“LËMSHI DIPLOMATIK” PËR KOSOVËN NGATËRROHET EDHE MË

Po kur është fjala për ngjarje si ajo e përcaktimit të statusit të Kosovës, që shqiptarët e kanë pritur me durim të madh për një kohë të tejzgjatur, errësira diplomatike që bëhet më e dendur nuk mund të merret si shenjë se agimi i kthjellët është fare afër.

Dendësimin e errësirës e tregojnë dy zhvillime të kohëve të fundit. Serbia e ka shënuar në kushtetutën e saj të re se Kosova është pjesë e pandashme e territorit të saj. Diplomacia ruse, mbrojtësja tradicionale e politikës ekspansioniste agresive të Serbisë në Ballkan, ka ripohuar qëndrimet e saj se nuk pranon për Kosovën zgjidhje që nuk do ta pranojë Serbia. Këtë mesazh kanë dhënë me deklaratat e tyre diplomatët rusë në Prishtinë. Këtë mesazh kanë dhënë udhëheqësit e Kremlinit. Pavarësisht si i rrotullon fjalët ministri i jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, këtë mesazh i ka dhënë dhe homologu rus gjatë takimit të fundit të tyre në Moskë. Madje nga shpjegimet që ka dhënë Besnik Mustafaj pas kthimit nga Moska del se edhe ky sikur është pajtuar në njëfarë mase me qëndrimin rus (gjegjësisht atë serb).

Mustafaj përmend se: ”Rusia këmbëngul të mos saktësohet një datë për mbylljen e negociatave, të mos ushtrohet presion mbi negociatorët për arsye kohe, të mos imponohet asnjë zgjidhje paraprakisht ndaj njërës palë, ku ata kanë parasysh serbët, pra të synohet për një kompromis”. Dhe fill pas këtyre sqarimeve të pozitës së Rusisë Mustafaj shton :”Ne jemi dakord që të synohet një kompromis, por për hir të së vërtetës duhet thënë se deri tani nuk shohim asnjë gatishmëri nga pala serbe për arritjen e një kompromisi”. Për çfarë kompromisi e ka fjalën diplomacia e Tiranës e drejtuar nga Mustafaj nuk e kemi të qartë. Vetëm dimë se bisedime janë bërë, në tryezë e nën tryezë; se bisedimet janë zgjatur e stërzgjatur. Tashmë e dimë dhe duhet ta themi pa ngurim se koha u dha të drejtë atyre që këmbëngulnin se nuk e vlente që shqiptarët të shkonin në bisedime me serbët, pasi ato ishin të kota dhe do t’i shërbenin lojës serbe, se të quajturat bisedime teknike ishin për të vënë çështjen e pavarësisë së Kosovës në bisedim me serbët.

Gjatë shumë vitesh edhe më shumë se serbët e shqiptarët kanë biseduar ndërkombëtarët në gjithfarë nivelesh e mekanizmash dhe përsëri asgjë nuk është qartësuar e saktësuar, por gjithçka është mjegulluar e errësuar sa më shumë afron fundi i vitit 2006, kur sipas gjithë premtimeve (por jo gjasave) është caku i fundit kohor për shpalljen e statusit të Kosovës.

Nëse fundin e vitit 2006 e marrim si “agimin e premtuar” për statusin përfundimtar të Kosovës atëherë zhvillimet më të fundit politike diplomatike duhet t’i quajmë si “errësimin e madh para agimit”. Por kur zhytemi në gjithë këtë errësirë politike e diplomatike që po krijohet duhet të pyesim me shumë shqetësim: a mund të jetë ky “agim”? Mos vallë ai “agim” do të jetë gati aq i zymtë, me re e mjegull sa errësira që po krijohet tani? Në këto kushte çdo kompromis për çështjen e Kosovës, si ai që po kërkojnë Rusia e Serbia, sjell për Kosovën një agim të zymtë me shumë pak ndryshim nga nata. Po nuk janë vetëm Rusia e Serbia që kërkojnë “zgjatjen e natës” për ta bërë të pranueshëm për shqiptarët një agim të zymtë. Janë dhe ata që “kompromisin” e kërkojnë fillimisht nga zgjatja e procesit të shpalljes së statusit dhe pastaj nga plotësimi i një sërë kushtesh të tjera serbo-ruse.

Deri tani diplomacia ndërkombëtare ka këmbëngulur që “shqiptarët e serbët të arrinin vetë në një zgjidhje të pranueshme për ta”. Kur loja e kërkimit të zgjidhjes së pranueshme mbaroi se i doli boja, atëherë erdhi paralajmërimi “nëse nuk ka zgjidhje të pranueshme do të ketë zgjidhje të imponuar”. Propagandohej se zgjidhja e pranueshme ishte më e mirë se do të kënaqte të dy palët. Pas dështimit të këtyre shpresave (iluzioneve) vijoi kërcënimi “zgjidhje e imponuar, pavarësisht se do të mbeten të pakënaqura të dy palët”. Pra, për zgjidhje të drejtë e reale nuk është bërë fjalë dhe nuk është menduar asnjëherë. Synimi ka qenë gjithnjë që të gjendej një zgjidhje në dëm të kërkesave e të drejtave të shqiptarëve. Pra, ka vazhduar “diplomacia e Rambujesë”.

Procesin e “zgjidhjes së pranueshme nga dy palët”, si siç ka qenë e qartë nga fillimi deri në fund, e ka pasur në dorë ta sabotonte dhe e ka sabotuar Serbia, e inkurajuar së tepërmi nga gatishmëria e diplomacisë ndërkombëtare për të ngatërruar sa më shumë lëmshin e zgjidhjes, e cila ishte fare e thjeshtë : njohje pavarësisë së Kosovës. Serbia e vulosi përfundimisht sabotimin e “zgjidhjes së pranueshme për të dy palët” me miratimin e kushtetutës që Kosovën e shpall pjesë të pandashme të Serbisë. Pavarësisht se ky vendim në analizë të fundit do të përfundojë me dështim të plotë pasi është një idiotësi politiko-diplomatik e Serbia përfundimisht ka mbyllur çdo shteg për të vazhduar më tej një proces qesharak takimesh e bisedimesh shqiptaro-serbe. Tani të shkosh në takime e bisedime me serbët, qoftë dhe për të ashtuquajtura “çështje teknike”, do të thotë të bësh një kapitullim të turpshëm, të heqësh dorë nga aspirata kombëtare shqiptare, të tallesh me sakrificat që kanë bërë deri tani shqiptarët e ndërkombëtarët; do të thotë të bësh një tradhti kombëtare shqiptare. Të ulesh në tryezë për të kërkuar zgjidhje kompromisi me serbët tani do të thotë të pranosh të zbatosh kushtetutën e Serbisë.

Serbët e kanë ditur fare mirë se shqiptarët nuk mund të bëjnë një vetëvrasje të tillë të turpshme kombëtare sa të bëjnë kompromis me serbët në kuadër të kushtetutës serbe që shpall Kosovën pjesë të Serbisë. Por pushtetarët serbët duke krijuar këtë situatë kanë synuar të mundësojnë miratimin e kësaj kushtetute dhe njëkohësisht bllokojnë për njëfarë kohe aksionin diplomatik ndërkombëtar për shpalljen e një statutsi për Kosovën. Serbët praktikisht janë tallur me përpjekjet që ka bërë një pjesë e diplomacisë ndërkombëtare deri tani për ta çuar këtë proces në një përfundim serioz.

Megjithatë sado që përfaqësues të diplomacisë ndërkombëtare deklarojnë se përfshirja e Kosovës në kushtetutën serbe nuk ndikon mbi procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës, kjo kushtetutë tashmë ka ndikuar mbi këtë proces. Kushtetuta e Serbisë i ka dhënë çështjes së Kosovës zgjidhjen më absurde, më të papranueshme, duke i trajtuar me mospërfillje përpjekjet e deritanishme ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje. Drejtuesit serbë tani e tutje do të tregohen edhe më të padëgjueshëm ndaj kërkesave dhe këshillave të diplomacisë ndërkombëtare. Kurse diplomacia ruse duke mbajtur ato qëndrime që ka përmendur Besnik Mustafaj po i thotë krahut tjetër të diplomacisë ndërkombëtare se asgjë nuk mund të bëhet jashtë atij kuadri kushtetues që ka përcaktuar Serbia. Pra, diplomacia ruse në njëfarë mënyre pohon se është sjellë gjithë këto vite me hipokrizi e pabesi ndaj diplomacisë ndërkombëtare në gjithë veprimtaritë diplomatike kushtuar kërkimit të zgjidhjes për Kosovën.

Po diplomacia shqiptare e Besnik Mustafajt për çfarë kompromisi shpreson ende? Çfarë pret se do të bëjë Serbia për të arritur në këtë kompromis? Mos vallë Besnik Mustafaj shpreson se Serbia, po t’i bëhen disa lëshime, e heq atë dispozitën për Kosovën nga kushtetuta? Mos vallë Besnik Mustafaj e ka ende mendjen tek formula e tij e “pavarësisë me kushte” që të bindë Serbinë të ndryshojë kushtetutën? Drejtuesit e politikës e të diplomacisë shqiptare në Prishtinë apo Tiranë duhet ta trajtojnë dispozitën e kushtetutës serbe për Kosovën si një marrëzi serbe të radhës, por asnjëherë nuk duhet të mendojnë se serbët e bënë këtë vetëm se janë të marrë. Ata e kanë bërë me djallëzi, edhe pse është marrëzi po ta gjykosh sipas logjikës së gjërave, që ata as e kanë ndjekur, as do ta ndjekin.

Koshtunica e Tadiçi po mburren me “kryeveprën e tyre” politiko-diplomatik e, për “ripushtimin kushtetues” të Kosovës njësoj siç kapardisej Slobodan Milosheviqi me nënshtrimin serb të Kosovës kur mbante fjalime në fushë Kosovë dhe i hiqte Kosovës autonominë. Koshtunica e Tadiçi me “ripushtimin kushtetues” të Kosovës, në një kohë që kjo është krejtëisht jashtë kontrollit të Serbisë dhe në sundim ndërkombëtar, llogarisin të dalin para serbëve edhe më të zotë e triumfalistë se Milosheviçi në marshimin drejt pushtetit në mesin e viteve 1980, shpresojnë të magjepsin serbët që ti mbështesin në luftën për pushtet, vetëm me një përfshirje iluzore të Kosovës në hyrjen e kushtetutës serbe.

Kushtetuta e Serbisë që “gllabëron” Kosvën do të ketë ndikime të fuqishme në Serbi, do të sjellë edhe rrjedhoja të dëmshme për Kosovën dhe për gjithë Bllkanin. Serbia po përgatitet për të shpërthyer një cikël të ri sherresh, dhune, mbase dhe luftrash të reja në Ballkan. Rusia me diplomacinë e saj po inkurajon këtë kurs rreziqesh të reja të politikës së Serbisë, sepse vetë Rusia ka nisur një kurs të ri të acarimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Europë e veçanërisht në Ballkan e në Kaukaz. Në Rusi po shpërthen nacional-shovinizmi . Në Rusi ringjallen nostalgjitë për pozitat e dikurshme imperialiste. Kushtetuta e re e Serbisë dhe angazhimi i ri i Rusisë në mbështetje të politikës së Serbisë sipas kësaj kushtetute provojnë më së miri sa kanë gabuar politikanët e analistët shqiptarë që kanë trumbetuar për vite me radhë se politika ruse ndaj çështjes së Kosovës po ndryshonte në kahje pozitive, se Rusia pak nga pak po e pakësonte interesimin për Ballkanin dhe angazhimin në Ballkan, se marrëdhëniet e posaçme ruso-serbe i përkisnin historisë. Kurse tani vetë ministri i jashtëm shqiptar Mustafaj detyrohet të pohojë se: “Nuk ka ndryshim në qëndrimin e Moskës ndaj Kosovës” (intervista në gazetën “Albania” 3 nëntor 2006).

Mustafaj pohon se “Shqipëria sheh destabilitet, po u shty statusi i Kosvës” (“Gazeta Shqiptare” 3 nëntor 2006). Serbia këtë kërkon. Prandaj edhe në kushtetutën serbe (që mendohet se u miratua me referendum të falsifikuar) vuri atë dipozitën për Kosovën që të nxisë tension e shkaktojë destabilitet në Ballkan. Edhe Rusia për këtë po e inkurajon dhe mbështet Serbinë. Më mirë se të gjithë këtë duhet ta shpjegojë për shqiptarët Besnik Mustafaj pas kthimit nga Moska. Rrezikun e destabilizimit nuk mund të mos e shohin dhe diplomacitë e tjera që merren me Ballkanin dhe me çështjen e Kosovës.

Por edhe nga këto diplomaci nuk po vijnë veprime aktive e të vendosura për të parandaluar me kohë, për të bërë të dështojnë qysh në vezë planet serbo-ruse për destabilizime të reja në Ballkan. Është shumë shqetësuese për shqiptarët kur lexojnë fjalët “Kosova bëhet peng i rivalitetit të fuqive të mëdha” që i ka shkruar gazeta me shumë emër “Fajneshënell Tajms” (“Albania” 29 tetor 2006). Këto fjalë të gazetës amerikane sot janë njësoj në thelb me ato që shkruante në fillim të shekullit XX, udhëtarja e shquar angleze Edit Durham: “Në Ballkan mund të ndryshosh mendje sa herë të duash, por vetëm një gjë nuk e ndryshon dot: qiellin e mbuluar nga retë e fuqive”. Shqiptarët po presin ende një agim të ndritur nën qiellin e Kosovës të mbuluar nga retë e fuqive.

Ballkani ende nuk ka ndryshuar aq sa duhet për të shpresuar se po kthehet në ”Europë moderne”. Retë e fuqive ende po zymtësojnë qiellin e Ballkanit. Në shekullin XIX për gjithë popujt ballkanikë zbatohej parimi i kombësisë në zgjidhjen e çështjes kombëtare. Për shiqptarët ky parim flakej tutje. Në shekullin XX për popujt e Ballkanit quhej i vlefshëm parimi i vetëvendosjes. Për shqiptarët, jo. Tani në fillim të shekullit XXI për shqiptarët rekomandohet “kompromis në vend të drejtësisë” për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe diplomacia ndërkombëtare ende mendon të imponojë “zgjidhje konjukturale” në vend të zgjidhjes së drejtë.

U bën 10 vite që sajohen, përdoren, flaken, rinovohen, përsëriten formula nga më të çuditëshmet gjoja për të gjetur ”një zhgjidhje” dhe për të përcaktuar një “status përfundimtar” për Kosovën dhe nuk bëhet ajo që duhet si për gjithë njësitë e ish federatës jugosllave të shpërbërë, njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës. Tani që Serbia e shpalli me kushtetutë se nuk pranon e nuk toleron asnjë zgjidhje tjetër për Kosovën veç asaj që ka vendosur ajo “Kosova pjesë e pandashme e Serbisë” dhe kurrë nuk do të njohë e të lejojë pavarësimin e Kosovës, diplomacia ndërkombëtare në vend që të bënte hapin e duhur të hapte rrugën për njohje normale individuale të pavarësisë së Kosoëvs ende pranon të bjerë në lojën e Serbisë për të kërkuar ”zgjidhje nëpërmjet konsensusit të mekanizmave diplomatike shumëpalësh” edhe pse Serbia e ka thënë haptazi dhe Rusia e le të kuptohet qartë se këto përpjekje do të dështojnë për shkak të qëndrimit të Rusisë.

Serbia po shkëput hap pas hapi lëshime nga diplomacia ndërkombëtare. Është vënë tashmë në dyshim deri nga kryediplomati i BE, Solana e sekretari i përgjithëshëm i OKB-së , Anan, vendimi i diplomacisë ndërkombëtare për ta mbyllur çështjen e statusit të Kosovës brenda vitit 2006. Dëgjohen zëra mjaft shqetësues për shqiptarët se Kosova mund të ketë njëfarë pavarësie, pa anëtarsim në OKB. Kjo nuk është gjë tjetër veçe plotësim i njërës nga kërkesat e Serbisë që Kosova të gëzojë “pavarësi të brendshme” që do të thotë “autonomi brenda në Serbi”. Formula e “pavarësisë së mbikqyrur”, ose “Kosova shtet i varur nga OKB” është një gjë që lë shteg për çfarëdo interpretimi dhe gjithsesi nuk e bën Kosovën shtet normal, subjekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare, çka përsëri plotëson një tekë tjetër të Serbisë për ta quajtur Kosovën pjesë të shtetit serb. Rusia duke kundërshtuar “zgjidhjen e njëanshme të imponuar” dhe duke kërkuar vazhdimin pa pushim të bisedimeve për arritjen e një “kompromisi”,që nuk mund të arrihet kurrë, shpreson të plotësojë edhe kërkesën tjetër serbe që përcaktimi i statusit të Kosovës të shtyhet për në “kalendar greke”dhe të mbetet si zgjidhje për Kosovën ajo që shkruhet në kushtetutën e Serbisë.

Lëmshi po ngatërrohet shumë në kohën kur shpresohej se më në fund diplomacia ndërkombëtare e kishte kapur mirë fillin për zgjidhjen e tij.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme