ÇKA FSHIHET PAS “NEGOCIATAVE SHTESË”

Të ashtuquajturat “negociata shtesë”, të cilat janë miratuar sipas kërkesave serbe e ruse, në të vërtetë janë një presion shtesë mbi Kosovën, që të heqë dorë nga përcaktimi i saj edhe për njw pavarësi të mbikëqyrur. Ekskursionet e kota të delegacioneve të Prishtinës e të Beogradit sa në Bruksel, sa në Nju Jork sa në Londër, janë blerje e kohës, për ta paketuar disi në fund një zgjidhje, e cila do ta kënaqte edhe palën serbe, e kjo do të thotë zgjidhje, e cila pashmangshëm do ta hidhëronte palën shqiptare. Nuk ka asnjë gjasë që të gjendet zgjidhje e cila do të kënaqte edhe ish- okupatorin e edhe të ish-okupuarin, të cilët janë në konflikt për të njëjtin territor.

Edhe përkundër këtij fakti, deklaratat e përsëritura të zyrtarëve rusë se duhet gjetur një zgjidhje e cila do të kënaqë të dyja palët, është bërë formula dominuese e këtyre negociatave shtesë. Në favor të kësaj formule perverse, u deklarua madje edhe presidenti francez, Nikolas Sarkozi, gjatë qëndrimit në Moskë, edhe pse më herët ai ishte dukur i vendour në favor të pavarësisë së mbikëqyrur, të cilën e ka propozuar Marti Ahtisari. Presidenti Sarkozi, duket se në Moskë ka harruar që ministri i tij i jashtëm, Bernard Kushneri, bashkë me ministrin e jashtëm britanik, Dejvid Milibandin, ka firmosur një tekst në favor të zgjidhjes që ofron plani i Ahtisarit. Por, rregullat në këtë mes nuk janë duke vlejtur, madje as për Sarkozinë.

Në të vërtetë, këto negociata shtesë, paradoksalisht janë të ngjashme me lojën shtesë në futboll. Lojën shtesë në futboll e zyrtarizon referi i katërt, pra ai që nuk është fare përgjegjës për lojën dhe mbarëvajtjen e saj në terren. (Ashtu si po bën Rusia me negociatat shtesë për Kosovën.) Minutat shtesë mund të jenë edhe minutat më të paparashikuar, sepse pala humbëse përpiqet të nxjerrë ndonjë favor, me simulime dhe me sjellje agresive. (Ashtu si po bën Serbia me nxjerrjen e kartës së bandave të car Llazarit.) Në fund, minutat shtesë llogariten si pjesë e rregullt e lojës, edhe pse nuk janë pjesë e saj. (Ashtu po i trajton negociatat shtesë edhe komuniteti ndërkombëtar, edhe pse ato janë rezultat i prishjes së rregullave të lojës, të cilën vetë e kishte afatizuar me mandatin për Ahtisarin.)

Gjatë të ashtuquajturave “negociata shtesë”, Kosovës dhe banorëve të saj, u është imponuar edhe një presion i paparë psikologik, si pjesë e dhunimit të rregullave të lojës. Në këtë periudhë janë promovuar edhe dofarë ushtrish, që deklarojnë se janë të gatshme të rinisin luftërat e reja. AKSH-ja në njërën anë dhe bandat e car Llazarit në anën tjetër, janë vu në funksion të rikujtimit të llahtarive të luftës së shkuar. Nga ana tjetër, është “zbuluar” edhe korridori i ri për refugjatët, që kësaj here thuhet se është më i përshtatshëm për t’i mbajtur refugjatët në torishtë, e për të mos i lënë që t’ia mësyjnë shteteve të Bashkimit Europian. Kroacia thuhet të ketë dalë vullnetare në këtë projekt. Edhe pse lajmi i gazetës kroate “Jutarnji list” u demantua nga zonja Di Karlo, prapë se prapë frika e injektuar, ka mbetur të prodhojë efektet e veta.

Ky skenar lufte, në fakt, është vu në qarkullim, për të bërë presion mbi qytetarët e Kosovës, që të zbutin qëndrimin e vet, pra që të heqin dorë nga pavarësia, sepse vetëm ashtu po u evituaka fati i përsëritur i katastrofës humanitare dhe i tmerreve të luftës.

Gjatë këtyre “negociatave shtesë” qytetarëve të Kosovës u është imponuar edhe një luftë e tmerrshme propagandistike, e veshur me gjoja angazhim diplomatik. Deklaratat e shumicës së diplomatëve janë kundërthënëse, konfuze, injorante. Po të mos ishte një realitet i hidhur, do të ishte një propagandë qesharake, kjo që na serviret prej tyre. Mjafton të shihen këta tituj, të huazuar nga dy agjencitë kosovare të lajmeve, për të parë qëndrimet konfuze të këtyre diplomatëve: “Vizner: Nuk ka të ngjarë që çështja e Kosovës të zgjidhet këtë vit”, “Frid: Uashingtoni kundër shtyrjes së statusit përtej afatit të caktuar”, “Di Karlo thotë se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme”, “Ishinger paralajmëron një konferencë të tipit të Dejtonit për Kosovën”, “Harçenko: S’ ka Dejton për Kosovën”, “BE është thellësisht e ndarë lidhur me pavarësinë e Kosovës, thotë Paten”, “Shqiptarët e Kosovës duhet të pajtohen me një formë të pavarësisë, thotë Kushner”, “Ishinger: Gjasat për marrëveshje ekzistojnë, por nuk janë të mëdha”, “Solana: Solana thotë se ka gjasë që të arrihet marrëveshja për Kosovën deri më 10 dhjetor”, “Statuskuoja në Kosovë është e paqëndrueshme, tha Oli Ren”.

Ka edhe me dhjetëra deklarata të këtilla, konfuze e diletante, nga diplomatë që janë përgjegjës për këtë proces. E tëra tregon se diplomacia ka mbetur pa një grimë etike dhe se i ka barazuar xhelatin dhe viktimën. Në vend që Serbia të ndëshkohej për krimet që ka bërë mbi popullatën e pafajshme, asaj i afrohen favore si pranimi në Partneriteti për Paqe. Madje kryeministri italian, Romano Prodi dhe ai slloven, Janez Jansha, kanë propozuar pranimin e përshpejtuar të Serbisë në Bashkimin Europian!!! A e bëjnë këta njerëz një pyetje elementare: shteti që ende nuk është defashistiziuar, nëse pranohet në Bashkimin Europian, a e bartë atje virusin vdekjeprurës të asaj ideologjie? Çfarë statusi do të kishin Karaxhiqi e Mlladiqi dhe të akuazuarit e tjerë për krime lufte, nëse shteti i tyre, Serbia, do të bëhej anëtar i Bashkimit Europian? Por, në këtë proces dhe veçmas në të ashtuquajturat “negociata shtesë”, nuk ka mbetur shumë vend për pyetje logjike.

Duket se strategët kundër pavarësisë së Kosovës, duan që me shtyrje dhe me komplikime të reja, ta shpiejnë Kosovën drejt eksplodimit, të cilin do ta përdornin pastaj si argument final kundër pavarësisë së saj.

13 tetor 2007

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme