Historia e Ricikluar

Një shfletim i shpejtë i kujtesës të sjell para sysh Skënderbeun, Lidhjen e Prizrenit, Ismail Qemalin dhe ngritjen e flamurit në Vlorë; gurë kilometrikë, të një udhe historike të cilën e perceptojmë si "tonën". Për ta ilustruar konceptin e alfabetizimit kulturor mund të sillet shembulli i dy bashkatdhetarëve që takohen rastësisht e që komunikimin mes tyre nuk mund ta mbështetin veçse në një numër të vogël presupozimesh, ose njohurish që i ndajnë mes tyre - përtej thërrmijave të kulturës pop që servirin mediat, Salës dhe Edit, bëmat e futbollistëve ose të automobilistëve, dhe historive me hajdutë dhe trafikantë kombëtarë. Shembulli nuk është banal, sepse një shoqëri moderne që kërkon ta ruajë përmasën kombëtare, duhet patjetër t'ia sigurojë një bazë të përbashkët komunikimit, veçanërisht komunikimit publik, nëpërmjet shkollës; dhe brenda kësaj përbashkësie, historia mban kryet e vendit.

Shqiptarët e kanë tashmë një traditë, për ta shkruar dhe përvetësuar historinë e tyre në mënyrë ideologjike; çka na mungon, është përvoja për t'i trajtuar dhe ndërmjetësuar konfliktet midis palëve. Rilindja, bie fjala, u dha shqiptarëve pikërisht atë histori e cila u duhej për të fituar dhe konsoliduar vetëdijen kombëtare, në rrugën drejt pavarësisë nga Perandoria Osmane; që këtej edhe kulti i luftës ndaj pushtuesve dhe i bashkimit kombëtar, i shprehur në mënyrë lapidare në formulën "Feja e shqiptarit është shqiptaria". Komunizmi, përkundrazi, i mëshoi asaj metafore historike që i paraqiste shqiptarët si komb "proletar", gjithnjë në luftë kundër shtypësve dhe shfrytëzuesve, të brendshëm dhe të jashtëm. Ndonjë narrativë, si ajo e Skënderbeut, u përshtatej bukur të dy paradigmave; të tjera jo. Megjithatë, edhe Rilindja edhe komunizmi ishin lëvizje programatike, të cilat duhen gjykuar jo vetëm nga misioni i tyre eksplicit, por edhe nga amputacionet që i bënë historisë kombëtare; për të mos thënë falsifikimet.

Vitet 1990 sollën një element të ri në debatet rreth vetëdijes historike: identitetin e grupit. Ky zhvillim, jo dhe aq i papritur, do lidhur me përpjekjet shpesh artificiale të regjimit totalitar për ta homogjenizuar shoqërinë shqiptare, në emër të krijimit të njeriut të ri socialist; egërsia e atyre përpjekjeve dhe persekutimet që i shoqëruan, kushtëzuan dukuritë e mëpasme, shpesh të skajshme, të kthimit në krahinizëm dhe separatizëm kulturor, fetar ose gjeografik. Ndarjet e mëdha tradicionale të shoqërisë shqiptare: toskë/gegë, të krishterë/myslimanë, fshatarë/qytetarë, veriorë/jugorë, malokë/fusharakë, ortodoksë/katolikë e kështu me radhë, u kthyen përsëri në qendër të debateve publike dhe sidomos ushqyen zhvillimet politike dhe shoqërore, me ndikim shpesh negativ në institucionet shtetërore dhe në imazhin e shtetit shqiptar post-komunist. Ky segmentim i shoqërisë shqiptare, i quajtur më kot e gabimisht pluralizëm, është pasqyruar edhe në vizionet dhe fantazitë historike të grupeve përkatëse.

Deri edhe për figura pak kontraversiale, si Skënderbeu, interpretimet historike shpesh përkojnë me birësitë kulturore të interpretuesve. Kur analizon figurën e Skënderbeut mund t'i japësh përparësi, sipas rastit, përpjekjeve të tij për t'i bashkuar shqiptarët; luftës së tij për liri; luftës së tij kundër turqve, si element i padëshiruar në Ballkan dhe tepër kërcënues për identitetin shqiptar; përsëri luftës kundër turqve, por tashmë të konsideruar si sjellës të Islamit në Evropë; aleancave të tij me vende të ndryshme perëndimore ose vasalitetit ndaj Aragonëve të Napolit; lidhjeve të tij me Vatikanin ose mitit të "Atletit të Krishtit", që aq shumë u përhap në Evropën e Rilindjes e më pas; natyrës së dyzuar të tij, si edhe i krishterë edhe mysliman; diplomacisë së tij me Venedikun, e kështu me radhë. Nuk është për t'u habitur, as ka gjë të keqe, që krahu katolik i kulturës shqiptare bashkëkohore t'i mëshojë njërit aspekt, ndërsa krahu ortodoks një aspekti tjetër; që historianët me orientim laik të përqendrohen më shumë në përpjekjet e Skënderbeut për t'i dhënë Arbërit trajtat e një shteti të pavarur, dhe më pak në orvatjet e tij për t'u përfshirë në kryqëzatat anti-osmane që përgatiste Evropa dhe Vatikani.

Çfarë shqetëson, në këtë mori interpretimesh dhe ekstrapolimesh, është mënyra si do të paraqitet Skënderbejada në programet e shkollës publike; sa kohë që kjo shkollë publike synon t'i japë Shqipërisë qytetarë, para se t'i japë shqiptarisë shqiptarë, kishës e xhamisë besimtarë, Krujës krutanë, Evropës evropianë etj. Dilema të tilla do të zgjidhen, duam apo nuk duam, me rrugë ideologjike; meqë historia, të paktën në nivelin që u jepet shkollave, nuk mund të jetë veçse projektim, sado besnik, i së sotmes. E solla shembullin e Skënderbeut më tepër si paradoks; ose për të treguar se edhe për atë narrativë aq themelore të një heroi kombëtar absolut ekzistojnë dallesa, divergjenca dhe kundërshtime shpesh dramatike. Me figura të tjera të historisë, këto dallesa e divergjenca shndërrohen me lehtësi të madhe në mure të cilat e pengojnë komunikimin midis miseve të qytetarisë shqiptare.

Shqiptarët e fillesës kulturore katolike, bie fjala, do të parapëlqejnë ato hipoteza që e nxjerrin krishterimin të ardhur në viset (proto)shqiptare nga Roma, përkundrejt të tjerave hipoteza që përsiatin një origjinë lindore të asaj feje. Teoritë për origjinën pellazgjike të shqipes e të shqiptarëve janë mbrojtur pothuajse rregullisht nga dijetarë të lagjes ortodokse. Nga ana e tyre, shqiptarët myslimanë, sidomos sunitë, nuk pajtohen dot me karikaturizimin total që i është bërë tani vonë lëvizjes së Haxhi Qamilit, ndonjëherë edhe në emër të denigrimit të komunitetit përkatës. Fan Noli, i trajtuar nga komunistët, kombëtaristët, antizogistët dhe lobi ortodoks tradicionalisht si vigan liberator i mendimit progresiv shqiptar, tani shihet edhe si revolucionar pothuaj puçist, nga një krah tjetër, i cili simpatizon periudhën dhe sidomos filozofinë politike të monarkisë zogiste. Kur vjen fjala për historinë e periudhës 1939-1944, historianët e majtë gjithnjë duan ta ruajnë antifashizmin si kriter të vlefshëm, sot e kësaj dite, për gjykimin e figurave dhe ngjarjeve politike të atëhershme; por ka edhe një rrymë kombëtariste që kërkon t'i rehabilitojë pushtetarët e ashtuquajtur "kuislingë", pavarësisht se këta bashkëpunuan hapur me italianët, përkatësisht gjermanët. Pa folur pastaj për Konferencën e Pezës, Kongresin e Përmetit dhe Mehmet Shehun…

Edhe në historinë e kulturës, një palë do t'i japin, bie fjala, rëndësi të madhe zhvillimit të Voskopojës si qendër kulturore ballkanike, ndërsa një palë tjetër do ta shpërfillin atë zhvillim, si produkt të një kulture gjithsesi "joshqiptare" (vllaho-ortodokse); po ashtu, letërsia e ashtuquajtur e bejtexhinjve nga disa do të vlerësohet si hallkë e domosdoshme në procesin e përftimit të bashkësisë letrare kombëtare, ndërsa nga disa të tjerë do të refuzohet me neveri, për shkak të alfabetit të përdorur, tematikës e frymës orientale dhe kontekstit social ku ajo letërsi i pati rrënjët. Është e natyrshme që katolikët të krenohen me etërit e shqipes së shkruar - Buzukun, Bardhin, Budin e Bogdanin - si klerikë katolikë; në një kohë që ortodoksët dhe myslimanët do të krenohen me ta për arsye të tjera, që gjithsesi nuk do të lidhen haptazi me veprimtarinë fetare të atyre të katërtëve; edhe pse nuk është e lehtë, objektivisht, që shkrimi i shqipes në ato kohëra të trajtohet veçmas nga misioni katolik…

Problemi mund të formulohet edhe kështu: pas 1990-ës, institucionet shtetërore dhe kulturore qendrore të shtetit shqiptar e humbën prestigjin dhe autoritetin që kishin gëzuar deri atëherë, çka u shoqërua me një rigjallërim të rrymave, interesave dhe prirjeve centrifugale, në të gjitha aspektet e jetës sociale, duke u shtrirë madje edhe në histori. Andej e tutje, historia e Shqipërisë do t'i ngjante gjithnjë e më tepër një romani policor të rrëfyer kuturu prej personazheve dëshmitarë të krimit e me lexuesin viktimë të vetme, por të detyruar. Grupe interesash, shpesh në kundërvënie e kacafytje të ashpër mes tyre, iu vërsulën atyre pak figurave e monumenteve që kemi, për t'i përvetësuar e për t'i përdorur në luftën për supremaci ndaj grupeve të tjera; ose, në rast të kundërt, për t'i mbuluar me baltë. Ka ndodhur edhe që përpjekjet në dukje "shkencore" për revizionim të historisë të kenë qenë, në thelb, rezultat i vullnetit për t'ia diskredituar ose së paku minimizuar grupit kundërshtar "heroin". Kjo lojë e paskrupullt do të dukej qesharake, sikur të mos sillte pasoja serioze në kohezionin kulturor kombëtar. Nëse historiografia totalitare prodhoi dje një version të higjienizuar dhe artificial të historisë kombëtare, revizionimet e sotme kinse në emër të "së vërtetës" kërcënojnë t'i lënë shqiptarët pa histori, dhe qytetarët pa një alfabet kulturor-historik të përbashkët.

Si duhet të veprojë shteti shqiptar përballë kësaj katrahure? Në parim, zgjidhja nuk duket aq e ndërlikuar - meqë institucionet shtetërore kanë përfitim t'u ofrojnë qytetarëve atë histori e cila i ka paraprirë së sotmes; me ato narrativa të cilat pajtohen me interesat e sotme strategjike të shtetit shqiptar dhe të kombit shqiptar në Ballkan. Grupet e interesave, komunitetet fetare dhe krahinore, grupimet politike të majta e të djathta e të tjera segmente sociale kanë programet dhe synimet e tyre për të arritur, të cilat jo gjithnjë pajtohen me interesat e publikut ose të republikës; prandaj duhen respektuar e ndonjëherë dëgjuar, por nuk duhen lënë të sundojnë politikat publike, madje as për hir të koniunkturave; dhe kjo jo në emër të ndonjë etatizmi mitik, por vetëm në emër të ruajtjes së kohezionit të një shteti të ri si Shqipëria, i cili jo gjithnjë mund t'i gjejë lehtë në histori arsyet kulturore të ekzistencës së vet. Rishikimi i historisë, më shumë sesa "ndreqjes së gabimeve" që janë bërë në të shkuarën, duhet t'i shërbejë ndreqjes së gabimeve që, përndryshe, nuk do t'i shmangim dot në të ardhmen.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme