A po evoluon qëndrimi i bashkësisë evropiane?

Ishte i pari kryetari francez Sarkozy që apeloi për shtyrjen dhe për bisedime të reja 6 mujore të palëve negociuese Prishtinë-Beograd, duke insistuar në gjetjen e një kompromisi të mundshëm të dyanshëm në mes Beogradit dhe Prishtinës, e që ishte kjo edhe kërkesa kryesore e Rusisë për shtyrjen e afatit kohor të zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe për gjetjen e një kompromisi të mundshëm të pranueshëm të dyanshëm. Bashkimi Evropian, sidomos Franca dhe Gjermania, u zmbrapsën karshi shtimit në rritje të sipër të forcës së saj ekonomike, politike, ushtarake dhe posedimit të rezervave enorme të naftës dhe gazit, si dhe rolit karizmatik të liderit të saj Vladimir Putin. Bashkimi Evropian nga përkrahja e planit Ahtisari tani insiston në gjetjen e ndonjë kompromisi të mundshëm të pranueshëm për të dyja palët, e duke ditur qëndrimet diametralisht të kundërta të palëve negociuese, në njërën anë pozicionin e palëkundur të palës shqiptare për pavarësinë e Kosovës, e në anën tjetër pozicionin e betonuar të palës serbe për ruajtjen e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, a thua cili do të ishte ai kompromis i mundshëm shumë i përfolur? Përsëri, ishte i pari ministri i jashtëm francez Bernard Kushner, njohës i mirë i gjendjes në Kosovë, pasi ishte më parë përfaqësuesi special i parë i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së pas vendosjes së UNMIK-ut në Kosovë. Ai e hodhi idenë se Franca do të mbështes kompromisin eventual të mundshëm në relacionin Beograd-Prishtinë, qoftë kjo të jetë edhe te ndarja e Kosovës. Më tutje vazhdoi me gafën e tij politike përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në “treshen” e caktuar nga Grupi i Kontaktit për fazën e ashtuquajtur negociuese 120 ditore, Volfang Ishinger, i cili jo direkt, por, tërthorazi, nuk e përjashtoi mundësinë e ndarjes së Kosovës. Më tej ishte ministri holandez i punëve të jashtme Verhagen i cili, gjatë vizitës së tij në Beograd e Prishtinë, deklaroi se për Holandën do të ishte i pranueshëm pajtimi i dyanshëm për ndarjen e Kosovës. Në diplomaci është i njohur termi “nxehtë-ftohtë”, i cili zbatohet në terminologjinë politike sa herë që kemi të bëjmë me bisedimet apo negociatat e ndryshme gjatë zgjidhjeve të konflikteve të ndryshme në arenën botërore. Pas deklarimeve pro ndarjes së Kosovës, pasuan deklarimet kundër ndarjes së Kosovës për të balancuar dhe zbutur idenë e hedhur më parë, pasi ndarja e Kosovës ishte në kundërshtim me 3 pikat kryesore të përcaktuara kohë më parë nga Grupi i Kontaktit, moskthimi në gjendjen e vitit 1999, mosndarja e Kosovës, si dhe mosbashkimi i saj me ndonjë shtet tjetër. Pasi pushuan zërat në Bashkimin Evropian për ndarjen eventuale të Kosovës, pason goditja e fortë nga pala kundërshtuese ruse, edhe atë nga ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, se edhe Rusia do të ishte e pajtimit edhe me ndarjen e Kosovës si kompromis i mundshëm mes Beogradit dhe Prishtinës. Në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, më 3 shtator në Moskë, Sergej Lavrov përveç të tjerash deklaroi: “Duhet të kuptohet se në gjithë politikën e jashtme të Rusisë për ne ekzistojnë vijat e kuqe, dhe kjo është kur krijohen kërcënime reale të sigurisë sonë kombëtare, në këtë çështje është edhe Kosova. Tani për Rusinë, pavarësia e Kosovës është vija e kuqe, që ajo nuk do ta tolerojë dhe që tashmë është e lidhur me sigurinë e saj kombëtare”. Rusia ia arriti qëllimin e saj, që duke luajtur me politikën e saj të përkrahjes pa rezervë të Serbisë të krijojë huti dhe përçarje në unitetin edhe ashtu pa unitet të Bashkimit Evropian. Menjëherë pas kësaj prapë ministri francez i punëve të jashtme deklaroi se:” medoemos duhet të ruhet uniteti brenda bllokut evropian. Një gjë e tillë është më e vlefshme se sa fati i Kosovës kundrejt Serbisë”. Kulminacion i këtij qëndrimi evolutiv të Bashkimit Evropian ishte deklarate e ambasadorit të Austrisë në OKB, Volfang Petriçit, njohës i mirë i trendeva aktuale politike në Ballkan dhe ish përfaqësues i Bashkimit Evropian në bisedimet e Rambujesë,“nga aspekti ndërkombëtar Serbia ka të drejtë që insiston në ruajtjen e tërësisë territoriale të saj, e që do të thotë se nuk e di se si dhe në çfarë mënyre Serbia mund të ruaj këtë, që Kosovën dhe dy milion shqiptar ta mbajë në gjirin e saj”. Në përfundim të këtij vështrimi mund të konkludojë se qëndrimi i Bashkimit Evropian nga përkrahja e pakos Ahtisari, dalëngadalë po evoluon, e do të shohim se ku do të përfundojë ky evoluim në fund të bisedimeve të palëve të konfrontuara në relacion Prishtinë-Beograd.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme