Të lexosh Gazaliun në Ramazan

Ebu Hamid Muhamed el Gazali (1058-1111), një ndër mendimtarët më të mëdhenj muslimanë të të gjitha kohërave, mbetet një figurë qëndrore në diskutimet madhore rreth ligjit, teologjisë, filozofisë, etikës dhe sufizmit në botën islame. Idetë e tij si dhe udhëtimi i tij jetësor kanë shumë për të ofruar për krizat dhe brengat e shoqërive muslimane në një kohë kur vizioni i tyre intelektual ka ngecur, integriteti shpirtëror është përçarë dhe krijimtaria kulturore është gërryer.

Me orgjinë nga një familje e thjeshtë, Gazaliu u edukua që në krye të herës në shkencat fetare dhe intelektuale. Interesimi i tij i gjerë në ligj, logjikë, ekzegjezë kuranore, etikë, teologji dhe filozofi e shtyu atë të studionte me mësuesit më të mirë të kohës si Ahmed er Radhakani dhe Ebul Me’ali Xhuuejni, i njohur si Imami i dy Faltoreve. I dalluar për mendjen e mprehtë dhe erudicionin, Gazaliu tërhoqi vemendjen e Nizam el Mulk (v.1092), kryevezirit të pushtetshëm dhe të ditur të perandorisë turke të selçukëve, i cili pati themeluar Medresenë Nizamije të Bagdadit si institucioni akademik më i shkëlqyer në botën islame të kohës. Në moshën 33 vjeçare, Gazaliu u emërua profesor i jurisprudencës dhe teologjisë në Nizamije, duke nisur një jetë të plleshme kushtuar dijes, mësimdhënies dhe predikimit. Në kulmin e reputacionit të tij dhe prodhimtarisë intelektuale, Gazali përjetoi një krizë shpirtërore dhe intelektuale. Siç përshkruhet me një ndershmëri të rreptë në autobiografinë e tij magjepsëse “Shpëtimi nga devijimi” (el-Mukiḍ min eḍ-ḍalāl), ai filloi të vërë në pikëpyetje qëllimet e tij të njëmendta dhe arriti në përfundimin se “qëllimi im në mësimdhënien publike… nuk udhëhiqej kullueshmërisht nga hiri i Zotit, por nxitej dhe motivohej nga dëshira ime për emër dhe prestigj.” Ai ndjeu se ishte “në buzë të një gremine shkërmoqëse dhe tashmë në prag të gremisjes në Zjarr, nëse nuk do ta ndreqja drejtimin tim”. Kjo ishte një krizë personale rendit më të lartë, që e shpuri Gazaliun të vinte në dyshim jo vetëm qëllimet e tij morale, por edhe themelet intelektuale të dijes së tij. Ai hodhi dyshime edhe ndaj ekzistencës së botës së jashtme dhe vuri në pikëpyetje vërtetësinë e metodave të përdorura në shkencat fetare dhe intelektuale. (“Skepticizmi metodik” i tij paraprin metodë karteziane të dyshimit me disa shekuj. Në fund, ai arriti të ripohonte ekzistencën e botës dhe dijes së vërtetë brenda një kuadri më të gjerë metafizik.)

Duke parë t’i shkërmoqej jeta e tij intelektuale dhe shpirtërore, Gazaliu braktisi pozitën e tij prestigjoze, u përgatit për haxh, shkoi në Damask për një qëndrim të shkurtër në Xhaminë Umejade dhe udhëtoi drejt Jeruzalemit. I gjithë ky udhëtim ishte një pasqyrim i udhëtimit të tij të brendshëm, gjatë të cilit ai nuk pranoi asgjë që nuk mbështetej në dije të vërtetë, integritet moral dhe realizim shpirtëror. Gazaliu besonte se dija e mendjes duhet verifikuar nga siguria e zemrës së kulluar. Një i urtë ka nevojë për më shumë se “informacion” dhe memorizim mekanik të shkencave (pak a shumë ajo që përfitohet në të ashtuquajturën “epokë të informacionit” sot) për të çuar një jetë të mirë dhe të virtytshme. Ai kuptoi se kishte nevojë për dije dhe urtësi. Kjo nuk mund të arrihet pa një mendje të mprehtë dhe zemër të kulluar. Me udhëzimin e Zotit, përpjekjes së madhe dhe përndritjes shpirtërore njeriu mund të zotërojë mendje të vërtetë dhe zemër të pastër për të rrokur kuptimin e ekzistencës dhe vendit tonë në të. Pa u ankoruar në këtë parim fundamental, njeriu mund të ngecë në humbëtirë edhe pasi të ketë lexuar mijëra libra, duke arritur prestigj, pozitë e të tjera.

Ndonëse shumë personale, kjo nuk ishte thjesht e vetëm kriza e një mendjeje kureshtare. Gazaliu ndjente se edhe bota muslimane e kishte humbur busullën e saj dhe vuante nevojën e një ridrejtimi. Po, dy burimet kryesore të Islamit, Kurani dhe Tradita Profetike (sunneh) ishin aty. Por, muslimanët duhet t’i rilexonin dhe t’i riinterpretonin ato për t’i shndërruar në një udhërrëfyes të gjallë për ta. Ai hidhte poshtë “imitimin e verbër” (taḳlīd) sepse dija e vërtetë nuk mund të arrihet përmes imitimit të rëndomtë. Për më tepër, konformizmi servil bie ndesh kuptimit të vërtetë të besimit, që gjithmonë ngërthen më shumë se një pranim të thjeshtuar të formulimeve teistike dhe juridike. Prandaj, është i nevojshëm “verifikimi” dhe realizimi (teḥḳīḳ) për të përftuar dije të vërtetë nga njëra anë dhe besim të vërtetë dhe të sinqertë nga ana tjetër.

Në këtë kontekst, bota muslimane kishte nevojë për një “ripërtëritje” (texhdīd) dhe “ringjallje” (iḥjā) për t’u përmendur nga dremitja e saj dhe për t’i dhënë shpirt një fryme të re ndaj kuptimit fetar. Kjo duhej të ishte një zgjim intelektual sa edhe shpirtëror. Me këtë ide në mendje Gazaliu shkroi, me gjasë sa ishte në Damask, kryeveprën e tij “Ripërtëritja e Shkencave Fetare” (Iḥjā ꞌUlūm ed-Dīn) – një vepër me erudicion të gjerë dhe ndikim të paanë. Ajo qe një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj krizës intelektuale të botës muslimane: një krizë është e pashmangshme kur është fragmentuar dija, është prishur uniteti i mendjes dhe zemrës dhe ka humbur busulla morale e komunitetit. Në shumë mënyra të habitshme, kriza me të cilën u ballafaqua Gazaliu në shekullin e XII është e ngjashme me atë që përball sot bota muslimane.

Në këtë kuadër Gazaliu kritikonte filozofët muslimanë të shkollave platonike dhe aristoteliane në veprën e tij “Inkoherenca e Filozofëve” (Taḥaffut el-Felāsifeh) duke iu referuar “inkoherencës së filozofëve” dhe jo gabimit, pra mohimit total të “filozofisë”, çka është një dallim mendjehollë dhe i rëndësishëm. Ai mbronte pikëpamjen se el-Farabi dhe Ibn Sina, të dy figurat kryesore të traditës platonike, gabuan në përpjekjen e tyre për të islamizuar filozofinë greke-helenike dhe dështuan të bëjnë drejtësi si ndaj kërkesave të arsyes, ashtu edhe ndaj parimeve të fesë së shpallur. Ata morën përsipër rrezikun e prerjes së lidhjes ontologjike dhe shpirtërore ndërmjet botës së krijimit dhe Zotit si Krijuesi, Mbajtësi në Jetë dhe i Përdëllyeri. Ai ndjente se filozofia e Aristotelit e kthente Zotin në një parim kozmologjik që vuante mungesën e të vërtetës fetare dhe metafizike dhe pa devocionin personal – një parim rregulues, të cilit nuk mund t’i lutemi dhe me të cilin nuk mund të komunikojmë.

Kritika e filozofisë nga Gazaliu ishte sa intelektuale aq edhe politike, sepse ajo kishte të bënte me përdorimin e filozofisë nga predikuesit fatimidë për të çuar përpara axhendën e tyre politike. Megjithë sulmin e tij shkatërrimtar ndaj filozofëve, Gazaliu futi logjikën dhe filozofinë nga dera e pasme dhe përgatiti truallin për një sitezë gazaliane të teologjisë filozofike esh’arite dhe sufizmit – një sintezë në të cilën logjika dhe transhendenca, mendja dhe zemra, dija dhe feja, hulumtimi dhe devocioni shkonin krah për krah. Ky unitet epistemik do të shihet kudo në veprën e Gazaliut nga jurisprudenca te teologjia dhe sufizmi.

Ky unitet, që thelbësisht përftohet nga uniteti hyjnor (teuḥīd), dëshmon gjithashtu kuptimin e brendshëm dhe domethënien e vërtetë të gjërave të cilave duhet t’u kushtohet një zemër e shëndoshë dhe e sinqertë. Kështu, në jurisprudencë Gazaliu shtroi themelet e asaj që më vonë do të njihej si qasja “meḳāṣid”, qëllimet për të cilat është lëshuar një vendim juridik. Kjo vlen edhe për sferën shpirtërore, ku ne grishemi të shohim përtej të dukshmes dhe të rrokim kuptimin e brendshëm të realitetit në shpirtrat tanë dhe në horizont. Kjo na lejon ta shohim botën ashtu si është: duke mos mohuar ekzistencën dhe domethënien shpirtërore të saj, por as duke e absolutizuar atë. Pas çdo gjykimi (ḥukm) në ligj apo në filozofi, ekziston një urtësi (ḥikmah) dhe është qëllimi përfundimtar i një mendjeje të shëndoshë dhe zemre të përdëllyer ta zbulojë atë dhe të jetojë në përputhje me të.

Gazaliut i është dhënë titulli i nderit “Ḥuxhxhet el-Islām” (Prova e Islamit) dhe konsiderohet Muxheddid ose përtëritës i fesë, një i tillë që sipas traditës shfaqet njëherë në shekull për të rikthyer fenë e bashkësisë. Kur hedh vështrimin mbi gjendjen e acartë të botës muslimane sot, nuk është e tepruar të themi se ne të gjithë kemi nevojë për një prove të re dhe përtëritës të fesë si Gazaliu për të rigjetur busullën tonë intelektuale dhe qendrën tonë shpirtërore, për të rivendosur balancën ndërmjet mendjes dhe zemrës dhe për të luftuar herezi të tilla moderne si al-Kaeda apo DAESH. Leximi i Gazaliut në këto ditë të vyera agjërimi, thellimi dhe përkushtimi mund të na ndihmojë të rifitojmë udhën e mesme të arsyes, zemrës dhe urtësisë për të cilën Prova e Islamit punoi aq shumë.

 

Burimi: https://vehapkola.wordpress.com/2016/06/16/te-lexosh-gazaliun-ne-ramazan/ 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme