Kosova e sarkazmës, e ambasadorëve dhe fjalës së lirë

Kosova këtyre ditëve u bë lajm majash në disa media ndërkombëtare për shkak të kërkesës së ambasadores së Turqisë që një gazetar i cili pati kërkuar mbështetje të puçit të ndiqej penalisht. Eh, thashë me vete pasi e pashë lajmin, prapë ambasadorët. Ky vend moti është dashur edhe formalisht të lihej në duar të ambasadorëve. Jo më kot pata propozuar para ca vitesh që Republika e Kosovës të organizohet jo sipas sistemit republikan, as atij presidencial, as atij mbretëror, por sipas sistemit ambasadorial, ku ambasadorët e disa shteteve, që edhe ashtu na rrinë pa na u nda mbi kokë, t’i zgjedhim vetë dhe t’i lëmë zyrtarisht të na rrinë mbi kokë! Vetë ua kemi krijuar këtë komoditet, dhe tash s’kemi pse ankohemi. Mundemi vetëm t’ua zgjasim dorën!

Kosova kaherë është shndërruar në tokë ambasadorësh, apo, më mirë me thënë, në parajsë ambasadorësh. Dhe kaherë jo në kuptimin prej dy a tre vitesh, por që prej dekadash! Në Kosovë nuk bëhet asgjë pa dijen, bekimin dhe dirigjimin e tyre. Ata na i kanë zgjedhur kryeministrat, presidentët, dhe pastaj nëpërmjet tyre të gjithë ministrat, gjyqtarët e prokurorët. Nuk më vjen fort rëndë të them se duke bërë kështu, në njëfarë mënyre ata vetë na e kanë bekuar vjedhjen dhe korrupsionin! Ata na kanë treguar kur duhet ta shpallim pavarësinë; ata na patën treguar ditë e natë se duhet të ketë dashuri midis Agimit e Milicës dhe Zoranit e Artës, pastaj krejt papritur na thanë se duhet të divorcohemi, përkatësisht duhet ta pranojmë krijimin e një republike serbe brenda Republikës multikulturore, multireligjioze e multinacionale të Kosovës. Ata na kanë treguar se çfarë koncesionesh duhet t’i bëjmë Serbisë, ata na kanë treguar se kur mund të protestojmë e kur nuk mundemi! Tash së voni na kanë treguar se nuk ka asgjë të keqe në demarkacionin me Malin e Zi! Me ç’të drejtë vallë e kanë ndarë verdiktin e tyre pa gjyq për këtë çështje? Bile bile, ata në një rast edhe na patën treguar se me cilën këngëtare duhen krenuar kosovarët! Ata vetëm sa nuk na tregojnë edhe çka të hamë, si të hamë, si të vishemi, kur të shkojmë në pushime, çfarë të bëjmë në pushime, sa fëmijë të bëjmë etj., etj. Por këto edhe mos i thënçin, ne i bëjmë ashtu si mendojmë se ata na duan! Të dashur vëllezër e motra, ata na kanë parë e po na shohin prej kohësh! Kështu që dorëzohuni! Pajtohuni! Edhe kërkesa e ambasadores turke nuk është kurrgjë më e çuditshme, më e paarsyeshme dhe më tendencioze se sa rastet më sipër. Bile është kërkesa e saj e parë, dhe si mikpritës e bujarë që jemi, nuk do të duhej ta kthenim kaq ters e mbrapsht siç kemi bërë!

Prandaj, në qoftë se gjithë këto vite i kemi bartur mbi kurriz qindra ambasadorë me kërkesa nga më qesharaket e antiligjoret, lëreni edhe ambasadoren turke të bëjë qejf. Mos u tregoni të padrejtë e racistë ndaj saj! Ajo ka të drejtë në fjalën e lirë, kurse institucionet e Kosovës po ashtu kanë të drejtë në marrjen ose mosmarrjen e  vendimit për ndjekje ligjore, në mënyrë krejt të lirë.

Kur jemi te fjala e lirë, te demokracia, vlerat perëndimore, civilizimi liberal evropian dhe shoqëritë e prosperuara demokratike, do të doja t’i bie shkurt dhe t’i përmbledh të gjitha këto në relacion me Kosovën vetëm në një fjalë: SARKAZËM! Por kur e shoh më mirë këtë punë, më duhet të zgjerohem edhe me fjalë të tjera si: dyfytyrësi, amoralitet intelektual, sahanlëpirje, mosguxim; të gjitha të përcjella me nënshtrim, frikë, përfitim personal dhe shitje të vetvetes e vendit për dy lekë e një nam. Në rastin e Turqnisë, Lindjes, myslimanizmit dhe përgjithësisht “tjetrit”, në Kosovë gjithmonë mund të shohësh se kush është njëmend për vlerat sublime të civilizimit perëndimor dhe kush i përdor ato vetëm për ta ushqyer e gënjyer egon dhe interesin e vet. Edhe në rastin e tentimit për puç në Turqi, kjo u pa më së miri. Përpara se të vazhdoj tutje me hipokrizinë e partizanëve të paqenë të fjalës së lirë dhe të demokracisë në Kosovë, më duhet ta bëj të qartë qëndrimin tim rreth puçit në Turqi dhe asaj që pasoi. Puçi ndaj të zgjedhurve të popullit është krim, i padrejtë dhe i shëmtuar, përjashtimi dhe përndjekja pa kriter që pasoi është krim, i padrejtë dhe i shëmtuar, ekskomunikimi masiv nëpërmjet “varrezave të tradhtarëve” është krim, i padrejtë dhe i shëmtuar, verdiktet pa gjyq dhe etiketimet pa filtër janë thjeshtë të shëmtuara. Në këtë nuk kam kurrfarë dyshimi, dhe deri në fund do të qëndroj prapa këtyre vlerave për cilindo rast qoftë në botë, në Lindje a Perëndim, në Afrikë a Evropë. Por ata që e arsyetojnë fjalorin dhe zgjedhjen e një presidenti racist në Perëndim, duke u thirrur në fjalën dhe votën e lirë, kurse në një rast tjetër e arsyetojnë puçin, dhunën ushtarake dhe bëjnë thirrje bile për bashkëngjitje atyre vetëm pse është fjala për ‘lindorin’, ‘turkun’ apo ‘myslimanin’, nuk janë kurrfarë partizanë të vlerave perëndimore dhe të fjalës së lirë. Janë thjeshtë karikatura të shëmtuara të tyre. Të tillët kanë pasur një mori rastesh në botë, por edhe në Kosovë, për t’u dëshmuar se janë parimorë, të drejtë, të civilizuar dhe demokratë. Në Kosovë njerëzit janë dënuar për shprehje të fjalës së lirë në shumë raste. Para disa vitesh, njëri nga të përndjekurit për terrorizëm në Kosovë u akuzua vetëm për shkak të idiomës, “nuk do të rrimë duarkryq”, e cila u përkthye si thirrje për përmbysjen e rendit kushtetues. Asnjë dëshmi tjetër, asnjë fakt, asnjë ndërlidhje pezhorative midis idiomës dhe veprimit praktik. Nuk më kujtohet të kem parë atëherë nga asociacionet e gazetarëve, nga intelektualët, grupet mediatike dhe dashamirësit e paqenë të lirisë së individit thirrje për ruajtjen e fjalës së lirë e kundër përndjekjes së padrejtë të shtetit. “Nuk do të rrimë duarkryq” nuk ishte aspak më e rrezikshme se sa thirrja e dikujt tjetër për mbështetje të një puçi të dhunshëm. Në Kosovë, në një mori rastesh njerëzve u është mohuar e drejta e lirisë individuale, bile ajo më elementarja, për t’u shkolluar, dhe asnjë nga këto konzorciumet dhe qeveritë mediatike nuk ka dalë në mbrojtje të lirisë dhe zgjedhjes së qytetarit. Kështu që o të jemi për të gjithë kaq të rreptë në respektimin e fjalës dhe zgjedhjes së lirë, o për asnjërin. Ose t’i trajtojmë të gjithë ambasadorët njësoj, ose të pushojmë së rrekuri me kopallat për drejtësi e parime. Dhe kjo nuk është zgjedhje midis të mirës dhe të mirës, apo të keqes dhe të keqes; është shumë e qartë se është zgjedhje e lehtë midis të bardhës dhe të zezës. Le ta duam pak më shumë të vërtetën e të drejtën se sa Platonin e përmbledhur në egon, inatin, urrejtjen dhe interesin tonë personal.

Në fund e tëra mund të dalë që ka qenë sarkazëm. Njësoj sikurse shkrimi im, të cilin dikush mund ta interpretojë si thirrje për realizimin e kërkesës së padrejtë të ambasadores turke për arrestim të fjalës së lirë, e për të cilin unë thjesht them se ishte sarkazëm. Dhe bile kërkoj me ngulm që nëse përndiqem për këtë shkrim, të mbrohem për shprehje të fjalës së lirë me sarkazëm. Njashtu edhe letra e ambasadores turke mund të dalë se ishte me sarkazëm. Ajo mund ta ketë një emotikon mbrapa. Në tokën e ambasadorëve gjithçka është sarkazëm! /tesheshi.com/


http://tesheshi.com/nga-halil-ibrahimi-kosova-e-sarkazmes-e-ambasadoreve-dhe-fjales-se-lire/

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme