Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:

Index -> Shkrime Aktuale ->

Feja dhe shqiptaria në ditët e sotme


Fatos Lubonja

Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti se atje nuk thuhet qartë se për çfarë u grindën të dy vëllezërit. Me një fjalë se cili ishte motivi i vrasjes. Një nga variantet që kam lexuar në librin “The Lexus and the olive tree” (Lexus-i dhe pema e ullirit) të Thomas Friedmanit, jepet interpretimi i një rabini i cili, pasi hedh poshtë dy variantet: atë se motivi i grindjes ishte Eva (gruaja), si dhe atë se grindja ndodhi për shkak të ndarjes së pasurisë (pasuria), i mëshon idesë se grindja ndodhi për shkak të mospajtimit se ku do të vendosej Tempulli, në tokën e Kainit apo të Abelit..
Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Është një interpretim që, duke na thënë se vëllavrasja i ka rrënjët tek simboli i identitetit, synon të tregojë se sa i rëndësishëm është identiteti për qënien njerëzore.
E fillova me këtë pasazh të Biblës shkrimin e dytë rreth debateve që ka hapur libri “Të jetosh në Ishull” i Blushit, pasi mendoj se shkaqet e gjithë kësaj zhurme (përveç një manipulimi komercial mediatik që meriton të trajtohet më vete si fenomen) lidhen pikërisht me prekjen e kësaj fijeje kaq të ndjeshme tek qënia njerëzore, identiteti i tij, ku ai fetar zë një vend shumë të rëndësishëm tek shumica e njerëzve.
Ajo që bën përshtypje gjatë debatit është një lloj “vetëmbrojtje” e Blushit dhe promovuesve të librit të tij, sipas të cilëve, ky libër nuk duhet të ngatërrohet me politikë dhe se autori duhet të ndahet si shkrimtar nga bindjet e tij politike. Por, jemi në kontradiktë, kur më një anë autori thotë: interpretojeni si të doni kurse, më anën tjetër, thotë: mos e shihni si politikë. Sipas mendimit tim, nëse ka ndonjë vlerë ky libër, kjo nuk është vlera e tij letrare. Të më falë Blushi, por, ky libër, përsa i përket asaj që ai në një emision e quajti “shije”, në kuptimin e “artit për art”, tregon se ai e njeh artin e të shkruarit po aq sa ç’njeh historinë. Vlera e librit qëndron në atë se na tregon pikërisht atë që paradoksalisht Blushi don ta mohojë: se sa e rëndësishme është që letërsia e sotme të prekë tema të mprehta të aktualititetit socio-politik që po jetojmë. Ky libër, pra, nuk do të kishte jehonë sikur të mos prekte ndjeshmëritë identitare të shqiptarëve të sotëm dhe të mos bënte politika identitare në një vend ku kjo çështje është mjaft delikate sepse, ndryshe nga vendet ku ka shumë më tepër homogjenitet fetar, ky përbëhet nga tre komunitete fetare që deri tani thuhet se kanë jetuar në paqe dhe harmoni në sajë të së ashtuquajturës tolerancë fetare, të cilën, sipas një pjese jo të vogël debatuesish, ky libër e sulmon duke denigruar e fyer besimin e komunitetit musliman.

Raporti i shqiptarisë me fenë në periudhën para rënies së komunizmit

Trajtimi i raportit të shqiptarisë me fetë në ditët e sotme nuk mund të bëhet pa një njohje të raporteve të tyre që nga koha kur lind shqiptaria. Lidhur me këtë temë vlen të theksohet se shqiptarizmi, si identitet dominant i shqiptarëve, lind në shekullin e XIX, kurse përpara kësaj periudhe besimi fetar, si faktor identifikues dhe bashkues, ka qenë më i rëndësishmi, pa harruar se, sikurse shkruan Kristoforidhi në letrat e tij dërguar “Bible Society”, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ka pasur një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare (ai flet më shumë për atë të krishterë) të cilën analfabetizmi dhe izolimi gjeografik e ka lënë pa kontakte me fetë dhe pa asnjë lloj ndjenje kombëtare “as greke, as sllave dhe as shqiptare”. Në këtë periudhë lindin projekte të ndryshme të ndërtimit të shqiptarizmit që janë të lidhur edhe me përkatësitë fetare: projekte të shqiptarizmit arbëresh (J. De Rada etj.), të shqiptarizmit të ortodoksëve të jugut (Jani Vreto etj.), të shqiptarizmit osman (vëllezërit Frashëri etj.), dhe të katolikëve (Zef Jubani etj) që kanë qenë mjaft të ndryshëm me njëri tjetrin, madje edhe kundër njëri tjetrit, dhe dora dorës, për një sërë faktorësh të lidhur me zhvillimet përreth në Turqi, në Greqi, në fqinjët e veriut dhe po ashtu të nivelit evropian, vijmë në një projekt dominant dhe identiteti dominant që e vendos shqiptarinë mbi identitetin fetar e që përmblidhet në thënien e Vaso Pashës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Procesi i ndërtimit të këtij identiteti dominant vazhdoi edhe në kohën e Zogut edhe të Hoxhës. Ndërsa në kohën e të parit, feja dhe identiteti fetar ishte, gjithsesi, i njour dhe shumë më i respektuar, në të dytën u arrit deri atje sa të eliminohet fare. Ajo çka duhet thënë për kohën e komunizmit, e cila përkon me kohën më të gjatë të ekzistencës së shteti komb shqiptar, - duke patur parasysh edhe fuqinë shumë herë më të madhe propagandistike e të kontrollit të territorit që zhvilloi ai regjim, - është se në këtë kohë krijohet përsëri një shqiptarizëm tjetër. Shqiptarët komunistë që përqafuan këtë ideologji dhe u bënë edhe ateistë nuk mund të thuash se ishin ata që qenë më parë. As nuk mund të thuash, duke aplikuar qasjen esencialiste, sipas së cilës çdo ideologji që kanë marrë shqiptarët nuk e ka prekur thelbin e tyre, se ata e morën komunizmin si guna për t’u mbrojtur nga era. Komunistët e parë e morën atë si një besim të ri, i cili, duke hipur në pushtet dhe duke patur në dorë tërë mjetet e propagandës në një popull që e gjeti thuajse analfabet, e transformoi atë dhe identitetin e tij. Komunistët, duke e bashkuar ideologjinë e tyre marksist-leniniste me shqiptarizmin të riinterpretuar me metodën e materializmit historik, por gjithë duke ruajtur disa mite kryesore (të mos harrojmë se të gjitha bustet apo përmendore e heronjve të Rilindjes edhe të vetë kryesimbolit të identitetit kombëtar, Skënderbeut, i kanë ngritur ata), ndërtuan një ideologji pushteti (nacional - komuniste) që farkoi një identitet të ri, duke e paraqitur këtë sikur të ishte thelbi i vërtetë i shqiptarit që në krye të herës e që, realizimin e tij të plotë, do ta arrinte nën udhëheqjen e partisë. Edhe izolimi ka qenë një instrument i rëndësishëm i farkimit të këtij identiteti të ri duke duke i ndarë “shqiptarët” nga njëra anë dhe “të tjerët” nga ana tjetër. Në këtë proces rikonstruktimi identitar, Hoxha, sikurse e dimë, i konsideroi fetë si armike, si agjente të të huajve dhe arriti t’i ndalojë ato fare në emër të shqiptarizmit (“Feja e shqiptarit është shqiptaria”) dhe në emër të marksizëm leninizmit “Feja opium për popullin” që kishin brenda edhe komponenten iluministe të modernizimit edhe atë vetorientaliste të mohimit të identitetit lindor nga vinim, të ndarjes nga prapambetja që na kishte sjellë sundimi osman.
Ndërkaq nuk duhet të neglizhojmë faktin se ndonëse në propagandën komuniste, veçanërisht pas mbylljes së kishave dhe xhamijave dhe shpalljes së Shqipërisë i vetmi vend ateist në botë, fetë trajtoheshin të gjitha si të huaja, në popull vazhdonin të qarkullonin besimet, por edhe dallime midis feve të ndryshme, ndonëse duke u bërë gjithnjë më të zbehta e duke mbetur më shumë si kujtesë origjine sesa si mënyrë jetese.

Periudha paskomuniste

Me rënien e komunizmit për shumë arësye, por mbi të gjitha për atë që quhet nevoja për të besuar e po ashtu edhe nevoja për identitet e spiritualitet edhe për të gjetur përgjigje për ankthet ekzistenciale si vdekja, ashtu sikurse edhe nga kriza identitare e shkaktuar sa nga rënia e shumë simboleve të komunizmit aq edhe nga dalja prej izolimit të gjatë të papërgatitur kulturalisht për të përballuar aventurën e hapjes ndaj botës, një pjesë e shqiptarëve iu kthyen Zotit e feve. (Pa dyshim edhe për arësye ekonomike sepse sejcila nga fetë kryesore filloi të investojë në Shqipëri.)
Ky fenomen rilindjeje fetare shoqërohet edhe me fenomenin e ripërcaktimit apo rikonstruktimit të identitetit të shqiptarit. Ndonëse ndjenja nacionaliste e të qënit shqiptar vazhdoi të mbetet dominuese, filluan të shfaqen edhe identitetet e ndryshme fetare e të lindin dallimet midis pjestarëve të komuniteteve të ndryshme edhe në nivel popullor, madje edhe paragjykime të ndërsjellta denigruese. Në parantezë duhet thënë se edhe komunizmi nuk arriti t’i shuajë dallimet dhe, sëbashku me to, edhe paragjykimet. (Psh. ndër muslimanë qarkullonin vlerësimet denigruese se të krishterët ishin të pakarakter, sepse gjatë gjithë atyre shekujve ishin detyruar të jetonin të përulur, kurse ndër të krishterët ato se muslimanët ishin fanatikë e të paditur.)
Ndër rikthimet në fe e, për pasojë, edhe në identitetet fetare më problematiku dhe më interesanti, sipas mendimt tim, është ai rikthim që, paradoksalisht, edhe duhet të ishte më i natyrshmi duke patur parasysh origjinën fetare të shumicës së shqiptarëve. E kam fjalën për rikthimin në fenë islame. E them këtë sepse kthimi në fenë e krishterë, qoftë edhe në fetë protestane, ishte më i pranueshëm ideologjikisht. Kur them ideologjikisht kam parasysh faktin se ideologjia mbisunduese e kohës u bë evropianizimi apo perëndimorizimi dhe feja e krishterë konsiderohej si feja e Perëndimit. (Ndonëse edhe këtu duhet të bëjmë dallimin midis katolikëve dhe ortodoksëve, ku feja e të këtyre të dytëve vazhdoi të kënsiderohet nga një pjesë si feja e armiqve kombëtarë dhe po ashtu e Lindjes). Gjithsesi kryqi në një farë mënyre ishte jo vetëm simbol i fesë së krishterë, por edhe i Evropës. Po ashtu kjo ideologji evropianizuese kishte në sfondin e vete historik ideologjinë orientaliste të Rilindjes sipas së cilës e keqja shqiptarëve u kishte ardhur nga rënia “aksidentale” për pesë shekuj në botën e të keqes, atë lindore, çka i kishte nxjerrë ata nga shtrati i së mirës. Këtë e kishte bërë të vetën edhe Zogu edhe Hoxha. Ky i fundit ndërkohë që kishën katolike (veçanërisht) dhe atë ortodokse e demonizoi kryesisht me komponenten e tij marksiste, fenë muslimane e demonizoi edhe me komponenten e tij nacional-orientaliste pra si fenë e prapambetjes, e pushtuesit turk që kishte sjellë fehrexhetë. Deri edhe emrat muslimanë ishin ngarkuar me ngarkesë pexhorative edhe fjalët turke ishin pastruar nga fjalori nën ndikimin e kësaj ideologjie që fillonte të ushqehej që në fëmijëri. “E drejtë njëra botë/ si shpata që mban/ e shtrembër është tjetra/ me jatagan” janë disa vargje të një poeme për fëmijë që Kadareja botonte më 1989 duke krahasura botën shqiptare me atë turke (Ismail Kadare “Në muzeun e armëve).

muslimanizmi dhe evropianizmimi
Megjithë këtë presion prej një shekulli vetorientalizëm e modernizim të identifikuar me “kapërcimin e prapambetjes që na lanë turqit” për habinë e atyre që mendonin se komunizmi, me gjithë të zezat e pafundme, kishte bërë edhe një të mirë, sepse kishte zhdukur të gjitha fetë dhe kështu, tani, do të mundësonte kthimin e shqiptarëve në fenë e të parëve (dmth. në fenë e krishterë) kjo gjë nuk ndodhi. Një pjesë e shqiptarëve u kthyen në fenë muslimane. Shkaqet, siç thashë, kanë qenë të shumta, por mbizotërues ka qenë nevoja për fe dhe Zot, e cila i ka çuar në fenë e gjysh stërgjyshërve të tyre muslimanë. Sepse, sikurse dihet, feja është një akt iracional besimi me rrënjë të thella në emocionet e njeriut. Nuk është një akt racional kalkulimi, një mekanizëm mbijetese i shqiptarit, i zgjedhur në mënyrë racionale, siç u tha shpesh në debatet mbi librin. Dua të them se një pjesë shqiptarësh muslimanë, që kërkonin Zotin dhe besimin, e kanë ndjerë shumë më afër atë në fenë e të parëve të tyre muslimanë sesa tek të krishterët. Dhe besoj se kjo është pjesa e besimtarëve. Kurse ndërrimin e emrave të atyre që shkojnë në Greqi që vërteton, megjithatë, se ndodh edhe fenomeni i veshjes së një identiteti tjetër për mbijetesë, sipas meje duhet ta shohim më shumë si një aspekt tjetër të fenomenit të krizës së identitetit e personalitetit të shqiptarit të komunizmit, që, kombinuar me individualizmin e konsumizmin, po krijon një shqiptar tjetër të ndryshëm nga të gjitha kohët paraardhëse dhe që, nga pikëpamja fetare, të paktën në këtë brez, qëndron më larg feve qoftë muslimane qoftë të krishtera. Megjithatë kjo kategori duket më indiferente ndaj këtij debati. Debatin e bëjnë ato shtresa që janë më të ndjeshme ndaj çështjes së identiteteve, që ndonëse janë një pakicë, dominojnë skenën e konstruktimit të ndërgjegjeve dhe identiteteve të reja.
Gjykimi im duke u nisur edhe nga debati mbi librin e Blushit është se në kohën kur po jetojmë, siç e kam shkruar edhe herë tjetër, miti i tolerancës fetare që ka siguruar bashkëjetesën në paqe midis këtyre komuniteteve, nuk mjafton për të siguruar vazhdimësinë e harmonisë midis komuniteteve fetare në terma afatgjata. Së pari duhet thënë se, në fakt, gjatë periudhës komuniste nuk u zhvillua kultura e tolerancës, por kultura e intolerancës. Feja nacional komuniste e Hoxhës i shtypi fetë e tjera, nuk i toleroi, dhe nuk krijoi kulturën e vërtetë laike të bashkjetesës dhe respektit të të ndryshmeve, por shqiptarizmin e interpretoi si një identitet monolitik dhe përjashtues identitetesh të tjera.
Në vazhdën e këtij shqiptarizmi monolitik e përjashtues, të lënë trashëgim nga komunizmi, me rilindjen e feve thënia “feja e shqiptaria është shqiptaria” filloi të zëvendësohet me mitin e tolerancës fetare i cili, në fakt, ishte më shumë një konstrukt ndrydhës (Frojdi thotë “Qytetërimi është ndrydhje”) që nuk kishte frymë laike, por laiciste. Me laicizëm kam parasysh një laicitet të deformuar që vjen e bëhet një religjion integrist. Sipas këtij laicizmi, identitetet fetare tashmë mund të jetonin, por duhet të qëndronin nën sundimin e shqiptarizmit që i konsideronte ato si inferiore. Mirëpo ky lloj laicizmi i mbuluar me mitin e tolerancës fetare sot rezulton i dobët për t’iu imponuar identiteteve të tjera. Kjo, së pari sepse jetojmë në kohën pasnacionaliste, të krizës së shtetit komb të krijuar nga globalizmi që i ka dobësuar ndjenjat kombëtare, së dyti sepse jetojmë në kohën kur modernizmi dhe kulti i modernizmit, që kuptohet edhe si triumf i epokës së arsyes mbi atë të besimit, janë në krizë, ia kanë lënë vendin post-modernizmit që, mes tjerash shfaqet, edhe si një rikthim i feve. Së treti sepse jetojmë në kohën pas 11 shtatoriste të luftës kundër terrorizmi islamik që fut në kontradiktë ideologjnë e perëndimorizmit me qënien e shqiptarëve me shumicë muslimane. Dhe këtu shohim të lindë kontradikta që sipas meje janë edhe në qendër të debatit të librit të Blushit. Kësaj situate të re, pas-nacionaliste, pas-moderniste e pas - 11 shtatoriste një pjesë e mirë e inteligjencës, ku bën pjesë edhe Blushi, kërkojnë t’i përgjigjen me metoda të vjetra nacional - romantike e nacional – komuniste. Çka do të thotë: duke tentuar ta rikonstruktojnë shqiptarizmin me metodat romantike të rigjetjes së thelbit identitar të shqiptarit, në këtë rast nëpërmjet bashkimit të rrënjëve të krishtera me perëndimorizimin dhe me imponimin e këtij identiteti të ri (“të ngurtë” do ta quante Zigmund Bauman) e monolitik duke i përjashtuar identitetet e tjera ose shumë shumë duke i “toleruar”, në kuptimin që i jap konceptit të tolerancës Derrida, kur e dekonstrukton, dmth. si një qëndrim i superiorit ndaj inferiorit, që ve, madje, edhe pragun e tolerimit me perspektivë asimilimin. Blushit nuk i intereson feja, as nuk e njeh botën e saj, ashtu sikurse nuk njeh historinë, atij i intereson të bëjë politika rikonstruksioni identitar. Blushi bën pjesë ndër ata që ndonëse jobesimtarë, madje do të thoja edhe ateistë, nisur nga një qasje ideologjike vetorientalizmi, e denigron fenë islame nëpërmjet shumë klisheve që janë përdorur nga vetorientalizmi shqiptar, të paktën që nga koha e Naimit e deri tek kinematografia e letërsia e socrealizmit. vënë alarmin e muslimanizimit të një pjese, ndërkohë që nuk venë alarmin për kthimin e pjesës tjetër në ortodoksi apo katolicizëm, por ekzaltojnë rrënjët kristine të shqiptarëve,.
Cilët janë problemet e këtij qëndrimi, sipas meje?
Kjo qasje krijon një ndarje të rrezikshme në vend midis shqiptarësh të dorës së parë dhe shqiptarësh të dorës së dytë. Dhe këtu Blushi nuk është se po bën ndonjë gjë të re: modelet i kemi jo vetëm në të kaluarën tonë, por edhe në Evropën e sotme. Ai kërkon të imitojë edhe qëndrime ekstremistësh të djathtë të sotëm në Evropë. Por me një ndryshim të madh, sepse, ndërsa në Evropë këtë e bëjnë të djathtët konservatorë ndaj emigrantëve muslimanë me pretendimin se përfaqësojnë shumicën e krishterë dhe bazuar në faktin historik se Evropa ka një komponente të rëndësishme të kulturës së saj dhe të historisë së saj kristiane katolike dhe protestane, tek ne historia dhe përkatësia është krejt tjetër shumë më e lidhur me Lindjen dhe kulturën e saj bizantine dhe osmane dhe me fenë muslimane dhe, mbi të gjitha, sepse muslimanët nuk janë emigrantë, por shqiptarë vendas dhe shumicë.
Sipas mendimit tim të shprehur edhe herë tjetër, qasja ndaj identiteteve dhe rrënjëve në funksion të ndërtimit të një identiteti të kohës ku jetojmë duhet të jetë tjetër nga kjo qasje përjashtuese dhe diskriminuese. Shembullin e kemi mu në Evropë, ku shumica dhe pjesa më intelektuale, e aq më tepër partitë ku bën pjesë simotrat e partisë ku militon Blushi, e kanë refuzuar përcaktimin e identitetit evropian mbi bazët e rrënjëve fetare të krishtera.
Qasja sipas meje në kohën e sotme duhet të jetë tjetër nga konstruksioni i një shqiptarizmi të bashkuar me “rrënjët” e krishtera, madje edhe nga laicizmi i kamufluar me mitin e tolerancës fetare. Qasja duhet të jetë ndërtimi i një shoqërie me frymë laike që do të ndërtojë edhe pluri-identetet që jetojnë në paqe dhe harmoni. Me frymë "laike", apo “laicitet” kuptoj atë që Habermas e quan “një "distancim refleksiv" nga siguritë vetjake, hapje drejt mundësisë që e vërteta mund të jetë tjetërkund dhe heqje dorë nga imponimi me forcë i përmbajtjeve që nuk gjejnë konsensusin e tjetrit.”
Shqipëria në një farë kuptimi, pikërisht në sajë të ekzistencës së saj në një pikë gjeopolitie e kulturore që ka përbërë edhe një udhëkryq qytetërimesh, është një miniaturë e problematikës globale. Habermasi, duke e trajtuar këtë problematikë në shkallë botërore thotë se globalizimi ekonomik dhe lëvizjet migratore po krijojnë një "shoqëri globale" të përbërë nga "qytetërime" të ndryshme që reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj të njëjtave sfida që u ve përpara dinamika homologuese e modernizimit ekonomik. Cilat duhet të jenë raportet midis këtyre qytetërimeve? – shtron pyetjen ai. A duhet t'i mendojmë si të rreshtuar në aleanca që konfliktojnë rreth vizionesh alternative të së mirës dhe së keqes të frymëzuara nga fetë? Apo duhet të imagjinojmë që këto qytetërime do të kultivojnë një diskurs "ndërkulturor" rreth principeve të një bashkekzistence paqësore midis të barabartësh? Dhe në këtë diskurs ndërrkulturor a nuk duhet të imagjinojmë se pjesët duhet të bëjnë një hap prapa ndaj pretendimit se e vërteta e tyre është e vetmja e vlefshme? A nuk duhet të fillojmë të imagjinojmë se duhet të mësojmë të përdorim vetëm argumentet që i pranojnë edhe ata që nisen nga një pikëpamje tjetër nga e jona? Dhe a nuk është pikërisht kjo: “distanca refleksive” nga të vërtetat tona ajo që duhet të kuptojmë si “laicitet”?
Arsyeja laike europiane rikthehet kështu – sipas Habermasit - në qendër të skenës si model i konfigurimit të atij që mund të jetë etosi ndërkulturor i një shoqërie botërore në të cilën takohen qytetërime të ndryshme.
Ky do të ishte edhe modeli më i mirë sipas meje i Shqipërisë së shekullit XXI, fati historik i së cilës ka bërë që në territorin e saj të bashjetojnë tre fe dhe tre kultura.
Në Kishën e famshme të Betlehemit, që është ndërtuar nga Helena, e ëma e Kostandinit në shekullin e III, shkuan në shekullin e VI persianët. Ata kishin shkatërruar shumëçka, por, kur dolën përballë hyrjes së kishës, panë se aty paraqiteshin në reliev Mbretërit Magjistarë, të cilët ishin veshur si persianë, dhe nuk e shkatërruan. Pastja erdhi radha e muslimanëve të arrijnë përpara saj si pushtues. Edhe ata shkatërruan shumëçka, por në kishën e Betlehemit ndaluan sepse ajo i dedikohej Marisë dhe ajo përmendet me emër në Kuran si nëna e Profetit. Dhe prandaj e lanë. Shqipëria ka plot monumente të tilla që bëjnë thirje për paqe dhe harmoni midis të ndryshmëve, për diskursin ndërkulturor midis tyre, për faktin se kjo larmi është pasuri që duhet ruajtur dhe jo rrezik që duhet eliminuar. Ajo e gjitha me historinë e saj të veçantë mund të ishte një monument i tillë, por për fat të keq, deri më sot, politikat ku i mëshohet argumenteve të papranuara nga pala tjetër e ku të vërtetat e njërës dhunojnë ato të tjetrës, që i ushqen edhe libri i Blushit, që u bë shkas për këto dy shkrime, kanë dominuar duke sjellë dhunë, shkatërrim e përjashtim më shumë sesa paqe, harmoni dhe bashkim midis shqiptarëve.

P.S.:
www.zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas shkrimit.



E Hënë, 17 Gusht 2009; 19:03

(Korrieri, Tiranë, 18 maj 2008)

Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats