Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:

Index -> Shkrime Aktuale ->

Konferenca islamike dhe Kosova


Muhamed Jusufi-Kajolli

Duke njohur marrëdhëniet shumë të mira midis shteteve arabe dhe SHBA-të, mendoj se këta të fundit kanë një strategji që njohja nga shtetet arabe të behet më vonë për arsye se, njohja të mos merr karakter fetarë. Kosova duhet të durojë edhe pak sa të pranohet nga 77-të shtete të tjera, e pastaj në bllok ose secili shtetet islamik në vete, do ta bënte njohjen për një kohë të shkurtër.
Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


I motivuar nga analiza të ndryshme rreth konferencës islamike, dhe zhgënjimin e disa individëve obligova veten të shkruaj rreth këtij evenimenti të ri. Kam përshtypjen se qasja ime do të ndihmojë sado pak, ata pak të zhgënjyer, rreth njohjes së Republikës së Kosovës.

Elementet që kanë të bëjnë me këtë fushë, janë: 1. shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, 2. kërkesa për njohje, nga shtet sovrane në këtë mes hyjnë edhe shtetet islamike dhe 3. Qëndrimi i “shteteve islamike” rreth kësaj kërkese.

Kosova ka shpallur pavarësinë. Presupozoj se të gjitha shtetet në një mënyrë e dinë se mbrapa kësaj shpallje qëndrojnë SHBA-të, gjë që, shqiptarët në përgjithësi dhe pakicat jo serbe të Kosovës i janë mirënjohës veprimit dhe sakrificës amerikane. Pa këta të fundit, është shumë e qartë se shqiptarët edhe pse e meritojnë mëvetësinë, nuk do të mund ta shpallnin atë. Kështu, shqiptarët i janë mirënjohës edhe shteteve të tjera të cilat iu rreshtuan kësaj sakrifice. Gjithashtu, mirënjohës i janë edhe të gjitha shteteve islame për ndihmës humanitare dhe ushtarake. Dhe krejt në fund i jemi mirënjohës të gjitha shteteve që gradualisht po e kuptojnë realitetin e ri në Ballkan. Nuk ka dyshim se amerikanët sot për sot janë gjeneratori i ndryshimeve globale në botë, prandaj agjenda amerikane nuk mund të përputhet me agjendën tonë e as me agjendat e shteteve të tjera të Ballkanit.

Kosova, ditën që shpalli pavarësinë, po atë ditë kërkoi nga shtetet sovrane për njohjen e saj. Deri më sot kësaj kërkese i janë përgjigjur pozitivisht një numër i konsiderueshëm i shteteve. Na gëzon fakti se njohjen e pavarësisë e kemi nga shtetet më të zhvilluara të botës. Ndërsa shtetet islamike kishin paralajmëruar se do ta pranonin në paket Republikën e Kosovës, të paktën kështu na informuan politikanët tanë. Fillimisht kështu u tha nga ish anëtari i negociatave me Serbinë Veton Surroi dhe, më vonë nga vetë Kryeministri, Hashim Thaçi.





Shtetet islame dhe Kosova



Shumë pak ishin ato institucione brenda shteteve islame që njihnin Krahinën Autonome të Kosovës. Nuk gaboj sikur të them mbase askush nga këto institucione nuk e njihte Kosovën, me përjashtim të pak individëve brenda një numri të vogël institucionesh. Muslimanët e ish Jugosllavisë në botën islame prezantoheshin nga kryemyftiu i Bosnje e Hercegovinës, ndërsa kjo, askund nuk i theksonte shqiptarët, gjegjësisht muslimanët e jugut të këtij shteti. Bota islame mendonte se gjashtë milionët musliman që jetonin në Jugosllavi, që të gjithë ishin nga Bosnja. Ndërsa shqiptarët (muslimanët) filluan të njihen nga këto shtete vetëm pas viteve nëntëdhjeta, me ardhjen e shoqatave bamirëse islame në Shqipëri. Jemi dëshmitar të ndihmës së madhe që këto shtete i ofruan shqiptarëve dhe Kosovës gjatë dhe pas luftës së vitit 1999-të.



Diplomacia shqiptarëve dhe shtetet islamike



Të jemi konkret, diplomacia shqiptare shumë pak ka punuar me shtetet islamike. Nëse Kosovën filluan ta njohin nëpërmes shtetit amë Shqipërisë, atëherë diplomacia shqiptare me këto vende udhëhoqi një politikë injoruese. Në kohën e ish presidentit Ramiz Alia Shqipëria kishte fituar statusin e shtetit vëzhgues në OSHI, për herë të parë në këtë organizatë kishte shkuar Ministri i Punëve të Jashtme Muhamet Kapllani, ndërsa në takimin tjetër kur shkoi Alfred Sereqi, presidenti Berisha u sulmua ashpër nga opozita. Me ardhjen në pushtet të opozitës në vitin 1997-të, u ndërprenë marrëdhëniet me këtë organizatë. Për fat të keq pushtetarëve socialistë, nuk ju mjaftoi ngrirja me këtë organizatë por ajo përdori fjalorin më fyes ndaj kësaj organizate.

Një fakt tjetër është edhe politika e ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Për fat të keq na është i freskët të gjithëve qëndrimi tij. Gjithashtu edhe ky politikan udhëhoqi një politikë injoruese (jo fyese), por për të, ata, ishin inekzistent. Sa herë që kërkohej të prezantohej Kosova me përfaqësuesit e saj nëpër këto takime, ai nuk ishte i gatshëm të dërgonte askënd. Nëse në këtë konferencë shprehin dëshirë të pranohen shtete me përqindje të vogël të muslimanëve, atëherë çfarë i pengonte Shqipërisë ose neve të pranohemi në këtë organizatë. Nuk ka dyshim se nga takime të tilla ne do të kemi përfitime të mëdha ekonomike dhe kulturore.



Kush janë shtetet islame



Populli ynë duhet t’i njohë më mirë e më gjerë shtetet islamike. Secili njeri duhet ta ketë parim jetësor njohjen e gjësendeve, sepse, kjo ndihmon në mos ndërrimin e opinioneve të shpeshta. Jo rastësisht pak më sipër, e kisha futur në thonjëza fjalinë shtetet islamike. Duhet ta kemi të qartë, se në botë sot për sot nuk ka shtete me regjim islamik, me përjashtim të Republikës Islame të Iranit dhe Republikës Islame të Mauritanisë. Unë personalisht nuk di shtete të tjera në botë që drejtohen nga sistemi islam. Nëse i konsiderojmë si shtete islamike të gjitha ato shtete që muslimanët përbëjnë shumicën në ato vende atëherë dakord, le t’i quajmë si të tilla. Aq sa unë i njoh shtetet me sfond islam, kemi shtete klasike monarkiste, shtete me demokraci të brishtë (diktatoriale) dhe shtete me demokraci të pranueshme.

Deri në vitin kur mbaroi Lufta e Ftohtë, shumica e shteteve muslimane i takonin shteteve të treta, pra, shteteve të painkuadruara. Siç dihet, ish shteti Jugosllav ishte gjeneratori i lëvizjes së këtyre shteteve së bashku me Egjiptin dhe Indinë. Ndërsa Jugosllavinë e udhëhiqnin serbët. Nëse politika serbe nuk kishte arritur për të ndikuar në shtetet muslimane monarkiste dhe në shtetet me demokraci të pranuar, ajo kishte ndikuar dukshëm në shtetet me demokraci të brishtë.

Si shtete më me ndikim ndër shtetet islamike në botë janë: Irani, Turqia, Arabia Saudite dhe Egjipti. I vetmi është Egjipti, i cili në një farë mënyre mban qëndrim jo të qartë ndaj Kosovës. Si duket egjiptianët nuk duan t’i mbeten borxh serbëve, për ndihmën që ua dërguan në vitin 1973 kundër Izarelit. Egjipti në syrin tim hyn në shtetet me regjim demokratik të brishtë, ndërsa Husni Mubaraku ka mbaruar shkollën për pilot në Moskë. Duke marrë për bazë këtë, dhe, aktualitetin në Egjipt, politika e tij është konfuze edhe brenda vetë shteteve arabe. Megjithatë, parapëlqej që diplomacia jonë të punoj më me seriozitet me këtë shtet të madh, sepse ky shtet mund të ndikojë tek shtetet e llojit të tij.

Arabia Saudite është një shtet që asnjëherë nuk ka pasur marrëdhënie të mira me ish Jugosllavinë, duke qenë se kjo ka marrëdhënie të mira me SHBA-të, mendoj se një takim zyrtar do ta njohë Republikën e Kosovës. Ndërsa ky shtet ndikon dukshëm në shtetet monarkiste të llojit të tij dhe më gjerë.

Turqia është shteti i cili e njohu Republikën tonë, dhe ky shtet po bën të pamundurën duke lobuar brenda kësaj organizate, bile edhe më gjerë.

Irani është një shtet me ndikim rajonal në Lindjen e Mesme, në shikim të parë secili mendon se ky shtet është kundër Amerikës, dhe, duke qenë se Amerika ndihmoi pavarësimin e Kosovës, natyrshëm ky shtet duhet të jetë kundër pavarësisë së Kosovës. Jo, unë personalisht nuk e shikoj me këtë sy. Irani kishte politikë konstruktive në Bosnje dhe Hercegovinë me SHBA-të dhe BE-në, kështu është konstruktiv edhe në Afganistan e Irak. Atëherë pyes veten pse duhet të jetë kundër pavarësisë së Kosovës, kur edhe ky shtet ndihmoi shqiptarët me ndihma humanitare gjatë krizës!? Secili shtet ka politikat e veta afat shkurtra dhe afatgjata, prandaj nuk shoh asnjë mundësi që Irani të rreshtohet me politikën dezintegruese të Serbisë.



Pse s’e njohu Konferenca Islamike pavarësinë e Kosovës



Personalisht nuk e di, mbi çfarë cilësie shkoi delegacioni ynë në këtë konferencë. A ishin të ftuar si vëzhgues apo si mysafir sa për të prezantuar ndryshimet e reja në Kosovë, meqenëse, kishte për t’u biseduar aty për një shtetet të sapolindur. Sidoqoftë, dy janë arsyet që shtetet islamike nuk e njohën pavarësinë e Kosovës. Prezantimi i dobët i palës sonë dhe e dyta, mbase kanë vlerësuar se është akoma është herët për ta bërë njohjen.

Kur them prezantimi i dobët, këtu nuk aludoj në ministrin e arsimit dr. Enver Hoxhaj. Ai si person dhe si politikan është me përvojë të shkëlqyer dhe është njeri që premton shumë. Por ajo që e bëri prezantimin e dobët ishte rangu i përfaqësimit. Në Dakar ishin tubuar mbretër, presidentë dhe kryeministra, ndërsa përfaqësuesi ynë ishte ministër i arsimit. Në diplomaci, kjo shikohet shumë. Unë nuk kam informacion pse nuk shkoi në Dakar presidenti ose kryeministri ynë, por, thënë realisht në takime të tilla do të duhej t’ishin prezent njëri prej këtyre dyve, ose që të dy së bashku, mu sikur përfaqësimi i Shqipërisë në Bukuresht nga presidenti, kryeministri dhe ministri i mbrojtjes. Kosova kishte nevojë për njohje, dhe, prezantimi ynë do të duhej t’ishte i nivelit më të lartë në këtë konferencë.

Ndërsa arsyeja e dytë mbase esenca e saj duket e paqartë, por është e mundshme. Shkeljet e rënda të Serbisë dhe vetoja Ruse bëri që Kosova të zgjedhë rrugën jashtë rregullave të OKB-së. Për të fituar shansin tjetër që Kosova të bëhet shtet anëtar në këtë organizatë, i duhet të ketë mbështetjen ose njohjen e 128/9 shtete. Serbia dhe aleatët e saj, tani për tani janë të interesuara që ta pengojnë në çdo mënyrë njohjen e Kosovës. Ata duan tajvanizimin tonë. Nuk jam shumë i sigurt por, vetëm 24 shtete deri tani, kanë njohur Tajvanin, ndërsa Kosovën deri tani e kanë njohur 35 shtete, sikur edhe shtetet e mbetura islamike ta pranonin do të bëheshin 87-të shtete. Ky numër nuk është i mjaftueshëm për anëtarësim në OKB, ndërsa në anën tjetër diplomacia antinjohje do të rritej edhe më shumë sepse do të flitej për një shtet të ri islamik në Evropë... Duke njohur marrëdhëniet shumë të mira midis shteteve arabe dhe SHBA-të, mendoj se këta të fundit kanë një strategji që njohja nga shtetet arabe të behet më vonë për arsye se, njohja të mos merr karakter fetarë. Kosova duhet të durojë edhe pak sa të pranohet nga 77-të shtete të tjera, e pastaj në bllok ose secili shtetet islamik në vete, do ta bënte njohjen për një kohë të shkurtër.



E Hėnė, 17 Gusht 2009; 18:53


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats