MILINGONAT (EN-NEML), KREU 27, Periudha e Mekës, 93 ajete

NË  FAQET  E  KURANIT

 

 

 

 

بِسْمِ اللَّـهِ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ

طس ۚ تِلْكَ آيَاتُ الْقُرْآنِ وَكِتَابٍ مُّبِينٍ ﴿١﴾ هُدًى وَبُشْرَىٰ لِلْمُؤْمِنِينَ ﴿٢﴾ الَّذِينَ يُقِيمُونَ الصَّلَاةَ وَيُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَهُم بِالْآخِرَةِ هُمْ يُوقِنُونَ ﴿٣﴾ إِنَّ الَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ بِالْآخِرَةِ زَيَّنَّا لَهُمْ أَعْمَالَهُمْ فَهُمْ يَعْمَهُونَ ﴿٤﴾ أُولَـٰئِكَ الَّذِينَ لَهُمْ سُوءُ الْعَذَابِ وَهُمْ فِي الْآخِرَةِ هُمُ الْأَخْسَرُونَ ﴿٥﴾ وَإِنَّكَ لَتُلَقَّى الْقُرْآنَ مِن لَّدُنْ حَكِيمٍ عَلِيمٍ ﴿٦

 

Bismil-láhir-rahmánir-rahím. Me Emrin e Zotit Bamirës, Mëshirëplotë.

 

T, S. Këto janë ajetet e Kuranit dhe të një libri të qartë. / Drejtim e sihariq për besimtarët. / Që kryejnë të falurit, japin detyrimin dhe binden për të ardhmen. / Atyre që nuk besojnë në të ardhmen, ua zbukuruam veprat dhe enden të verbër. / Ata kanë dënim të keq dhe, në të ardhmen, janë më të humburit. / Ti po e merr Kuranin nga Një i Urtë, Dijeplotë. (1-6)

 

Kreu emërtohet sipas ajetit 18 ku përmendet lugina e milingonave. I takon periudhës së mesme të Mekës, krahas sureve 26.Poetët dhe 28.Episodi. Nga ajeti i tretë, siç përsëritet dhe theksohet vazhdimisht në Kuran, besimtarë janë ata që zbatojnë rregullisht ritet e namazit dhe, krahas besimit e riteve, kontribuojnë për bamirësi duke dhënë zekat dhe janë të bindur për të ardhmen kur do të japin llogari para Zotit. Profeti a.s. ka thënë se "të falurit (salati/namazi) është vija që ndan besimtarin nga jobesimtari." Me ajetin 4, njerëzit që nuk besojnë në të ardhmen, nuk arrijnë të kuptojnë përgjegjësinë që kanë në jetë para Zotit, prandaj veprat e tyre të këqia, njësoj për ta, u duken të bukura.

 

Fjala  لَتُلَقَّى (le+tulek-ká), nga  لَقِىَ ،  لَقَّى takon, merr, me parafjalën لَ le si përforcuese e veprimit të shprehur, tregon se Muhammedi a.s. e merr (e përvetëson me shqisa dhe me arsye) Kuranin, në mënyrë të plotë, nga një i Urtë dhe i Plotëditur që është i Madhi Zot. Ky shpjegim është i domosdoshëm për t'u kuptuar drejt pozita e Muhammedit a.s. si i Dërguari i Zotit.

 

إِذْ قَالَ مُوسَىٰ لِأَهْلِهِ إِنِّي آنَسْتُ نَارًا سَآتِيكُم مِّنْهَا بِخَبَرٍ أَوْ آتِيكُم بِشِهَابٍ قَبَسٍ لَّعَلَّكُمْ تَصْطَلُونَ ﴿٧﴾ فَلَمَّا جَاءَهَا نُودِيَ أَن بُورِكَ مَن فِي النَّارِ وَمَنْ حَوْلَهَا وَسُبْحَانَ اللَّـهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ ﴿٨﴾ يَا مُوسَىٰ إِنَّهُ أَنَا اللَّـهُ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ ﴿٩﴾ وَأَلْقِ عَصَاكَ ۚ فَلَمَّا رَآهَا تَهْتَزُّ كَأَنَّهَا جَانٌّ وَلَّىٰ مُدْبِرًا وَلَمْ يُعَقِّبْ ۚ يَا مُوسَىٰ لَا تَخَفْ إِنِّي لَا يَخَافُ لَدَيَّ الْمُرْسَلُونَ ﴿١٠﴾ إِلَّا مَن ظَلَمَ ثُمَّ بَدَّلَ حُسْنًا بَعْدَ سُوءٍ فَإِنِّي غَفُورٌ رَّحِيمٌ ﴿١١

Kur Musai u tha njerëzve të tij: “Unë pashë një zjarr. Do t’ju sjell prej tij ndonjë lajm a një urë për t’u ngrohur”, / sapo arriti atje, u thirr: “Bekuar qoftë kush është në zjarr e përreth tij! Madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve! / O Musa, Unë jam Zoti, i Plotfuqishmi, i Urti. / Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa të lëvrinte si gjarpër, u praps e bëri mënjanë. “O Musa, mos u tremb! Nuk tremben profetët në Praninë Time. / Përveç dikujt që ka dhunuar dhe, pastaj, e ka kthyer të keqen në të mirë. Vërtet, Unë jam falës, mëshirëplotë. (7-11)

 

Këto ajete i kemi parë në kreun 20.Ta-Ha, 10-14 dhe do t'i takojmë te kreu vijues 28.Episodi (El Kasas), 29-30. Kurani përshkruan të njëjtën ndodhi nga këndvështrime të ndryshme. Pasi përmbushi kohën e shërbimit prej dhjetë vjetësh në Medjen, pranë profetit Shuajb a.s., Musai, me njerëzit e familjes, kaloi Gjirin e Akabasë, në jug të Sinait, një vend tepër i thyer, rrëzë malit që, pas tij, do të quhej Mali i Sinait ose Xhebel Musa (Mali i Musait) ose Tur (arab. طُوْر ، جَبَل tur, xhebel, mal).

 

Kur udhëtari i natës sheh së largu dritë, ajo është për të sihariq, shenjë orientimi ose ndonjë zjarr për t'u ngrohur e pushuar. Pra, ajeti jep, ndërkohë, një tablo emocionale, në prag të zbulesës hyjnore, që u shfaqet vetëm profetëve dhe iu shfaq në horizont Muhammedit a.s. tek meditonte për Zotin në Malin e Dritës (Xhebel El/en Nur). Fjalët që Musai dëgjoi atje: بُورِكَ مَن فِي النَّارِ وَمَنْ حَوْلَهَا (Búrike men fin-nári ve men hauleha. I bekuar është ai që ndodhet në zjarr dhe përreth tij), tregojnë se zjarri ishte Drita e Zotit ku Musai u afrua e mbulua prej saj. Sipas Ibn Abbasit, përreth ishin engjëjt që madhëronin Allahun, Zotin e gjithë botëve, krijesave e njerëzve.

 

Në atë vend, rreth 1500m. mbi nivelin e detit, perandori Konstandin ndërtoi një kishë, më 365 e.r. dhe, pas dyqind vjetësh, Justiniani ngriti një manastir me kishën brenda rrethimit të saj. Këto dy objekte janë edhe sot nën administrimin e Kishës Ortodokse Greke.

 

Nga profeti Shuajb a.s., Musai mori edukatën dhe dijen e profetësisë. Te faraoni, ai u paraqit me mrekulli nga Zoti si kusht për t'i lënë të lirë bijt e Izraelit. Mirëpo, faraoni me krerët e tij nuk besuan dhe fundi i tyre mbeti shembull i keq në histori (Shih ajetet 10-14).

 

Në tematikën e sures përmenden Davudi dhe biri i tij, Sulejmani, paqja qoftë me ta, me dhuntitë që u pati dhënë Zoti. Sipas rendit kronologjik të sureve, Davudin e Sulejmanin i kemi parë në kreun 38.Sad. Thuhet se ata kanë jetuar e sunduar nga vitet njëmijë e njëqint para erës së re. Në komentin e sures, Maududi, duke bërë analogji me krerët kurejshitë, përmend tre karaktere sundimtarësh dhe kombet e tyre që shohim përgjatë Kuranit:

 

Faraoni me krerët dhe ushtrinë e tij, kombi i Themudit me rrënojat në veri dhe kombi i Lutit në lindje të Detit të Vdekur, dhënë pas pas punëve të ndyra, si homoseksualë, nga njëra anë.

 

Davudi e Sulejmani, profetë e sundimtarë në udhë të Zotit, pendimtarë e falenderues ndaj Zotit, nga ana tjetër. Me dhuntitë që u dha Zoti, ata shkrinin metale e ndërtonin teknologji (34:10-13), vunë në përdorim erën për fluturime të largëta dhe shfrytëzonin forca të padukshme.

 

Krahas tyre, sundimtarja e Sebës (Sheba,-s) në Jemen ishte, për mekasit dhe arabët e shkretëtirës, një legjendë, kaluar brez pas brezi nga shkrimet dhe gojëdhënat biblike. Porse ajo qe verbuar, nga shkëlqimi i saj, në idhujtari e besime pagane, me adhurimin e diellit për Zot. Megjithatë, kur iu bë e qartë e vërteta, para se t'i vinte Sulejmanit në pallat, ajo e pranoi ftesën për t'iu nënshtruar Zotit dhe u bë muslimane (nga arabishtja: e nënshtruar ndaj Zotit; shih ajetin 42). Ky ishte një mësim i qartë për krerët idhujtarë të Mekës në kohën e Profetit Muhammed a.s.

 

Sipas shpjegimit të bërë nga Maududi rreth Seba-s apo Sheba-s, Seba ishte një nyje e njohur tregtare në jug të Arabisë, me qendër Ma'rib, rreth 90 km. në verilindje të Sana-s, Jemen, 1100 vjet para erës së re. Pas një mijëvjeçari në lulëzim e pushtet, më 115 p.e.r., erdhën në fuqi himaritët (Himyarites), gjithashtu, një popull i njohur që sundoi Jemenin e Hadramautin në Arabinë Jugore dhe Habeshin (Etiopinë) në Afrikë. Sabeanët (Saba/Sheba) kontrollonin rrugën tregtare nga Afrika Lindore, në Arabi, Hindi e Lindjen e Largët, si edhe linjën detare për në Egjipt, Siri, Greqi e Romë. Historianët grekë i quanin ata si populli më i pasur i botës. Përveç tregtisë, ata kishin ngritur diga për grumbullimin e ujrave për vaditje duke e shndërruar vendin e tyre në një kopsht - parajsë. (Shih kreun 34.Seba, ajeti 15).

 

Kur pupëza (hud-hud) i tha Sulejmanit: "Unë mësova ç’nuk ke mësuar ti. Po vij nga Seba me një lajm të sigurt", ajeti 22, kjo nuk do të thotë se sundimtarët e Sirisë e Palestinës s'ishin në dijeni rreth Sebas dhe shkëlqimit të saj, porse Kurani vë theksin në tematikën e besimit. Ajetet 24, 25, 26, në vazhdim të lajmit të pupëzës, e shprehin qartë këtë. Pasi përmendet "një fron madhështor" (arshun adhím عَرْشٌ عَظِيمٌ) që kishte sundimtarja, ajeti 23, në ajetin 26 theksohet se: "Allahu, s’ka zot veç Tij, është Zoti i Fronit Madhështor." رَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ (rabbul' arshil adhím). Kur Sulejmani pyeti krerët se cili mund t'ia sillte fronin e mbretëreshës para se ajo me elitën e saj t'i vinin të nënshtruar si muslimanë, një xhin vigan tha: "Unë ta sjell para se të ngrihesh nga vendi. Për këtë jam i fuqishëm, i sigurt." (ajeti 39) Duke i dhënë përparësi dijes mbi forcat që ne i quajmë "të mbinatyrshme", si ajo e xhinëve, Kurani na jep këtu një shembull të qartë dhe shumë domethënës në kuptimin e besimit të patundur te Zoti, me ajetin në vazhdim:

قَالَ الَّذِي عِنْدَهُ عِلْمٌ مِنَ الْكِتَابِ أَنَا آتِيكَ بِهِ قَبْلَ أَنْ يَرْتَدَّ إِلَيْكَ طَرْفُكَ ۚ فَلَمَّا رَآهُ مُسْتَقِرًّا عِنْدَهُ قَالَ هَٰذَا مِنْ فَضْلِ رَبِّي لِيَبْلُوَنِي أَأَشْكُرُ أَمْ أَكْفُرُ ۖ وَمَنْ شَكَرَ فَإِنَّمَا يَشْكُرُ لِنَفْسِهِ ۖ وَمَنْ كَفَرَ فَإِنَّ رَبِّي غَنِيٌّ كَرِيمٌ 

Ai që kishte dije libri, tha: “Unë ta sjell sa çel e mbyll sytë.” Kur e pa të qëndronte aty pranë, tha: “Kjo është mirësia e tim Zoti për të më provuar nëse falënderoj a mohoj. Kush falënderon, falënderon për vete; në mohon, im Zot është i pasur, bujar.”(ajeti 40) 

 

Dija është prej Zotit sepse Krijuesi ka manifestuar në natyrë dijen e Tij. Libri është, sipas përkufizimit të Kuranit, leuhi mahfuz (pllaka e ruajtur) ku janë regjistruar ligjet dhe dukuritë në natyrë. Gjithashtu, libri i përmendur në këtë ajet është shpallja, udhëzimi që Zoti u ka frymëzuar e zbritur profetëve. Prandaj, Sulejmani a.s., kur pa fronin para tij, tha: "Kjo është mirësia e tim Zoti për të më provuar nëse falënderoj a mohoj..." Si sundimtar, Sulejmani do të mbështetej në mjetet dhe forcat që zotëronte, siç ishte xhini i fuqishëm, porse ai kishte besim te Zoti dhe mbështetej vetëm tek Ai. Zoti nuk ka mungesë që t'i plotësohet me falënderimet dhe lutjet tona. Ne kemi mungesa që Zoti të na i plotësojë me Mirësinë e Vet.

 

Në ajetin 48, me nëntë vetë, krerë familjesh a fisesh nga kombi i profetit Salih, bëhet aluzion për krerët mekas që u morën vesh mes tyre të dërgonin natën nga një të ri për të vrarë Muhammedin dhe të mos i mbetej kujt përgjegjësia para ungjit të tij kujdestar, Ebu Talibit dhe beni hashimëve.

 

Historia e kombit të profetit Lut a.s., ajetet 54-58, është shfaqje e ditëve tona, me moralin e homoseksualëve, të pranuar me ligj dhe, ku, njerëzit që e kundërshtojnë atë, s'kanë vend në shoqëri (ajeti 56). Shembulli i tyre tregon qartë se si përsëritet historia kur merr po atë udhë dhe ç' pritet prej saj.

 

Shembujve nga historia e profetëve dhe popujve të tyre, Kurani u sjell provat e qarta nga qiejt e toka, shiun dhe kopshtet e hareshme, vargmalet e lumenjtë dhe detet me ujë të kripur e të ëmbël, ndarë mes tyre me një ndarje (nga dendësia e ujit). Dhe mjaft shembuj të tjerë që njerëzit të mendojnë se këtë shumëllojshmëri e përsosmëri nuk e kanë krijuar idhujt apo zotat që ata shoqërojnë në adhurim, por Një Zot i Vetëm tek i Cili do të kthehen. Këtë, idhujtarët e kohës së Muhammedit a.s. nuk donin ta besonin sepse ajo i ngarkonte me përgjegjësi. Dhe thonin:

 

"...“Kur të jemi bërë dhé, ne dhe etërit tanë, do të dalim përsëri? / Edhe më parë na u premtua kjo, neve dhe etërve tanë, por s'është tjetër veçse rrëfenjë e të parëve.”" (67,68) Kështu thonë me mosbesim mohuesit në ditët tona. Zoti u përgjigjet me Kuran: "Thuaj: “Udhëtoni në tokë, të shihni si qe fundi i mëkatarëve.”" (ajeti 69)

 

Më tej, detyra e Profetit është të komunikojë qartë mesazhin e Zotit te njerëzit që janë të gjallë e jo tek të vdekurit, që nuk dëgjojnë e mendojnë dhe se ai e kushdo tjetër që ka për detyrë të predikojë Fenë e Zotit, nuk mund të bëjë shurdhin (në mendje) të dëgjojë kur ata, idhujtarët, mosbesimtarët e mohuesit, kthejnë shpinën, as të orientojë të verbrit në udhën e tyre pa krye, të mosbesimit e çoroditjes, siç ndodh në shoqërinë e sotme. (ajetet 80, 81) Ajetet në vazhdim flasin për kohën e ringjalljes, kur do të realizohet fjala  (vendimi ndaj tyre) dhe u flet një gjallesë nga toka. (Shih ajetin 82)

 

Në ajetet 87-90 bëhet fjalë për kohën kur i fryhet bririt, në mënyrë të figurshme, si lajmërim i ringjalljes kur të gjithë vijnë para Zotit të përulur. Pas ajetit 87, shohim një fakt në artin e përsosur të Zotit, me ajetin 88: "Sheh malet dhe i pandeh se nuk lëvizin, por kalojnë si retë. Është arti i Zotit, i përsosur në çdo gjë. Vërtet, Ai është në dijeni të veprave tuaja." Kuranologët më të hershëm dhe ata më vonë e trajtojnë këtë ajet në kuptimin që, sikundër malet lëvizin, edhe njerëzit do të ngrihen e dalin para Zotit të përulur. Tema e besimit, përgjatë Kuranit, është ndërthurur me faktet dhe provat nga krijimi i Zotit në natyrë që njerëzit të mendojnë rreth tyre e të binden. Këtë e vëmë re me ajetin 86 ku thuhet për ata që përgënjeshtruan dëshmitë e Zotit pa i zënë me dije: "Nuk shohin se bëmë natën prehje dhe ditën dritë? Këtu ka dëshmi për njerëzit që besojnë." (ajeti 86) Gjithashtu, ajeti 88 është një fakt për rrotullimin e tokës rreth vetes ku malet lëvizin sikurse retë dhe kuptimi i tij është në artin e përsosur të Zotit.

_____

 

Shih: Kurani i Shqipëruar nga Myfti Salih Ferhat Hoxha, edicion elektronik në www.smashwords.com/books/view/474958

 

Kudret S. Hoxha

kshoxha@yahoo.com                      

  Tetor,  2016

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme