epiqendër drejt të cilës orientoheshin për çdo zgjidhje. Meqenëse shoqëria e asaj kohe nuk ishte shumë e zgjeruar edhe kerkesat e saj ishin minimale. Kishin të bënin vetëm me çështjet elementare fetare të cilat i zgjidhte Pejgamberi a.s. Njëherit shpjegimet e Pejgamberit konsiderohen bazat e para të komentimit të Kur`anit konkretisht bazat e shkencës së tefsiririt dhe fikhut.

Pas vdekjes së Pejgamberit a.s fillon koha e sahabëve. Në etapën e tyre shteti islam filloi të zgjerohet edhe më shumë dhe me zgjerimin e tij lindën edhe kërkesa të reja dhe kërkoheshin zgjidhje të tjera. Me zgjerimin e shtetit islam filloi edhe kalimi në Islam i popujve të ndryshëm sikur mongolët apo persianët, të cilët ishin zjarrputistë dhe kishin një qytetërim të lashtë. Duke sjellë qytetërimet dhe besimet ata filluan të krahasonin mësimet e tyre me mësimet Islame. Pyetjet e tyre drejtoheshin rreth natyrës së Zotit, Kur`anit si fjalë e Tij, problemet eskatologjike etj.

Problem tjetër ishte edhe përkthimi i librave filozofike greke, të cilat sollën me vete edhe shumë paqartësi. Kjo bëri që në mesin e muslimanëve të lindin pyetje të ndryshme. Ky ishte një faktor, i cili ndikoi në lindjen e shkencave si kelami dhe filozofia. Këto shkenca ishin masat mbrojtëse të besimit islam i cili ishte kultivuar deri në atë kohë. Kur`ani përbën të folurit e Allahut xh.sh. Dhe ai ishte shënjestër e bisedave të ndryshme filozofike sepse në një formë ai simbolizonte Qenien. Me qenëse në esencë qenia e Zotit është thesar i fshehur dhe për njeriun përbën një sekret të panjohur, i cili nuk mund të njihet, pyetjet dhe polemikat u drejtuan rreth Kur`anit. Këto polemika shkaktuan ndarje sektare brenda muslimanëve. Problematika e parë e kësaj natyre ndodhi në mes mu`tezilitëve dhe muhadithunëve ku të parët pohonin krijueshmërinë e Kur`anit kurse të dytët në pakrijueshmërinë e tij. Sikur grupi i parë edhe i dyti qendrimet e veta i argumentonin me tekste fetare. Problemi i pakrijueshmërisë së Kuranit e cila është fjalë hyjnore e Zotit, automatikisht umetin islam e dërgonte në të besuarit dhe pranuarit të hyjnitetit të Isait a.s i cili nihej si “Shpirt i Zotit” pasi që në të dy rastet hyjniteti inkarnohet brenda të krijuarës[2]. Në anën tjetër të besuarit se Kur`ani është i krijuar abstragonte elementin hyjnor brenda Kuranit. Nevojitej të kuptuarit drejtë të elementit hyjnor i cili përmes materies arrin ta shfaqë vetveten, sikurse Shpirti i cili e konkretizon materien (trupin), i jep formë, dhe me të e prezenton veten. Fjala e Allahut në mes hyjnores dhe tokësores (Kur`ani) si dhe shpirti hyjnor (Njeriu) kanë burim të njëjtë nga “Qenia” Absolute.

Në frymën e këtij debati shkolla mesatere e Ehli Sunetit, e cila triumfoi duke e harmonizuar hyjnoren me tokësoren dhe secilës duke i dhën vendin meritor. Ata thanë se Kurani është të folurit e Allahut e pafillim dhe e pafund kurse konkretizimi i saj i përket natyrës së krijuar e cila është tokësore ashtu sikur thotë poeti:Të folurit është në zemër,ndërsa gjuha është krijuar të tregoj se çka ka në zemër[3]. Sipas tyre të folurit e Allahut ka karakter metafizik dhe kuptimor.

Fjala e Kuranit e zbritur në gjuhën arabe u bë qender e bisedave dhe debateve teologjike dhe filozofike. Si problematik tjetër ishte përkthimi i tij në gjuhët e tjera jashtë gjuhës arabe. Meqenëse ai është i zbritur në gjuhën Arabe kuptimi i tij origjinal është vetëm në gjuhën e zbritjes dhe si e tillë, a mund të bartet kuptimi i tij me besnikri në gjuhët tjera? Rreth kësaj  problematike ka mendime të ndryshme: Dijetarët u ndanë në dy grupe:

Përkrahësit e përkthimit – Ata të cilët e përkrahen mendimin se Kurani argumentoheshin në atë se feja Islame është univerzale dhe Kurani nuk lexohet vetëm nga arabët por edhe nga popuj të ndryshëm. Thuhet se Selman Farisiu ishte përkthyesi i parë i sures Fatiha në persishte.

Kundërshtarët e përkthimit. –Ata argumetoheshin në atë se Kur`ani përmban një retorik dhe  stil të përkryer i cili është i tillë vetëm në gjuhën arabe dhe jo në gjuhët tjera. Si i tillë ai e ka bukurinë në gjuhën me të cilën ka zbritur, dhe nuk mund të jetë në gjuhët tjera. Për ta ruajtur sitilistiken e tij nuk duhet përkthyer. Kurse kelamistët bëjnë një ndarje tjetër. Ata thonë se Kur`ani përmban kelam nefsij ( të folurit e brendshëm) i cili vie nga Pllaka e ruajtur mirë e cila është e papërkthyeshme dhe kelam lafdhij (të folurit e jashtëm),  i cili edhe mund të përkthehet[4].

Kur`ani përveç aspketit teologjik dhe letrar përmban edhe dimensione tjera shkencore të cilat me zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë sa vinë e bëhen më të qarta. Ne do ti përmendim vetëm disa prej tyre si aspekti historik, gjeografik, biologjik etj.

Të dhënat për të shkuarën.- Kur`ani përmban të dhëna të sakta historike të cilat dita ditës po vertetohen dhe po bie poshtë teza e orientalistëve të cilët pretenduan se Kur`ani është vepër e Muhamedit a.s.  Një nga të dhënat e tij është përmendja e emrit “Haman”. Haman është bashkëkohës i Musait a.s. Emri i tij në Torë nuk përmendet edhe pse historia e Musait a.s përmendet në detaje. Pas deshifrimit të alfabetit hieroglif egjiptian, rreth  200 vjet më parë dhe në shkrimet e lashta u gjend emri ”Haman”. Në këtë mënyrë, u përftuan mjaft njohuri mbi qytetërimin, fenë dhe jetën sociale të Egjiptit të lashtë. Të gjitha këto të dhëna zën fill në Kuran.

Të dhënat për të ardhmen.- Një nga të dhënat e përmendura në Kur`an mbi atë që do të ndodhte në të ardhmen, gjendet në ajetet e para të sures Er-Rrum, të cilat i referohen Perandorisë Bizantine apo pjesës lindore të Perandorisë Romake. Në këto ajete është shpallur se Perandoria Bizantine, pas disfatës së rëndë që kishte pësuar prej ushtrisë perse, do të triumfonte shumë shpejt.

”Elif, Lam, Mim. Bizantinët (romakët) u mundën, në tokën më të ulët (afërt), por pas disfatës së tyre, ata do të triumfojnë brenda pak viteve.” (Er-Rrum 1-3)

Këto ajete u shpallën rreth vitit 620 e.s., gati shtatë vjet pas humbjes së thellë të ushtrisë kristiane bizantine prej ushtrisë idhujtare perse. Por në Kur`an u shpall se shumë shpejt bizantinët do të triumfonin mbi rivalin e tyre. Dhe kështu ndodhi, pas disa vitesh bizantinët triumfuan.

Të dhënat për krijimin e universit-

”Ai është Krijuesi fillestar i qiejve dhe i tokës (pa pasur asnjë shembull)...”(El-En’am 101)

Përfundimi, në të cilin ka arritur astrofizika sot, është se i tërë universi, së bashku me dimensionet e lëndës dhe të kohës, erdhi në ekzistencë si rezultat i një shpërthimi të madh, i cili ndodhi menjëherë. Ky fenomen, i njohur me emrin “Big Beng”, vërtetoi se universi ishte krijuar nga asgjëja si rezultat i një shpërthimi në një pikë të vetme. Qarqet shkencore moderne janë të një mendimi në lidhje me faktin se Big Bengu është i vetmi shpjegim i arsyeshëm dhe i vërtetuar i zanafillës së universit dhe i mënyrës së krijimit të tij. Para Big Bengut, lënda nuk ekzistonte. Nga kjo gjendje mosekzistence, në të cilën as lënda, as energjia, madje as koha nuk ekzistonin – dhe kjo mund të përshkruhet vetëm në mënyrë metafizike – arrijmë në përfundimin se lënda, energjia dhe koha janë të tëra të krijuara. Ky argument është një nga zbulimet e fundit të fizikës bashkëkohore, i cili është shpallur në Kur`an 1400 vjet më parë[5].

 

Të dhënat për krijimin e njeriut-

”Ne ju kemi krijuar juve; përse pra nuk e pranoni të vërtetën?! A keni menduar ndonjëherë për farën (spermën) që nxirrni? Mos vallë ju e krijoni atë, apo jemi Ne krijuesit e saj?” (El-Vakia 57-59)

Krijimi i njeriut, bashkë me mrekullitë e shumta që përmban, është theksuar në mjaft ajete të tjera. Disa pjesë të informacionit të përmendur në disa ajete kuranore janë kaq të hollësishme saqë është e pamundur që një njeri, i cili ka jetuar në shekullin VII të kishte njohuri për to. Disa prej këtyre pikave janë si më poshtë:

1- Njeriu nuk është krijuar nga e tërë fara, por nga një pjesë mjaft e vogël e saj.

2- Është mashkulli ai që luan rol në përcaktimin e gjinisë së fëmijës dhe jo femra.

3- Embrioni njerëzor ngjitet në mitrën e nënës si një shushunjë. 4- Embrioni zhvillohet brenda tri errësirave (shtresave) në mitër.

Këto të dhëna u vërtetuan në mënyrë shkencore vetëm në shekullin XX[6].

Pa u zgjatur shumë po e mbarojmë, sepse edhe po të donim t`i përmendim të gjitha mrekullitë e tij nuk do të mund të arrinim. Ai është libër hyjnor kushtetutë jashtëkohore dhe hapësinore, e zbritur njeriut më të ndershëm në sipërfaqen e tokës, Muhamedit a.s. Me zhvillimet e fundit shkencore vetëm po vertetohen ato të cilat i  thotë Kur`ani qe 14 shekuj me radhë. Gjithashtu, sa vjen e shtohet intreresimi i tij si libër teologjik dhe shkencor. Me të drejtë Mulla Sadra thotë:” Kur`ani dhe qenia janë anët e ndryshme të njejtës monedhë”. Sepse ai e bën prezent të folurin e Allahut metahistorik brenda historisë. Ai ka zbritur për ta ngritur shpirtin e përvuajtur i cili ka rënë dikur. Për atë arsye, Kur`ani thotë “Kapuni të gjithë për litarin e Allahut” garanci kjo e cila njeriun e kthen drejtë origjinës dhe i siguron lumturinë e përjetshme.



[1] Ibrahim Kalın “Islami dhe perendimi”  Sh.B.  Logos A,  Shkup ,fq.100

[2] Ramadan El-Buti, “Të vërtetat e patundshme të besimit islam”  Sh.B. ASR, Tetovë 2004, fq. 110.

[3] Këto vargje i pershkruhen poetit Ahtali . Imam Sabuni, “Akaidi Maturidi”  përkthyer nga  Orhan Bislimaj . Sh.B. “Dituria Islame” Prishtinë 2011. fq. 72

[4] Nexhat Ibrahimi,  “Dimensione kur`anore ” Logos A,  Shkup 2003, fq. 32-33.

[5] Harun Jahja “Mrekullitë e Kuranit” .  Sh.B. "Furkan ISM"  Shkup  Nëntor. 2002 Fq 64.

[6] Po Aty.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme