IBN BAXHA ( - 533)

Ibn Baxha është politikan, filozof, astronom, muzikant dhe mjek i dalluar në Spanjën muslimane. U lind në Saragosë të Spanjës më 500 h./1106, edhe pse kjo datë nuk është e sigurt. Jetoi në Granadë dhe Saragosë, Në Evropë është i njohur si Avempaca. Nuk kemi të dhëna për jetën e tij fëmijërore, as rinore. Nuk dimë as për mësuesit e tij, pos që i përfundoi studimet në Saragozë, prej nga udhëtoi për Granadë, si njohës i shkëlqyeshëm iu gjuhës arabe dhe letërsisë. Madje, burimet thonë se ai studioi dymbëdhjetë shkenca.[1] Një legjendë thotë se një ditë Ibn Baxha hyri në një xhami në Granadë. Aty vërejti se si një gjuhëtar i shpjegon grupit të dëgjuesve. Afrimi i rij tek ata nxiti dëgjuesit të provokojnë Ibn Baxhen, se nuk kupton në ligjëratën e tyre. Ibn Baxha u përgjigj se ka mësuar nga dymbëdhjetë kurse në gjuhë arabe dhe gramatikë më së shumti. Duke demonstruar diçka nga gjuha arabe, dija e Ibn Baxhes i detyroi studentët të kërkojnë falje. Madje, edhe kritikët e tij e theksojnë dijen e tij, duke e krahasuar poliedricitetin e tij me Ibn Sinanë. Kjo edhe e shtyri guvernatorin e Saragozës që ta emëroi për ministër (vezir), por Ibn Baxha shpejt u detyrua ta braktisë Saragozën për shkak të pushtimit të vendit nga Alfonsi I, mbreti i Aragonisë më 1118. Pas kësaj Ibn Baxha shkoi në Sevilë, ku veproi si mjek. Pastaj shkoi në Shatib, Afrikë veriore, sunduesi i atjeshëm e arrestoi me akuzë për herezi. Me ndërmjetësimin e disa njerëzve me ndikim ai u lirua dhe shkoi në Fes, ku u emërua për ministër dhe punoi plot dymbëdhjetë vjet. Vdiq në Fes të Marokut, më 533 h./1138, i helmuar nga oponentët fetarë e politikë.

Ibn Baxha ka shkruar disa vepra nga astronomia, fizika, meteorologjia, mjekësia, por shumica janë zhdukur. Kanë mbetur vetëm disa vepra, si Kitab’un-nefs, Fi’l-ittisal dhe disa të pjesshme, mbase shkurtime të veprave të ndryshme.  Në Berlin është gjetur një ode e Ibn Baxhes, me tituj Terdijjeh.

Edhe pse ka shkruar disa vepra e trajtesa, vetëm një vepër e tij nga filozofia politike është ruajtur, me njohur me emrin Tedbir’ul-mutevehhid (Udhëheqja e të vetmuarit apo Regjimi i individit). Edhe kjo vepër kryesisht pajtohet me qëndrimet e Farabiut.[2]

Ibn Baxha ka jetuar dhe vepruar në Spanjë dhe në Marok. Ndikoi tek Ibn Rushdi dhe te një numër i madh dijetarësh të kohës. Ishte njohës i shkencave matematikore e sidomos astronomike e muzikore. Dija e tij shtrihej edhe në mjekësi, e edhe në shkencat spekulative, si në logjikë, filozofi natyrore dhe metafizikë. Me Farabiun pajtohet në idetë politike, por edhe fizike e metafizike, megjithatë ai kishte metodë krejt tjetër nga Farabiu. Ai merrej me problemet racionale. Për shkak të ideve të tij para kohe, sikurse është tema e zgjerimit të kozmosit, e cila vetëm në kohën moderne flitet e përflitet, ai nga disa bashkëmoshatarë rivalë politikë e shkencorë u akuzua për ateizëm.[3]



[1] M. M. Šarif, I, po aty, fq. 506.

[2] M. M. Šarif, I, po aty, fq. 510-522.

[3] Sa’d Abdulaziz, Felasifet’ul-islamijjeh, Kajro, 1977, fq. 103-109.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme