OBAMA DHE ISLAMI

Duke filluar nga institucione shtetërore dhe të pavarura, shkolla dhe universitete, shoqëri dhe personalitete të profileve të ndryshme dhe deri te kryetarët e shumë qeverive dhe shteteve, të gjithë këto në një apo tjetër mënyrë, ushqejnë ndjenja indiferente, paragjykime dhe mendime negative ndaj Islamit dhe pjesëtarëve të tij!
Sikur Perëndimi (po edhe Lindja) të dinte se ç’është Islami dhe kjo të bëhej duke u udhëhequr nga pandehma për ta kuptuar të vërtetën e saktë dhe të pakontestueshme që ndërlidhet me të, s’do mend se nuk do të ishte e nevojës të paraqiteshin lloj-lloj paragjykimesh të pavërteta, si të llojit se është “fe e prapambetur”, “e arabëve beduinë”, “e rrezikshme”, “fe destruktive”, “hibride”, me ç’rast u ngrit edhe teoria e Hantigtonit mbi përplasjen e qytetërimeve, ku si kërcënim ndaj qytetërimit perëndimor e sheh botën islame, gjegjësisht Islamin.
Islami në asnjë rast nuk i mëson pjesëtarët e vet t’i urrejnë popujt e tjerë, por përkundrazi, ai në një kohë kur nuk respektohej vet njeriu, dha frytet e ndërrimit të mendjes dhe raportit të njeriut ndaj tjetrit, pavarësisht cilës racë, ideologji apo besim i takonte. Për më tepër, Islami ndalon ofendimin dhe urrejtjen ndërnacioanele. Ky sistem në vete ngërthen konceptin për koekzistencë dhe tolerancë midis shoqërive që kanë përbërje të ndryshme kulturore, zakonore, etj.
Ndërkaq, Barak Obama si duket dëshiron ta kuptojë esencën e problemit! Bota nuk do të ndryshojë duke vazhduar të paragjykohet ajo! Për dallim nga pararendësi i tij, Xhorxh Ë. Bush, i cili drejtoi një politikë, të themi, paragjykuese ndaj disa shteteve, qeverive, sistemeve, shoqërive dhe feve, sidomos ndaj Islamit dhe pjesëtarëve të tij, prandaj dhe do të mbahet mend si presidenti që më së shumti gaboi në këto kohë dhe që i solli dëm jo vetëm shoqërisë amerikane, por edhe tërë botës, presidenti i ri kam përshtypjen se do të zhvilloj një politikë krejt tjetër nga Bushi! Ne i kemi fare të freskëta opinionet e ish-presidentit Bush dhe deklaratat e tij dhënë nëpër vende të ndryshme, prej të cilit u afirmua edhe thënia famëkeqe: “Kush nuk është me ne, është kundër nesh!”, e deklarata të tjera, fyese dhe injoruese nga të cilat ushqehej ndjenja etnocentrike e mbivlerësimit të një shoqërie mbi tjetrën.
Sa i përket botës islame, Bush drejtoi një politike të pandershme dhe nënçmuese, me vet faktin se pas 11 shtatorit të vitit 2001, ai vetë u vu në krye të “kryqëzatës” së re me luftën që i shpalli botës islame, në Afganistan, Irak e gjetiu, dhe me këtë synoi të shkatërrojë ekzistencën e Islamit në të gjithë ato vende ku ai frymonte. Ky qëndrim i ish-presidentit reflektoi negativisht edhe tek shumë personalitete, organizata dhe individë të ndryshëm, të cilët të frymëzuar dhe të “përkdhelur” nga ai, u vunë në shërbim të luftimit dhe ofendimit të vlerave dhe figurave madhore të Islamit, siç qe rasti me karikaturat ndaj Muhamedit, alejhisselam, në Danimarkë, apo deklarata e Papa Benediktit XVI në një Universitet të Regensburgut në Gjermani, Shtator 2006, me ç’rast citoi një thënie të një perandori Bizantin se gjoja Islami është “përhapur me shpatë”! Ky reflektim nuk qe i pashmangshëm as edhe në trojet tona. Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në një forum të mbajtur në Oxford, Nëntor 2005, me temën “Toleranca ndërfetare në traditën e popullit shqiptar”, me gjuhën e tij prokristiane, ndonëse kryetar edhe i shumicës muslimanëve, ofendoi dhe shënjoi Islamin si fe e cekët, e pathemeltë në shpirtrat e shqiptarëve!
Këto prononcime dhe qasje të njëanshme, pa objektivitet të realët, nuk do të donim të viheshin në dukje te lideri i ri i “ndryshimit”, Barak Obama. Megjithëse është shumë herët të vlerësohet ecuria e politikës së presidentit të ri të Amerikës, kundrejt botës joamerikane në përgjithësi dhe botës islame në veçanti, përsëri, në bazë të disa deklaratave të tij të buta dhe shprësëdhënëse, si dhe duke e pasur parasysh faktin që zt. Obama ka një rrjedhë muslimane, miq dhe familjarë musliman, pastaj edhe përvoja e tij personale duke mësuar mbi Islamin në shkollat fetare të Indonezisë, na bënë që të mendojmë se ai këtë politikë do ta drejtojë në bazë të dëshirës për një të ardhme më të mirë midis shoqërive, si dhe për një dialog më të arsyeshëm dhe paqësor midis botës islame dhe SHBA-ve.
Ajo që më nxiti mbi këtë shkrim, ishte paraqitja e presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë gjatë Lutjeve të Mëngjesit, 05 shkurt 2009, nga i cili vend, në mesin e shumë personaliteteve botërore, theksoi mesazhe të cilat në thelb janë edhe islame. Përshtypje më bëri kjo fjali e tij: “Çdo besim fetar u kërkon pasuesve të tij të tregojnë respekt ndaj fqinjit të tij, të duan vëllain sa veten, ... dhe të priren nga parimi i drejtësisë”. Vallë a nuk janë këto parime islame? A nuk është kjo një gjuhë e ndikuar nga Islami? A nuk thotë Muhamedi, alejhisselam, se “nuk është besimtar i vërtetë ai që nuk ia dëshiron vëllait të tij atë që ia dëshiron vetes”, po ashtu në shumë raste kërkohet drejtësi, bamirësi, respektim të të tjerëve, sidomos të fqinjit, sa që raportet e prishura me të, sipas Islamit, ndikojnë negativisht edhe në Ditën e Llogarisë, etj...
Është për t’u vlerësuar edhe paraqitja modeste e Barak Obamës në ditën e inaugurimit të tij si president i Amerikës, kur theksoi “që Amerika është edhe e muslimanëve, siç është edhe e të krishterëve dhe hebrenjve”. Këto dhe disa aspekte të tjera të gjuhëpolitikës së butë dhe objektive të presidentit Obama ndaj botës islame, më nxitën të mendojë më shumë se a thua vallë ka ardhur koha kur do të duhet që Islamit dhe popullit musliman t’i jep më shumë liri, hapësirë dhe motiv për ta treguar vetën e tyre të vërtetë. Kam idenë se zt. Obama e ka kuptuar këtë enigmë dhe shpresojë që me këtë qëndrim të tij ndaj botës islame, të reflektojë pozitivisht edhe tek të tjerët.
Duke u ndrojtur që të mos bie edhe unë pre e paragjykimeve të mia kundrejt parashikimeve të politikës së Barak Obamës ndaj Islamit dhe muslimanëve, them që kjo politikë e presidencës së re amerikane do shihet në të ardhmen se a do te jetë e vërtetë, konstruktive, objektive, përparimtare dhe e mençur për t’i drejtuar çështjet e hapura globale drejtë rrugës së qartë dhe të drejtë, pa u ndikuar nga ide të njerëzve që synim kanë shkatërrimin dhe prishjen e punëve që të tjerët synojnë t’i ngritin. Le të mbesim me shpresë se bota do të ndryshojë, se Amerika do t’i ndërrojë politikat dhe raportet e saja kundrejt të tjerëve, sidomos ndaj Islamit dhe muslimanëve dhe kështu të krijojmë një botë larg paragjykimeve dhe një klimë mbizotëruese paqësore. Në të kundërtën, bota do të thellohet akoma më shumë në kriza dhe probleme, që për këto kohë nuk do të ishin aspak të mirëpritura.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme