Komunikimi përmes objekteve të kultit islam

 

Cool ceiling art in the Mezquita, Cordoba, Spain

 

Abstrakt

Që nga qytetërimet e lashta e deri në ditët tona, objektet e kultit kanë pasur ndikim të ndjeshëm në komunikimin mes njerëzve. Feja ndikon në forcimin e unitetit të anëtareve të shoqërisë nëpërmjet predikimit dhe kontrollit të zbatimit të vlerave dhe normave të njëjta. Sipas sociologut të famshëm francez Emile Durkheim, ceremonitë dhe ritualet fetare të praktikuara kolektivisht ripohojnë dhe rrisin solidaritetin e grupit shoqëror. Por sa dhe si ndikojnë objektet e kultit në komunikimin mes njerëzve? Në raportin e tyre me shoqërinë dhe në raportin e tyre vertikal me Krijuesin? Si mishërohet komunikimi në botëkuptimin islam? Çfarë përfaqëson ai? Sa dhe si u komunikon feja dhe objektet fetare besimtarëve por jo vetëm, do të jenë disa nga pyetjet që do të synohet t’u jepet përgjigje në këtë studim.

Intelektuali mysliman paralel me njohjen thelbësore të Islamit dhe pikëpamjeve botërore për Islamin, së bashku me elementët e ndërthurura qenësore të tij, duhet të dijë se komunikimi dhe fizionomia e Islamit, një pjesë të madhe i dedikohet objekteve të kultit, nga ku është transmetuar e vazhdon të transmetohet mesazhi i tij. Sipas studiuesit të njohur belg Titus Burchkardt, studimi i artit islam (ku futet edhe arkitektura), apo i çfarë do arti tjetër të shenjtë, mund të çojë drejt një kuptimi pak a shumë më të thellë të realiteteve shpirtërore, që qëndrojnë në rrënjë të një bote të tërë njerëzore dhe kozmike.

Hyrje

Në skenën historike bashkë me njeriun ka lindur edhe feja me rregullat dhe normat e saj. Ballafaqimi i njeriut me të shenjtën, prej fillimit të ekzistencës së tij e deri më sot, ka qenë i vazhdueshëm e i përhershëm në çdo epokë. “Megjithëse vlerat fetare mund të kenë qenë të venitura gjatë dy shekujve të fundit anembanë botës, njerëzimi sot është përsëri në kërkim të fesë dhe është edhe njëherë i predispozuar për të.”[1] Ata që menduan se flakën tutje religjionin dhe shprehën ngritjen e shkencës[2], duke e cilësuar religjionin si primitiv dhe shkencat si moderne, duket se kanë gabuar rëndë. Religjioni dhe përkatësisht Islami vazhdon të mbetet një nga fetë më me ndikim në botë, në shoqëri dhe në familje. 

Islami i cili është përqafuar nga mbi një miliard e gjysmë njerëz të kohës së sotme, bazohet në besimin në njësinë e Allahut, në nënshtrimin Atij përzemërsisht dhe në nënshtrim ndaj urdhrave Tij. Po të shfletojmë faqet e historisë së jetës së popujve, nuk ndeshemi në asnjë periudhë ku populli të mos ketë qenë i ushqyer me ndjenja fetare. Gjithmonë feja ka paraqitur një interpretim të ndjenjave shpirtërore të popujve, sepse me të është përmbushur nevoja për besim, sido që të ketë qenë ai; i dërguar nga qielli ose i shpikur nga njerëzit.[3] Ky realitet na tregon se feja për njeriun është një nevojë natyrore. Ajo a ekzistuar bashkë me njeriun dhe do të vazhdojë të ekzistojë bashkë me të edhe në të ardhmen.[4]

Çdo fe në vetvete ngrihet mbi të komunikuarit. Nëse do të flisnim me termat e Komunikimit Masiv, Mesazhi Hyjnor është ai që ka audiencën më të madhe, pasi i drejtohet njerëzimit në të gjitha kohërat. Komunikimi përmes kultit, i çfarëdolloji qoftë ai, është shumë i hershëm, madje po aq sa edhe vetë njerëzimi. Komunikimi ka lindur që me krijimin e njeriut të parë Ademit (në Islam), i cili komunikoi me Zotin, më pas edhe të gjithë profetët e tjerë në një formë a një tjetër kanë komunikuar përmes fesë. Ndërtimi i objekteve të kultit, solli deri diku edhe “institucionalizimin”  e komunikimit, por pa u shkëputur nga komunikim i drejtpërdrejtë.

KOMUNIKIMI FIZIK I OBJEKTIT

1.        Arkitektura, gjuha dhe kuptimet

“Arkitektura është streha ku fryma e njeriut, shpirti dhe trupi gjejnë strehim dhe ngushëllim.” [5] 

Çdo mysliman kthen fytyrën e tij nga Qabeja për të kryer ritualin e adhurimit ndaj Krijuesit dhe çdo xhami në botë është e ndërtuar sipas këtij drejtimi. Qabeja e cila mbulohet me një mbulesë që ndërrohet çdo vit, e qëndisur me germa të arta në një stil unik, dëshmon njëkohshëm aspektin abstrakt dhe atë misterioz të ngrehinës. “Të veshësh një shtëpi, kësodore, do të thotë ta trajtosh atë si një trup të gjallë, apo si një arkë që mbart pushtet shpirtëror…”.[6] Kjo është shtëpia e parë, që u komunikoi dhe i komunikon miliona e miliarda njerëzve në të gjithë botën mesazhin e Islamit në të gjitha kohërat.

Një objekt i caktuar, gradaçelë, shtëpi, muze, aq më tepër xhami, flet dhe komunikon me vetë ekzistencën e tij fizike. Komunikimi përmes objekteve të kultit në përgjithësi dhe atij Islam në veçanti, shfaqet dhe realizohet në tre forma kryesore. Forma e parë për nga kontakti, është komunikimi, që realizohet përmes arkitekturës së vetë objektit religjioz; forma e dytë realizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, përfshin pjesën kur një imam/prijës u komunikon një grupi (xhemati), një mesazh të caktuar; ndërsa forma e tretë e këtij komunikimi për nga radha, por jo për nga rëndësia, është ajo shpirtërore, vetë lidhja që individi vendos me Krijuesin Suprem, duke qenë brenda këtyre objekteve, por kjo formë komunikimi mund të realizohet edhe në çdo vend dhe në çdo kohë. Për të kuptuar se si komunikojnë objektet e kultit, ne së pari duhet të ndjekim udhën e një diturie ose njohurie shpirtërore, që fillon me ndjesinë e një ndryshimi të brendshëm të padyshuar, që zbulon menjëherë trajtimet paraprake sipër natyrale, të cilën e bëjnë zemrën e njeriut të priret drejt misterit jetik.[7] Ajo ç’ka e lidh zemrën e njeriut me një objekt fizik kulti, është komunikimi me transcendenten. Në një farë mënyre mund të themi se këto objekte kulti shërbejnë si ura lidhëse mes krijesës dhe Krijuesit.

Gjuha e  artit është gjuha më e vjetër e komunikimit në botë. Arkitektura Islame si pjesa më e përhapur dhe më e zhvilluar e artit islam edhe sot e kësaj dite zhvillohet më tej, përmes stileve, dizajnëve dhe veprave të ndryshme arkitekturale. Arkitektura apo objektet e kultit islam përfaqësohen respektivisht nga xhamitë, që janë mjaft të përhapura dhe më të përpunuara e dizajnuara artistikisht. Xhamitë, me format dhe zbukurimet e shumëllojshme dhe arti islam në tërësi, paraqet në mënyrë unikale kuptimin dhe domethënien shpirtërore të këtij objekti religjioz. Arti islam shpreh atë ç’ka emri i tij tregon. Përmes veprave të artit, Islami mishëron dhe përcjell mesazhin e tij, atë çka është në të vërtetë.

02

Kryeveprat e artit islam si, Xhamia e Kordovës[8] në Spanjë, ajo e Ibn Tulun në Kajro[9], ose Medresetë e Samarkandit apo edhe Taxh Mahali në Indi, Kajravanit në Tunizi ose më në lindje ato të Stambollit e Isfahanit, përfaqësojnë drejtpërsëdrejti, jo vetëm shpirtin e shpalljes islame, por vetë thelbin e atij shpirti dhe në njëfarë kuptimi sigurojnë përgjigjen më të drejtpërdrejtë e të dallueshme ndaj pyetjes, “Çfarë është Islami?” Ato përçojnë madhështinë që mbart në vetvete religjioni, dhe dëshmojnë se nga mesi i dytë i shekullit të dytë të hixhretit[10], arti Islam kishte formuar gjuhën e tij. Arti Islam e shndërroi materialin që huazoi nga qytetërimet e ndryshme në dritën e shpalljes Kur’anore, duke ndërtuar forma shumë të dallueshme artistike, të cilat mund të shihen në viset që shtrihen nga Lindja në Perëndim.

Arti islam siç e paraqet edhe Titus Burchkardt në librin e tij “Arti Islam, gjuha dhe kuptimet”, është një rrjedhim i drejtpërdrejtë i parimeve dhe formës së zbulesës islame dhe jo si rritje historike të shkrira bashkë aksidentalisht, siç na e paraqesin disa historianë arti. Parimet Islame si, Uniteti, Paqja, Njëshmëria, përbëjnë thelbin e këtij arti. Fjala e Shenjtë (Kur’ani) dhe thëniet Profetike, janë lëvruar në format nga më të larmishme dhe më mahnitëse të artit Islam. Një art i tillë edhe pse abstrakt, në thelb shpreh dukshëm dhe komunikon madhështinë e të Vërtetës Absolute. “Uniteti, mbi të cilin qendërzohet Islami nuk është i shprehshëm në kuptimin e ndonjë imazhi”[11], por vazhdimësia e tij na vjen përmes abstraksionit, si mëshirim i asaj se e Mbinatyrshmja nuk mund të përfytyrohet. Ai thekson brishtësinë e botës, përhershmërinë dhe çfarë shtrihet përtej saj. Veprat arkitekturore islame në harmoninë, qartësinë, kthjelltësinë dhe paqen e tyre, kristalizojnë disa prej aspekteve më të rëndësishme të mesazhit islam.

Perspektiva islame e të ndërtuarit mbështetet mbi përmasën e bukurisë në jetë dhe e lidh bukurinë e mirësinë, me vetë natyrën e Krijuesit. Interesi i Islamit për të bukurën pasqyrohet më së miri në theksimin e sjelljes së hijshme dhe pastërtisë në jetën fetare e të përditshme, si dhe urdhëresat e drejtpërdrejta në Librin e Shenjtë (Kur’anin) për ta çmuar bukurinë e krijimit dhe të gjitha objekteve të krijuara prej Zotit. Çdonjëri prej grupeve të mëdha etnike të botës islame ka krijuar një art që është dallueshmërisht i tiji, si ai persian, turk, egjiptian, afrikano-verior, andaluzian, indomusliman, indonezian, malajzian, etj., por përgjatë të gjitha këtyre traditave të larmishme e të pasura artistike pasqyrohet uniteti i Islamit.

Arkitektura islame për gjatë gjithë historisë dhe kohërave, ka evoluuar duke shkuar drejt perfeksionimit dhe paraqitjes së veprave madhështore dhe magjepsëse. Mjeshtëria e ndërtimit islam është e famshme për planet e saj, kupolat, minaret, kaligrafinë dhe elemente të tjera të dizajnit të një ndërtese. Ndoshta gjuha e këtij arti njihet shumë pak në krahasim me madhështinë dhe universalitetin e gjithëpërfshirës të tij. “Arkitektura Islame lehtëson, nxit dhe stimulon “ibadetin” (adhurimin), aktivitetet e myslimanëve në çdo moment të jetës së tyre tokësore. Arkitektura Islame vjen në ekzistencë nën patronazhin e perceptimeve islame; të Zotit, njeriut, natyrës, jetës, vdekjes dhe Ahiretit (bota e përtejme). Në këtë mënyrë, kjo arkitekturë është një materializim fizik i mesazhit Islam. Ajo gjithashtu përfaqëson identitetin e kulturës dhe civilizimit Islam.”[12] 

Arkitektura apo arti islam në tërësi njihet për karakterin e tij abstragues. Ky proces i ashtuquajtur “abstragim”, “në artin islam nuk është një proces tërësisht njerëzor dhe racionalist, siç ndodh me artin abstrakt modern, por fryt i arsyetimit në kuptimin e tij burimor, apo përfytyrim i botës shpirtërore; dhe një fisnikërim i lëndës, duke u mbështetur te parimet që burojnë nga nivelet më të larta të Realitetit Kozmik e përfundimisht Metakozmik.”[13] Sipas Burchkardt, arti islam është pikërisht kristalizimi tokësor i shpirtit të shpalljes islame, si dhe një pasqyrim i realiteteve qiellore në tokë; pasqyrim me ndihmën e të cilit myslimani realizon udhëtimin e tij përmes mjedisit të përtokshëm dhe përtej Vetë Pranisë Hyjnore, drejt Realitetit që është Zanafilla dhe Fundi i këtij arti.

Arti oriental me motive islame në tërësi dhe arkitektura në veçanti, ka patur dhe ka një zhvillim të madh brenda saj dhe një ndikim të pakontestueshëm edhe në botën perëndimore. “Kudo në Perëndim shquhet ndikimi i artit islam. Arkitektura islame është imituar shumë në Evropë, në këtë fillimshekull.[14] Mund të thuhet se përmes gjuhës së arkitekturës, Islami po komunikon sot, me perëndimin. Duke qenë se ky art ka privilegjin e të qenurit gjithnjë në përputhje me shpirtin e Islamit, veprat e tij janë gjithmonë të arrira sa nga këndvështrimi estetik aq edhe nga qëllimi i tyre shpirtëror; duke mos shfaqur asnjë mungesë harmonie. Funksioni i këtij arti në substancën e të cilit është e bukura, që në termat islamë është një cilësi hyjnore, mund të shihet në dy këndvështrime. “në botë është pamja, është veshja që mbështjell qenien e bukur dhe gjërat e bukura; te Zoti, sakaq, po në vetvete, ajo është bukuri kullueshmërisht e brendshme; është cilësia hyjnore, që mes të gjitha cilësive hyjnore të manifestuara në botë, risjell ndër mend më drejtpërdrejt Qenien e kulluar.[15] Arti i islam, veçanërisht arkitektura e çuar në kufijtë më të skajshëm të lëvrimit prej mjeshtrave myslimanë në katër anët e botës, ka zënë një vend të veçantë në interpretimit të mesazhit hyjnor dhe ka mrekulluar pafund botën duke u bërë një joshje për shijuesit e së bukurës dhe më gjerë.

Arkitekti islam, nuk i trembet monotonisë. Ai ndërton shtyllë mbi shtyllë dhe harkor mbi harkor dhe rreh të mbysë përsëritjen përmes alternimit ritmik, të përsosjes cilësore të çdo elementi.[16]

Tri xhamitë e shenjta, (Qabja në Mekë, Xhamia e Profetit në Medine dhe Al Aksa në Jeruzalem)[17], janë simboli i dhe madhështisë së fesë Islame. Ato kanë një rol të madh në komunikimin e mesazhit Islam, pasi ato janë pjesë e ngjarjeve të mëdha. Qabja, pikëfillesa e gjithçkaje, është shtëpia e shenjtë e Zotit, që ndodhet në mes të Xhamisë së Shenjtë të qytetit Mekës, në Arabinë Saudite. Ajo është vend i shenjtë në fenë Islame, e cila shërben si pikë orientimi, është drejtimi, që myslimanët marrin kur i kryejnë ritin e faljes (Kibla). Kubi i zi në formë kutie është mjaft i njohur për njerëzit e të gjitha besimeve, ajo është shtëpia e parë mbi tokë dhe ndër vendet që vizitohet më shumë në botë; Al-Masjid al-nabawi, shpesh e quajtur Xhamia e Profetit, është një xhami e ndërtuar nga Profeti Muhamed dhe ndodhet në qytetin e Medinës. Ajo është vendi i dytë i shenjtë në Islam (duke qenë i pari Masxhidi Haram në Mekë). Ajo është xhamia e dytë e ndërtuar në historinë e Islamit dhe tani është një nga xhamitë më të mëdha në botë, pas zgjerimeve të vazhdueshme. Xhamia ka shërbyer edhe si një qendër e komunitetit, një gjykatë dhe një shkollë. Xhamia është e vendosur në qendër të Medinës dhe është një vend i madh pelegrinazhi dhe shumë njerëz të cilët kryejnë Haxhin shkojnë në Medine, para ose pas Haxhit, për të vizituar xhaminë e Profetit, e cila qëndron e hapur 24 orë për 365 ditë; Al Aksa, është xhamia në qytetin me mur të vjetër të Jeruzalemit, e ndërtuar në vitin 715 nga halifi Velid në pozitën e vendit ku Profeti sipas traditës nisi ngjitjen e tij nëpër Qiej në natën e Ngjitjes (Lejlet ul-Miraxh). Myslimanët besojnë se Muhamedi është transportuar nga Xhamia e Shenjtë në Mekë për Al-Aksa gjatë udhëtimit natën. Xhamia Al Aksa është një oaz i paqes dhe qetësisë brenda një qyteti të rrethuar me mure.

Arkitektura e shenjtë e Islamit nuk pasqyron matjen e kohës, duke qenë e orientuar për nga një qendër tokësore. Hapësira, të cilës i komunikon përvojën, është si e rikredhur në gjithëpraninë e çastit aktual; ajo nuk e shënjon syrin në një drejtim të përveçëm; ajo nuk nxit tension apo antonomi ndërmjet të këtushmes dhe të përjetshmes, apo ndërmjet tokës dhe qiellit; ajo gëzon gjithëplotshmërinë e saj në çdo vend. Kjo është veçanërisht e dukshme në të ashtuquajturat xhami “kolonore”, të cilat ndërtohen në modelin e xhamisë së parë në Medine.

Qëllimi i njëmendtë i arkitekturës islame është hapësira si e tillë, në plotshmërinë e saj pa dallim. Vargu madhështor i harqeve, të cilët nuk janë thjeshtë gjysmë rrathë që lartohen butësisht në formën e patkoit është i mjaftueshëm për të shpalosur këtë cilësi. Nuk është rastësi që emri arab ra’uk për trarët harkorë është bërë sinonim i së bukurës, të hirshmes dhe të dëlirës. Është botërisht e ditur se arkitektura islame zhvilloi një larmishmëri formash të harkut, të cilat ishin të dukshme në arkitekturën umejade dhe dy syresh janë më tipikët: harku gjurmëkali, shprehja më e përsosur e cilit gjendet në artin magribi dhe harku i “përmbysur”, i cili tipizon atë persian. Secili kombinon dy cilësitë e prehjes statike dhe ndriçimin rritës. Harku persian është sa fisnik dhe i hirshëm. Ai ngrihet mjaft lehtë si flaka e patrazuar e një llambe vaji e mbrojtur nga era. Harku magribi, nga ana tjetër dallohet nga gjerësia e hapësirës së tij, që shpesh kufizohet në një konstrukt drejtkëndor, për të prodhuar një sintezë të qëndrueshmërisë dhe begatisë. Në vijimësi, Islami qe në gjendje të mbajë një balancë perfekte midis bukurisë (që në vetvete është pasuri) dhe thjeshtësisë.[18]

Xhamia është simbol i besimit Islam, besimi në Zotin dhe besimi në Githëpushtetshmërinë e Tij. Kjo hapësirë ??e shenjtë është një pasqyrim i besimit të thellë në fjalën hyjnore. Ajo është gjithashtu vendi i realizimit të lutjes dhe të të gjitha riteve dhe ritualeve të Islamit. Këtyre elementeve simbolike i shtohen komponentët e hapësirës së shenjtë të xhamisë: minaret, salla e lutjes me mihrabin e saj dhe minberi. Këto objekte, pjesë të xhamisë mbështesin shenjtërinë e saj. Secili prej këtyre elementeve ka funksionin e vet të “shenjtë”. Salla e lutjeve është vendi i devotshmërisë dhe përkushtimit. Minareja dhe minberi përfaqësojnë lartësinë drejt qiellit për thirrjen për lutje ose për “predikim” ritual apo hutbe.[19]

Mihràbi

28782575.0638Bursa_UluGreat_MosqueMihrab4788200312171512

Mihràbi është qoshku i faljes, vendi ku qëndron imami për të udhëhequr faljet e përbashkëta. Forma e tij e plotë me kupolën, që përkon me qiellin dhe shtratin me tokën, e bën qoshkun një imazh të përhershëm të “shpellës së botës”. Në kuptimin simbolik shpella e botës është “vendi i shfaqjes” së Hyjnitetit, shpella e shenjtë e zemrës. Mihrabet ndryshojnë në madhësi, dhe në dizenjim. Zakonisht janë dekoruar sipas stilit oriental, duke dhënë përshtypjen e një dere ose harku, ose një pasazhi nga Meka. Elementi më i rëndësishëm në çdo xhami është Mihrabi, i ngrohtë dhe për shkak se ajo funksionon si pikë drejtimi në ritualit të lutjes, dekorimi i saj kërkon një aftësi të madhe dhe përkushtim. Ato përmbajnë mbishkrime në kaligrafi të ndryshme, pllaka me arabeska e forma abstrakte gjeometrike, sure nga Kur’ani, si dhe thënie të profetit Mumamed a.s. (hadithe).[20]

Minberi, llojet dhe komunikimi

26134058

Pjesë e pandashme arkitekturore e një xhamie është edhe minberi. Në fjalorin e arkitekturës islame minberi përkufizohet si një platformë e ngritur në zonën e përparme të një xhamie, nga e cila janë dhënë dhe jepen predikimet apo fjalimet. Minber është gjithashtu një simbol i autoritetit.[21] Minberi ndihmon në plotësimin e zërit të folësit për t’u dëgjuar zëri tek ata që janë mbledhur aty. Rëndësia e tyre rritet për vetë qëllimin e lartë për të cilin janë ndërtuar, ashtu edhe për misionin e madh për të cilin shërbejnë, sepse në të gjitha minberet përhapet thirrja për në Islam e për udhëzimin në rrugën e Allahut.

Në shekuj, myslimanët kanë përpunuar artin e ndërtimit të minbereve dhe kanë përsosur mjeshtërinë e zbukurimit të tyre, deri në atë shkallë sa ndërtimi i minbereve është bërë njëra nga fushat ku artistët myslimanë kanë demonstruar aftësitë e tyre artistike. Në fillimet e Islamit, minberet kanë qenë tepër të thjeshtë, por shumë shpejt në qytetet kryesore filloi epoka e ndërtimeve të xhamive me përmasa të mëdha, të cilat falë vlerave artistike të papërsëritshme, mahnitën dhe vazhdojnë të mahisin studiues të ndryshëm të arkitekturës islame.[22]

Minberet nuk mbetën vetëm podiume predikimi, por shumë shpejt misioni i tyre fillestar u shtri më gjerë; ato simbolizonin integritetin dhe udhëheqjen islame dhe tregues të mirëqenies e të shijes së hollë artistike, u bënë objekte shumë të përshtatshme nga ku dijetarët shprehnin objektivat e qarta të thirrjes, të mendimit dhe të jetës.[23] Ndërsa shekujt kalonin u shtua përkujdesi i njerëzve për të ndërtuar dhe zbukuruar minberet me ornamente të ndryshme. Mjeshtrit e ndërtimit të tyre përzgjidhnin drurët dekorative, të fortë dhe të qëndrueshëm dhe filluan të gdhendin në të mozaikë me motive bimore dhe shtylla dekorative, gjithashtu filluan të gdhendin edhe ajete nga Kur’ani, hadithe të Profetit, arabeska, basorelieve, etj. Minberi i ndërtuar me material druri është quajtur zotëria i minbereve të xhamive. Minberet më të famshme janë: minberi i Xhamisë së Kordovës (Spanjë), minberi i xhamisë Al Aksa (Jeruzalem) dhe minberi i xhamisë Sulltan Ahmet (Turqi, Stamboll). Këta objekte artistike konsiderohen të tillë për shkak të zbukurimeve të rralla me të cilat janë dekoruar, ose edhe për vjetërsinë e kohës së ndërtimit, si dhe për formën e bukur apo edhe për vlerën e rrallë të drurit e të metalit me të cilët janë ndërtuar.

Minberet flasin me forcën e artit të ndërtuesit, shprehin ndjenjat më të larta të artistit ndërtues dhe nxjerr në dukje respektin e tij të thellë për pozitën e veçantë që merr minberi në xhami, veçanërisht në ditën e xhuma (premte).

 

Komunikimi përmes minareve

Minaret_Kocatepe

“Minaret, si pemët, kanë shpirtra.” [24] Minarja lartësohet ashtu e hollë dhe e gjatë për të treguar madhështinë apo ngjitjen drejt qiellit drejt mëshirës së Zotit. Minaret janë përshkruar si “porta mes qiellit dhe tokës”, dhe si përngjasim i shkronjës arabe Elif ( ? ), e cila është një vijë e drejtë vertikale. Minarja është një pjesë e arkitekturës së xhamive, aty komunikohet më besimtarët dhe u kujtohet se ka ardhur koha e lutjes. Aty u komunikohet se njeriu, pavarësisht të gjithave ka nevojë për t’iu lutur Krijuesit të tij. Gjithashtu gjuha me të cilën këndohet, tërheq vëmendjen dhe bëhet e pëlqyeshme pasi ritmi dhe melodia e arabishtes është impresionuese. 

Minarja u komunikon gjithsecilit që e sheh, ajo bëhet një mjet identifikimi dhe orientimi për njerëzit. Në qytetet myslimane njerëzit shpesh mblidheshin rreth xhamive për të diskutuar çështje që i shqetësonin, apo për të ndarë gëzimet mes tyre. Në momentin që lihej takimi minarja ishte tipari dallues. Udhëtarët shpesh herë e gjejnë veten duke përdorur minaret si monumente orientuese, pasi ata ngihen mbi çdo gjë përreth tyre. Shumë xhami kanë më shumë se një minare dhe janë të zbukuruara, të pikturuara, e të gdhendura duke i bërë ata vepra arti të jashtëzakonshme.

Roli shpirtëror i Xhamive

Xhamitë janë vende ku përmendet Zoti në mënyrë të vazhdueshme. Vend në të cilin besimtari vendoset përballë mëshirës së Krijuesit. Xhamia e lidh besimtarin me botën tjetër, mes fizikes dhe shpirtërores, një dritë që të udhëheq drejt botës së amshuar. Besimtari lidhjen me Krijuesin e tij mund ta vendosë kurdo në çdo kohë dhe në çdo vend, por xhamia “shtëpia e Zotit” (bejtull-llah arabisht), është ajo e cila të çon drejt miraxhit,[25] drejt Zotit. Në këtë botë të rrëmujshme xhamia është si një oaz paqe e qetësie, e cila e zhyt besimtarin në një atmosferë devotshmërie, përkujtimi e lutjeje. Zbukurimet kaligrafike, motivet floreale, janë një mjet i jashtëzakonshëm për t’i larguar njeriut stresin e për ta çuar atë drejt qetësisë shpirtërore.

Roli social dhe shoqëror i fesë dhe objektit (Xhamisë)

Roli i fesë dhe i objekteve të kultit në shoqëri, i përket një rëndësie të madhe dhe shumë të domosdoshme. Xhamia ka qenë gjithnjë vatër uniteti e shoqërisë islame. Aty takohen njerëzit, bisedojnë, vëllazërohen, këshillohen njëri me tjetrin e marrin këshilla, për sjellje të veçanta sociale, fetare e kulturore, aty dëgjojnë ligjërata të ndryshme, etj. Nëpër xhami ekzistojnë klasa ku zhvillohen mësim-besimi dhe kurse të ndryshme. Aty predikohet, feja, paqja, harmonia mes njerëzve, atdhetarizmi dhe gjithçka në dobi të individit dhe shoqërisë. Sociologët e studiuesit e ndryshëm, pohojnë se feja është një rregullator social mirëfilli shumë më efektiv edhe se sa ligjet në fuqi. Ata vënë në dukje se sot kemi një dobësim të madh të humanizmit, zbehje të dukshme të solidaritetit, dobësim të komunitarizmit, prishje të lidhjeve, që kemi pasur dikur, të miqësisë, të fqinjësisë dhe se asnjëherë nuk mund të mohohet roli i shëndoshë i fesë në shoqëri, sidomos tek besimtarët e saj ata paraqesin argumente të cilat i japin përparësi fesë, institucioneve fetare dhe objekteve të kultit në rregullimin e jetës së individit. Besimtari mysliman është i interesuar për mbrojtjen dhe ruajtjen e harmonisë midis anës shpirtërore dhe anës së jashtme të jetës shoqërore, për të realizuar një jetë të qetë në shoqëri e më gjerë.[26]

2.        Arti Islam dhe komunikimi

Në artin dhe arkitekturën islame, artisti mysliman për të shprehur “unitetin e ekzistencës”, apo “unitetin e të vërtetës”, ka në dispozicion tre mjete: gjeometrinë, e cila e përkthen unitetin në rendin hapësinor; ritmin, i cili e zbulon atë në rendin kohor dhe në hapësirë; dhe dritën, e cila është për formimet dukshme çfarë Qenia është. “Zoti është drita e qiejve dhe tokës” (24:35).[27]

Kaligrafia

“Nëse lëvizjet do të paraqiteshin nëpërmjet shkronjave, dhe nëse shkronjat do t’i konformoheshin lëvizjeve, format e kaligrafisë do të tentojnë kurdoherë përsosjen kulmore.”[28] 

Fakti që Zoti e ka mësuar njeriun të shkruajë me laps ka bërë që në botën islame, lapsit dhe shkrimit t’i kushtohet rëndësi e jashtëzakonshme.[29] Kështu, shkrimi si një vegël e fortë e shprehjes nuk mbetet vetëm në libra, por del nëpër veprat monumentale, duke përplotësuar arkitekturën. Ndër funksionet kryesore të shkrimit është paraqitja e verseteve kur’anore, e haditheve dhe fjalive të ngjashme kuptimplota.[30] Kaligrafia Islame është arti i shkrimit, i të shkruarit arabisht dhe konsiderohet si arti më i kulluar sa i përket botës islame. Përmes saj, Fjalës së Shpallur – Kur’anit, i jepet një formë e dukshme. Ajo është jashtëzakonisht e pasur me forma dhe stile, e cila ndërthur rreptësinë më të skajshme gjeometrike me ritmin melodioz. Dihet botërisht se arti islam është projektim i aspekteve, apo dimensioneve të caktuara të Unitetit Hyjnor. Stilizimi i germave arabe është një lloji abstrakt, pa asnjë rrënjë figurative.

Islamic writing in the Alhambra, Granada, Spain

Natyra e shenjtë e Kur’anit, si Fjalë e Zotit dhe prova e Njësisë së Tij (Teuhidit), dhanë nxitjen fillestare të shpërthimit të madh krijues të artit dhe kaligrafisë, zanafilla e të cilave shfaqet që në shekullin e shtatë. Në Islam ikonat zëvendësohen nga shkrimi i shenjtë, që është si të thuash, mëshirimi i dukshëm i Fjalës Hyjnore. Kur’ani dhe gjuha e tij e gjithëpranishme në objektet e kultit islam, me dinamizmin e tij, depërton në zemrat e njerëzve, duke lënë gjurmë në ndjenjat e tyre, estetikën dhe artin islam. Komunikimi përmes kaligrafisë është gati hipnotizues për njeriun, pasi Kur’ani për besimtarin është qetësues; një rrezatim i Diellit Hyjnor mbi shkretëtirën njerëzore. Harmonia dhe proporcionet e germave të shkrimit arab, në fakt bazohen mbi parime gjeometrike të qarta të përftuara nga një rrjetë vijëzimi e përpiktë, duke theksuar edhe një herë harmoninë e mahnitshme që bashkon artin, shkencën dhe fenë Islame.[31]

“Ndryshe nga shkrimet e tjera, shkrimi arabisht nis nga e djathta (që është krahu i veprimit) dhe zhvendoset drejt së majtës (që është hapësira e zemrës). Në këtë formë ai përshkruan një përparim nga e jashtmja tek e brendshmja.”[32] Kështu edhe ky art i përshfaqet njeriut nga jashtë dhe depërton në thellësi të shpirtit të tij. Arti Islam është shprehje e Kur’anit, në ngjyra, rreshta, lëvizje, formë dhe tinguj, në tre nivele. Niveli i parë përkufizon “Teuhidin”[33], në të shprehurit e fjalës Allah në forma dhe skripte të ndryshme në gjuhën arabe. Përsëritja në skicë e fjalës Allah është e ngjashme për nga funksioni me “dhikrin”[34]. Më tej është shprehur me “Bismilah” (me emrin e Allahut) dhe “La illahe il-la Allah” (nuk ka Zot tjetër veç Allahut). Shprehjet estetike të Teuhidit janë; abstragimi, struktura modulare, kombinimi i njëpasnjëshëm, përsëritja, dinamizmi dhe kompleksiteti, të gjitha këto të shprehura në gjeometrinë e shpirtit. Kur’ani gjithashtu pajisi civilizimin Islam me një ideologji, që të shprehet në art, të jetë manifestuar nga zbukurimi i pjatave, tapeteve, shpatave, qeramikës, orendive, mihrabeve, minareve dhe xhamive. Dekorimi i çdo gjëje me vargje Kur’anore shërben si një mënyrë për t’iu rikujtuar qenieve rreth Krijuesit dhe “Al-Mussavirit” (Stiluesit) të vërtetë. Kaligrafia arabe ka një larmishmëri formash, ku secila përbën një art më vete. Stili kufi (këndor), nas`hi (të rrumbullakëta), andalusimaghribitalikdivanithuluth, rika, nastalik, madje edhe sini (në Kinë), të gjithë në mënyrën e tyre shprehin bukurinë e fjalëve të Zotit.

Arabeska

Arsyeja islame, e cila kërkon njëshmërinë pas të gjitha dukjeve, sekretin e pikës vazhdimisht të lëvizshme, që si dihet as fillimi e as mbarimi, e ka gjetur te format që janë interpretim i idesë së përjetësisë, te arabeska.[35]

Arabeska nënkupton zbukurimin në forma bimore të stilizuara në figura gjeometrike të gërshetuara. Lloji i parë forma bimore është gjithë ritëm, apo zbardhje pamore e përsosur e ritmit, e dyta (gjeometria) është kristalor në natyrë. Këtu ne zbulojmë dy polet e të gjithë shprehjes artistike në islam; sensi i ritmit dhe shpirti i gjeometrisë. Arabeska në forma bimore duket se buron nga imazhi i hardhisë, tek të cilat gjethet e mbështjella të gërshetuara dhe të degëve të gjarpëruara rreth vetes i falen mjaft natyrshëm formave të dallgëzuara dhe spirale. Arabeska ndërthur shumë forma të larmishme bimore.[36] Arabeska vazhdon të lëvizë drejt pafundësisë. Ajo duke u kthyer prapa, duke u përsëritur dhe duke sulmuar, e rrënjos ndjenjën e përhershmërisë; vizaton komponime tërheqëse dhe shpreh idenë, qëllimi i së cilës është kënaqësia dhe rendi ritmik i makrokozmosit.[37]

Në dekorimin arkitekturor dhe madje në artin e librave, kaligrafia shkrihet shpesh herë me arabeskën. Ndërthurja e shkrimit me bimësinë e stilizuar risjell analogjinë, që ekziston ndërmjet “Librit të Botës” dhe “Pemës së Botës”, dy simbole të shumënjohura në përshpirtshmërinë myslimane. E para buron nga Kur’ani, ndërsa e dyta është e përhapur nga tradita të ndryshme aziatike. Universi është një libër i shfaqur dhe një pemë, gjethet dhe degët e së cilës hapen nga i njëjti trung. Germat e librit të shfaqur u ngjasojnë gjetheve të pemës, dhe ashtu siç janë të lidhura gjethet me degët dhe degët me trungun, kështu edhe germat janë të lidhura me fjalët dhe fjalët me fjalitë, që përfundimisht lidhen me tërësinë dhe plotshmërinë e të vërtetës së librit.[38] Stili i saj abstrakt, ngritur nga një seri kthesash të ndërkëmbyera është padyshim dukshëm më i lashtë se forma e tij relativisht natyraliste. Ai është gjithmonë një shfaqje e ritmeve kozmike me faza të ndërthurura dhe përplotësuese të rritjes dhe ndërlikimet e zgjerimit dhe tkurrjes[39] Gërshetimi gjeometrik, padyshim që përfaqëson formën më të kënaqshme intelektuale, ngase është një shprehje e idesë së unitetit Hyjnor, që qëndron në themel të shumëllojshmërisë së pafund të botës.[40] Lëndët e stilizimit zgjidhen prej stinës së pranverës, kohë kjo kur bukuria hyjnore shfaqet në pamjen më të shkëlqyer.

 

Alkimia e Dritës

Nuk ka simbol të unitetit Hyjnor më të përkryer se drita. Artisti mysliman shndërron sipërfaqe të caktuara në relieve të vrimëzuara për të thithur dritën (xhamat). Drita e parë drejtpërdrejt është verbuese; vetëm përmes harmonisë së ngjyrave ne shquajmë natyrën e saj të vërtetë, që bart në vetvete çdo dukuri pamore. Pothuajse në çdo xhami përveç dritareve të zakonshme, ekzistojnë disa xhama shumëngjyrësh, ku nga reflektimi i diellit, ravijëzohen thyeje të ngjyrave të ndryshme të ndezura plotë jetë e gjallëri. Vend kryesor për këtë zë Alhambra në Granada të Spanjë. Domethëniet simbolike të ngjyrave gërshetohen në një masë të konsiderueshme me besimet fetare. Teologët e krishterë i kanë interpretuar ngjyrat si shfaqje të hyjnores. Edhe ndër besimtarët islamë drita ka pak a shumë të njëjtin interpretim simbolik. “Ndër myslimanët ngjyrat me shkëlqim të veçantë, të jashtëzakonshëm, simbolizojnë mrekullitë hyjnore të engjëjve, të Allahut, por nuk identifikohen me Allahun.”[41]

E bardha konsiderohet ndër ngjyrat më të mira. Një ngjyrë e tillë pasqyron pastërtinë fizike dhe sidomos atë shpirtërore. Ndër të krishterë e myslimanë e bardha simbolizon, pastërtinë dhe jetën shpirtërore.[42] Ndër myslimanët ngjyra e artë ose e verdha (ngjyra e floririt), simbolizon pasurinë, suksesin, ngadhënjimin, lavdinë. Ndërsa ngjyrën e gjelbër besimtarët myslimanë e kanë nderuar që nga koha e profetit Muhamed (a.s.), deri në ditët tona, si një ngjyrë që simbolizon fuqinë jetësore, gjelbërimin jetësor të oazit në shkretëtirë.[43] Ngjyra e kuqe konsiderohet e veçantë. Për myslimanët trëndafilat me ngjyrë të kuqe shihen si lule, që nxisin dhe simbolizojnë dashurinë.[44] Përgjithësisht ngjyrat e qarta të shndritshme, shprehin simbolikisht në të shumtën e rasteve kuptime pozitive, modele sjelljesh të formatuara sipas virtyteve morale, etj.

Roli dhe kuptimi i artit islam

Arti islam, i cili ka ndjekur një rrugë zhvillimore prej konkretes drejt abstraktes, duke ia përshtatur pikturën parimeve të veta, arriti të gjenerojë një formë krejtësisht të veçantë të shprehjes, atë të të shkruarit.[45] Artisti mysliman nuk e drejton shikimin nga bota e jashtme, por nga ajo e brendshme. Teoria e Njësisë ka ndikuar fort te artisti mysliman, që të mos merret me natyrën e jashtme të së vërtetës, por të merret me thelbin dhe fytyrën e brendshme të gjërave, çka shpjegon natyrën abstrakte të këtij arti. Arti i tregon botës ndjesore të njeriut synimin më të lartë të shpirtit dhe depërton në bukuritë e brendshme. Pra, arti është një tablo që i përshkruan njeriut thellësinë e botës së brendshme. Kjo botë madhështore, me faltoret e saj të ngritura, me minaret si gishta dëshmie, që tregojnë botën e përtejme, dhe me motivet e dizajnet e bekuara në ballë të mermerëve, që konsiderohet secila prej tyre, si një mesazh më vete, me artin e shumëllojshëm të shkrimit është shndërruar në një galeri bukurish, që nuk ngopesh së pari, rrjedhojë kjo e shoqërimit të besimit nga arti.[46]

“Islami kërkon që njerëzit të zbulojnë kreativitetin e tyre”, shpjegon artisti libian Ali Omar Ermes. Në të vërtetë, Islami vë theksin mbi inteligjencën dhe fantazinë e njeriut, si dhunti të një natyre të krijimit hyjnor, që edhe ato vetë janë një pasqyrim i fuqisë krijuese të Zotit. Në të njëjtën kohë, myslimanët urdhërohen të hulumtojnë përtej paraqitjeve të jashtme dhe të zbulojnë realitetin e brendshëm. Për myslimanët arti, shkenca dhe feja janë të gjitha pjesë e një uniteti kozmik,[47] ku fjala e shkruar e Kur’anit është mbi gjithçka. Arabishtja origjinale e Kur’anit nuk është ndryshuar, që kur është shkruar për herë të parë rreth 1400 vjet më parë. Në të gjithë globin, dijetarët myslimanë mësojnë arabishten klasike, me qëllim që ta studiojnë Kur’anin në gjuhën e tij origjinale. Është i pamundur për t’u përkthyer, sepse bukuria e gjuhës dhe e vërteta që përçon, si shpallje e vullnetit hyjnor, janë të pandashme.

Arkitektura Islame në Shqipëri

“Nëse shpirti fetar mundi të mbijetojë në Shqipëri, në atë që ishte padyshim një nga regjimet më ateiste e të gjitha regjimeve, ka të ngjarë të mbijetojë kudo dhe në çdo vend”[48], bashkë me të edhe arkitektura, si pjesë e pandashme e besimit. Në këndvështrimin islam mund të thuhet se arkitektura ka shpirt, sepse në të reflektohet bota shpirtërore e një populli, që i ndërton dhe përfton të bukurën në formë dhe përmbajtje. Në krye të kësaj arkitekture në Shqipëri, padyshim qëndrojnë objektet e kultit islam, posaçërisht xhamitë, monumente me vlera historike dhe kulturore e artistike. Ndërtimet e kultit mysliman në Shqipëri  zënë një vend të rëndësishëm në kuadrin e arkitekturës së Mesjetës së Vonë shek. XV-XIX. Ato ngrihen në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët gjatë atyre shekujve, duke u bërë dëshmi të qarta të një periudhe të historisë së popullit shqiptar dhe të ndërtimeve në veçanti. Në trevat shqiptare arkitektura islame ka shtrirë “krahët” e saj, duke gjetur hapësirën e përshtatshme gjatë periudhës së sundimit të Perandorisë Osmane dhe fillon të shfaqet në fund të shekullit XIV.[49] Sot për sot një arkitekturë e tillë është ndër pasuritë kulturore më të çmuara të popullit shqiptar.[50] Kjo arkitekturë e përhapur gjatë kësaj periudhe cilësohet nga arkitektë e historianë si e përmasave të larta artistike. Ndër monumentet e kultit mysliman, xhamitë zënë vend kryesor për nga numri, vlera dhe përhapja. Ato përbëjnë një dukuri arkitektonike me rëndësie të veçantë. “Në arealin e përgjithshëm të zhvillimit të artit dhe arkitekturës, ky art (ndërtimi i xhamive) ka dominuar që nga shek. XV dhe është më i prezantuar në kohën tonë, nga të gjitha artet tjera monumentale.”[51]

Arkitektura e xhamive në trojet shqiptare përfshin edhe pasurinë e madhe artistike të përbërë nga dekoracione me motive floreale, me peizazhe të pikturuara dhe gdhendje druri e guri në kolonat, tavanet, mafilet, etj. Zbukurime me ajete kur’anore dhe me arkade. Xhamitë me kompozicionin e vet arkitektonik me volumin dhe jehonën e kupolës thellësisht harmonik, me minaret elegante, që ngjiten lart me finesë e thjeshtësi, duket sikur kërkon të prekë qiellin, me kupolat dhe dekoracionet me ajete, me portik solid e të ëmbël, u komunikojnë gjithsecilit që kalon aty pari madhështinë, që mbart besimi dhe mesazhi, që ato përcjellin bindshëm. Pa dyshim, arkitektura është identiteti solemn i popujve dhe qytetërimeve. Arkitektura është një strukturë unike apo dalluese, që bëhet pikë referimi për një mjedis, monument që simbolizon identitetin, formën dhe tingullin e një shoqërie të caktuar, monument, që në mënyrë kolektive përfaqëson imazhin që një shoqëri mbart.

Xhamia-e-Ethem-beut-Tiranë-1926.jpg

Objektet e kultit islam janë një kornizë për zbatimin e Islamit. Ato lehtësojnë, nxisin dhe stimulojnë adhurimin, apo dhe aktivitetet e myslimanëve në çdo moment të jetës së tyre tokësore. Arkitektura Islame vjen në ekzistencë nën patronazhin e perceptimeve islame; të Zotit, njeriut, natyrës, jetës, vdekjes dhe Ahiretit. Në këtë mënyrë, kjo arkitekturë është një materializim fizik i mesazhit Islam. Ajo gjithashtu përfaqëson identitetin e kulturës dhe civilizimit islam.

Objektet fetare që përbëjnë trashëgimi të pasur dhe janë pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar, që përfaqësojnë vlera të shquara fetare, historike e kulturore e artistike janë: Xhamia Mbret, Berat; Rrënojat e Xhamisë së Kuqe-Lagjja Kala, Berat; Rrënojat e Xhamisë së Bardhë-Lagjja Kala, Berat; Xhamia e Beqarëve, Berat; Xhamia e Plumbit, Berat; Xhamia e Hysen Pashës, Berat; Xhamia e Telelkave, Berat; Xhamia e Allajbegisë, Dibër; Xhamia e Fatihut, Durrës; Namazgjaja, Elbasan; Xhamia e Kalasë, Lezhë; Xhamia e Pazarit, Krujë; Xhamia me Sahat, Peqin; Kompleksi i Xhemahallës, Delvinë; Xhamia Mbret-Lagjja Kala, Elbasan; Xhamia e Nazareshës, Elbasan; Xhamia e Iljaz bej Mirahorit, Korçë; Xhamia e Gjin Aleksit, Rusanj, Sarandë;  Xhamia e Ethem Beut, Tiranë; Xhamia e Muradies, Vlorë; Xhamia e Teqes, Gjirokastër; Xhamia e Plumbit, Shkodër, etj.

Kaligrafia arabe dhe komunikimi i saj me kulturën materiale shqiptare

Kaligrafia arabe është një shprehje vizuale që lidhet me parimet kozmike dhe shpirtërore të popujve myslimanë. Parimet estetike të kaligrafisë arabe janë të pranishme edhe në kulturën materiale të popullit shqiptar dhe përbëjnë një nga vlerat e spikatura të artit të të shkruarit.[52] Shembuj të kësaj kaligrafie janë gjetur në xhami e hamame të vjetra shqiptare, shumica e të cilave nuk ekzistojnë më, si: Ish-Xhamia Kubelie (Kapllan Beu) Kavajë, Xhamia e Bukuroces në Kosovë[53], Hamami i Ulema Pashës Shkodër, Kopshti arkeologjik i Durrësit, etj. Përmes eliminimit të figurës dhe zhvillimit të artit të të shkruarit, kaligrafia arabe u bë tepër e vlerësuar, si një art komunikimi i veçantë artistik, që paraqet përmes dekorit dhe estetikës së linjave forma nga më magjepsëset. Llojet e kaligrafisë arabe të përdoruara në trojet tona janë ato të stilit: Kufi, Thuluth, Talik, Divani. Për arsye të rolit të saj në regjistrimin e tekstit kur’anor dhe fjalës së Zotit, kaligrafia është konsideruar si elementi më i rëndësishëm artistik, njëkohësisht edhe më kulmor në ndërtimin e vlerave të kulturës materiale në trojet shqiptare gjatë shekujve të fundit.[54]

 

PËRFUNDIME

Domosdoshmëria e Objekteve të kultit si mjet komunikimi

Objektet e kultit islam, kanë një rëndësi të madhe në jetën e një individi apo shoqërie, pasi religjioni/feja shihet e lidhur mjaft ngushtë me njeriun, me botën e tij të brendshme/shpirtërore. Njeriu besimtar, në sjellje, në marrëdhëniet e tij në shoqëri, në jetën e përditshme, reflekton rregullat dhe përcaktimet kanonike të fesë përkatëse. Rëndësia e objekteve të kultit islam shtohet edhe për faktin se ata ndihmojnë në forcimin e besimit fetar te njerëzit; konsolidimin e lidhjes së besimtarëve me objektin dhe Krijuesin.

Arkitektura islame, kryesisht xhamitë, me format dhe zbukurimet e shumëllojshme dhe arti islam në tërësi, paraqet në mënyrë unikale kuptimin dhe domethënien shpirtërore të këtij objekti religjioz. Xhamia është një hapësirë ??e shenjtë, është një pasqyrim i besimit të thellë në fjalën hyjnore; simbol i besimit të gjallë Islam, besimi në Zotin dhe besimi në Githëpushtetshmërinë e Tij.

Ajo është vendi i realizimit të lutjes dhe të të gjitha riteve dhe ritualeve të Islamit. Komponentët e hapësirës së shenjtë të xhamisë: minaret që thërrasin njerëzit në shpëtim, salla e lutjes me mihrabin e saj dhe minberi. Minberi, podiumi i parë i thirrjes për të udhëzuar gjithë njerëzimin në rrugën e së vërtetës, për t’i komunikuar njerëzimit të Vërtetën Absolute. Aty mblidhen njerëzit dhe komunikojnë me njëri tjetrin, aty ata dëgjojnë se si duhet ta ndërtojnë jetën e tyre, se si duhet të shërbejnë në të mirë të shoqërisë, vetes dhe vendit në të cilin jetojnë.

I tërë Kur’ani me idetë e tij, me vlerat, format e ligjërimit, fjalitë kaligrafike, muzikalitetin, ezanin dhe namazin, me shpirtin e Ramazanit, me mirëpritjen dhe përcjelljen e pelegrinëve, me mësimin përmendësh të Kur’anit, vazhdojnë të theksojnë, të ngjyrosin, të zbukurojnë, të orientojnë dhe t’i japin kuptim jetës së njerëzve. Komunikimi përmes kaligrafisë është gati hipnotizues për njeriun, pasi Kur’ani për besimtarin është qetësues; një rrezatim i Diellit Hyjnor mbi shkretëtirën njerëzore. Harmonia dhe proporcionet e germave të shkrimit arab në fakt bazohen mbi parime gjeometrike të qarta të përftuara nga një rrjetë vijëzimi e përpiktë, duke theksuar edhe një herë harmoninë e mahnitshme, që bashkon artin, shkencën dhe fenë islame.

Arti islam i tregon botës ndjesore të njeriut synimin më të lartë të shpirtit dhe depërton në bukuritë e brendshme. Pra, arti është një tablo, që i përshkruan njeriut thellësinë e botës së brendshme.

 Kjo botë madhështore, me faltoret e saj të ngritura, me minaret si gishta dëshmie që tregojnë botën e përtejme, dhe me motivet e dizajnet e bekuara në ballë të mermerëve që konsiderohet secila prej tyre, si një mesazh më vete, me artin e shumëllojshëm të shkrimit është shndërruar në një galeri bukurish, që nuk ngopesh së pari, rrjedhojë kjo e shoqërimit të besimit nga arti.

Në këndvështrimin sociologjik, feja përfaqëson një lidhje të fortë mes individit dhe grupit më të gjerë shoqëror. Këta faktorë përbëjnë bazën e bashkimit dhe janë shprehje e kuptimeve kolektive. E premtja për myslimanët, e njohur ndryshe xhuma (nga arabishtja, që do të thotë dita e tubimit) është një ditë lutje të përbashkëta, një ditë bashkimi.

Arkitektura islame në Shqipëri është e shquar për domethënien e saj të hapësirës dhe të pastërtisë, ku përveç imagjinatës, motiveve dhe formave arabe, perse e turke, paraqet më së shumti edhe elementin autokton, duke u komunikuar njerëzve mesazhin universal. Ato u ndërtuan në zemrat e lagjeve të qytetarëve dhe shpesh ato shërbyen për të formuar qendrat, apo bërthamat urbane të qyteteve. Xhamitë i shërbejnë masës së gjerë të qytetarëve ndaj edhe marrin zhvillim të madh arkitektonik.

Pa dyshim, arkitektura është identiteti solemn i popujve dhe qytetërimeve. Ato lehtësojnë, nxisin dhe stimulojnë adhurimin, apo dhe aktivitetet e myslimanëve në çdo moment të jetës së tyre tokësore.

Arkitektura Islame vjen në ekzistencë nën patronazhin e perceptimeve islame; të Zotit, njeriut, natyrës, jetës, vdekjes dhe Ahiretit. Në këtë mënyrë, kjo arkitekturë është një materializim fizik i mesazhit Islam. Ajo gjithashtu përfaqëson identitetin e kulturës dhe civilizimit islam.

 

Bibliografi në Shqip

Ali M. Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912 – 1967), Tiranë 2011.

Ali M. Basha, Nëpër gjurmët e Islamit, Tiranë 2005.

Aleksandër Meksi, Arkitektura e Xhamive të Shqipërisë (shekujt XV-XIX), UEGEN, Tiranë 2007.

Abdulaziz Mustafa, Përpara se të shkatërrohet Xhamia El-Aksa.

Amir B. Ahmeti, Atlas i botës Islame, LOGOS-A, Shkup 2009.

Beshir Ajvazoglu, Estetika Islame, Logos-A, Shkup, 2009.

Ekipi i studimeve Akademike, Udhërrëfyesi një myslimani (adhurimet), PRIZMI 2010.

Enes Ahmed Kerzun, Udhërrëfyesi drejt lumturisë dhe suksesit.

Ekrem Sarëkçëogllu, Ba?lang?çtan Günümüze Dinler Tarihi (Isparta 2000) Historia e feve, prej fillimit deri sot, LOGOS-A, Shkup 2010, Botim i dytë.

Fethullah Gylen, Për një qytetërim botëror me dashuri dhe tolerancë , PRIZMI, Tiranë 2005.

Faik Luli,  Islam Dizdari, Mevludet në gjuhën shqipe, CAMAJ – PIPA, Shkodër 2002.

Halit Muharremi, Fjalor i Teologjisë, MIRGREALB, Tiranë 2006.

Hafiz Ali Kraja, A duhet feja a e pengon bashkimin kombëtar, Botimet KMSH, Tiranë 2010.

Ismail Faruki, Transhendenca Hyjnore dhe Shprehja e saj, ERASMUS,  Tiranë 2006.

Isa Memishi, Fjalor Arabisht Shqip, Prishtinë 2011.

Jusuf Kardavi, Besimi dhe Jeta, FURKAN, Shkup 2010.

Jusuf  Kardavi, Kudsi – Çështje e çdo myslimani.

Kur’an.

Lartësimi i Shpirtit, FLLADI, Tiranë 2007.

Murad Hofman, Islami, ACFOC, Tiranë 2011.

Michiel Chiel, Arkitektura Osmane në Shqipëri  (1385 – 1912), AIITC, Tiranë 2012.

Marshall Mcluhan, Instrumentat e Komunikimit, IDK.

Osman Nuri Topbash, Kur’an ve Sünnet ?kliminde, ?slàm, ?màn, ?badet ERKAM, Stamboll 2000.

(Islami, Besimi dhe Adhurimi në Klimën e Kur’anit dhe Sunnetit, ERKAM, Stamboll 2002).

“Qytetërimi islam në Ballkan”, IRCICA, Stamboll 2007, Punimet e Simpoziumit Ndërkombëtar me të njëjtin  emër.

Ramiz Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame te shqiptaret gjatë shekullit XX, AIITC, Tiranë 2002, Ribotim.

Rabi Ibn Hadi Umejr El-Med’Halij, Metodologjia e Pejgamberëve në thirrjen për tek Allahu, KUMI, Tiranë, 2010.

Raqaiyyah Waris Maqsood, Fjalori bazë i islamit,  ACFOS, Tiranë 2008 (A basic dictionary of islam).

Titus Burchkardt, Art of Islam, World Wisdom, 2009, Indiana, USA. (Arti i islamit, gjuha dhe kuptimet, LOGOS-A, Shkup 2012.

Tahir Dizdari, Fjalor i Orientalizmave në gjuhën shqipe, AIITC, ISECO, Tiranë, 2005.

Sejid Muhammed Nakib El-Attas, Islami dhe shekullarizmi, LOGOS-A, Shkup 2006.

Zyhdi Dervishi, Lente të ndërveprimit simbolik, EMAL, Tiranë 2008.

Bibliografi në gjuhë të huaj

Ahmed Toufiq, The Pulpit of an Empire: The Contemporary Political and Religious Environment of the Minbar from the Kutubiyya Mosque.

Do?an Kuban, The Mosque and Its Early Development, Muslim Religious Architecture, Leiden: Brill, p. 3, (1974).

Elmosta Fahbibi, The Structure and Artistic Composition of the Minbar from the Kutubiyya Mosque.

George Michell , ed. 1978, Architecture of the Islamic World, London, Thames dhe Hudson.

Jonathan M. Bloom, The Minbar from the Kutubiyya Mosque.

Jack Soultanian, Antoine M. Wilmering, Mark D. Minor, Andandrew Zawacki, The Conservation of the Minbar from the Kutubiyya Mosque.

Mohd Sabrizaa B Abd Rashid, Azizul Azli B Ahmad, The Form and Symbolism of Minbar Architecture in The Malay World.

Mircea Eliade, Dinin Anlam ve sosyal fanksiyonu.

Martin Lings, Symbol and Archetype, Quinta Essentia, 1991.

Muhamed Adnan Bakhit, Historia e njerëzimit, UNESCO, 2000.

Naima Chikhaoui, Minber: Symbol of verticality and Elevation.

Mohd Sabrizaa B Abd Rashid, Azizul Azli B Ahmad, The Form and Symbolism of Minbar Architecture in The Malay World.

Omer Spahic, Issues in the history and character of the Islamic built environment. Research Centre. IIUM 2005.

Omer Spahic, The Prophet Muhammad PBUH and urbanization of Madinah, Research Centre, IIUM 2005.

Rene Guenon, Basic symbols, the universal language of sacred science, Quinta Essentia, Cambridge, 1995.

Robert Hillenbrand, 1994, Islamic architecture, form and  function. Edinburgh  University Press.

Tarek Waly,  In Quest of the Path: To “The One” in Mosque Architecture, Beit Al Quran. Publications, Bahrain, 1993, (www.walycenter.org/en).

The orientalist literature related to the minbar in Islam reports that the mosque of Samara had a minbar which was 3.90 m high.

Thames and Hudson (1978). Architecture of the Islamic world.

The Form and Symbolism of Minbar Architecture in The Malay World .

Salma Samar Damluji, ed. 1998. Architecture of the Holy Mosque of the Prophet, Al Medine. Londër: Hazar Publishing.

Stefano Carboni, The Historical and Artistic Significance of the Minbar from the Kutubiyya Mosque

Youssef  Brugman, ed. “Mosque al Madinah Al Nabi”.

 


[1] Gylen, F., “Për një qytetërim me dashuri dhe tolerancë”, PRIZMI, Tiranë 2005:326.
[2] Disa teologë të krishterë, në gjysmën e parë të këtij shekulli, njoftuan gjithashtu ardhjen e një krize të tillë, e cila quhet shekullarizim. Tashmë, në gjysmën e parë të shekullit 19, filozofi dhe sociologu francez Auguste Comte, shpalli ngritjen e shkencës dhe flakjen e religjionit dhe besonte se, sipas logjikës shekullariste të zhvillimit të filozofisë dhe shkencës perëndimore, shoqëria ishte “duke evoluar” dhe “duke u zhvilluar” nga faza primitive në atë moderne dhe pohoi se, marrë në aspektin evolutiv, metafizika është faza kalimtare e teologjisë në shkencë. Shekullarizmi përkufizohet si dorëheqja e njeriut pikësëpari nga “kontrolli religjioz e pastaj nga ai metafizik, mbi arsyen dhe të shprehurit e tij. El-Attas Sejid Muhammed Nakib, Islami dhe shekullarizmi, LOGOS-A, Shkup 2006, f. 27, 28, 42.
[3] Kraja A., A duhet feja a e pengon bashkimin kombëtar, Botimet KMSH, Tiranë 2010:11.
[4]Sarëkçëogllu, E., “Historia e feve prej fillimit deri sot”, LOGOS-A, Shkup 2010:27
[5]Ibn Abdun, gjykatës andaluzian i shek. të XII-të.
[6]Burchkardt T.,  Arti i islamit, gjuha dhe kuptimet, f. 2, LOGOS-A, Shkup 2012.
[7] Vokoplola F., Thellësirat e fantazisë, parathënie, 1942, ribotim 2009.
[8] Themeluar më 785.
[9] Ndërtuar në vitin 879.
[10] Shekulli i dytë i hixhretit: 722-822.
[11] Burchkardt, T., Arti i Shenjtë në Lindje e Perëndim, kapitulli IV – Themelet e Artit Islam.
[12]Williams, H. & D., Arti Islam, urë mirëkuptimi (www.dritaislame.al./arti-Islam-urë-mirëkuptimi/
[13]Hossein N., parathënie, Arti i islamit, gjuha dhe kuptimet, Titus Burchkardt.
[14]Williams, H.& D.
[15]Burchkardt,  T., Arti i islamit, gjuha dhe kuptimet, f. 5 LOGOS-A, Shkup 2012.
[16] Po aty, f. 50.
[17] Profeti Muhamed thotë: “Nuk bën të ndërmerren udhëtime për qëllim adhurimi veçse drejt tre xhamive: Qabeja, xhamia ime dhe xhamia Aksa në Kuds”.
[18] Po aty, f. 20, 21.
[19]With in the mosque,the pulpit maybe consideredasan extension of the minaret…, both in virtue of it selevation andbe cause it is the domain of truth. ”Lings, Martin, Symbol  and Archetype : A Study of the Meaning of Existence, Quinta Essentia,1991, p.123-124. (trans-lator’s addition).
[20] Një ndër mihrabet e famshëm për zbukurimet e tij kaligrafike është edhe mihrabi i xhamisë së medreseve në Isfahan, themeluar në vitin 755 pas erës sonë. Web: http://www.metmuseum.org/toah/works-of-art/39.20
[21] Andrew Petersen, Dictionary  of  Islamic  architecture, Routledge, 1996, (Fjalor i arkitekturës islame), f. 191.
[22] Shih, Stafa, S., Minberi në rrugëtimin  historik të xhamive, gazeta Drita Islame, (http://www.dritaislame.al/minberi-ne-rrugetimin-historik-te-xhamive/)  Aksesuar, 8 Maj 2013
[23] Po aty.
[24] Nizar Qabbani, pplomat, poet, publicist sirian.
[25] Miraxh është quajtur udhëtimi (ngjitja) e profetit Muhamed drejt Zotit.
[27] 24:35, Kur’an, En Nur, “Allahu është Drita e Qiejve dhe Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm…”
[28] Ebu Hajan el-Teuhidi.
[29] “I Cili me anë të penës, ia mësoi njeriut ato që nuk dinte”, Kur’an, El – Alak, 96:4-5.
[30]Ajvazoglu, B., Estetika Islame, fq. 72, LOGOS-A, Shkup 2009.
[31]Wlliams, H. & D.  Arti Islam, urë mirëkuptimi, (http://www.dritaislame.al/arti-islam-ure-mirekuptimi/)
[32] Burchkardt, fq. 52, Kaligrafia arabe.
[33] Njësimi i Allahut.
[34]Përmendja e Allahut në të folur (F.L.).
[35] Ajvazoglu, B.
[36] Burchkardt, T., fq. 62.
[37]Ajvazoglu, B., fq. 70.
[38] Burckhardt, fq. 57.
[39] Po aty, fq. 63.
[40] Po aty, fq. 73.
[41] Dervishi  Z., Lente të ndërveprimit simbolik, f. 175, EMAL, Tiranë 2008.
[42]Bazyuma, B., 2006, 248, 246.
[43] Dervishi  Z., fq. 177.
[44]Bazyuma, B., 2006:284, 287.
[45]Ajvazoglu, B., Estetika Islame, f. 45, LOGOS-A, Shkup 2009.
[46] Revistë: Arti dhe Kaligrafia e gjuhës arabe, “URA”, nr. 1/1, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2008; Drita Islame, (http://www.dritaislame.al/arti-dhe-kaligrafia-e-gjuhes-arabe/), Aksesuar më 04 Prill 2013.
[47] Williams H. & D., Drita Islame, (http://www.dritaislame.al/arti-islam-ure-mirekuptimi), aksesuar 4 Prill 2013.
[48] Basha, M. Ali, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri, 1912 – 1967, Tiranë 2011.
[49] P.sh. Sipas kronikanit të njohur turk Evlia Çelebiut, të kësaj periudhe janë: Xhamia e Sulltan Mehmetit II, Elbasan 1466, e ndërtuar në kullën e hyrjes për në kala, si dhe në qytee tjera Delvinë, Kaninë, Krujë, Shkodër etj.
[50]Shih: Arkitektura e xhamive të Shqipërisë, Aleksandër Meksi, Uegen Tiranë 2007, f. 148 – 156.
[51]Ali A., Arkitektura Islame e Kosovës e zhvilluar gjatë periudhës osmane.
[52] Shih: Zekaj, R., Kaligrafia arabe dhe komunikimi i saj me kulturën materiale shqiptare, Simpozium Ndërkombëtar, Botuar në librin “Qytetërimi islam në Ballkan”, IRCICA, Stamboll 2007:272
[53] Behluli, Demir, Arabeska në Xhami të Kosovës Lindore, 1994, Bukuroce është një fshat në Kosovën Lindore.
[54] Zekaj, Ramiz, f. 274.

 

Burimi: http://zaninalte.al/2014/03/komunikimi-permes-objekteve-te-kultit-islam/

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme