Ndikimi i kaptinës kur’anore ‘Jusuf’ në kulturën dhe qytetërimin islam në hapësirën gjithëshqiptare

 

Për Shqipërinë u përpoqa

Rezikova jetën t’ime

Nuk rëfehet se sa hoqa

Se shteti m’i njihte krime.

(H. A. Korça, Shtat ëndrat, fq. 30)

 

 

I. Shqyrtimi hyrës

 

            Populli shqiptar një periudhë të gjatë kohore të historisë së vet e ka të lidhur ngushtë me islamin dhe muslimanët, pra edhe me Perandorinë Osmane. Gjatë kësaj periudhe populli shqiptar ka krijuar një pasuri, trashëgimi shumë të pasur e të vlefshme në aspektin krijues kulturor, politik e fetar. Edhe pse gjatë kësaj kohe kishte mosmarrëveshje të kohëpaskohshme midis popullit shqiptar dhe perandorisë osmane, megjithatë këta dy faktorë kanë qenë ngushtë të lidhur mes vete. Këtë bashkëpunim e dëfton dhe dëshmon gjeniu krijues në fushën fetare, arsimore-edukative, kulturore-qytetëruese shqiptare, që paraqet një thesar të mirëfilltë.[1] Edhe pse u krijua në faza të ndryshme historike dhe në rrethana të vështira, e kaluara tregon një shpirt të pasur krijues.

Për fat të keq, krijimtaria shqiptare e proveniencës islame në fe, kulturë, histori, artë, letërsi, etj., nuk pati trajtim dhe pranim të barabartë apo të përafërt me krijimtarinë e proveniencës kristiane, qoftë ortodokse qoftë katolike. Këtë e ka theksuar më herët edhe Hasan Kaleshi[2] por edhe Osman Myderrizi[3]. Thuajse institucionalisht por edhe individualisht përparësia ishte në anë të krijimtarisë kristiane dhe laike duke e lënë në harresë krijimtarinë e autorëve të proveniencës muslimane. Kjo gjendje është e pranishme edhe në fillim të shekullit XXI. Madje, disa prej tyre, si Ismail Kadare, kanë qëndrim mohues. Ai krijimtarinë shqiptare islame më tepër e përjeton si të huaj, incident kalimtar, si armiqësore se sa si krijimtari të popullit shqiptar brenda popullit shqiptar dhe për popullin shqiptar. Gëzon fakti se edhe autori Isak Ahmeti, shpesh me disponim antiislam, kundërshton mendimin e Kadaresë se islami është “incident kalimtar”, por shtonë se “Roli i Kur’anit, i fesë dhe kulturës islame ndër shqiptarët ka qenë i një rëndësie të veçantë dhe jo incident kalimtar, … se që nga përhapja institucionale e Islamit në trojet etnike shqiptare (fundi i shekullit XIV) e deri më sot, ai ka frymëzuar, …, jetën shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, ka frymëzuar bukur mirë edhe një pjesë të madhe të letërsisë sonë…”.[4]

 

 

II. Jusufi dhe Zulejhaja te disa autorë botërorë

 

            Tërë Kur’ani por edhe sureja / kaptina Jusuf e Kur’anit dhe vetë mënyra e rrëfimit kur’anor, ka bërë një ndikim të madh te komentuesit e Kur’anit, si te Taberiu, Raziu, Zamahsheriu, Ibn Abbasi, Ibn Kethiri, Kutbi [5], por edhe te shumë sufi si Ibn Arebiu [6] dhe letrarë, historianë e krijues të tjerë, si Firdevsi, Xhamiu, Attari, Sadiu[7], Ibn Xhevziu, etj..[8] Këta emra tregojnë se me këtë problematikë janë marrë jo vetëm arabët, por edhe persianët, turqit, urdët, malajët. Por, me këtë temë janë marrë edhe në Evropë: gjermanët, sikur te Gëte[9],  italianët, sikur te Danteja, spanjollët, francezët[10], serbët etj. Përjashtim nuk janë as boshnjakët e shqiptarët etj.

            Është interesant se kohëve të fundit autorët kanë trajtuar edhe një segment të shpërfillur deri tash, atë ekonomik. Ndonëse të gjithë autorët flasin për aftësinë e Jusufit në fushën e administrimit ekonomik, disi kanë kaluar mbi këtë aspekt. Gëzon fakti që dikush edhe këtë aspekt e mbuloi, duke vënë bazat e një ekonomie islame.[11] Të shpresojmë se në të ardhmen do të trajtohen edhe aspektet tjera të jetës dhe veprës së Jusufit a.s.: politike, psikologjike, pedagogjike, etj.

 

 

III. Jusufi dhe Zulejhaja te disa autorë shqiptarë

 

Përkundër tendencave që krijimtaria shqiptare e proveniencës islame të shpërfillet dhe t’i mohohet identiteti dhe fizionomia, studimet e mirëfillta shkencore çdo ditë e më shumë dëshmojnë dhe tregojnë se ajo është mjaft e avansuar dhe me vlera artistike të larta e të pamohueshme, madje me një prapavijë krijuese, shoqërore dhe politike shumë të shëndoshë dhe autoktone. Disa të tjerë këtë krijimtari e radhisin ndër tre shtyllat e literaturës shqiptare, krahas asaj orale dhe shkrimit biblik.[12]

Kur’ani dhe kaptina Jusuf kanë ndikuar në shumë pikëpamje te krijuesit shqiptarë. Kësaj teme i shkruan edhe shumë të tjerë në rrafshin gojor, si imamët, hatibët, vaizët, kënduesit e ilahive, nëpër xhami, ndeje fetare apo ndeje të lira.

Krahas rrafshit fetar gojor ndikimi i Kur’anit dhe i kaptinës Jusuf është evident edhe në rrafshin fetar të shkruar te imamët dhe vaizët, në rrafshin fetaro-letrar te poetët me ilahi e kaside, te historianët nëpërmjet librave të historisë islame mbi pejgamberët. Është interesant se thuajse të gjithë autorët që janë preokupuar me Jusufin dhe Zulejhanë e kanë njohur gjuhën arabe në origjinal e jo nga përkthimet.

Tema e Jusufit, sikurse edhe tërë krijimtaria shqiptare islame, ka pasur një shtrirje gjithëshqiptare si në kohë ashtu edhe në hapësirë. Ajo nuk është karakteristikë e një zone gjeografike shqiptare, apo e një rrymimi ideor. Jusufi dhe Zulejhaja trajtohen njësoj te imamët në xhami apo të shejhët në teqe. Këtë e dëshmojnë emrat e ndryshëm dhe krijimet e ndryshme nëpër fazat e ndryshme historike.

Ndër autorët e hershëm shqiptarë që shkroi për Jusufin dhe Zulejhanë (në gjuhë turke) është Jahja bej Dukagjini (vdiq 1582), i cili e shkroi poemën Jusufi dhe Zulejhaja [13], sipas tij nga origjinali e jo nga përkthimet persiane.[14]

Në mesin e atyre që krijuan në mënyrë origjinale e që shkrimet e tyre kanë arritur deri te ne janë edhe Muhamed Kuçuk Çami (1782-1884)[15], Hafiz Ali Korça (1873-1956)[16], Çajupi[17], Haki Sharofi[18] e të tjerë, të cilët trajtuan jo vetëm në aspektin letrarë, por edhe historik, edukativ, filozofik, politik, ekonomik etj.

Duhet pranuar faktin se, në rastin konkret, tema e Jusufit dhe Zulejhasë në nënqiellin shqiptar më tepër ka provokuar shkrimet letrare e më pak ose fare pak rrafshet tjera që përmendëm më sipër. Megjithatë, edhe këto shkrime dhe studime janë mjaft të arsyeshme dhe ndoshta çelësi hyrës për studime më të gjera e më të specializuara.[19]

            Muhamed Çami shkroi poemën Jusufi dhe Zulejhaja. Sipas studiuesve, M. Çami realizimin e tij e bëri edhe në mbështetje të Kur’anit dhe traditës islame por edhe në bazë të autorëve botërorë si Firdevsi, Xhamiu e Attari. Këtë ia ka mundësuar M. Çamit njohja e shkëlqyeshme e Islamit dhe e trashëgimisë së tij por edhe i gjuhëve orientale.[20]

Pa dyshim, poema Jusufi dhe Zulejhaja e M Çamit “me vlerat e larta strukturore që ka, me fenomenin kompozicional dhe dramatik, me pasurinë shpirtërore të personazheve, me gjuhën poetike që ka”[21], ka hapur rrugë të reja, ka trasuar shtigje shumëdimensionale dhe paraqet gurrë, burim por edhe sfidë për studime e vlerësime të drejta.

            Me Jusufin e Zuejhanë u preokupua edhe Hafiz Ali Korça. Ai shkroi poemën origjinale Jusufi me Zelihanë a më e bukura e ngjarjeve (ahsen-ul-kasas)[22]. Normalisht, te Korça, sikur edhe te Çami, kemi përshkrim artistik të ndodhisë, por ky përshkrim është në frymën e burimeve islame, e jo trillim i kulluar i imagjinatës së poetit. Leximi i kujdesshëm i këtij krijimi, vlerësimet shkencore që i janë bërë deri tash kësaj poeme, tregojnë dhe udhëzojnë se hafiz Ali Korça dëshmon ndikimin e fuqishëm të Kur’anit në këtë krijim. Me këtë por edhe me veprat e tjera, Korça i bëri vetes vend të merituar në historinë shqiptare dhe veçanërisht në historinë e letërsisë moderne shqiptare.

Ndër ata që u preokupuan me Jusufin dhe Zulejhanë është edhe imami shumë i dalluar Vehbi Ismaili, i cili emigroi nga Shqipëria në SHBA dhe atje punoi shumë. Ky autor i vyeshëm shkroi veprën në dy vëllime me titull Historia e pejgamberëve, e një kaptinë ia kushtoi Jusufit a.s.[23]. Imam Vehbiu shkroi edhe një vepër tjetër në formë drame me titull Jusufi i drejt, ndoshta vepra e parë e këtij lloji në gjuhën shqipe.[24]

      Ekzistojnë edhe shkrime të tjera[25], por ne do të mjaftohemi duke përmendur vetëm disa shembuj me krijime origjinale të zhanreve të ndryshme.



[1] Shih një pasqyrë të shkurtër të një pjese të krijimtarisë: Hasan Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame, Prizren, 1411/1991, 9-111; Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare, I-II, Shkup, 2000 etj.

[2] Krijimet e proveniencës kristiane edhe pse thuajse të gjitha të shkruara me dirigjim nga Vatikani apo Patrikana dhe ishin të angazhuara kundër pjesës shumicë dmth. kundër shqiptarëve  muslimanë, krijimet e proveniencës shqiptare muslimane rezultonin nga shtresat e ulta, të varfëra, shpesh të adresuara kundër të pasurve, bujarëve dhe feudalëve. Shih: Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 9-11.

[3] “…për tekstet me alfabetin arab s’u bë asnjë kërkim…”. Osman Myderrizi, tekstet e Vjetra Shqip me Alfabetin Arab, Tiranë, 1965, fq.  288.

[4] Shih shkrimin: Isak Ahmeti, Kur’ani në letërsinë shqiptare, në: http://www.seguraweb.nl/1a1/arspoetica_artikujt.php?id=196.

[5] Një pasqyrë më të plotë për komentuesiut e Kur’anit mund të marrim nga pjesa qendrore e këtij libri. Shih edhe: Jusuf Ali, The Holy Qur’an, Text, Translation and Commentary, Maryland, USA, 1983, fq. 548.

[6] Sufitë kishin prirje për temën e Jusufit dhe Zulejhasë. Shih: Annemarie Schimmel, Odgonetanje Bozijih znakova -Fenomenoloski pristup islamu, Sarajevë, 2001, fq. 198.

Edhe gjermanja e kohës sonë, A. Schimmel, ka treguar interesim të veçantë për Jusufin dhe Zulejhanë. Shih: Yusuf in Mawlana Rumi’s poetry, në: L. Lewisohn ed., 1991, The Legacy of Mediaeval Persian Sufism, fq. 45-60.

[7] Duke iu falënderuar Vexhi Buharasë, në gjuhën shqipe kemi pjesë të zgjedhura të Saadiut. Ky shkrim dëshmon ndikimin e kaptinës Jusuf te Sadiu por edhe te autorët shqiptarë. Shih: Saadiu, Gjulistani dhe Bostani, Tiranë, 2003, fq. 31, 104.

[8] Shih gjerësisht për interesimet e të tjerëve për temën e Jusufit dhe Zulejhasë: Adnan Ismaili, Jusufi dhe Zelihaja në letërsinë shqipe, punim magjistrature, dorëshkrim, Prishtinë, 2003, fq. 41 e tutje.  

[9] Për ndikimin e muslimanëve te Gëte, pra edhe të temës së Jusufit dhe Zulejhasë shih gjerësisht: Hafiz i Gete, përmbledhje punimesh nga grup autorësh, Beograd, 2003.

[10] Për ndikimet islame ndër evropianët apo për disa aspekte letrare shih studimin: Milazim Krasniqi, Soneti në poezinë shqipe, Prishtinë, 2005, fq. 18 e tutje.

[11] Nevvaf bin Salih El-Hulejsi, El-Menhexh’ul-iktisadi fi’t-tahtiti li nebijjil-lahi Jusuf alejhis-selam, Rijad, 652. Libri paraqet tezë doktorature. Për këtë të dhënë e falënderoj zotëri mr. Adnan Ismailin.

[12] Shih gjerësisht: Isak Ahmeti, op. cit.

[13] Sipas: Adnan Ismaili, op. cit. fq. 55-56.

[14] Hasan Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame, Prizren, 1411/ 1991, fq. 21.

[15] Muhamed Çami, Jusufi dhe Zulehaja, në përgatitje të Ibrahim D. Hoxha, Tiranë, 1992.

[16] Hafiz Ali Korça, Historija e shenjtë edhe të katër Halifetë, Tiranë, 1931.

[17] Për shkak se nuk është preokupim yni parësor në këtë shkrim, nuk jemi interesuar te gjejme burimin, por huazuam shënimin nga: Hajdar Salihu, Poezia e bejtexhinjve, Prishtinë, 1987, fq. 205.

[18] Haki Sharofi, Edukata fetare e morale, pjesa IV, Tiranë, 1939.

[19] Kohëve të fundit kemi disa sosh: Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare, I-II, Shkup, 2000; Ismail Ahmedi, Hafiz Ali Korça - Jeta dhe vepra (temë doktorature), Shkup, 1419-1999; Qazim Qazimi, Jeta dhe vepra letrare e Muhamed Çamit (temë doktorature), Prishtinë, 2002; Adnan Ismaili, Jusufi dhe Zelihaja në letërsinë shqipe (punim magjistrature), Prishtinë, 2003 etj.

[20] Adnan Ismaili, op. cit., fq. 77-79.

[21] Isak Ahmeti, op. cit..

[22] Hafiz Ali Korça, Jusufi me Zelihanë a më e bukura e ngjarjeve (ahsen-ul-kasas), Elbasan, 1342-1923, sipas: Adnan Ismaili, op. cit., fq. 86.

[23] Imam vehbi Ismaili, Historia e pejgamberëve, II, botim’i parë, Michigan, USA, 1419-1998, fq. 1-30.

[24] Imam Vehbi Ismaili, Jusufi i drejt, botim’i parë, Michigan, USA, 1415-1994, fq. 162.

[25] Ndër ta është edhe: Zejnullah Rrahmani, Jusufi, Pejë, 2000.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme