Turqi - Abdullah Gyl - „Ne nuk nxitojmë“

SPIEGEL: Zotëri president, përse në vendin tuaj konflikti mbi shaminë po zhvillohet me aq pezëm?

Gül: Në pozitën time të tanishme unë nuk guxoj të merrem më me partitë politike. Por unë mburrem me atë, që kam qenë anëtar i qeverisë dhe pjesë e reformave politike në vend. Edhe konflikti i shamisë ka të bëjë me demokratizimin e Turqisë, ku hyjnë të drejtat dhe liritë bazë, poashtu edhe religjioni. Vendi im është një shtet laik dhe demokratik. Një grua e vendos një shami apo jo, është zgjidhje e saj personale. Meqë ra fjala, gjakrat nxehen kur politikanët merren me këto qështje.

SPIEGEL: Disave në Turqi u duket se shamia është një sinjal, që qeveria ka si qëllim islamizimin e shtetit.

Gül: Ky problem mua nuk më duket kështu. Sa i përket shamisë ne u përmbahemi rregullave dhe kritereve të shtruara nga Bashkimi Evropian mbi lirinë e mendimit dhe religjionit.

SPIEGEL: Qeveria e lejoi mbajtjen e shamisë nëpër universitete, Gjyqi Kushtetues e ndaloi këtë. Në verë ishte afër që partia qeveritare e kryeministrit Rexhep Tajib Erdogan të ndalohej së funksionuari. A nuk është kjo një luftë për pushtet ndërmjet elitës kemaliste dhe elitës së re konzervative që tubohet rreth AKP-së.

Gül: Në Turqi momentalisht janë duke ndodhur disa procese shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me modernizimin dhe demokratizimin e shtetit. Në këtë drejtim ne po vendosim standarde evropiane që për disa është shumë e dhimbshme. Ndaj mendimin se ky është një zhvillim i mirë.

SPIEGEL: Qeveria Turke në njërën anë po e modernizon ekonominë dhe në anën tjetër në pikëpamje sociale është konzervative, simbol i kësaj është shamija.

Gül: Partia në pushtet asnjëherë nuk ka deklaruar se është një parti konzervative-demokratike. Tek ne ka edhe parti socialdemokrate dhe nacionaliste. Është e vërtetë që gjatë viteve të kaluara ekonomia është forcuar mjaft, ne po prosperojmë, ne po shkojmë para. Në të njëjtën kohë shteti nuk e ka lënë pas dore fuqinë e saj bindëse për demokraci, të drejta të njeriut dhe ekonominë e tregut të lirë. Qeveria po e modernizon këtë shoqëri që është me shumicë muslimane – dhe kjo e bën Turqinë të veçantë.



- 2 -

SPIEGEL: A mund të shkojnë huq të arriturat ekonomike përmes krizës së përgjithshme ekonomike botërore?

Gül: Turqia është nga ato vende që ende më së paku është prekur nga kjo krizë. Në vitin 2001 ne e patëm një krizë të këtillë. Atëherë duhej që 25 përqind të të hyrave shtetërore bruto, 45 miliard dollarë, të investohen në sektorët bankarë. Nëse e vështrojmë nga ky kënd, na është paguar. Tregu financiar turk në ndërkohë është shumë solid, poashtu duke iu falënderuar mbikëqyrjes së pavarur bankare.

SPIEGEL: Por, tregu evropian me të cilat Turqia eksporton është dëmtuar mjaft.

Gül: Do të ishte shumë e mundur që eksporti gjatë vitit të ardhshëm të stagnojë, kur kemi parasysh që ne tregtojmë me shtetet që janë të prekura direkt nga kriza. Në gjashtë vitet e kaluara kishim një rritje mesatare prej shtatë përqind, për këtë vit edhe më tutje presim një rritje prej katër përqind. Ne jemi nga shtetet me deficit më të ulët buxhetor në tërë evropën. Për dallim nga shumë shtete tjera evropiane ne i kemi plotësuar kriteret e Mastrihtit.

SPIEGEL: Në fillim të nëntorit do të publikohen të arriturat më të reja të Bashkimit Evropian për turqinë. Në këtë drejtim përsëri mund të merrni një notë të dobët për sa i përket lënies mbrapa tempos së reformave.

Gül: Kjo mund të ndodhë për shkak të angazhimit të tejngarkuar të shtetit me probleme të mbrendshme politike.

SPIEGEL: Sipas mendimit tuaj, kur do të anëtarësohet Turqia në BE?

Gül: Ne nuk ngutemi. Por një gjë duhet ditur: Aq sa ka ndryshuar Turqia e këtij viti me atë të vitit 2003, aq shumë do të ndërrojë prej sot e deri pas pesë vitesh. Vendi im po transformohet për të mbarë. Prandaj, ne gjendemi në bisedime me Bashkimin Evropian. Në një të ardhme të afërt do të shqyrtohen të arriturat tona dhe nëse ky proces do të mbyllet me sukses, atëherë do të bihet një vendim politik se a do të hyjë Turqia në BE apo jo. Atëherë presim që secili shtet të nënshkruajnë veq e veq në përputhje me marrëveshjet paraprake.

SPIEGEL: Keni shumë lëvdata nga evropianët për politikën e jashtme turke. Në të kaluarën dukej se ishit të rrethuar nga armiqët, sot keni marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përveç Qipros. Si ia arrini?

Gül: Ne udhëhiqemi nga një politikë e zgjidhjes së problemeve. Kemi besim se mund t`i zgjidhim jo vetëm problemet tona por edhe ato të regjionit. Në këtë drejtim Turqia mund të ndihmojë për paqë dhe stabilitet edhe në Lindjen e Afërt.

SPIEGEL: Ankaraja, marrim shembull, ndërmjetëson bisedimet ndërmjet Sirisë dhe Izraelit. Si është situata atje?

Gül: Është një favor i madh që ne e kemi fituar besimin e të dy shteteve. Në këtë drejtim në procesin e paqës së konfliktit siriano-izraelit ne po luajmë një rol të posaçëm. Ne po ua lehtësojmë partive në konflikt që të bisedojnë mes vete. Dhe të dy anët po punojnë shumë çiltërsisht dhe seriozisht që të vijnë deri te një marrëveshje.



- 3 -

SPIEGEL: A është politika juaj e jashtme politikë e zgjidhjes së problemeve kur është fjala edhe për konfliktin me PKK (Partia Komuniste e Kurdistanit)? Pse çështja kurde mbetet një plagë e hapur?

Gül: Çështjen kurde duhet shumë qartë ta ndani nga çështja e PKK-së. Sipas kushtetutës sonë çdo person i vendin tim, që ka nënshtetësi turke, i ka të gjitha të drejtat dhe mund të konkurojë në secilën detyrë të shtetit pa marrë parasysh se çfarë etniteti i takon. Në të kaluarën këtu ka pasur probleme: shumë kurd për shkak të etnitetit janë diskriminuar, ata nuk guxonin të shkruanin dhe flisnin në gjuhën e tyre. Kjo ka ndryshuar, të drejtat kulturore janë forcuar shumë.

SPIEGEL: Kurse raportet me PKK-në?

Gül: PKK është një organizatë terroriste. Ajo në sheshet e qyteteve të mëdha zhvillon akte terroriste, ku ndër të vrarët kemi edhe gra dhe fëmijë. Disa nga këta terroristë në Turqi arritën përmes Irakut. Ne të gjithë duhet ta kuptojmë, që PKK zhvillon një luftë të pamëshirshme dhe të papërfillshme. Ne duhet të mbrohemi.

SPIEGEL: Edhe në Irlandër Veriore IRA ka bërë atentate dhe shpërthime të shumta, bile edhe në Londër. Atëherë ish kryeministri Toni Bler ngadalë dhe me vështirësi, nga një luftë qytetare, arriti paqë. A mund të jetë ky një shembull i mirë për Turqinë?

Gül: Për t`i dhënë fund terrorizmit mundësitë janë të ndryshme. Por, unë jam shumë i sigurtë që ekspertët tanë e kanë kontrolluar dhe analizuar edhe modelin britanik për Irlandën Veriore.

SPIEGEL: Gjatë vizitës suaj Panairit të Librit në Frankfurt të Gjermanisë keni biseduar me përfaqësuesit e shoqatave dhe klubeve turke. Çka i porositët turqit e lindur atje?

Gül: Unë i këshillova para së gjithash që të jenë realist. Ata jetojnë këtu, dhe ky është një fakt. Nëse dëshirojnë që me të vërtetë të jenë të lumtur, dhe qytetarë të dobishëm për shoqërinë, atëherë duhet para së gjithash që mirë ta zotërojnë gjuhën e vendit dhe të gjitha mundësitë e shkollimit që i ofron sistemi shkollor gjerman. Që të jenë qytetarë të interesuar dhe të angazhuar. Që të investojnë në biznese dhe të anëtarësohen në partitë politike të vendit. Nuk do të kishte kuptim që ju fizikisht të jetoni në gjermani dhe mentalisht në turqi. Ju duhet të bëheni një pjesë e shoqërisë. Do të ishte shërbimi më i mirë për të dy vendet, nëse këta njerëz do të formonin një urë ndërmjet Turqisë dhe Gjermanisë.


Përktheu: Naxhi Ibrahimi
Intervistoi: Gerhard Spörl, Daniel Steinvorth
Der Spiegel 43 / 2008 Fq. 120-121

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme